"Kurani është shpallje e Zotit të botëve." (Esh-Shu’ara 192)
Katërmbëdhjetë shekuj më parë Allahu zbriti për njerëzimin Kuranin si një libër udhëzues, i cili u bën thirrje njerëzve për të ndjekur rrugën e vërtetë, duke zbatuar parimet e parashtruara në të. Që prej ditës së shpalljes së tij e deri në ditën e gjykimit, ky libër i fundit hyjnor do të jetë i vetmi udhëzim për njerëzimin.
Stili i pakrahasueshëm i Kuranit dhe urtësia e tij e përkryer janë tregues të qartë se ai është Fjala e Allahut. Përveç kësaj, Kurani ka mjaft veçori te tjera të mrekullueshme, të cilat vërtetojnë se ai është me të vërtetë një libër hyjnor. Një prej këtyre veçorive është fakti se një numër i konsiderueshëm i fakteve shkencore, të cilat njeriu mundi t’i zbulonte vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, janë shpallur në Kuran 1400 vjet më parë.
Sigurisht që nuk mund të pretendojmë se Kurani është një libër shkencor, pasi qëllimi i shpalljes së tij nuk është shtjellimi i fakteve shkencore apo shpjegimi i dukurive natyrore, por, siç e thamë dhe më lart, udhëzimi i njerëzve drejt së vërtetës.
Megjithatë, në Kuran gjejmë shumë fakte shkencore, të cilat janë zbuluar në mënyrë të plotë vetëm në sajë të fjalës së fundit të teknologjisë bashkëkohore. Këto fakte shkencore nuk mund të perceptoheshin në kohën e shpalljes së tij, gjë që vërteton akoma më tepër prejardhjen e tij hyjnore.
Që të kuptojmë mrekullitë shkencore në Kuran, pikësëpari duhet të hedhim një vështrim në nivelin e shkencës që mbizotëronte në kohën kur u shpall ky libër hyjnor.
Në shekullin VII, në të cilin zbriti Kurani, në shoqërinë arabe ekzistonin shumë besime të pabazuara dhe supersticioze, me të cilat ishin përzier edhe çështjet shkencore. Mungesa e teknologjisë, me anë të së cilës do të studionin të fshehtat e natyrës dhe universit, i la këta arabë të hershëm nën ndikimin e bestynive dhe legjendave të trashëguara nga gjeneratat e mëparshme. Për shembull, ata supozonin se malet ishin ato që e mbanin qiellin lart. Ata besonin se toka ishte e sheshtë dhe në dy skajet e saj ndodheshin male të larta, të cilat ishin shtyllat që mbanin qiellin lart.
Sidoqoftë, të gjitha këto besime të kota të shoqërisë arabe u zhdukën me zbritjen e Kuranit. Në ajetin e dytë të sures Er-Rra’d thuhet:
“Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa asnjë shtyllë...”
Ky ajet hodhi poshtë besimin e trashëguar të arabëve se qielli qëndron lart i mbajtur prej maleve. Në mjaft çështje të tjera janë shpallur argumente të rëndësishme, në një kohë kur askush s’kishte asnjë njohuri për to. Kurani, i cili zbriti në kohën kur njerëzit dinin shumë pak rreth astronomisë, fizikës ose biologjisë, përmban argumente bazë mbi një sërë dukurish dhe fenomenesh të ndryshme, si krijimi i Universit, krijimi i qenieve njerëzore, struktura e atmosferës dhe ekuilibri delikat, i cili bën të mundur jetën në tokë.
Immaculate
Ruaj Lidhjet