Paraqitet projektrezoluta e re për Kosovën e SHBA-ve dhe BE-së
Në projektrezolutën e re të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit parashikohen bisedime të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe Prishtinës. Aty kërkohet mosmarrja e asnjë hapi të njëanshëm
SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë hartuar një projektrezolutë të re, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, njofton agjensia e lajmeve AP (Associated Press). Në këtë dokument parashikohen edhe bisedime të reja midis Beogradit dhe Prishtinës.
Në qoftë se bisedimet brenda katër muajve nuk japin ndonjë rezultat konkret atëherë: Sekretarit të përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon sipas projektrezolutës i kërkohet të shpallë pavarësinë e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare pas përfundimit të afatit 120 ditësh apo katërmujor dhe në rast se Këshilli i Sigurimit nuk merr një vendim tjetër.
Gjithashtu sipas rezolutës Sekretarit të përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i kërkohet menjëherë pas miratimit të rezolutës në KS të fillohet me negociatat e reja. Në këtë projektrezolutë kërkohet shprehimisht mosmarrja e hapave të njëanshëm. Kjo me sa duket si reagim ndaj spekullimeve se Kosova do ta shpallë në mënyrë të njëanshme pavaresinë.
Kryeministri Koshtunica deklaroi në Beograd se Rusia është në anën e Serbisë dhe KS do të miratojë vetëm atë rezolutë që konfirmon sovranitetin serb mbi Kosovën, tha Koshtunica.
Deri tani Rusia ka kundërshtuar zbatimin e planit Ahtisari, me shpjegimin se rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit mund të miratohet vetëm pas marrveshjes dhe kompromisit mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbia ka refuzuar bisedimet për pavarësinë, ndërsa autoritetet e Prishtinës janë shprehur kundër hapjes së re të pakos së Ahtisarit.
Marti Ahtisari vetë ka shprehur bindjen ditën e mërkurë në mediat e Finlandës se Rusia është e gatshme të përdorë veton kundër planit të tij për Kosovën.
Gjermania e ka mbështetur planin e Marti Ahtisarit si bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mirëpo ministri i shtetit në ministrinë e jashtme gjermane, Günter Gloser, për Dojçe Velen thotë se duhet bërë të gjitha përpjekjet që statusi i Kosovës të zgjidhjet përmes një vendimi të KS të OKB. "Natyrisht që çështja e Kosovës nuk duhet të zgjatet deri në pafund. Mirëpo duhet pritur zhvillimi i procesit, duhet gjetur momenti më të përshtatshëm dhe duhet të jesh sensibël për zhvillimet. Më mirë është që ndonjë ditë të priten qëndrimet ruse, amerikane dhe evropiane, se sa të merret ndonjë vendim i përshpejtuar, i cili nuk do të kalonte përmes Kombeve të Bashkuara", thotë Gloser.
Ditën e enjte parlamenti gjerman vendos për vazhdimin e misionit të ushtarëvë gjermanë në kuadër të Kfor-it në Kosovë
Krijoni Kontakt