Dorëzohet i kërkuari pasi piu valium, qëlloi me armë për 4 orë policinë



Bushat, ilaçin ia hodhi në gotën e ujit shoku negociator


Një 22-vjeçar, që dyshohet se ka dhe probleme mendore, ka krijuar një situatë jo të zakontë në fshatin Bushat të Shkodrës. Sokol Kola ka nisur të qëllojë me armë zjarri në ajër nga shtëpia e tij, por më pas situata është ndërlikuar kur ai ka kundërshtuar forcat e policisë duke qëlluar në ajër dhe duke i bërë rezistencë policisë. I rrethuar nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe policë të shumtë, 22-vjeçari është kapur pas 4 orësh si rezultat i një kurthi të ngritur nga policia. Në momentin kur ai iu ka kërkuar ujë, ata i kishin hedhur në të valium.

Ngjarja

Ka qenë ora 13:30 kur në sallën operative është dhënë informacion se nga një banesë po qëllohet me armë zjarri në ajër. Të shtënat e armëve kanë qenë mjaft të shpeshta, saqë është krijuar një situatë terrori te banorët e zonës aty pranë. Në vendngjarje ka mbërritur rreth orës 13:40 minuta në fillim grupi gatshëm i postës së policisë Bushat dhe dy grupe të gatshme të policisë Shkodër. Sapo i janë afruar banesës, 22-vjeçari ka dalë te dritarja e shtëpisë duke qëlluar në ajër dhe ka drejtuar armën e zjarrit dhe një granatë që mbante në dorë drejt policëve, duke i kërcënuar të mos afrohen. Në këtë situatë është kërkuar nga grupet e policisë që të shtohen forcat dhe mjetet pasi situata është mjaft e ndërlikuar. Më pas, rreth orës 14:00 drejt banesë ku ndodhej personi që kërcënonte policinë janë nisur forcat e ndërhyrjes së shpejtë, së bashku me mjete të specializuara dhe me një autoblind.

Aksioni

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë organizuar menjëherë një skicë për të ndërhyrë në banesë. Shtëpia e ndodhur buzë rrugës dhe prapa saj një fushë e madhe krijonte favor për rrethimin e banesës. Të veshur me antiplumb dhe të maskuar, FNSH-të i janë ofruar shtëpisë 20 metra në mënyrë të fshehtë, duke u zvarritur barkas nëpër fushë. Në pjesën ballore të shtëpisë qëndronin disa agjentë dhe drejtues të veshur civilë, që tentonin të negocionin. Herë pas here 22-vjeçari dilte në dritare dhe qëllonte nga një të shtënë teke në formë presioni në ajër. Për të negociuar forcat e policisë dërguan një shokun e 22-vjeçarit. Pas shumë negociatash rreth orës 15:00 ai bindet të dorëzojë granatën, por armën ende e mbante në dorë. Më pas, për të negociuar afrohen familjarë, miq të familjes dhe disa persona të njohur me të, por e kotë. Në orën 16:00 personi i rrethuar nga policia kërkon ujë dhe ushqime, policia dërgon ujë dhe dhallë, ku në të dyja fut valium me qëllim që atë ta zërë gjumi brenda. Pasi i dërgohen ushqimet, ai rreth orës 16:30 nëpërmjet negociatorit kërkon lekë, drejtues të policisë i japin lekë, por kjo kërkesë e fundit e bën policin të dyshoje se mos tenton të dalë nga banesa dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të drejtuara nga komandanti i këtij reparti, Ivzi Bushati, marrin urdhër gatishmërie në shënjestër, në drejtim të banesës, pasi mendohej se 22-vjeçari mund të tentonte të çante rrethimin duke qëlluar.

Ora 17:30, policia përgatit një plan ku i afron një makinë 22- vjeçarit, gjoja për t‘u larguar dhe duket nga efekti i valiumit se ai nuk arsyeton shumë dhe pas 30 minutash i mbushet mendja dhe del nga shtëpia. Më pas e hipin në një makinë, duke e neutralizuar që të mos kishte mundësi të vepronte.

Sokol Kola nuk njihet si person me precedent penal, por si një njeri që ka krijuar herë pas here probleme duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Veprimet e tij të mëparshme nuk janë denoncuar në polici nga familja dhe banorët, kjo me justifikimin se 22- vjeçari here pas here kishte probleme mendore. Familja e tij, që përbëhet nga prindërit dhe një vëlla me të meta mendore, jeton në kushte të vështira ekonomike. Municionet që kishte grumbulluar në banesë, granatat, fishekët dhe veshja prej ushtari kanë krijuar idenë se 22 -vjeçari është përgatitur më përpara për këtë situatë.