Çfarë duhet të bëni dhe si të silleni ndërsa jeni prapa timonit

Dhjetë urdhërimet e Vatikanit për shoferët në udhëtim

Vatikani ka nxjerrë një listë me “10 Urdhërime” për shoferët, duke i thënë motoristëve të mos vrasin, të mos pijnë dhe të ngasin makinë, dhe t’i ndihmojnë udhëtarët në raste aksidentesh. Dokumenti i pazakontë ka dalë nga zyrat e Vatikanit enkas për udhëtarët. Aty gjithashtu paralajmërohet dhe që makinat të mos bëhen “objekt mëkati”. Dokumenti paralajmëron dhe për sulmet e rrugës, duke thënë se ngarja e makinës mund të nxisë sjellje “primitive” tek motoristët, përshirë dhe gjeste të pahijshme, mallkime, sharje, mungesë të ndjenjës së përgjegjësisë dhe shkelje të qëllimshme të kodit të qarkullimit rrugor. Dhjetë urdhërimet nxisin motoristët të zbatojnë rregullat e trafikut, të ngasin me përgjegjësi dhe të luten prapa timonit. Kardinali Renato Martion, i cili drejton këtë zyrë, tha në konferencën për shtyp se Vatikani e ndjente të nevojshme të nxirrte këto rregullat për motoristët, pasi njerëzit kalojnë një pjesë të madhe të ditës prapa timonit. Rreth 1.2 milionë njerëz vdesin në rrugë për një vit. Ky është një realitet i trishtueshëm dhe njëkohësisht një sfidë e madhe për shoqërinë dhe kishën.

Urdherimet

1. Nuk do të vrasësh
2. Rruga do të jetë një mjet udhëtimi mes njerëzve dhe jo mjet për lëndim
3. Mirësjellja, drejtësia dhe kujdesi do t’ju ndihmojnë para ngjarjeve të paparashikuara.
4. Makinat nuk do të jenë për ju një shprehje pushteti dhe dominimi, dhe as një rast për të mëkatuar.
5. Mësojini me durim të rinjtë dhe të moshuarit të ngasin me kujdes.
6. Tregohuni bujarë dhe ndihmonë fqinjin në nevojë, veçanërisht viktimat e aksidenteve.
7. Mbështetni familjet e viktimave të aksidenteve.
8. Sillini motoristët fajtorë dhe viktimat e tyre bashkë, në mënyrë që të kenë rast ta falin njëri-tjetrin.
9. Në rrugë, mbroni palën më të cënueshme.
10. Ndjehuni përgjegjës ndaj të tjerëve.
TIRANA OBSERVER