Qeveria e Maqedonisë nesër do të miratojë planin aksion për punësimin e 5 mijë shqiptarëve në administratën shtetëror, bën të ditur agjencia e lajmeve INA. Kjo është pjesë e marrëveshjes prej gjashtë pikave të bërë nga Partia Demokratike Shqiptare me partinë e koalicionit VMRO-DPMNE.
Kjo çështje është dakorduar sot pas një dreke pune midis kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare(PDSH), Menduh Thaçi dhe kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, bën të ditur agjencia e lajmeve INA duke u thirrur në burime të larta qeveritare.
Në takimin Thaçi-Gruevski janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit pas Samitit të NATO, ku Maqedonia nuk arriti të marrë ftesën për anëtarësim. Kryeministri Gruevski ka njoftuar kryetarin e PDSH-së, Thaçi për rrjedhën e Samitit, qëndrimin dhe mbështetjen e SHBA-ve dhe procesi i ardhshëm politik për të vepruar pas Samitit për marrjen e ftesës për në NATO, e cila siç theksohet është çështje e hapur nëse do të tejkalohet kontesti i emrit me palën greke.
Nga ana tjetër, kreytari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka ritheksuar qëndrimin e partisë së tij për konstruktivitet dhe për nevojën e arritjes së konsensusit politik për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Gjithashtu burime pranë PDSH-së bëjnë të ditur se për pikat e tjera të marrëveshjes gjashtë pikëshe janë caktuar edhe bashkërenduesit e saj partiak, kështu që sekretari i përgjithshëm Imer Aliu është caktuar në komisionin për ligjin për flamurin, nëkryetari i PDSH-së, Besim Dogani është caktuar për ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nënkryetari Ruzhdi Matoshi për ligjin për përkujdesje institucionale për ish-UÇK-në. (S.S/INA)
Krijoni Kontakt