Një zezake, nuse në Gjinar. Një burrë, kurorë për herë të shtatë
Nuk kanë dashur t‘ia dinë për thatësirën. Nuk kanë pyetur për drita a ujë. As për vapën e nxehtë jo. Tek e fundit, edhe në kohë lufte njerëzit martohen. Kështu edhe në Elbasan, mesin e Shqipërisë ku vapa djeg me tepër se në çdo vend, në dy muajt më të nxehtë të vitit janë kurorëzuar plot 400 çifte. Po të llogarisim se korriku e gushti së bashku kanë nëntë ditë të diela, i bie që çdo të diel të jenë zhvilluar mesatarisht 44 dasma në Rrethin e Elbasanit. Qindra litra raki, tonelata me birrë e verë dhe miliona lekë të shpenzuara. Kështu e kanë dasmat në Elbasan. Njerëzit shkojnë gjithë gaz, shkrihen e ngrihen në valle, pinë e këndojnë pa radhë ose dhe dehen e harrojnë të marrin gratë kur mbaron ahengu. Si për çdo vit, por korrik-gushti i këtij viti, do të mbahet mend nga mot. "Ore, po këta çunat tanë të gjithë për këtë vit e paskan lënë? Na grinë nga lekët!", thoshte një i moshuar nga lagjja "Kala" para disa ditësh. I kishte rënë që të shkonte në këto muajt e verës në rreth 15 dasma në të gjithë fisin e nuk i kishte mbetur më lek në xhep. Si ai plot të tjerë. Dasmat ishin aq të ngjeshura sivjet, sa u thye edhe tabuja e dyjavëshit të dytë të gushtit. Historikisht në këtë periudhë nuk bëheshin dasma. "Nuk lindin fëmijë dhe është për keq dasma në këtë periudhë", thonë pleqtë. Po këtë verë në Elbasan nuk ka pyetur njeri, as për këtë lloj besëtytnie, por edhe për të tjera tabu. Shtatori duket sikur për inerci apo "inat" të gushtit, vazhdon të kurorëzojë çifte të rinj. Paçka se fluksi ka rënë. Karvanët e dasmorëve mbi makina në këtë fillim vjeshte, sa vjen e pakësohet sikurse edhe gjethet e pemëve për t‘ia lënë radhën motit të ftohtë ku dhe dasmat tkurren gjer në ngrirje.
"U prish dynjaja, o Selim! Ç‘po bëhet kështu? Ikën djali i botës në emigracion. Bën ca para. Merr dhe të fejumen me vete. Ia këput një a dy fëmijë dhe na kthehet e na bën dasmë të madhe këtu. E shef se ç‘po bahet? Vallahi - bilahi, ta bante çuni im kësisoj, jo dasëm, por nuk ja hapja derën e shtëpisë". Kështu bisedonin një ditë dy pleq në kafenë përballë sahatit të qytetit. Njëri Selim e tjetri Valter. Muhabeti fjollë. Paçka se ishin nga fe të ndryshme. Shqetësimi i tyre sikur përzihej bashkë me erën e kafesë e tymin e duhanit për të lajthiturit. Kështu janë quajtur çiftet e reja me fëmijë, që u martuan këtë verë në Elbasan. Vjet, tek-tuk. Këtë vit, 10 për qind e dasmave kishin si "krushq" të parë fëmijët e lindur jashtë kurore. Por dasmat u bënë ama. Gati të gjithë qenë fejuar në emigracion, Greqi a Itali. Ose kanë bërë bashkimin e familjes pa kurorë e kanë lindur fëmijë atje ku punojnë. Të lindurit nuk kanë ardhur pa hequr qumështin. Ka dhe prej tyre që ose flasin pak shqip, ose vetëm në gjuhën e vendit ku punojnë prindërit. U thye dhe një tabu e moçme. Deri para disa vitesh ishte e paimagjinueshme të bëje dasmë pasi të kishin lindur fëmijët. Sidoqoftë, çiftet me fëmijë, nuk e thyen traditën dhe zakonin e dasmës shqiptare. Në shumë prej këtyre dasmave të pazakonta janë ndjekur të gjitha ritet. Vajza nuse ishte nga lagjja Fushë-Mbret i Elbasanit. Djali dhëndër e kishte shtëpinë te miniera e qymyrit në Kërrabë të Tiranës. Dasmë nusja në Elbasan e dasmë dhëndri në Kërrabë. Djali trevjeçar mori pjesë në të dyja dasmat. Fatiola dhe Artani, të dy emigrantë në Greqi, u njohën, u dashuruan dhe lindën fëmijën e parë atje. Djalit, Elton ia vunë emrin. Qëndruan sa u legalizuan si emigrantë dhe dasmën e bënë në vendin e tyre. Të hënën u nisën sërish në vend të huaj. "Ne u dashuruam në punë", thotë Shkëlzeni. "Në Milano e njoha Enkelejdën", shton ai. Të dy emigrantë në Milano dhe vajzës ia vunë emrin Isabellë. Por dasmën e bënë këtu. Kanë dashur që gëzimin e tyre ta përjetonin dhe prindërit dhe të afërmit. Ndaj, edhe pse me fëmijë, dasmat i organizuan më së miri në vendin ku kishin lindur e ishin rritur. Sa për ata që i quanin këto dasma herezi, kot e patën. Qenë të parët që uruan çiftet me fëmijë në mes, të parët në valle e harruan se nipërit apo mbesat e tyre kishin bërë një "turp"! Kështu thanë dhe dikur për çarçafin pa "ngjyrë"! Kështu edhe për fetë e ndryshme, kështu dhe sot për kurorat, e fëmijët për dore. "Turp"!? Jeta ka rrjedhur ndryshe. Shumë tabu kanë rënë e shumë të tjera po lëkunden. Gëzimi s‘paska "klishe" të së kaluarës.
Transporti
Nuse me pajton, me kalë dhe me kamion
Makinat më të bukura dhe të stolisura aq bukur sa dhe nuset. Kjo mbetet tabloja e marrjes së nuseve. Vargu i makinave, shoqëruar edhe me orkestra me disa xhiro nëpër bulevardet e qytetit sikur ua heqin kalimtarëve të zakonshëm zhurmën shurdhuese të gjeneratorëve. Xhirot janë bërë aq tradicionale saqë kalojnë dhe normat e kësaj tradite duke i rënë qytetit rreth e rreth, aq sa bllokohet edhe qarkullimi. Të gjithë e bëjnë kabull. Martohet tjetri! Për makinën e nuses, edhe sikur të mos e kesh tënden, nuk kërkon dhe shumë para. 50 apo 100 mijë lekë për të marrë apo për të dërguar nusen. Po pajtoni? Qejfi ha dhe kumbulla të tharta! 200 - 500 mijë kërkon pajtoni me kalë për të marrë nusen. Të paktë qenë ata nga "ushtria" e madhe e çifteve këtë verë në Elbasan. Vetëm dhjetë. Më i fituar doli arixhiu. Ferhat e ka emrin dhe ushqen një tufë fëmijë. Zgjodhi kalin më të mirë. Bleu dhe pajtonin dhe ia pa hairin. Dhjetë dasma sjellin fitime të mjaftueshme për një vit. Edhe çiftet i gëzon edhe fëmijët e tij i kënaq. Por dhe fshatarët nuk e humbën traditën. S‘e lanë që nuk e lanë kalin e bardhë për nusen. Në Labinot Mal këtë verë tri nuse janë çuar te burri me kalë të bardhë. Jo të mbuluara si dikur. Tek e fundit edhe makina kushtonte më tepër sesa kali vetëm me një tufë barë për të ngrënë e një tufë lule mali mbi krye. Në shumë fshatra të Elbasanit kali i bardhë e "sfidon" makinën më të mirë. Ja që dhe kjo traditë nuk zhduket. Tek e fundit ç‘të keqe ka "Kalë me rrota në qytet e kalë me këmbë në fshat! Vetë çiftet i zgjedhin kështu. Në Gjyralë, një fshat matanë Gostimës, nusja shkoi me kamion. Por kamioni kishte vetëm një vend. Kush të hipte, nusja apo dhëndëri? Shoferi i kamionit qe i ri. E zgjidhën. Të dy, dhëndër e nuse hipën lart në karroceri. Rrethuar me krushq, gra që këndonin me iso e goca që tundnin shamitë. Kështu ndodhi para tri javësh. Nga Gjyrala në një lagje me emrin Çartallos, nusja e dhëndëri udhëtuan me kamion. Ata që e kishin jetuar, kujtuan kohën e kooperativës.
Të rralla
Tajari martohet për herë të shtatë
Begatia e dasmave ka dhe surpriza. Iku dhe shprehja se njeriu një herë martohet. Plot shtatë herë dhe me të njëjtin kameraman është martuar një djalë nga Elbasani. Kristaqi, një operator i një televizioni të njohur e tregon këtë episod. Tajari, ndoshta do të mbetet legjendë për ata që martohen. Të tjerët mezi martohen një herë, Tajari shtatë? Fat apo fatkeqësi!? Tajari e di. Është martuar shtatë herë për tetë vjet. Sikur i ka marrë "shalqinj" me provë. Tri nga nuset i ka pasur bionde. Tri të tjera me flokë të zeza. Kjo e fundit, më për hair, mulate. "Kam gjetur karar me Tajarin. Sa herë vjen nga kurbeti martohet. Se kur ndahet nuk e di, por sa herë martohet, mua më merr për kameraman", tregon Kristaqi.
Në Gjinar ngjitet një nuse zezake
Të na falë çifti i ri shpatarak për termin "zezake". Nuk e shprehëm në kuptimin e keq, por në atë që nuk kishte ndodhur kurrë. Një vajzë me ngjyrë është bërë e marrë pas një djali simpatik nga Gjinari i Elbasanit. Edhe ajo goxha vajzë. Në Angli u njohën. Më pas u dashuruan dhe vendosën për martesë. Por shqiptari nga Gjinari donte që dasmën ta bënte në Shqipëri. Të dy erdhën. E diela e fundit ka bashkuar një angleze me ngjyrë me një djalë shqiptar. Dasma u bë sipas traditës së Shpatit. Tri ditë këngë e vallë, një natë dasma. E para herë që kjo zonë merr nuse nga Anglia, ndërkohë që greke ka marrë jo pak, por pesë. Si këta të fundit, edhe çifti më i ri, të hënën janë nisur nëpër vendet ku kanë emigruar.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt