“Ndërsa po të shkruaja, lidhja me rrjetin nuk funksiononte, kishte disa probleme teknike me sinjalin e telefonit, por që unë nuk i kuptoj dhe jam në pritje që të kthehem në normalitet. Kam një ndjenjë shumë të çuditshme: më duket sikur jam jashtë botës kur nuk arrij të ndez sitet e mia të zakonshme, të hap adresat e mia në postën elektronike. Ndjehem i rrethuar nga vetmia, larg miqve të mij me të cilët jam në kontakt online, jashtë çdo mundësie për t’iu shkruar atyre”. Kjo është dëshmia e një pacienti të një mjeku shumë të njohur psikiatër në Amerikë, Eugenio Borgna, i cili i ka mbledhur këto dëshmi dhe me to ka bërë një libër që e ka titulluar “Arkipelagu i emocioneve”. Ndër të tjera, në libër profesori shkruan : “Përhapja e lidhjeve dhe kontakteve nëpërmjet internetit ka krijuar mundësi që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin edhe nëse janë në cepe të ndryshme të botës”. Por në fund të fundit këto mënyra përballjesh me të tjerët nuk bëjnë që të lindin forma autentike dhe konkrete komunikimi dhe relacioni…. Nuk ekziston një relacion autentik kur nuk arrin të realizosh një takim, kur nuk arrin të flasësh a shohësh tjetrin në sy, kur nuk provon dot emocionet e të paturit afër trupin e tjetrit, kur nuk arrin t’i shtrëngosh dorën e të shoqërosh një batutë me xheste. Epoka e kompjuterit shënon rrezikun fatal të radikalizimit të vetmisë dhe të boshëzimit të marrëdhënieve psikologjike dhe njerëzore nga përmbajtja emocionale aq shumë deomethënëse. Interneti pra provokon sindromën e vetmisë on line, një patologji e njohur dhe e studiuar, sipas së cilës mësohemi që të marrim kënaqësinë jo më nga kontakti njerëzor me miqtë dhe prindërit, por nga një ekran. Megjithatë atyre që e përdorin shpesh internetin, një ekran i fikur iu krijon vetmi. Iu duket sikur ai katror i errët do të bëhet papritur simbol vizibël i përjashtimit nga komuniteti virtual i të gjithë përdoruesve të botës. Ai katror, kur është i errët iu mbyll të gjitha kontaktet me botën e jashtme, për të ndenjur vetëm me veten. Megjithatë ky përshkrim ka të bëjë me ato individë që e kalojnë sensin e masës, pasi nuk mund të mohohet shërbimi i jashtëzakonshëm që të bën një lidhje më internetin, e cila të krijon idenë se ke hapur dritare mbi të tjera botë, ku ke të tjera mundësi, ku mund të thithësh “ajër të freskët”, është si të vraposh i shpenguar mbi një fushë të blertë. Interneti është liri. Por thuhet se mbas një lirie të tepërt fshihen rreziqet, sidomos për më të rinjtë. Interneti është si një rrugë me të mirat dhe të këqijat, me të bukurat dhe të shëmtuarat. Imagjinoni një fëmijë vetëm në këto autostrada pa fund. Fëmijët duhet të shoqërohen, të orientohen nga të rriturit, të ndërgjegjësohen. Interneti nuk është as ujku i keq dhe as kësulkuqja, ai është një instrument që ekziston dhe që i jep zë popujve të kësaj toke. Të ulur para një ekrani kompjuteri, mundësitë e navigimeve janë pa fund, mjafton të zgjedhësh atë që është më e mira për ty.
Të informohesh
Padyshim që është mënyra më praktike dhe e shpejtë për shumë shërbime, sidomos sot që pothuajse të gjithë e kanë një kompjuter në shtëpi dhe lidhja me internet është shumë e thjeshtë për t’u realizuar. Nëse do të flasim për realitetin tonë, tashmë çdo gazetë shqiptare mund të lexohet në internet, përveç shumë adresave të tjera on line që janë të kompletuara me informacione dhe rubrika nga më të larmishmet, në shqip dhe gjuhë të huaj. Përdorimi i email-ve është bërë masiv dhe një domosdoshmëri, së fundi po shohim një përdorim të gjerë të disa telefonave celuarë që lejojnë lidhjen me internet dhe kontrollin e postës, kudo që të jesh. Informimi në internet, shpesh të kursen kohën dhe paratë sidomos ne shqiptarëve që jemi mësuar të blejmë një gazetë ose dy dhe të ulemi në një kafe për t’i lexuar, duke shpenzuar ndoshta orët më të dobishme dhe frutdhënëse të ditës.
Të njihesh
Padyshim që interneti është dritare mbi botën dhe për të rinjtë sidomos, është një mundësi për të bërë njohje duke u zbavitur edhe me misterin dhe ruajtjen e anonimatit që kjo mënyrë komunikimi ta ofron. Nëse deri dje shqiptarët shfryzonin sitet e huaja ku mund të bënin njohje, sot pothuajse çdo sit shqiptar, ka rubrikën “Njohja me vajza dhe djem”.
Forumet, një grup miqsh që flasin on line
Forumet në internet shërbejnë për të bashkëbiseduar një ide dhe më pas debatohet rreth saj. Disa nga adresat janë ëëë.forumishqiptar.com apo ëëë.diskutime.com etj. Aty anëtarët e forumeve diskutojnë për tema të ndryshme si psh lajmet e shtypit të ditës, me aktualitetin shqiptar dhe ndërkombëtar, diskutime për tema të ndryshme të historisë së Shqipërisë, mbi gjuhën shqipe, elitën kombëtare, kulturën demokratike, muzikën, letërsinë, folklorin, kinematografinë, televizionin, problemet fetare, për shkencën, filozofinë, ekonominë, biznesin, emigracionin, temat e dashurisë, bukurisë dhe estetikës, kuzhinën, pra gjithçka. Për t’u bërë anëtar dhe pjesë e diskutimeve, duhet të rregjistrohesh dhe të përcaktosh një nickname nëpërmjet të cilit identifikohesh nga anëtarët e tjerë. Mund të komunikosh në grup për tema të ndryshme, por edhe privatisht me ndonjë anëtar të forumit duke patur privacinë e plotë.
Krijoni Kontakt