Londër, shqiptari vret me thikë bashkëshorten
Sadik Duba qëllon për vdekje të shoqen për xhelozi
Nga Londra
Muhamed Veliu
Problemet e shumta në emigracion, lufta për t‘u integruar në jetën angleze dhe një mori problemesh, ndër të cilat bixhozi, po prodhojnë drama, madje me viktima në familjet e emigrantëve shqiptarë në Britani. Krimi në familje shënon viktimën e radhës. Pas shumë ngjarjeve të rënda kohët e fundit në Shqipëri, këtë herë ai ka mbërritur në një familje emigrantësh shqiptarë, në Londër.
Sadik Duba ka goditur dy herë me thikë në gjoks bashkëshorten e tij, Alida Duba, 37 vjeçe. Ai është arrestuar disa minuta pas kryerjes së krimit, duke mos bërë rezistencë ndaj policisë angleze. Dje, shqiptari që pohohet se është nga rrethi i Matit, ka dalë përpara Gjykatës Magjistrale në Higate, nën akuzën e vrasjes së bashkëshortes. Një nga dyshimet kryesore është edhe ajo e zënkave të vazhdueshme mes çiftit, pasi babai i katër fëmijëve, sipas disa burimeve, luante shpesh në lojërat e fatit duke shpenzuar shumë të holla.
"Scotland Yard" thotë se motivi i vrasjes dyshohet të jetë xhelozia e vazhdueshme e 38-vjeçarit Duba. Por "Shqip", nga disa burime brenda komunitetit shqiptar në veri të Londrës, ku ka ndodhur ngjarja, ka mësuar se Duba ishte frekuentues i rregullt i lokaleve të basteve, ku kishte lënë shuma të mëdha parash. Duket se kjo ka qenë arsyeja e zënkave të herëpashershme me bashkëshorten. Për katër fëmijët e çiftit Duba, të mbetur tashmë pa nënë, do të kujdesen të afërmit e tyre. "Fatmirësisht, familja Duba ka shumë të afërm në Londër, të cilët po kujdesen për fëmijët", tha Ema Taylor, zëdhënëse e "Scotland Yard".
Brenda një muaji, ky është rasti i dytë kur krimi përfshin familjet shqiptare. Pak ditë më parë, emigranti Vullnet Kastrati 33 vjeç, nga Shkodra, u gjet i varur në shtëpinë e tij, pasi nuk mundi të përballojë problemet e shumta familjare. Frekuentimi i lokaleve të basteve, apo të lojërave të tjera të fatit, po kthehet në një problem i mprehtë për shqiptarët e Anglisë.
Shumë çifte po ndahen mes tyre, ndërsa shumë të tjerë, të zhytur në spiralen e basteve të pashpresë, kanë vite që nuk telefonojnë familjet e tyre në Shqipëri. Ndërkohë, dhuna që bashkëshortët ushtrojnë ndaj grave është një tjetër problem, me të cilin po përballen organizatat shqiptare që japin këshillime falas për to.
Në disa raste është dashur ndërhyrja e policisë dhe më pas këshillimi burrave shqiptarë nga uniformat blu, që kjo dhunë të ndalojë. Shumë gra shqiptare në Angli po u drejtohen gjykatave, duke hapur procese divorci pafund ndaj bashkëshortëve.
Krijoni Kontakt