Maturantët në protestë: Të rikorrigjohen testet
Maturantët e “Petro Ninit” kanë bërë një peticion me firmat e 430 të rinjve, me anë të të cilit do t’i kërkojnë DAR dhe MASH që të rishikohen testet e Letërsisë
Rikorrigjim të testeve të Letërsisë ose riprovim. Kjo ka qenë kërkesa e maturantëve të gjimnazit “Ismail Qemali”, të cilët kanë protestuar dje përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë, megjithëse nuk kanë qenë përkrah tyre, të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe të rinjtë e “Petro Nini Luarasit”, të cilët kanë bërë gati një peticion ku kërkojnë rikorrigjim të testeve të tyre. Ndërsa pjesa më e madhe e maturantëve kanë bërë gati ankesat, më anë të së cilës do të kenë mundësi të marrin në dorë një kopje të korrigjuar të testit të tyre. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore 2007, të rinjtë mund të kenë në dorë një kopje të korrigjuar të testit, por nuk do të ketë rikorrigjim të tyre.
Protesta
Kanë qenë të rinjtë e gjimnazit “Ismail Qemali” të cilët kanë vendosur të dalin hapur kundër Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës së testeve, duke hedhur dyshime mbi mënyrën se si janë korrigjuar tezat. Ata kanë protestuar rreth mesditës përpara MASH-it dhe i kanë kërkuar këtij dikasteri që të rikorrigjohen edhe njëherë testet. “Rezultatet e afishuara nuk korrespondojnë në të vërtetë me dijet tona, - kanë deklaruar të rinjtë, - ndaj ne i kërkojmë Ministrisë së Arsimit që të rikorrigjojë testet e Letërsisë, ose provimi të përsëritet edhe njëherë në të gjithë vendin”. Ata e argumentojnë pretendimin e tyre me notat e marra edhe nga nxënës shumë të mirë, që në të vërtetë nuk kanë rënë asnjëherë poshtë 9-ës gjatë katër viteve të shkollës së mesme, por që në provimin e Letërsisë kanë arritur të marrin mesatarisht notën shtatë. “Një rezultat i tillë është absurd, - kanë deklaruar të rinjtë protestues, - Ku shkuan gjithë ata dhjeta që na kanë vënë mësuesit tanë gjatë gjithë vitit? Ky rezultat nuk është vetëm një dështim i yni, por edhe i mësuesve tanë, të cilët na kanë vlerësuar maksimalisht. Kush e ka fajin për këtë rezultat: nuk dinë të vlerësojnë mësuesit tanë, apo problemi qëndron te ata që hartuan testin dhe e korrigjuan atë?”, - thonë ata.
Peticioni
Nga e njëjta situatë duket se është përfshirë edhe shkolla “Petro Nini Luarasi”. Maturantët e zhgënjyer të kësaj shkolle kanë bërë gati një peticion me firmat e 430 të rinjve, me anë të të cilit do t’i kërkojnë Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit që të rishikohen edhe njëherë testet e Letërsisë. “Peticioni është gati dhe do ta dërgojmë gjatë ditës së sotme në MASH dhe në DAR, pasi ky rezultat nuk reflekton aspak nivelin e nxënësve të shkollës sonë”, - është shprehur Julinda Gjika, kryetare e Parlamentit Rinor. Ajo shpjegon se peticioni nuk do të kufizohet vetëm me firmat e maturantëve të kësaj shkolle, por do të shëtisë në të gjitha gjimnazet e kryeqytetit për t’u bashkuar të gjithë për të njëjtën kërkesë: rikorrigjim të testit të Letërsisë.
Rregullorja
Të gjithë ata që duan të shikojnë testin e korrigjuar të një prej provimeve të maturës shtetërore, duhet më parë të depozitojnë një ankesë në sekretarinë e shkollës, pasi të paguajnë një tarifë prej 400 lekësh të reja. Më pas, sekretaria e shkollës i dërgon ankesat në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe kjo e fundit, pasi mbledh ankesat që i vijnë nga të gjitha shkollat që kanë nën varësi, ia përcjellë AVA-s, e cila bën gati një kopje të korrigjuar të testit dhe vlerësimin përkatës për çdo përgjigje të dhënë. Në rregulloren e Maturës Shtetërore 2007 është përcaktuar se nxënësit mund të shikojnë një kopje të korrigjuar të testit, por nuk do të ketë rikorrigjim të tyre.
Krijoni Kontakt