Grigor Gjirokastriti, përkthyesi i Dhiatës së Re në shqip – bir i shquar i Gjirokastrës
Të dhënat për jetën e Grigor Gjirokastritit, veprën e të cilit albanologë të mëdhenj si Xylander, Bopp, Hahn, Dozon, Camarda etj., e kanë cilësuar si një monument me vlerë të paçmuar të gjuhës shqipe, janë të pakta. Nuk dimë asgjë për prejardhjen familjare, as për vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së hershme. Ajo për çka jemi të sigurt është vendlindja e tij, të cilën biografët e hierarkut të shquar e përmendin si “Gjirokastra e eparkisë së famshme të Drinopolit”. Bashkëkohësit e vlerësojnë si një klerik të denjë, njeri të virtytshëm e me kulturë të gjerë. Nga burime të tërthorta mësojmë se për një periudhë të shkurtër, vetëm disa muaj, shërbeu si mitropolit i Paramithisë, në juridiksionin e të cilit përfshiheshin ndër të tjera edhe krahinat e Sulit e të Çamërisë.
Në vitin 1799, pak kohë para se të shpërthente konflikti i armatosur midis suliotëve dhe Ali Pashë Tepelenës, Grigori emërohet mitropolit i Eubesë. Prania e tij në këtë ishull të Greqisë, në të cilin kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij aktive (1799-1827), duket se luajti një rol jo të vogël në zhvillimet e Revolucionit Grek kundër sundimit turk, i cili, siç dihet shpërtheu në pranverë të vitit 1821. Ai mbështeti operacionet luftarake në Eubenë jugore të drejtuara nga Aleksandër Kryeziu kundër forcave turke të komanduara nga Omer Bej Pasha.
Mes kryengritësve kishte edhe disa gjirokastritë, për të cilët thuhet se ishin ata që nxitën vendësit të rrëmbenin armët. Për shkak të kësaj veprimtarie turqit arrestuan Grigorin dhe e mbajtën në burg deri në janar të vitit 1823. Tashmë qëndrimi i tij i mëtejshëm në Eube u bë i pamundur. Në korrik të po këtij viti vendoset në Korfuz, përballë bashkatdhetarëve të vet, ku qëndron për një periudhë gati katërvjeçare, gjatë së cilës iu kushtua me mish e me shpirt veprës që e bëri të njohur: përkthimit të Dhiatës së Re në gjuhën shqipe.
Një nga faktorët që nxitën Grigorin të merrte përsipër veprën e lartpërmendur ishin kontaktet e tij me një ndër njerëzit më të ditur e më të kulturuar të asaj kohe, klerikun Andrea Hidromeno, kryetar i Shoqërisë Biblike Joniane dhe anëtar nderi i Akademisë së famshme Joniane, i cili kishte lindur në Pargë në vitin 1764, por ishte larguar i dëshpëruar prej andej pas rënies së Prevezës (1798) dhe nënshtrimit të Sulit (1803) nga Ali Pasha për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz, ku edhe la frymën e fundit (1843). Bashkëpunimit të dy burrave, Grigor Gjirokastritit dhe Andrea Hidromenos, i parapriu në fund të vitit 1823 prania në Greqi e një grupi misionarësh anglikanë e amerikanë si përfaqësues të Shoqërive Biblike të vendeve të tyre, të cilët kujdeseshin për të shpërndarë nëpër popuj e gjuhë të ndryshme tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ndikimit të tyre i kushtohet padyshim përkthimi i tekstit të Dhiatës së Re nga greqishtja e vjetër, e pakuptueshme për pjesën më të madhe të besimtarëve, në greqishten e thjeshtë, eveniment ky që i hapi rrugën edhe përkthimit të tij në gjuhën shqipe.
Botimi i parë i përkthimit në fjalë qarkulloi në vitin 1824 në dialektin toskërisht, ku mbizotëronte e folmja e Gjirokastrës. Përmbante vetëm Ungjillin sipas Mattheut, por në të nuk përmendej emri i përkthyesit. Përkthimi i plotë, kësaj here drejtpërdrejt nga origjinali, i një cilësie të admirueshme si në aspektin teologjik, ashtu edhe në atë filologjik, në ballinën e të cilit gjendet edhe emri i Grigorit, doli nga shtypi dhe qarkulloi në vitin 1827. Ndërkaq nuk duhet lënë pa u përmendur fakti që Patrikana e Konstandinopojës miratoi pa asnjë rezervë aktivitetin e Shoqërisë Biblike Joniane, falë të cilit u mundësua edhe përkthimi i Dhiatës së Re në shqip.
Madje ishte kjo Patrikanë që, në të njëjtin vit me qarkullimin e përkthimit, duke vlerësuar maturinë, pjekurinë dhe ndihmesën e tij në çështjet kishtare, e emëroi Grigor Gjirokastritin mitropolit të Athinës. Tashmë në moshë të thyer nuk jetoi gjatë. Vdiq në mars të vitit 1828. Dëshira e tij e fundit ishte të varrosej në Eube, pranë grigjës së tij që për vite të tëra i kishte shërbyer me dashuri e devotshmëri.
Megjithatë historia i dha për mbiemër qytetin e tij të lindjes, duke u kujtuar të gjithëve se njeriu, gjuha e përkthimit të të cilit përbën pikë referimi për albanologët e të gjitha kohëve, ishte nga Gjirokastra.
Pirro Kondili
Krijoni Kontakt