Close
Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 39
  1. #11
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    nga

    LIBRI II

    LIRIA MES DY BURGIMEVE





    PUNA NE MUZE

    Fq.3

    Muzeun në Shkodër e kishin vendosë te Sahati i Inglizit. Kështu quhej sepse thohej se atë e ndërtoi në fillim të shek. XIX nji anglez që Shkodra e thirrte Lordi Padget. Kompleksi përbahej prej kullës së sahatit, ndërtesës së banimit dhe derës se avullisë (murit rrethues). Dera ishte ajo ma e bukura si arkitekturë: vepër monumentale në stilin arab, krejt gurit të latuem. Pat fatin e keq se u gjet në rrugë. Partizanët vullnetarë kishin nji parullë: „Asnjë pengesë mos të na ndalë“, prandej kaluen çdo pengesë: u sulën kundër saj dhe e rrënuen deri në themel, në vend që ta lejshin aty si nji monument arkitektural, porsi nji hark triumfi në mes të rrugës, me stilin e bukur arab siç ishte. Me gurët e latuem të saj shtruen kalldramin.
    Objektet e muzeut arkeologjik historik ishin marrë në koleksjonin e At Shtjefën Gjeçovit (Muzeu i Françeskanve) dhe pjesa tjetër në koleksjonin e Jezuitve. Due të shenjoj se aty kah fillimi i prillit 1945 Mehmet Shehu, mbasi kishte shkatrrue me zjarm e hekur Kelmendin, i dërgonte At Matí Prendushit nji letër; teksti i saj pak a shumë ishte ky: “Marr pjesë në dhembjen tuaj për vdekjen e Imz. Luigj Bumçit, personalitet i lartë i patriotizmit shqiptar. Këtë letër po e shoqëroj me një sopatë guri, të cilën e kam gjetur në një shtëpi ndër malësitë e Tiranës ku kam banuar gjatë operacioneve luftarake. Meqënëse ata nuk ia dinin vlerën, unë e mora dhe mejtova që pas Çlirimit të Shqipërisë kjo sopatë do t’ishte objekti i parë i Muzeut që do të ndërtonim. Por mbeta i çuditur kur pashë se ju Muzeun e kishit te formuar, prandaj po jua dërgoj që ta ruani në vendin që ju perket”. Na atë sopatë guri e patëm vue ne koleksjonin e veglave prej guri të neolitit së bashku me letren dhe shenjuem nji plus enigmatik në karakterin e Mehmet Shehut.
    Kur fillova punën në Muzeum kërkova së pari inventarin dhe pashë se mungojshin jo vetëm ajo sopatë, por edhe shumë objekte tjera të Muzeut tonë. Gjush Sheldia, që atëherë ishte drejtor, më tha se pothuej gjysa e objekteve ishin marre e çue në Tiranë për me formue nji „Muzé Kombetar”. Ashtu ishte. Ndoshta ishin marrë ato ma të mirat. Paret e vjetra ishin ndër qese. Muzeu yne ka pasë shumë pare të vjetra, por të pakoleksjonueme, ndërsa ndër Jezuitët At Frachioni e At Valentini e kanë pasë të ekspozuem koleksjonin. Për këtë At Marin Sirdari më pat dhanë dy libra voluminoze për numizmatikën, të cilët un i lexojshem me andje. Muzeu kishte edhe nji bibljotekë të vogel, por të përshtatshme për arkeologjinë e numizmatikën. Kam studjue ndër këta libra me ma të madhin vullnet, pa orar, ditën e natën. Kishem fitue qysh herët shumë njohuni historike e sidomos të historisë së arteve të bukura. Me nji punë intensive ia dola me paraqitë koleksjonin e parë të numizmatikës në Muzé, aty ku deri atëherë raftet ishin bosh. Jo vetëm aq, por mora praktikën që un, edhe kur nuk u shifshin shkrimet, tashma i njifshem mirë, sidomos portretet e Perandorve të Romës, sikur t’ishin fotot e sotshme; natyrisht që përpiqesha për të pa ndryshimet e vogla të detajeve që mund kishin pasë zekat prodhuese. Drejtori u entuzjazmue shumë dhe, mbasi ndër dokumenta të dorzimeve figuronte se Muzeu i Tiranës kishte marrë 5000 copë monedha të vjetra të argjenta, më dërgoi me misjon pranë Institutit të Shkencave që të kërkojshem rikthimin e tyne. Në fillim aty më pritën me kambë të para, si i thohet, por ma vonë, kur bana njoftsi me arkeologun Hasan Ceka, Aleks Budën, ing.Jovan Adamin dhe drejtoreshën e muzeumit, Naxhije Dume, mbas 10 ditësh un ktheva në Shkodër me nji koleksjon prej rreth 300 monedhash romane të radhituna prej arkeologut Hasan Ceka. Ky kje për mue nji sukses i madh.
    Gjatë asaj kohe muzetë lokalë mëvareshin prej Komitetit të Arteve dhe Kulturës. M’u desh të paraqitem aty; kryetar ishte piktori Foto Stamo e n/kryetar piktori Abdurrahim Buza. Më priti n/kryetari. I paraqita dokumentin e emnimit tim si teknik i Muzeu Popullor. Ai u përgëzue me mue, më porositi se duhej ba çdo përpjekje për me hi në shkencat e arkeologjise e të etnografisë, se përndryshe koha nuk na pret dhe na atëherë jemi të detyruem me kërkue ndonji ekspert nga ata të Klerit Katolik, që i kanë pasë këto muze. Ai nuk e dinte se un ishem klerik. Por ma vonë, kur mora pjesë edhe si antar i Komisjonit të Galerisë së Arteve për me caktue vlerën e pikturave, i rastisi të vijë në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe, ai atëhere më tha me dashamirsi: „Po si nuk më tregove ti atëhere se je nji prej këtyne qafirave?“ Abdurrahimi ishte jo vetëm piktor i talentuem, por edhe nier i mirë babaxhan: kam shkue shpeshherë në studion e tij dhe jepshem pa servilizëm gjykimet e mia për punime që bante. N’ato kohë hyjshem edhe në studiot e piktorve Sadik Kaceli, Ndoc Kodheli si edhe në shtëpinë e studion e Odise Paskalit, Andrea Manos etj. Bile i kam pasë thanë njiherë Andreas se njatë monumentin e Partizanit me grusht përpjetë, po t’ishem un autori, do të kishem me punue nji tjetër ma të dejë, dhe mandej gjatë natës, pa dijtë kurrkush, kishem me e ndrrue. Ai qeshi. Sot e shoh se un atëherë ishem gabim: ai partizan bronzit duhet të rrij aty për me kujtue terrorin e atëhershëm: mjerisht njerzit kalojnë para tij pa e vërejtë, sepse prej halleve të veta nuk kanë sy me pa, e ndoshta nesër edhe pasunia mund ua mbyllin sytë me dhjam e prapë nuk kanë me e vu re.
    Por ma shume se te piktorët, sillesha te Instituti i Historisë dhe Etnografisë. Në nji dhomë aty përbri etnografit Rrok Zojzi, punojshin për fjalorin rusisht-shqip Skënder Luarasi e Sejfulla Maleshova. Më thirrën nji ditë. U prezantova kush ishem, por ata e kishin marrë vesht mirë se un kishem dalë pak kohë përpara nga burgu. Më pyetën për kuptimin e disa fjalve në gegnishten, mandej zhvilluen biseda pak a shumë të kota, por me shka u fol, m’u largue çdo simpati për Skënder Luarasin. Ai fliste për para, për fitime, ndërsa un ishem rritë në Kuvendin Françeskan, ku kurrkush nuk mendonte te fitimi e te leku, por vetëm te shkenca e saktë, te kultura e progresi. Ndërsa Sejfullahu më bani përshtypje tjetër. Un atëhere e çmojshem deri diku librin e tij të poezive nën pseudonimin „Lame Kodra“. At Gjon Sllaku ma kishte lavdue për bagazhin kultural. Por aq ma tepër e çmova, kur nji ditë në mungesë të Skënderit punonte vetëm.
    -Desha të pyes një fjalë, - më tha.
    -Jam gati profesor.
    Nuk e mbaj mend se për ç’fjalë më pyeti: ajo nuk kishte randësi. Ishte vetëm nji shkak që ai të fliste për gjendjen tonë, kur i tregova se ishem nji dishepull i At Gjon Shllakut, me të cilin kishte bisedue në Arqipeshkvi.
    -Më ka lënë mbresa të shkëlqyera! E ku gjendet ndashti?
    -Në jetën tjetër, ashtu si të gjithë njerzit e kulturës, - ia ktheva.
    -Uaa! Po që kur?
    U çudita. Si ishte e mundun që ai të mos dinte kurrgja për atë kohë në të cilën ish kenë antar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror?
    -Atë e pushkatuen me shumë tjerë mbas zgjedhjeve të 2 dhetorit.
    -E kam njohur: ishte njeri i lartë, me kulturë të gjerë.
    -Po, por këtu njerzit me kulturë e kanë punën pisk. Jo këtu, por gjithkund në Lindje.
    -Shiko, - më tha, - po më vjen keq. Në Bashkimin Sovjetik nuk është kështu: ky është një komunizëm anadollak, që nuk ka të bëjë me komunizmin. Atje njerzit e kulturës çmohen dhe mbrohen, edhe po patën gabime, nuk i dënojnë. Këtu ... për cilën fjalë gegënisht të pyeta unë?
    Q’atëherë nuk e pashë ma kurrë. Shumë vjet ma vonë, kur ishem në burg, më ka ra në vesh se ai ishte gjetë i vdekun në nji kasolle dikund si i internuem ndër katundet e Fierit.
    Gjithashtu gjatë atij viti më rastisi me u takue në Seksionin e Gjuhësisë me Aleksandër Xhuvanin e Eqrem Çabejn, sepse kur shkojshem në Tiranë At Justin Rrota më jepte ndonji letër për ta. Kur ua dorzojshem, ata më pyesnin për gjendjen e tij shëndetsore. Nga sjelljet e tyne e pyetjet që më bajshin e shifshem kjartë se të gjithë e mbajshin vedin të robnuem. Komunizmi ishte nji mekanizëm primitiv që mezi vihej në lëvizje e vetëm nga nji dhunë e madhe.
    Gjatë vjetit 1950 që punova në Muzeun e Shkodrës, gjendja ekonomike e Kuvendit erdh tue u përmirsue. Në nji takim që At Marini pat me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Qamil Gavoçin e drejtorin e fermës, na dorzuen rreth 1 ha nga toka e marrun, dhe mbasi na nuk kishim kurrfarë mjeti pune, drejtori i fermës pati mirsinë e e punoi me traktor; mbolli jonxhë dhe na e dorzoi ne. Kështu mbas nja 6 muejsh na bamë njifarë kontrate me nji kojshi që kishte lopë dhe siguruem nji lloj langu të bardhë që e thirrshim tambël (qumshtë); megjithkëta, ishte ma i mirë se uji i gurrës: së paku e nxejshim stomakun për çdo mëngjes e në çdo mbramje. Sa për drekë, simbas llogarive që bamë, ma lirë se kurrgja tjetër kushtonte mishi, mbasi katundarët, të shtrënguem nga tatimet në natyrë që u kishin caktue, i shitshin bagtitë me nji çmim të lirë, e kështu sigurojshim së paku nji supë të mirë. Un, mbasi kishem punue aq shumë ndër kampet e Bedenit e Maliqit, bleva nji shat e nji bel e fill mbas dreke punojshem nga 2 orë ditë për ditë nji kopsht që kishim të rrethuem mbrenda muresh dhe sigurojshim perimet e duhuna pa pasë nevojë me i ble.
    Pothuej javë për javë shkojshem në Melgushë tek axha im e kështu në takime me katundarët më jepshin edhe lëmosha për Meshë.
    Nji natë, tue u ruejtë që mos të më shofin kush, krisa në derën e nji jerevie ku banonte Ipeshkvi Imz.Bernardin Shllaku te nji mbesë e vetja që i bante sherbim. Nji dhomë e keqe përdhese, tanë lagshtine, e mbushun me gjithfarë rraqesh, ku mezi gjente vend nji krevat. Ishte dimën, në fillim të 1950. Atë e gjeta kah ngrohej mbi nji mangall me qymyr. Më njifte. U gëzue shumë që i shkova. Fliste me za shumë të ultë, se i kishte hi friga. Nuk delte kurrkund, as nuk i shkonte kush mbrendë.
    -Përsa i perket ordinacjonit tim, - më tha, - as që mund mendohet, se jemi në kohë shumë të turbullta: shpresoj se Zoti ka me pru nji mot ma të mirë.
    Në atë kohë ai nuk kishte kurrfarë mundësie. E pveta nëse celebronte meshën e m’u përgjegj se ishte e vetmja liri që i kish mbetë, edhe ajo tinzë. Atëherë i dhashë lëmoshen për nji muej. Ai u çil në fytyrë.
    -Më ke ba nji nderë shumë të madhe, - më tha.
    -Mue nuk ke pse ma din për nderë aspak, mbasi nuk janë të miat. E pashë se je i izoluem e kështu duhet të gjindesh ngushtë me ekonomi.
    -Deri ku s’ve, - më tha. – Kam pasë harrue se shka asht vorfnia, por tash tri-katër vjet edhe shejtënt do të ma kishin lakmi. E pra nuk do t’ishte nevoja, por friga e madhe ka shtypë gjithkënd.
    E kuptova se ku donte me dalë dhe i thashë:
    -Shikjo, Monsinjor, un jam në shërbimin tand për çdo gja: mos më kurse. Kontrabandë nuk mund baj, por ashtu si e vleftëson Banka e Shtetit, ashtu jam gadi.
    -Ti e din se nipin që punonte në Banke ma kanë pushkatue? Si mund të ve ty në rrezik?
    -Nuk ka kurrfare rrezikut! Ka dalë urdhnesa.
    -A e mendon ti – më tha – se janë të sinqertë me urdhnesat? Ata vetëm kurtha ngrehin. Kur të dalësh prej Banke, kanë me t’u vu mbrapa, t’arrestojnë përsëri deri të kallxojsh se ku i more.
    -Ma len mue atë punë se jam regjë për tri vjet.
    Ai thirri mbesën e vet e cila mbas pesë minutash më pruni 14 copë napoljona me gjel. Mbas disa ditësh i dorzova në Banke dhe vleftën e tyne ia ktheva Monsinjorit përsëri mbas ditësh tjera. Atë natë folëm edhe për mbledhjen e afërme që do të bante Kleri për Statutin e Kishës.
    -I falem nderës Zotit, - më tha, - që më kanë mënjanue ndër këto bisedime e kanë kerkue Pater Marinin e Dom Ernestin: me komunistat nuk bisedohet.
    Bisedimet ndërmjet Klerit e Qeverisë zhvilloheshin në Kryeministri, në zyrë të Tuk Jakovës. Pala qeveritare ishte Tuku dhe dy jurista të caktuem për këtë punë, dhe nga ana e Kishës, at Marini e Dom Ernesti. Të dyja palët thojshin se shumica e Klerit do t’i mbështeste. Krye tre muejsh bahej nga nji mbledhje e klerit pa dalë në atë konkluzjon që donte qeveria. Secilën herë juristat e kleri shkëmbejshin variante të reja. Megjithkëta, në popullsinë katolike këto mbledhje patën nji efekt të madh. Populli filloi me ardhe ma shumë ndër kishë dhe, megjithëse i vorfën, me e ndihmue materjalisht, me ni besim ma të fortë. Qindresa e Klerit në atë kohe që nji e treta e tij ishte pushkatue ose dekë ndër tortura dhe nji e treta tjetër vuente burgjeve e kampeve të shfarosjes, i bani nji përshtypje të madhe gjithkujë.
    Puna ime ne Muze më bani me u njoftë me shumë njerëz nga të gjitha shtresat e profesjonet. Kontrata me Muzeun ishte gjithmonë tremujore, mbasi për nji emnim fiks pengonte shefi i kuadrit. Atëherë nuk u interesova kurrë se ç’ishte ky shefi i kuadrit: e kam marrë vesht ma vonë, kur nuk kishem ma interesim për te. As un nuk dojshem ta përsëris kontratën ma gjatë se nji vit, mbasi shpresojshem se, me aprovimin e Statutit, do t’ia mbërrijshim me u ordinue meshtar e me marrë detyrë në ndonji famulli.
    Gjatë kësaj kohe nji shoq imi mendonte që të shkojshem në arsim dhe kishte folë me autoritetet përkatse për me vazhdue studimet për histori. Ai erdh e më tha që të paraqitshem formalisht nji lutje, e cila do te pranohej. I thashë se nuk jam në gjendje ta kryej detyrën e arsimtarit, sepse mundem me rrejtë prej hallit e nevojet nji ose dy herë, por për mue do t’ishte tortura ma e madhe me ndejë tue folë tanë jetën kundra së vërtetës, kundra asaj që dij e kundra mendimit tim.
    Nji mik tjetër erdh e ndej gjatë e gjatë me mue e më parashtroi që t’u largojshem nga Kuvendi e jeta klerikale, sepse do të vinte dita që me dekë rrugash tue lypë nji copë bukë: e dij me siguri, më tha, se vetëm këtë ka planifikue partia për ju. As atë nuk e ndigjova.
    Ishte njaty kah nandori i 1950 e po më vjen Jonuz Dini, atëherë ish drejtor i shoqatës Shqipni-Bashkimi Sovjetik. Me dashamirsinë ma të madhe më pruni dy ftesa që të merrshem pjesë në nji mbramje që organizohej në kinemanë e qytetit në prag të festave të nandorit. Ia refuzova, mbasi kurrë në jetën time nuk jam kenë dishirtar për pjesmarrje ndër këto manifestime. Por ai ngulmoi aq shumë, sa e lidhi deri me prishjen e miqësisë. Megjithëse kishem dy ftesa, shkova vetëm. Zakonisht këto mbramje të jashtzakonshme kanë nji program të zakonshëm. E hapi kori me nji kangë të stilit ushtarak. Mbas saj duel e foli nji ushtarak. Edhe në rast se nuk ishte ushtarak i vërtetë, ishte i veshun e i mbërthyem në kapotën ushtarake. Foli me oratori ushtarake për strategun e madh gjenial, Gjeneralisimin Stalin. Të gjithë rrihnin duerët pa pushim, me forcë e me temp: Stalin! Stalin! Fjalimi vazhdoi i gjatë e i pavështrim: përmendej pesë herë Stalini e nji herë Enveri, jo, kurrnji tjetër prej burrave shqiptarë. Populli i ftuem aty, të gjithë servilë ose të çmendun, gërthitshin: Stalin! Stalin! Stalin! Enver!
    Un ishem i vetëm, në atë lozhë të vetme, që nuk rrahshem shuplakët. Nuk kishem si të merrshem pjesë në atë servilizëm publik. Nuk ma lejonte ndërgjegjja as dinjiteti. Por lozha ime ishte qandrore që shihej prej gjithë atyne autoriteteve e servilave. Le të bahet çka të bahet, nuk do të marr pjesë në këtë manifestim të turpshëm. Fillova të dyshoj mos ishte nji kurthë, nji provokim. Nuk kishem dyshim në dashamirsinë e Jonuz Dinit, por kush mund ishte mbas tij, që kish ngrehë këtë kurthë? Më dukej se të gjithë sytë e sallës ishin ngulun tek un. Ishem si ai mini që ka hy vetë ndër ato kurtha e gjana ku ai mund lëvizi i gjallë, por s’ka nga del. Pritshem se kur po mbaron e të zhdukem në errsinë, në kjoftë se më lanë. Mjerisht, mbasi mbaroi, u këndue nji kangë tjeter, mandej fli nji tjetër. Po të njajtat fjalë pa vështrim, të bezdisëshme, torturuese njisoj sikur korrenti i elektrikut ndër veshë. Për mue kje nji torturë e madhe: kishem mbetë shtang. E thojshem me vedi: po sikur të vijnë me më kapë këtu në lozhë? Tash po shtirem si i marrë, si nji njeri që nuk ndigjon. Jo, i thashë vedit: as kjo nuk asht e ndershme, të shtiresh si i marrë, d.m.th. mos me kenë burrë që me qindrue. Të thom të vërtetën, e ndjeva vedin ma ngushtë se kurrë. Un, vetëm un ndër ata e dijshem shka don me thanë me hy në burg, me hy në tortura të pambarueme. Të gjitha i pranova në mendjen time, por jo kurrë me rrahë shuplakë për dy kriminelet ma të mdhaj të njerzimit; Neroni u binte deri në gju.
    Kur Jonuz Dini duel me falnderue publikun, lashë lozhën dhe u gjeta ndër ma të parët te dera: pritshem me ankth hapjen e saj. Kur dola në rrugë, mora frymë lirisht. Por mbas pak minutash, n’atë terrinë, siellshem kryet mbrapa për me pa nëse po më ndjek kush. Mbërrijta në Kuvend të Arrës së Madhe. Të gjithë kishin ra me fjetë. Mbylla derën mirë me shul.
    N’e nesre nuk e hapa derën deri në mesditë. Ishem i mësuem me u çue herët dhe u zgjova, por nuk dojshem kurrnji takim me njerzit. Vuna çilsin mbrenda dhe e mbylla për gjithkend. E si ta kaloj kohën? Mora librin e Heine-s që më pëlqente aq shumë: „Gjermania – nji prrallë dimni“ në përkthim italisht. E ngushllova vedin tue thanë: „kur asht puna për keq, gjithë bota asht njisoj“. Në muzé nuk dola ma me punue.

  2. #12
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    KAMPET E BURGJET E SHQIPNISE

    Fq.46

    "Në kuvendin françeskan tek Arra e Madhe ishin tepricat e fundit t’asaj çete dijetarësh e artistash françeskanë shqiptarë që dikur përbajshin nji Akademi të vërtetë Artesh e Shkencash, të pashpallun si e tillë. Tashma ishin zhdukë kolosat Patër Shtjefën Gjeçov, Patër Gjergj Fishta, Patër Pashko Bardhi, Patër Pal Dodaj, Patër Vinçenc Prendushi, Patër Martin Gjoka, Patër Anton Harapi, Patër Bernardin Palaj e Patër Gjon Shllaku; dergjej ndër burgje Patër Donat Kurti, ndërsa gjithnji në Kuvend tash ngrysëshin ditët e veta Pater Marin Sirdari, Pater Justin Rroka e Pater Benedikt Dema.
    Patër Marin Sirdari ishte lindë në Bogë të Malsisë së Madhe, si edhe vllau i tij ma i vogël Dom Aleksandër Sirdari. Në moshë të vogël mbetën të dy jetima, pa babë e pa nanë. Kushrijt e tyne të largtë i muerën në Guci ku banojshin. Vorfnia e madhe i ngushtoi që t’i lypshin ndihmë hoxhës së Gucisë. Ai kur muer vesht se fëmijt ishin nga familje katolike, për mos me u ndrrue fenë, i uli në Shkoder dhe trokiti ndër institucione katolike. Në moshen 9-vjeçare Marinin e shtini në Kolegjën françeskane, ndërsa Lekën, rreth 5 vjeç, e vendosi në nji azil fëmijsh parashkollorë që mbajshin murgeshat servite. Patër Marini gjithnji e mbante ndër mend fëtyrën e atij hoxhës mjekërdendun, që e kishte çue në derë të fretënve, e nderonte kujtimin e tij dhe vazhdimisht thonte se Hoxha i Gucisë ishte kenë „nji shejt musliman shqiptar“. Kolegji françeskan ishte nji çerdhë e shqiptarizmit dhe, kur u rrit Marini, kërkonte të kishte si ideal jete Marin Barletin. Kryevepra e At Marinit asht „Skandërbegu mbas gojdhanash“, në të cilën përmblodhi mbetjet e fundit të kujtimeve popullore arbnore për heroin e Kombit. Ka shkrue edhe shumë artikuj studimorë në revistën „Hylli i Dritës“, si edhe episode të luftrave për indipendencë, të cilat i kishte jetue. Mbasi u lirue nga izolimi i burgut të Tiranës, aty në Kuvend jetoi pleqninë i shmnagun nga çdo punë, deri që i mbylli me qetësi shpirtnore ditët e veta.
    Patër Justin Rrota. Në Kolegjën françeskane e kam pasë mësues. Sa e mërzitëshme bahej ajo gramatika e tij, mbasi ai nuk lëshonte pe as sa nji fije floku. Por edhe ne fëmijët talleshim tue folë gjuhën e Buzukut. E kam njoftë gjithmonë të sëmundë me dhimbjet e mdha të nervit trigeminis si edhe me paralizën progresive që e bante me ecë kaçul. Në Kuvend ruhej me kujdes nji foto e cila paraqiste „garën e vrapimit“ të tre fretënve shkepana me shkopij. Tre topallat ishin: Patër Gjergj Fishta, që kishte thye kambën n’inaugurimin e Fabrikës së çimentos, Patër Sebastjan Hila, kangëtar i përmendun me paralizë, si dhe Patër Justini. Gara ishte zhvillue në livadhin e madh, mbas kuvendit te Arres se Madhe dhe kishte fitue Fishta, se i bante hapat ma të mdhaj e ishte ma inatçi. Patër Justini, me gjithë sëmundjet që kishte, ishte nji puntuer i palodhun e që nuk e humbte kohën asnji minutë. Dikur paraliza erdh tue iu randue, aq sa nuk i vlente ma as shkopi për pështetje, por u mbante për murit. Kur kthente në karrigen pranë tavolinës së punës, aty e ndiente veten të forte. Si për çudi, sa më shumë që përparonte sëmundja tue i paralizue trupin, aq ma tepër vinte tue iu zhvillue gjuha e fjala. Na shkojshim shpeshherë gjatë ditës për me i ndihmue për ndonji nevojë që mund kishte ose vetëm me i largue mërzinë dhe gjithmonë mbeteshim gjatë aty me te, mbasi fjalët shkojshin tue nxjerrë njena-tjetren porsi qershijat prej koshit. Përditë lexonte shtypin, por jo si na tjerët: “Po shife njiherë këtu çfarë shqipje që shkruejn! Dy fjale shqip, katër turçe e katër frangisht! Në vend që t’ecim para, po ecim mbrapa”. Ndërkaq ai vetëm me gjuhësi merrej, shqyrtonte autorët që prej Gustav Meyer-it e deri te Çabej. Kishte disa studime të veçanta, p.sh. mbi „ë“-në etj. Përgjithësisht na tjerët që shkojshim aty nuk merreshim me gjuhësi si ai, prandej e ngucshim tue i thanë se gjuha nuk ecte simbas rregullave që i vendosin shkencetarët e paralizuem, sepse ajo ishte simboli i lirisë që printe si t’i tekej popullit. Atëherë ai, me gjuhën e mrepftë që kishte, hidhej në sulm tue i denoncue historjanët si mashtruesa e manipuluesa të ngjarjeve dhe se poetët ishin njerzit ma primitivë. Kur sëmundja iu randue, muerën nji katunar prej Troshanit, thirrej Llesh Biba, kryesisht për t’i shërby atij, por edhe me ba punë në kuzhinë. Kur at Justini i binte ziles, Lleshi i shkonte turr e vrap. Për nji arsye e për nji tjetër ata grindeshin bashkë shpeshherë. Nji ditë prej ditësh qe se po vjen prej Bajzet Patër Ciril Cani. Rrugës i ishte prishë sandalja dhe, përnji që hyn në kuzhinë, i kërkon Lleshit në se kishte ndonji thumb,
    “Thumba don ti?” - e pvet Lleshi. – Un nuk kam, por në daç thumba, shko te Pater Justini, se ai ka nji kuti të madhe plot dhe në të gjitha masat”. Patër Cirili, me sandale në dorë, i shkon në dhomë e i thotë: “Patër Justin, të lutem m’i jep nga 5-6 thumba se m’asht prishë sandalja!” “Un thumba?! … Krygja e Krishtit kjoftë… E kush të ka thanë se un kam thumba?” Kur e muerëm vesht na tjerët, i thojshim: “Sa mirë ta bani katundari, prandej shtine edhe këtë ndër studimet tua gjuhësore.”
    Zakonisht dhoma e tij vizitohej nga arsimtarë e profesora, sidomos të gjuhës, të cilëve u jepte shpeshherë dorshkrimet e veta pa u frigue se ato mund përfundojshin “të përpunueme” nën emnin e tjetërkuj... Kur ndokush ia thonte këtë, ai përgjegjej se njerzit me moral të shëndoshë nuk kishin si veprojnë ashtu. Nji ditë më dërgoi te njani prej atyne profesorave me i kërkue nji libër për pak ditë. Kur un u ktheva me te në dorë, Patër Justini e këqyri me habi të madhe se në faqen e parë libri kishte nji vrimë të madhe; kur e shikoi në f.100, gjet vulën e vet: „Shif, - më tha, - ky libër dikur ishte i imi dhe janë tash dy vjet që nuk e gjej.“
    “Ti e paske harrue, - i thashë, - atë fjalën që thotë “asht i marrë ai që jep librin, por edhe ma i marrë ai që e kthen””.
    E mbaj mend mirë se i jepte randësi dorëshkrimit të Gramatikës së Gjuhës Shqipe, të cilën e kishte pregatitë për botim dhe ia pat kërkue Instituti i Gjuhësisë në Tiranë. Nuk e dij se ku ka përfundue ajo vepër, si dhe shumë studime tjera tijat. Shkolla françeskane asokohe ishte në za për zotnimin e gjuhës latine klasike me profesorat e përmendun: Gjeçov, Fishtë, Marlaskaj, Prendush e sa e sa të tjerë. Por, përmbi të gjithë, shkëlqente Pater Justini, i cili kishte përpilue n’atë gjuhë nji libër me epigrame. Ai kje nji shkencëtar i vërtetë, që vetëm në tre muejtë e fundit e la gjuhësinë e, pa mujtë me lëvizë nga shtrati, e duroi sëmundjen deri që dha shpirt.
    Patër Benedikt Dema paraqiste tipin ma të saktë të nji dijetari vullnet-çeliktë: gjithmonë kryeulun në studime. Në gjithshka kërkonte saktësinë, prandej na e thirrshim pedant, ndërsa në të vërtetë ai ishte enciklopedik. Gjithsesi thojshim për te se kishte vetinë me i ba të kapërthyeshme problemet e thjeshta. Ka punue shumë vjet për nji Fjaluer Enciklopedik pesë vëllimësh; për sa dime sot, na ka teprue pjesa e parë e atij fjalori. Ka shkrue shumë artikuj e përkthye ma shumë. Vepra ma e randësishme që na ka teprue prej tij asht libri At Gjergj Fishta ku përmbledh shumë shkrime për njohjen e vlersimin e Fishtes si dhe bibliografinë ma të plotë e ma të saktë të këtij shkrimtari. Deri në 1967 kaloi nji jetë të qetë mbrenda Kuvendit françeskan, ku i vetmi argëtim i tij kje njohja e të panjohunave. Kur u mbyllën përfundimisht kishat e monastiret, ai u strehue te nipat e vet dhe vdiq, siç duket, nga nji semundje e shkaktueme nga pamundësia për të vazhdue ma gjatë jetën e qetë të bibliotekave.
    Me riorganizimin e Provincës gjendja ekonomike erdh e u përmisue shumë dhe kështu u vendos që të kujdesoheshim për mbajtjen e fretënve të burgosun: këtë detyrë, posë tjerash, ma caktuen mue.
    N’atë kohë ishin gjithnji në burg edhe 12 fretën të shpërndamë që nga kampi i Tepelenës për të internuem e ndër kampet e punës: Bedeni nr.2, Ura Vajgurore, Ura e Bonos, Kafaraj, Levan Fier e Karavasta, Rinas, Tiranë (Kombinati i mishit e Sanatoriumi), si edhe në Burgun e Burrelit. Vetëm At Marin Sirdari ishte gjithnji ndër dhomat e izolimit te Tiranes, ku nuk mund e takojshim as me i dhanë kurrfarë ndihme.
    N’atë kohe komunikacioni mungonte fare. Deri në Tirane gjindej autobus, por mandej duhej prite në rrugë të madhe kur të kalonte ndonji kamion; shpresa mbetej vetëm te zemra e shoferit që duhej pague bujarisht, përndryshe mbete në rruge të madhe ditë e ditë e ndoshta edhe net me shi, erë e të ftohtë.
    Në Tepelene ishin të internuem At Viktor Volaj e At Ferdinand Pali. Nji ditë bana me shkue Shkodër-Tiranë. N’e nesret Tiranë-Vlorë. Teshat i lashë te Motrat Servite: ishin nja pesë, të cilat përveç punës qepje rrobash, mbajshin edhe nji azil fëmijësh parashkollorë. Nanë Tereza Manovi ishte nji prej atyne grave burrnesha të rralla që me autoritet, me dije, me virtyte ua kalojnë edhe burrave. Në sajë të autoritetit të saj ai kuvend murgeshash kishte mbetë nji oazë e lulzueme e Kishës Katolike shi në djep të komunistave ma të egër shqiptarë: në Vlonë. Ajo nuk dinte gja për ata dy freten t’internuem në Tepelenë, por më dha drejtim se kah shkohej. Fjeta atë natë në skelë te shtëpia e Dom Mark Vasës, krejt buzë detit, tashma e shndërrueme në hotel. N’e nesret dola në rrugë e pata fat me nji kamion që po bante rrugën e Salarisë. Gjatë rrugës shoferit kureshtar nuk i kallzova se ishem klerik, por se po shkojshem me takue nji familje t’afërme e dashamirëse t’internueme në Tepelenë. Mbas disa orë udhëtimi, ai më tha: „Ky asht kampi i të internuemve. Don të flejsh sonte këtu?” “Jo, - i thashë, - po të kem mundësi kthej sado vonë.” “Mbasi të ngarkoj qymyr në Memaliaj, të pres ketu.”
    U çudita. Mbi nji kodrinë, kundruell Kalasë së Ali Pashë Tepelenës, aty në Grykë të Bënçës ishin katër kazerma të mëdha, të ndërtueme pak vjet para prej ushtrisë italiane. Aty banojshin familjet e internueme, kund 2500 vetë: pleq, gra e fëmijë. Më hini trishtim i madh kur iu avita derës së rrethimit. Kërkova Ferdinand Palin. Mora përgjegje se Ferdinandi ende nuk ka kthye prej Bënçës, por tash duhet të vijë me dru. Ndërsa prita, kalojshin t’internuem dhe më pvetshin. Të tanë e njifshin, sepse ai ishte frati i të gjithëve, i të krishtenëve dhe i myslimanëve. Kur ishin të sëmundë ose kur vdisnin, ai lutej dhe bante ritet fetare me përshpirtninë ma të madhe pa dallue kurrkënd, tue thanë: „Zoti e shef hallin tonë e pastë mëshirë për ne!“ Dikur At Ferdinandi erdh me nji dru në krah e nji shkop në dorë. U përqafuem me dashuni, por mandej, kur i dhashë ato pak tesha e ushqime, ai filloi me bërtitë: „Pse kaq pak? A e sheh se jam gjysë i zdeshun e gjithmonë i untë?“ Ai kishte arsye me bërtitë, mbasi ishte e para herë mbas 6 muejsh që ai po kishte nji ndihmë, por edhe un kishem arsye, mbasi nji rrugë aq e gjatë e pasigurtë për komunikacion nuk mund merrej me ma shumë tesha se 10 kg. Mandej po me atë shteg un në kthim do të ndalesha edhe tek Ura Vajgurore e tek Ura e Bonos e në Levan. I tregova se tash e mbrapa kishim caktue nji ndihmë të vogël mujore për secilin.
    At Ferdinandi më tha:
    -Nuk kam shka me të porositë ty, mbasi ti i ke provue vetë në shpinë tande burgjet, punën e randë e urinë e pafund. Të gjitha ushqimet që hamë janë të prishuna: orizi me kryma, buka e makaronat e mykuna, preshët e patatet të kalbuna. Zoti e din, por nganjiherë shkon mendja keq e dyshojmë se janë edhe të helmatisuna. Mendo se pak javë para kanë dekë në këtë kamp 83 fëmij të vegjël: mbrenda 4-5 ditve të gjithë! Kjajmë e nuk mund flasim. E shka asht ma zi: kur vijnë ata të partisë me na ba konferenca na duhet të rrahim shuplaket e t’i urojme jetë e shëndet atij që na mundon!
    -Un përpiqem me tanë kujdesin tim për ju, por kush ma ven veshin mue? – thashë. – Jam e mbramja birë e kavallit.
    Gjatë këtyne vjetëve nuk kam festue as Pashkë as Këshndella me vllazënt në Kuvend, përse merrshem shtegun me tesha në krah për me mujtë me i ngushëllue sadopak fretënt e burgosun që shkriheshin fuqish ndër kampet e punës së detyruar.
    Nji herë, kur shkova në Tepelenë me pa At Viktorin, po më thonë se asht transferue në Vlonë. Kur ktheva në Vlonë, e kërkova: nji pjesë t’internuemve që punojshin i kishin pru aty për me ndërtue nji burg. Nuk lejojshin me i takue pa nji autorizim të Degës Punëve të Mbrendshme. N’atë kohë mungonte kryetari dhe si i parë ishte zv.kryetar Dul Rrjolli, i cili kishte fitue disa hyje ma tepër ndër spaleta. Më thanë se gjindej shpesh në nji klub ushtarak të Degës. Aty e gjeta. Kur më pa, u çue në kambë, më përqafoi ndër sy të gjithë atyne tue thanë të madhe:
    -Po shka dreqin lypë Zef Pllumi këtu në Vlonë?
    Dreq! O Dreq!
    Atëherë un i thashë se me të vërtetë kishem ardhë në Vlone me kërkue nji dreq, edhe me gisht i rashë në gjoks. Ai më shtini krahin e duelëm jashtë tue shëtitë nëpër rrugën kryesore të Vlonës, edhe i ramë atij sheshit nja tri-katër herë deri që u err.
    -A ke ku flen këtu në Vlonë?
    -Po, - i thashë, - ka xanë nji vend atje në skelë te shtëpia e Dom Mark Vasës.
    -Ai hoteli i vogël buzë detit?
    -Po.
    -Shka keni lanë pa ba ju kleri katolik, deri aty sa me xanë ma të mirin vend në Vlonë, që mos me kalue as miza pa e dijtë ju! E mandej thoni: „Jo, na nuk jemi kenë kurrë agjenturë!“ Po agjentura nuk ka briena tjerë. Më vjen keq se na muerët në qafë edhe Tukun, që asht kenë shoq kaq i mirë. Po Marini ku asht?
    -Asht në Tiranë i izoluem.
    -Nuk asht kenë burrë i keq, por gaboi që hini në politikë. Ç’i duhej atij, apor sa me fikë Tukun e vedin! Kur nieri s’e njeh politikën, largoju, nuk të duhet gja. Politikën e ban vetëm Partia!
    Kur u ndamë, më porositi që me u takue përsëri aty n’at klub n’e nesre, në orën 10, e prej andej me shkue ku punonte At Viktori.
    N’e nesret shkova herët me marrë teshat që kishem lanë te motrat murgesha e u kallzova se do të më shoqnonte Duli aty në kamp të punës. Ato më pveten se ku njifeshem me Dulin e un ua kallzova krejt ngjarjen e Kuvendit e të burgut, megjithkëta u thashe se m priti aq mirë sikur t’ishim miq krejet. Mora teshat e n’orën 10 prej klubit u nisëm bashkë me Dulin me shkue tek At Viktori. Rrugës më pveti se shka bajshem tash. Kur un i thashë se ishem në Kuvendin françeskan, ai m’u suell:
    -Po a kurrë nuk don me i lanë marrinat ti? Në të folun e në paraqitje dukesh si djalë i mendshëm, por për kah punet je krejt budall. Hiqu atyne marrive tash. Hin në nji punë, çil familje e jeto si të gjithë njerëzit. Po ta tham un se si klerik nuk ke me pasë kurrgja në rregull: ke me dekë tue shtri dorën si lypsar i keq. A e mendon ti këtë a jo? Njerëzit sot nuk besojnë ma: ata pak që besojnë ka me i skjarue Partia e ti do të mbetesh vetëm, pa kurrkënd, mos me të kqyrë as vllazënt tu! Më ndigjo mue. Nuk asht vonë.
    Kur mbrrijtëm aty në kamp të punës, Duli foli me ata oficerat që i ndejën gatitu. U tha që ta thirrshin At Viktorin aty m’anesh me u takue me mue e me i marrë ato tesha të cilat, u tha, i kam kontrollue unë. Mandej m’u suell mue:
    -Rri sa të duesh me te. Kur e ke mendjen me kthye në Shkodër?
    -Në gjetsha makine, edhe sot.
    -Udha e mbarë, por shtini në krye fjalët e mia: gabimi i parë falet, por të dytin e paguen shtrejt me jetë.
    U falëm bashkë e u nis.
    Mbasdite kur u ktheva te murgeshat e u kallzova se ishem takue me At Viktorin, ato më thanë se e kishte marrë vesht tanë Vlona dhe se i kishin porosite me m’u ruejtë mue, mbasi kishem shëtitë krah për krah me Dulin që asohere ishte i parë në Degën e Mbrendshme, dhe as komunistat nuk e dojshin mbasi ishte shkodran.
    Gjatë këtyne vjetëve më ka rastise me i shëtitë pothuej të gjitha kampet e Shqipnisë e me hjekë aq keq sa nuk besohet: sa net dimnit i kam fjetë jashtë, para telave të kampit! Megjithkëta, çdo vuejtje e kam ba me andje, pa u kursye, mbasi un e dijshem ma mirë se çdokush shka don me thanë burg e vuejtje. Faleminderës Zotit edhe ndë të gjitha këto vuetje çfrynte kanjiherë ndonji ças i kandshëm humoristik. Mbaj mend se kur u takova me Patër Aleksin në Kampin e Kafarajt e pveta se për shka kish nevojë ma urgjente për t’ia plotsue. Më tha se i duhej nji fletore vizatimi, në rasë se gjindeshin kund, edhe nji laps Nr.1
    -Gjithnji të bjen ndër mend me vizatue edhe këtu në knetë?
    -N’daç me më shpëtue prej punës së randë, m’i dërgo me postë, që të më vijnë sa ma parë. Mos e harro punën që kemi ba në Beden e në Maliq: gadi-gadi aty hinë edhe Kafaraj e tjera kampe pune.
    -Jo, nuk kam si i harroj.
    -Shikjo, mue më ka dale zani si piktor, sepse nji polic m’a gjet në fletore, gjatë kontrollit, nji skicë, si karikaturë, dhe më pveti: ti e ke bërë këtë? Un iu përgjegja: po. Mbas disa kohe më pruni nji foto të babës së tij dhe un ia punova. Atij iu pëlqye shumë, por kur e muer më tha: mos i thuej kujë. Mbas nja tri ditësh vjen një shok i tij dhe më thotë: “Sa bukur ia kishe pikturue atij shokut tim foton e babës! Ma ban edhe mue nji si atij”. Tue i punue njanit e tjetrit polic, më ka mbarue fletorja dhe lapsi. Gjindem ngusht se ai polici i brigadës sime më kërkon që t’i baj nji pikturë të babës e, kur un i përgjegjem se s’kam letër as laps, ai vazhdon: hajt, filloje nji herë! Po un nuk kam me çka t’ia filloj e ai gjithnji “filloje, filloje”.
    Kur ktheva në Shkodër, i lypa nji mikut tim piktor fletore vizatimi dhe nji laps karboni, të cilat ia dërgova me postë sa me i lehtësue vuejtjen e randë. Sa herë e kam pvetë vedin: A thue artet e bukura u zhvilluen në kohën skllavopronare, kanë dalë për me i lehtësue vuejtjet?"





    VDEKJA E STALINIT

    Fq.76

    "Të flasësh o të shkruejsh për Stalinin sot, mbas 40 e sa vjetësh që ka dekë, duket si jashta vendit, për mos me thanë marrí krejt. Megjithkëta, mendoj se asht detyrë para njerëzimit me tregue marritë e njerzimit: ato kohë që i kemi bajtë mbi shpinë.
    Kur mbaroi Lufta e Dytë Botnore, Stalini u çmue si strategu ushtarak ma i madh i saj. Ai qysh 20 vjet përpara ishte kenë tirani i tanë Bashkimit Sovjetik dhe me gjak e terror jo vetëm kishte shtrue anmiqtë e Partisë Komuniste, por kishte zhdukë pa mëshirë edhe shokët e vet të partisë që nuk mendojshin si ai; tash e kishte marrë malli me zotnue tanë botën, mbasi Rusia iu duk tepër e vogel. Ballkanin e muer krejtsisht, përveç Greqisë, që nuk ia la Churcill-i n’asnji mënyrë. Titoja mujt pak ma vonë deri dikund me i dalë dore, por tjerët nuk e di a për bindje, a për servilizëm, a për frigë, por t’u vunë të gjithë me e çue nalt e ma nalt derisa e banë si perëndi. Ah, o i madhi Zot, sa marrija shkruhej përditë në të gjithë shtypin e ksaj cope të botës që fillon në Vladivostok e vjen deri këtu në Tiranë! Lene m’anësh për filozofi, se ai tashma ishte ma i madh ideolog i klasikëve të komunizmit e socializmit; po e xamë edhe si strateg luftarak, edhe në organizim shtetnor, por nuk jam i sigurt a iu mbush mendja atij vetë, a por servilat e hileqarët shfrytzuen emnin e tij, dhe ai na duel edhe gjuhëtari ma i madh i kohëve me teorinë e tij për zanafillën e gjuhëve. Edhe nuk guxonte kurkkush as me qeshë, as me folë për këto marrina: shkoje drejt e në burg.
    E mbaj mend se n’atë kohë në Shkodër ishin dy motra jetime, por që i kishin kalue 20 vjetat. Njana ishte ba komuniste e i kishin dhanë punë dikund në nji zyrë, ndërsa tjetra ishte pa punë, pra pa kurrnji të ardhun: as pare me marrë 400 gram bukë. Me rrogën e njanës u mundojshin me jetue të dyja; ishte tepër e vështirë, mbasi rrogat, si i thojshin atëherë, ishin për krye e jo për familje, d.m.th. vetëm sa me jetue nji person e edhe ky në zgrip. Nji në mbramje, kur kthen prej zyret në shtëpi, ajo komunistja, i thotë motrës së vet:
    -Shka na ke pregatitë sonte me hangër?
    Ajo mbasi kqyrë portretin e Stalinit të madh që e kishte ble e vu aty n’atë dhomë që kishin i thotë:
    -Qe tek i ke mustakët e Stalinit e të bashin mirë, në daç zieji, në daç fërgoi, se na nuk kemi asnji kafshatë bukë me hangër.
    N’e nesre në mbramje ajo filloi burgun; pra puna kishte mbërrijtë këtu edhe ma zi.
    Nji dite prej ditësh në gazete po del nji lajm mjaft i çuditshëm. Ai thonte se ishin dënue 9 doktora, të cilët i kishin dhanë diagnozë e barna të gabueme Stalinit të madh, me qëllim që me i shkurtue jetën. Nji grue doktoreshë e hetoi; atë e shpallën heroinë e doktorat i shtinë në burg. Stalini kishte shpëtue prej tyne. Prej këtij lajmi u muer vesht se Stalini kenka nji zot që vdes. Edhe njaty kah shkurti 1953 radioja filloi me kumtue tash e parë gjendjen shëndetsore të tij.
    Kur vdiq, si t’u shembte bota. Ishin marrë masat ma të rrepta ushtarake. Vendi u mbulue në zí. Komunistat kjajshin me të vërtetë, se pritshin shka po ndodh e nji pjesë tjetër kjante për servilizëm, sepse propaganda komuniste deri atë ditë e paraqiste sikur ai të kishte në dorë rruzullin mbarë e as dielli nuk mund bante dritë pa të. Tirani shqiptar aty në Tiranë u ul në gjuj para statujës së tij në sheshin kryesor (ku sot gjindet Skandërbegu) dhe u detyrue me u ulë i gjithë populli. Shumë vetë e fituen burgun në këtë rasë sepse vunë buzën në gaz kur tjerët vajtojshin. Stalini vdiq edhe bota po rrotullohej si gjithmonë, as dielli nuk u shkimb. Atje në Kremlin, në vend të tij hipi nji tjetër zot, ndërsa të vdekunin e balsamosën dhe, mbrenda njaj arke të kristaltë, e vunë aty në sheshin qëndror. Feja e re e komunistave të pafé nuk mund rrinte pa ritet fetare të feve të vjetra."


    nga po ky kapitull

    Fq.81

    "Periudha prej vjetit 1954 e deri në vjetin 1959 kje periudha ma e butë e ma e begatshme e pushtetit komunist në Shqipni. Kjo nuk don me thanë se ishte liri, por ishte nji përpjekje me u paraqitë si organizim i gatshëm me shtetet e tjera satelite te Bashkimit Sovjetik. Burgjet u riorganizuen, ashtu edhe kampet e punës së detyruar, të cilat u emnuen „Reparte riedukimi“. Ndër to kishte fillue edhe përmirësimi i racionit të bukës e ushqimit: tash u jepshin 800 gr. Bukë, 40 gr. Makarona ose oriz, 70 gr. Perime e thohej edhe per 40 gr. Mish, por ai kalonte nëpër shumë duer para se të mbërrinte ndonjiherë të rrallë tek i burgosuni, sa me e pa me sy. Jepshin edhe nji palë rroba të jashtme (xhakete e pantallona), beze e ngjyrosun në kafe dheut, të cilat zbardhoheshin porsa t’i lajshe 2 herë; gjithashtu edhe dy palë të mbrenshme bezeje. Por, përmbi të gjitha u vu edhe pagesa e punës: ata që e kalojshin normën e caktueme të punës paguheshin me nji përqindje qesharake, por që mjaftonte me marrë 1 kg sheqer, pak vaj e ndoj pusulle postet, e mbi të gjitha, atyne që punojshin shumë, u zbritej edhe dënimi nga 5 ditë në muej. Përveç këtyne që thamë, të burgosunve iu dhanë edhe dy të drejta tjera mjaft të randësishme: fjetja d.m.th. iu dhanë nga tri batanije dhe 70-80 cm vend fjetje mbi dërrasa nëpër kapanone. Kjo e drejtë shpeshherë shkelej, mbasi batanijet të shumtën e herës ishin formale e shifej drita nëpër to. Po t’u ankojshe, merrshe përgjigjen: “Këto kemi: në daç merri, në daç leni; ven firmën këtu”. Edhe ai 70-80 centimshi mvarej prej aftësisë së kapanonëve e numrit të të burogsunve.
    E drejta tjetër që patën të dënuemit gjatë ksaj kohe kje takimi me familjet e veta, marrja e ushqimeve ose e pakove prej tyne si dhe mundësia me gatue vetë mbrenda kampit në nji kapanon të vogël që thirrej “kuzhina private”. Për të burgosun ky kje nji favor shumë i madh, mbasi me ushqimin që jepte komanda shkohej drejt nji esaurimenti që nuk kishte doktor me e pru në fije.
    Me gjithë këto liri e rregullime të mira, kampet e burgjet mbetën se mbetën vendet ma të tmerrshmet e Republikës kur njeriu nuk kishte asnji të drejtë njerzore, ku shfrytëzohej prej shtetit ma keq se skllavi dikur, ku çdo komandant, oficer o polic ta merrte shpirtin si t’i tekej, shpejt o kadalë, dhe nuk kishe ku me e kërkue të drejtën tande, mbasi u çmojshe vetëm si nji kafshë për me ba punë të randa. Herë mbas here Ministria e Mbrendshme organizonte vetë provokime me anë të cilave arrestoheshin njerëz për t’i shndërrue në skllavë o kafshë pune me të cilat janë punue të gjitha “Veprat e mëdha të Partisë”: janë bonifikue të gjitha kënetat e rrjedhjet e lumenjve, janë shfrytëzue e shumta e minierave e janë ndërtue gadi të gjitha uzinat e fabrikat, si edhe qendrat e reja të banimit në të gjithë Shqipninë. Pra, Enver Hoxha, ose Partia e Punës e Shqipërisë, ishte pronari ma i madh i skllavëve që njeh historia.
    Kështu jetojshin të burgosunit. Po njerzit e lirë? A kishte në Shqipni njerëz të lirë? Në vështrimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte. Gjatë ksaj kohe Shqipnia u thur (rrethue) gjithkund gjatë kufinit të sajë me „klon“. Thirrej kështu rrjeti me telin gjembaç që përdorej prej ushtarakëve. Gjithkund 200 metra, pa mbërrijtë te piramidat e kufinit, ishin ngulë shtylla të gjata 4-5 m dhe me atë lloj teli ishte ba nji thurje e posaçme që mos të mund kalohej kufini në asnji mënyrë. Ky rrjet ishte i pajisun edhe me sinjale elektrike, përveç qenve e njerëzve të stërvitun. Kushdo që orvatej me e kalue këtë „klon“, lente aty jetën e vet nën breshni të automatikëve e trupi i tij u lehej kafshëve mishngranse ose vorrosej në msheftësi. Mbrenda këtij „kloni“ jetojshin shqiptarët, që kishin liri, në të shumtën e rasave, me u martue simbas rregullave të Partisë; kishin liri me rrahë shuplakë e me brohoritë Enver Hoxhën; kishin liri me shkue kur të duen në WC; kishin liri me folë mirë për Partinë e Pushtetin; por nuk kishin liri as me shfaqë mendimin e vet, pakënaqsitë e nevojet e veta, as me ndigjue radiot e hueja, se këto dënoheshin me nji ligjë dhe i kapte „neni i propagandës“.
    Jam i sigurt se nji përqindje si me u skapullue nga kjo tokë e mallkueme, por kahdo që sielleshe delte përpara kloni. Nuk ishte vetëm kloni. Nji rrjetë tjetër e merimangës, tepër e rrezikshme e kërcnuese, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i Shtetit, tashma me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngule çapojt në çdo tru shqiptari e, si nji përbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese që mund endej për andrrën e lirisë. E kam ndër sy avokatin plak Qazim Danin, i cili fill mbas gëzimit të madh të lirimit nga burgu, pësoi tronditjen fatale kur i vranë djalin 25-vjeçar në kërkim të lirisë. Po ashtu edhe Kolë Gurakuqin; djali i tij i vetëm, mësues në Velipojë, gjatë udhëtimit u hodh prej motoskafit n’ujë, por e vranë aty për aty. Më dhimbeshin ata dy pleq dhe, sa herë shkojshem me u ngushllue, kthejshem i vramë në shpirt, mbasi çdo përpjekje ngushllimi kishte mbarue për ta. Jo nga pleqnia, por nga idhnimi; nga humbja e së vetmes dashuni mbi tokë, kur kishin shpresën, mendjet e tyne kishin kalue.
    Po ashtu i dhimbshem kje episodi i Sandër Pistullit, nji prej ish tregtarëve të ndershëm të Shkodrës, nji burrë tamam „zotni“, i cili shkrini të gjithë atë pasuni, që me frigë e kishte mshefë, për me ikë me gjithë familje. Kur ai me tanë familjen mbrrijtën në breg të liqenit, aty në vend të lundërtarëve e pritshin njerëzit e Sigurimit, që e përplasën në burg për shumë e shumë vite, ndërsa familja e shpërndame vuejti pa mujtë me u mbledhë ma në shtëpi të vet.
    Edhe ma tragjike tregohej ngjarja e njaj familje muslimane të Shkodrës. Mbas shumë përpjekjesh tepër të mshefta, ia kishte dale me u bashkue me tre djelmoça tjerë, që me nji lundër po niseshin për liri. Familja ishte e re e u kishte falë Zoti nji djalë që ende nuk i kish 6 muej; kryesisht për voglushin andrrojshin lirinë. Prej Shkodret udhtimi nëpër liqe asht shumë i gjatë. Mbasi kaloi gjysa e natës, lundra hyni në zonën ma të rrezikshme. Shi aty foshnja filloi me kja. Nana e shkretë e struku e i dha gji. Fëtyrat e djelmoçave u tmerruen: ata ruheshin që mos të ndigjohesh zhurma e rremave e që tash vaji i fëmijës. Baba, që po voziste edhe ai me tjerët, i bërtiti grues nën za:
    “Jepi gji! Pajtoje djalin se na more në qafë! Kemi afër rojet kufitare!”
    Për fat të keq, foshnja shpërthente edhe ma zi në vaje e nuk kishte gja me e pajtue. U duk sikur edhe në breg, ku ishin rojet, u ba si zhurmë e pregatitje armesh. Rojet e kufinit me mjete të veta mund i kapnin gjallë ose i vrisnin të gjithë. Foshnja u tërbue në vaje. Nën za u ndie nji ofshame: mbaruem! N’atë ças babës i hiku mendja. Atë e kishin pranue shokët për ta shpëtue dhe tash shi ai po bahej rreziku kryesor i jetës së tyne. Lëshoi rremin dhe i terbuem si ujk ia shkëputi nanës foshnjen prej gjinit dhe e hodh n’ujë.
    Qetsia e vdekjes ra mbi ata voztarë. Lundra, me atë heshtje vorri që barte, kaloi kufinin: hyni në liri. Jeta që lindi u ba kurban i lirisë. Kurban tepër i madh. Kaq shtrejtë kërkoi të paguhej ajo?
    Aso kohe lajmet për t’arratisun vijshin ma vështirë se prej jetës tjetër. Kurrgja me siguri, por si kam pasë ndigjue, ajo nusja nuk bani ma ditë të mirë dhe vdiq mbas katër vjetësh nga veremi, që nuk iu nda kurrë që nga ajo natë; ndërsa burri jetoi në mjerime edhe disa vjet. A thue liria nuk kenkesh kurrgja tjetër, por vetëm nji mikrob iluzionar jetëshkatrrues? Mbetet mister!...."




    MARASHI

    Fq.123

    "Ata dy fëmijët që gjatë funksioneve fetare i kishem veshe xhakoj, ishin shumë të zgjuet. Më vinte keq që nuk mund vazhdojshin shkollë. Fola me familje të tyne. Marashin ma dhanë, megjithëse jo fort me andje. I ati më thonte: “Po ku don me e çue, more zotni? Kjo shkolla e tyne asht shkollë e dreqit e del dreq!” Nji ditë shkova ndër zyra të lokalitetit në Breg të Lumit dhe fola për Marashin, me e dërgue Lokaliteti me bursë. Vetëm njani prej atyne zyrtarëve kishte krye shkollën e mesme; gjithë tjerët ishin me fillore. Si përgjegje përfundimtare kje kjo: “Po me i çue tanë fëmijët në shkollë, kush i ruen dhitë këtu në Dukagjin?” E pashë se nuk delte gja prej tyne e u ula në Shkodër. Bashkë me djalin shkova në seksion t’arsimit. Më thanë: ke ardhë vonë. Shkolla nuk kishte fillue ende, por regjistrimet kishin mbarue. Nuk ma pranuen kurrsesi. Bashkë me te u nisa për Tiranë. Shkova te nji konvikt. Fola me drejtorin. Ndodhi burrë i mirë e i kuptueshëm.
    -Pse kaq vonë?
    -Me e dijtë ti se prej kah vjen ky fëmijë, thue që asht tepër herët. Asht prej malsive të Dukagjinit, atje në krye të kufinit. Nana i ka dekë, baba i shkretë ke me mbajtë ma parë, ky asht djalë i zgjuet e dam me e lanë pa shkollë. Ti e din mirë se ato male duhet të bajne kuadrot e veta, si n’arsim, si në shëndetsi, n’administratë etj., e jo me i dërgue atje njerëzit me shkollë prej Tirane e Shkodre.
    -Ashtu asht, ashtu, por halli se bursat shtetnore janë plotsue, kanë mbetë pak vende me gjysa bursash.
    -Don me thanë që gjysëm me e pague familja?
    -Po, duhen 9 mijë lekë për tanë vjetin, e verës kthen te shpija.
    Un atëhere i pagova ato 9 mijë e djali u regjistrue. I dhashë të gjitha porositë që mund japin nji prind. Sado rrallë, i premtova, do të vij me të pa e me pvetë për mësime. Fola me drejtorin, të cilit nuk i kallxova se ishem klerik, dhe ai e muer ashtu si i takonte nji edukatori. Kurrë nuk e pveta si e kishte emnin.
    Për katër vjet e mbajta atë djalë në nji konvikt të Tiranës. Gjatë verës rrinte ma shumë me mue se në familje. Shkollën e naltë nuk mund e nxuer kurrsesi. Duket se në biografi ia kishin shti informatën e marrun kushedi prej kuj se e kishem dërgue un në shkollë. Nji ditë prej ditësh po më thotë: „E shka m’u desht shkolla që bana? A veç me ruejtë dhitë ndër Rrosulla tv Palajt?”
    -Mbasi nuk të japin bursë n’Universitet, së paku kërko punë n’arsim ose n’administratë.
    -Gjithkund i kam drejtue lutjet, por ma mbyllin derën. Patër, të lutem, mbaje sekret: më kanë thirrë e më kanë thanë që ke me u çue e me folë kundra fratit në mbledhje të rinisë. Në mos e bajsh këtë, vazhdo ruej dhitë me shkollën që ke. Un kurrë nuk mund e baj këtë gja! Më del e keqe.
    U trishtova pa masë. Nuk ishem i zoti me i thanë asnji fjalë, asnji mësim si me veprue n’atë ças aq të rëndësishëm për te: Jeta e Nderi.

    ***

    Kishin kalue 6-7 vjet e gjindesha përsëri në Repartin e Riedukimit në Ballsh. Në nji lloj bunkeri katror çimentje, rrethue në të gjitha anët me tela, komanda na kishte izolue kund nja nandëmbëdhjetë të burgosun, me akuza nga ma të ndryshmet. Ngjitun me mue ishin Dom Nikollë Mazreku e Gjon Perjaku. Nji ditë prej ditësh lexova në „Zëri i Rinisë“ nji ngjarje të kobshme: në lagjen Palaj të Shoshit, ndërsa në mbledhjen e Rinisë bahej „puna politike“ (Kështu thirreshin ato mbledhje ku flitej kundra Zotit e fesë ose, si i thirshin ata në të zbutun, „kundra zakoneve prapanike“) Marash Miruku e i dërguemi i Partisë Dedë Sokoli kishin mbetë dekun, gjuejtun prej nji rrufeje, ndërsa të gjithë tjerët antarë rinije kishin shpëtue gjallë. E lexova disa herësh, tue hulumtue imtë atë artikull në çdo rresht të tij e tue krahasue të gjitha ato të dhana me vendin e ngjarjes dhe personat që përmendeshin aty. Sytë m’u mbushën me lot dhe me dhimbje e hodha gazeten tue ofsha: o i shkreti Marash! Mbeta shumë i përmalluem. Gjoni, që e kishem ngjitë, po më pvetë:
    -Pse t’u mbushen sytë me lot? Për si thotë gazeta, e kjofshin të vërteta, ai komunist duket se asht kenë.
    -Nuk e besoj, por edhe sikur t’ishte ba antar partie, un atë e kam pasë si djalë.
    -Me shka kuptova prej gazetës, duket se kanë ndër mend me e ba „hero“, ashtu siç kanë ba „heroj kot“ njiqind tjerë, deri atë qorrin, si i thonë atij, që pa sy ban dy norma pune në ditë. Mos u ban marak për te!
    -Jo, Gjon, - ia ktheva, - nuk asht ashtu. Dhimbja që kam sot për te më duket sikur vjen nga nji përgjegjësi shpirtnore që kam pase ndaj tij. E kam gjetë fëmi, posa kishte mbarue filloren. Ishte shumë i mprehtë. U përpoqa me e dërgue në shkollë, mos me e humbë atë talent natyre. Babai i tij më kundërshtonte me ngulm. „Nuk asht shkollë kjo që bajnë komunistat“, më thotë: „Këta u hjekin trutë që u ka falë Zoti e në vend të tyne ua mbushin rradaken fëmijve me shtupa gazetash që janë plot marrina: me sha Zotin, thonë, asht punë e mirë; me vra anmikun, thonë, punë e mirë; me grabitë tjerët, thonë, asht mirë, se këta vetë nuk të lanë gja mbas shpirtit; për këta asht keq vetëm me guxue të shajsh Enver Hoxhën ose Partinë!“ Kështu më thonte aq shpesh baba i shkretë, deri që nji ditë vetëm se nuk donte të prishej me mue, ma la e un me shpenzime të mija e kam çue në konvikt në Tiranë.
    -Mire të paska thanë ai plaku; duke se atje asht ba komunist.
    -Jo, jo, nuk asht ba atje. Kur janë mbyllë kishat më 1967, i kanë kërkue që të flasë kundra meje, por ai nuk ka pranue. Tashti shifet se çfarë presionesh duhet të ketë pasë! A e ke ndie kah thotë mileti se „Këta të bajnë me ia hypë nanës...“? Nuk mund i gjykojmë të gjithë njerëzit të këqij. Mandej shif se u ba nji kohë tepër e gjatë që po rrnojmë pa shpresë. Zoti na lshoi dore. Këta rrxuen të gjitha kishat, ne na shtinë ndër burgje. Ngjarjet u rrokullisën e kurrkuj në botë nuk i bjen ndër mend për ne. Nji kohë që të mbyt shpirtin, të ligshton. Prej ligshtie njeriu edhe dorëzohet; detyrohet me ba nji punë që nuk duhet e prandej i lutet Zotit që t’i dërgojë edhe vdekjen. Edhe më vjen dyshimi, kur e analizova ngjarjen te „Zëri i Rinisë“, të përshkrueme aq imtë: e njajta rrufe ka vra delegatin e partisë 200 metra larg, dhe Marashin, në mbledhje të rinisë, shi në mes të tridhjete vetave, në dhomën ku dikur banojshem un. Asht e çuditshme: vetëm këta të dy! Merr dukjen e nji mrekullie të vërtetë, prandej mendoj se kurrë nuk kanë me ia dhanë titullin e „heroit të kotë“. Kush i din punët e Zotit? Ndoshta Marashi, shi ai vetë, me lot ndër sy, i asht lutun Perëndisë që ma parë: më gjuej me rrufe prej qiellit, mbasi kështu nuk e donte ma këtë jetë.
    Urdhëni i Zotit thotë: Mos gjyko!"





    ZBORI E RADHAT

    Fq.128

    "Stërvitjet ushtarake janë gjella kryesore e të gjitha diktaturave. Ushtrija asht nji organizëm i verbtë, i pagojë e i pamend, i cili mbahet gjallë vetëm me veshë: Gatitu! Para! Mbrapa! Urdhno! Kjo asht çizmja e hekurt që shtyp pa mëshirë çdo të drejtë dhe çdo dëshirë njerëzore: asht zemra dhe mendja e çdo tiranie.
    Në Shqipni me këto armë Partia Komuniste zhvilloi veprimin e saj më të madh: vrau, preu, dogji e shkatrroi çdo gja të bukur e të mirë, pushkatoi njerëz të pafaj deri që vendosi robnin skllavopronare nën emnin e Partisë. Të gjitha këto i bani nën strehën e “Shokut Tito” e ma vonë nën hijen e “Stalinit të Madh” e të “Bashkimit të Madh Sovjektik”.
    Por aty kah vjeti 1960-61 këto marrëdhanie u prishën keq, sepse Hrushovi tradhtoi fenë komuniste tue kërkue largimin e Enver Hoxhës nga pushteti në Shqipni. Shqipnia u lidh me „Kinën e Mo Ce Dunit“, që ishte larg prej nesh nji muej ditë. Prandej, deri të na vinte ndihma e saj, duhej me qindrue na vetë. Kështu filluen stërvitjet ushtarake ose, siç thirreshin me nji fjalë të huej, zboret, pa të cilat në Shqipninë e asokoshme nuk mund kuptohej jeta.
    Dega ushtarake e Shkodrës na dërgoi të gjithëve lajmin me u mbledhë në Theth. Prej Kirit po vjen At Sebastjan Dedaj, pse dhe atij i kish ardhë lajmi me u paraqitë në Theth. U nisëm të dy bashkë. Kur mbrrijtëm atje, gjetëm të mbledhun së paku pesëmijë burra, të gjithë të ndamë simbas katundeve të ndryshme: këtu Plani, atje Kiri; këtu Shala, aty Shoshi. Këtë mbledhje e kryesonte Gjeneral Hito Çako dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës Bilal Parruca. Mbas tyne vijshin disa tjerë. Këta të dy na mbajtën edhe dy fjalime të gjata (kurrë nuk mund baheshin të shkurtra) për gjendjen politike ndërkombtare, mbasi këtu mbrendë gjendja kje gjithmonë “e shkëlqyeshme”. Thalbi i fjalimeve ishte se Mao Ce Duni e kishte sigurue Shqipninë edhe kishte deklarue botnisht se çdo fuqi kapitaliste o revizjoniste, edhe sikur këta t’ishin koalicjone superfuqish, po të guxojshin me sulmue Shqipninë, do të zhdukeshin prej faqes së dheut mbrenda pak orëve. Tue kenë, pra, se Shqipnia tash ishte ba kërthiza e botës e fener ndriçues i popujve, duhej të mbahej me çdo kusht derisa të vinte Kina me e ndihmue. Si rrjedhim i kësaj logjike politike, duheshin marrë masat e mbrojtjes ushtarake për me luftue kundra kapitalizmit e revizjonizmit.
    Mbas atyne fjalimeve, nji ushtarak i naltë filloi organizimin e turmës, tue i nda e tue i përzie ndër skuadra, brigada, etj. Mandej na dha urdhën që, kur të ndigjojshim alarmin, që ishte dy të shtime armësh, të vrapojshim me u paraqitë n’atë vend të caktuem për çdo katund, e aty merrej urdhni se çfarë detyre caktohej.
    Në fillim u banë prova nëse ecte në rregull ky mekanizem i “gadishmërisë”, ma vonë u caktuen dy ditë për çdo muej me kenë me armë në dorë. Kur erdh vjeshta, dërguen nji listë tepër të gjate t’atyne që do të shkojshin me punue ndër objekte ushtarake. Aso kohe patën fillue vetëm me tunelet. Prej Dukagjinit i ulshin në Podgorë, afër Koplikut, dhe i mbajshin për me zgavrue malet, tue çilë galeri të shumta me dinamit. Këto tunele kjenë ndër fazat e para të çmendjes strategjike, pse ma vonë filluen strehimet e mëdha e të vogla, si për çdo lagje e për shumë zyre, deri që mbrrijtën te bunkerat me madhësi të ndryshme, të cilët shëmtuen të gjithë truellin shqiptar prej bregut të detit deri n’alpet e nalta. Kjo pregatitje ushtarake nuk u mjaftue vetëm me djelm e burra; asaj i tha mendja me e ba “gjithë popullin ushtar”. Këtë parrullë e përsëriste për kreni. Më pat ra rasa nji herë me takue nji togë, o nji kompani, nuk di t’i përcaktoj sak këta emna çetash ushtarake, pra ishte nji çetë grash e varzash që, ashtu të veshuna siç ishin, me pushkë ngrefun, në kuadrate të rreshtueme, pa ndalë hapin ushtarak, pa prishë kuadratet, i ranë vaut të lumit anë e m’anë, tej e përtej e kaluen tue u zhytë deri në sjetull dhe duelën m’anë tjetër tue kullue ujë e vijuen rrugën në bregun tjetër. Sa me urrejtje e vrojta atë pamje të shëmtueme: atë oficerin idjot që printe e dy oficerat në fund un, po të mujshem, do t’i kishem akuzue si kriminela të njerëzimit.
    Dami që i sollën Shqipnisë këto zbore e “pregatije ushtarake” asht i pallogaritshëm; thohet se vetëm bunkerat me hekur-beton mbrrijtën numrin tetëqind mijë, pa numrue galerite e tunelet ndër të cilat u punue për tridhjetë vjet rresht tue i marrë shpirtin “popullit ushtar” e tue shpenzue materjalet e ndërtimit kot së koti.
    Atje në malsi njizetepesë ditët e zborit fillojshin në dhetëditashin e parë të shtatorit e mbarojshin në fillim të tetorit. Kjo ishte koha ma e randsishme për marrjen e fryteve të tokës, kryesisht misrit. Mueji i shtatorit ndër malsi asht ai ma i randsishmi për bujqsinë. Bujku punon tanë vitin, mbjell, krasit, prashit, herrr e vadit e në fund mbledh frutin. Por në kohën e të korrave e gjithë bujqsia paralizohej jo vetëm prej shinave të vjeshtës, të cilat e mykshin o e kalbshin misrin e rrushin, por tash edhe prej zborit. Prandej malsorët ishin të dispruem nga ky shkatrrim ekonomik. Nji ditë po vijnë aty nja pesë a gjashtë vetë, bashkë me Kryetarin e Kshillit Tom Lucin, dhe më thanë:
    -Patër, kemi ardhe te ti me na shkrue nji letër, me e qëndisë ashtu si din ti, pse duem me e due atje nalt në qeveri, madje me e shti aty se zbori në këtë kohë pune kaq të randësishme na duket sikur bahet për sabotim.
    -E kuj doni me ia drejtue këtë letër?
    -Enver Hoxhës, se tjetërkush nuk kryen punë!
    -Po a e keni ndie atë prrallën e mijve që u mblodhën e vendosën me i vue në qafë dacit nji kumbonë? Po u pvsë: kush ia ven kumbonën në qafë maçokut të madh?
    -E kemi mendue edhe atë punë. Ti me na e shkrue nji letër të bukur, nënshkruejmë nji për shtëpi edhe caktojmë nja shtatë a tetë veta që të kërkojnë takim me Enverin e t’ia japin letrën në dorë. Si thue?
    -Si t’ju thom? Mirë se po e shkruej un, edhe ju po e nënshkrueni, po kush jane ata të shtatë shaljanë o shtate shoshjanë që e çojnë tek Enveri? Mendoj se do të veje puna si e shkodranëve me Vezirin, me „filin“ e me „fileshën“.
    Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit. Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët. Prandej, kur nuk e xeshin dyerët e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh e i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush mund i delte para. Të gjithëve u hini hataja. Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të vezirit. Folën e folën, diush thumbit, dikush patkonit, me shkue atje nalt në kala e me i thanë vezirit këto fjalë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyerët e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej atij fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatrron gjithshka, se nuk e durojmë ma”. Populli i Shkodrës caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani ma i mendshëm se tjetri e gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej. Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: „Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.“ „Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.“ Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: „Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka randësi. Kam nji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetem: a më lejoni?“ „Shko!“ Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: „Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllun në Pazar, se paskam çilsin në xhep. Po shkoj vetëm sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?“ Kështu me radhë, njani mbas tjetrit, paraqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbrrijtën te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë. Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? „Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’duhet i dyti? Njani ka për t’i folë. A qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjale, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot”; doli tjetri e u largue. Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjiherë nuk e nxierrshin as kryet prej andej. Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshem, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës”. “He, ju, bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue pru njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?... Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimben degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës. Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!“ Ndërkaq erdh kafja e turkut e gota e ujit në tabake e veziri foli: „Ndigjo, o burre i mirë, thueji miletit të Shkodrës se do të baj çmos me ua plotsue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!“ Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodres po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotsonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsri te Xhamija e Tophanës. „Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?“ „Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryet tem se bahçet tueja.“ „Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?“ „Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer e rrënon mure, then pemët me gjithë degë... Po ju kalanë e keni njaty, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftë se bahçet tueja u dhimben ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën.
    Mbasi ua kallxova prrallën malsorëve, u thashë se ishem gadi me e shkrue letrën, por drueja se, mbas “filit” vinte edhe “filesha”…"
    Ndryshuar për herë të fundit nga Dita : 15-07-2007 më 12:12

  3. #13
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    PO THUEJ SI TE PUSI I JAKOBIT

    fq.196

    Ndër ata pesë-gjashtë muej që ndeja në Nikaj, populli u tregue shumë bujar e i pritun me mue. Ndër ditë të diela, që vijshin në funksionet fetare, ata caktojshin radhën e secilit për me më pru bukën mue edhe punëtorëve që kishem. Megjithkëta, nganjiherë më duhej me zie groshën e me skuqë mishin e thatë e tjera punë shtëpie. Ujin m’u donte me e marrë te kroni aty afër tri-katër herë çdo ditë. Në nji kso rasash gjej te burimi nji grue qytetare me nji fëmijë të vogël, edhe ajo kishte vu bucelën me u mbushë.
    - A po më njef, Pater?
    Un kqyra me vëmendje: nji grue në të 40-at në paraqitje e fytyrë dukej nji bukuri e vuejtun.
    - Nuk më bjen mend se jemi pa ndonjiherë. Prej kah je?
    - Prej Shkodret jam dhe, sikur ta kthejsh kujtesën njizet vjet përpara, ndoshta edhe të kujtohem.
    - Njizez vjet para? – U kqyrëm sy për sy. – Jo, nuk e dij se të njof.
    Asaj filluen me i shkue lotët për faqe.
    - Ndoshta me të vërtetë nuk po më njef? Ta besoj. Un jam Lena Y. Para njizet vjetësh më ke pa shpesh te ky burim uji. Jam le e rritë në Shkodër; atje edhe sot banoj. Këtu kam disa kushrij të largtë, që shpesh më pranojnë me dalë në verim. Kam mbrrijtë tash nja nji javë. Këta më folën shumë për ty. Deshta me të njoftë. Un ka herë e kam lanë Kishën, por të dielën erdha. Të njofta. Ti ke ndrrue shumë pak: atëherë ishe i shëndoshë e kuqalosh, tash je ma i thatë e i zbehtë, por po ai: ata flokë, ata sy, ajo zhdërvjelltsi,
    Si nji hije zbehtë ndoshta dishka më ngjason: je kjenë me shtëpi këtu te filani?
    - Po, shi ajo. Ai filani ka dekë, por djali i tij vazhdon me më grishë, pamvarsisht se sot flasin keq të gjithë për mue.
    - Po pse flasin keq? A ke ba keq?
    - Pater, nuk dola këtu te kroni për nji bucelë ujë, kam ardhë me folë me ty. Jo me u rrfye si në Kishë, se un gadi e kam humbë besimin, por me të tregue gjithë jetën: ti e Zoti do të jeni gjqytarët e mij nëse jam un fajtore a jo.
    - Ndigjo, Lenë, nuk asht nevoja për gjithë ato lot që të shkojnë për faqe. Largoje bucelën se asht mbushë dhe lëshoji vend bucelës sime.
    Kur ajo e largoi bucelën, i thash:
    - Hidhi pak ujë fytyrës, se djali i vogël po i kqyrë lotët tua.
    Ajo nuk i lau lotët, por nxuer nji shami të vogël dhe i fshiu. U ul e e puthi djalin e vogël: „Ah! Shpirti i nanës!“
    Kur un bana me vu bucelën time, ajo më tha:
    - Lene, Pater, le të rrjedhin ky ujë e ta marrin me vete historinë e jetës sime, nuk due që të mbesin sadopak në bucelën tande! Ti nuk më pranove atëherë kur un ishem nji ndër varzat e bukura të Shkodrës. Më duket kje vjeti 1943. Plot njizet vjet.
    Ti kishe ardhë këtu në Nikaj bashkë me nji shoqin tand. Un, n’atë kohë, xuna marak në ty. T’u siellshem herë këtu, herë atje. Vijshem për ditë në Kishë, vetëm për me të pa ty. E ti nuk i kqyre asnjiherë sytë e mij! Un nuk mujshem me të folë, kishem frigë me të shkrue. Shka ishe ti? Njeri apo gur? Oh, ky zhgun që ke! Atëherë ishe shumë ma i trashë: nji mburojë herkuri e padepërtueshme; ti jetoje nën atë mburojë e jo në këtë jetë. Si nuk m’i lshove ata sy asnjiherë? Me sjelljen tande ti më përbuze e sot edhe ti je nji ndër ata që mban përgjegjsi për shkatrrimin e jetës sime.
    Mbas nji viti erdhën këta. U formue Rinia Antifashiste Shqiptare. Pothuej me detyrim i shkruen të gjitha varzat e bukura. Më shkruen edhe mue. U donte me shkue ndër mbledhje, konferenca të tyne, ndër mbramjet e vallzimeve. Në fund të fundit, çdo femën andrron me gjetë nji burrë. A e kupton ti këtë?
    Nji prej atyne përgjegjsave të grupeve të rinisë më shoqnonte shpesh deri në shtëpi. U martova me te. Më shtini në punë në agjit-prop, ku punonte edhe ai vetë. Punë i thanshin, por rrogën e merrshem. Babës nuk i pëlqeu matersa ime me te, por pat frigë me dalë haptë. Mbas nja nji viti ai burri im filloi me më sjellë në shtëpi edhe tjera. Un i fola, por sa ma shumë që i folshem, aq ma keq bahej puna. Mbrrijti deri aty sa ai të binte në shtrat me ato dashnoret e mue më thonte: shtro e flej aty përtokë. E kërcnova se kjo nuk ishte martesë, se i kishim të drejtat të barabarta! Por ai vazhdonte përherë e ma shumë në atë paturpsi. Se si i mashtronte ato! Dikur nuk mund e durova ma dhe u ndava. Ktheva te baba im. Mbas pak muejsh, më hoqën prej punet që kishem.
    Tash kishem mbetë në pikë të hallit, kërkojshem punë e nuk më jepej: vetëm pastruese. E shifshem se baba më kishte randë në shtëpi. Dikur njatje vonë e gjeta nji burrë. Në të pamë edhe në të folun dukej mjaft i mirë. Un i kerkova si qyshk: me vu kunorë kishtare; mendojshem n’atë timen se kështu do të lidhemi përjetë. Baba u mundue me më pregatitë edhe nji farë paje, se kjo nuk ishte si martesa e parë ala partizançe. Mbas kunorës civile, vumë edhe kunorën kishtare te Dom Ernesti, megjithëse n’atë kohë pak kush shkonte në Kishë, mbasi të gjithë priftent ishin në burg edhe merrshin shënime për ata që shkojshin në kishë e i demaskojshin ndër konferencat e lagjeve. Edhe dasma u ma mjaft e mirë, pse burri kishte shumë shoqni. Shkova nuse tamam. Kishim dy dhoma e ai ishte i ndamë prej prindve. Në atë varfëninë tonë e kaluem mirë. Ai e dinte se mue nuk më jepshin ndonji punë që më përshtatej, mbasi kishem njollosë në gjykatë figurën e Përgjegjsit të Rinisë, prandaj ndërsa ai punonte, un në shtëpi bajshem punë dore: me tjerrë lesh e me ba fanela e çorapë. Fitesa ishte shumë e vogël, nganjiherë i më pagueshin vonë ose aspak. Tanë puna sa me hangë nji kafshatë bukë.
    Mjerisht ky burri im luente kumar. Disa herë biseduem bashkë mbi ketë ves, por ai, sidomos kur i ecte fati, ma mbushte shtëpinë plot dhe më thonte: Ee! E tash a më bërtet pse luej bixhoz? Erdh puna dalë kadalë e u zhdukën të gjitha orenditë e shtëpisë. Ai i lente në bixhoz. Sado e vorfen, mbasi baba im punonte hamall, kur u martova çova në shtëpi raftin, komohin e nji radio. Me atë radio kalojshem ditën. Aq m’u dhimbt kur erdhën me e marrë, se e kishte lanë në bixhoz, sa un e kundërshtova: kje e para shamatë e madhe që bana me te. Mbas asaj dite kemi ba shumë shamata tjera sa herë që shtëpija vinte tue u zdeshë.
    Mbas disa muejsh qe po më vjen nji prej shokve të tij me nji letër. Kje mbasdite vonë. E hapa letrën e e lexova: „Lenë, sonte ti duhet të flejsh me letërprurësin.“ Ndërsa un lexojshem, letërprurësi bante nji gaz të turpshëm.
    - Ku asht ai? - e pveta. – Në cilin vend jeni të mbledhun?
    Kur më tregoi shtëpinë, i thashë:
    - Hik, se do të vij un me folë me te.
    Nuk u prita ma, u vesha dhe shkova fill e n’atë shtëpi. U thashë se due filanin. E thirrën e ai erdh aty në korridor.
    - Ti e ke shkrue ketë letër?
    - Po. Të kam lanë në bixhoz!...
    - Ti më ke lanë mue në bixhoz?... Po shka jam un?...
    Edhe nuk mund u durova po i ra nji shputë. Kje e para dhe e vetmja herë që u rrahëm. U rrahëm në nji shtëpi të huej. Ndërhynë tjerët e na ndanë. Ktheva te shtëpija, mora ato pak rrobe personale që më kishin mbetë. Shkrova edhe nji letër: „Nuk jam ma grueja jote, as mos shtin ndërmjetës për me u pajtue. Ti ma shkatrrove jetën se nuk të kam mendue se je kaq i poshtër!“ Dola e ia lashë derën e shtëpisë të hapun.
    Ktheva te baba im. Njatëherë ai sa kishte ardhë prej pune. Nana kishte shkue dikund ndër shoqe të veta.
    - Shka ke pru aty? – më pyeti baba.
    - Të gjitha hallet e mia, babë.
    I tregova gjithçka: fill e për pe. Ai u trondit shumë:
    - Si, - tha, - me lanë gruen në bixhoz?... E para herë që po e ndiej!... Rri këtu me mue deri sa të kemi nji kashatë! E dajmë bashkë. E para herë që e ndiej se len burri gruen në bixhoz... Ku ka mbrrijtë kjo rinia e sodit!...
    N’e nesret mëngjes babës i ra nji paralizë. Lajmova nanën, që punonte pastruese. Babën e dërguen në spital. Kur e nxuerën, doktorët thanë se ishte i pashërueshëm. I kam ndejtë te kryet për shtatë muej, derisa vdiq.
    Nuk kaloi shumë kohë e disa shoqe të nanës më propozuen me u martue me nji shofer, të cilit i kishte dekë grueja nja dy vjet para. U takuem e vendosvm me u martue, ashtu pa zhurmë e pa tan-tane, mbasi i për te, si për mue, kishte kalue ajo kohë. Kishte nji apartament të vogël, shomë e kuzhinë; mjaft mirë. Por, qysh se u bashkova me të, nuk e ndigjova kurrë nji fjalë të mirë prej gojës së tij. Tregonte nji përbuzje aq të madhe, sa asnjiherë nuk më thirrte me emën, por vetëm „kurvë“. „Kurvë“ këndej, „kurvë“ andej. Punët i kërkonte me ashpërsi dhe un zemërplasuna ia bajshem në mënyrën ma të përpiktë. Nuk e kam kuptue kurrë si mund jetë njeriu aq i vrazhtë. I takonte me fjetë jashtë, rrugash, kur bante rrugë të gjata e, porsa kthente, më thoshte: „He kurvë, me ke ke fjetë mbramë? Ke thirre?“ Nuk i hijshin në vesh as përbetimet e mija, as lotët, as vaji. U mundojshem me e marrë me të mirë, por kot. Për mue s’e çante kryet fare, më mbante si shërbtore të keqe, nji skllave e vërtetë, që do t’i ndigjojshem në gjithshka. Nuk mund e kuptoj nji martesë pa nji farë dashunije mbrendë, edhe në kjoftë se asht vetëm mashtrim. Mashtrim le të jetë, por të paraqitet sikur të ishte dashuni. Tek ai? Jo. U pendova shumë për atë lloj jete. Mendova me u hakmarrë me te. Kërkova me gjetë ndokend tjetër, që të ndigjojshe ndonji fjalë ngushlluese, mbasi për ketë ishem gjithmonë nji “kurvë” e përbuzun. Thashë me vedi: ba e pa ba, kurvë se kurvë, atëherë ma mirë të bahem kurvë tamam, se kështu...
    Nuk m’u desht shumë kohë me gjetë nji dashnor. E zgjodha vetë, jo shqiptar, po nji rus, nji ekspert sovjetik. E dijshem se ishem jashta rrugë,s por kje e vetmja copë e jetës sime që e shijova pak dashurinë. A e shef ketë fëmijë? Krejt atij i përngjan. Mbas lindjes së fëmijës, e muer vesh edhe burri atë shka e dinte e gjithë lagja. Pata frigë prej tij dhe ktheva te nana. Mbas lindjes së fëmijës, ai rusi më ndihmonte me bujari. I kërkova atij të martoheshin me gjendje civile, por kje nji punë që nuk u ba. Kur u prishën marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik, ai u largue prej Shqipnie. Sot jam vetëm me ketë fëmijë te nana ime. Ajo ka nji rrogë aq të vogël, sa me zë zi jeton vetë, e si do të na mbajë ne?
    - Me rrugë jeton?...
    - Jo, pater, për mue ka mbarue çdo rrugë; un kam djalin dhe vetëm për ketë djalë mendoj. Me shka jetoj un? Don ta dijsh? Jetoj me gjakun tim: shes gjak! Pater, jap gjakun tim vetëm për me mbajtë ketë djalë! A e kupton ti shka don me thanë me shitë gjak! Gjak!...
    Ndër këto fjalë ajo nuk e përmbajti ma vedin, por bërtiti si e disprueme. Djali filloi me kja e me bërtitë. Iu avit nanës së vet dhe e shtrëngoi ndër gjuj.
    - Merre hopa, - I thashë, - se fjalën gjak e kupton ky e jo ma un!
    Në zemër më kishte hi nji trishtim i madh. Dhimbja dhe mëshira më mbuluen, aq sa ndoshta n’ato çase edhe un ishem gadi të shpërtheja ndër lot si ajo. Vajtojshem thellë në zemrën teme të heshtun. Ndërkaq ajo muer djalin ngrykë. Mbasi ai kishte lanë vajin dhe e kishte pështetë kryet në gji të saj, ajo m’u suell.
    - Tash, pater, t’i thashë të tana. Po të ve ty gjyqtar dhe Zotin: kush e ka fajin ma të madh këtu, a ti, a ai, a ai e ai, apo un?
    - Lenë, mue më përjashto nga çdo faj e përgjegjsi në jetën tande plot vuejtje. Sigurisht që tash po më kujtohet dishka e largtë, e kalueme, por un qysh n’atë kohë ia kishem falë dashuninë time Zotit, me betim dhe nuk mund të kqyrshem ma kah ti. Ajo ishte vetëm nji andërr e jotja, që mbet andërr, se un nuk ta ushqeva as nji ças të vetëm.
    - Po, ashtu asht: nji andërr e vdekun në rini të parë. Po sot, si më gjykon mue? Un e due me doemos fjalën tande, a të më dënojsh a të më përligjish! Fol!
    - Ndigjo Lenë, ndigjo me vëmendje. Ndërsa Jezusi predikonte Ungjillin, skribët e farisejtë i prunë një grue që e kishin xanë në kurvni e ia qitën para tue i thanë: “Mësues, kjo grue asht kapë në kurvni. Tashti Mojzehi ka urdhnue në ligjë që gra të tilla të mbyten me gur. Ti shka thue?” Sigurisht që ata e pvetshin kështu për me mujtë me e qitë në kurthë e mandej me e akuzue. Por Jezusi u përkul e me gisht filloi me shkrue në tokë. E mbasi ata vazhdojshin gjithnji n’atë pyetje, ai u çue e u tha atyne: „Ai që prej jush nuk ka asnji mëkat, ai i pari le ta hedhë gurin mbi te”. Mandej u përkul përsëri e me gisht shkruente mbi tokë. Ata, porsa e ndigjuen fjalën e tij, njani mbas tjetrit, tue fillue nga ma të vjetrit, u larguen dhe mbeti vetëm Jezusi me atë gruen aty para. Jezusi u drejtue e i tha: “Grue, ku janë ata që të akuzuen? Asnji nuk të dënoi?“ E ajo: „Kurrkush zotni“. E Jezusi i tha: “As un nuk po të dënoj; shko, por tash e mbrapa mos mëkatno ma”. Lenë, e ndigjove Ungjillin? Un nuk mund të thom si Krishti. Ti kërkon prej meje me të gjykue, por un jam nji prej atyne që u larguen. Ti rri vetëm me Krishtin e vetëm ai të gjykon.
    Atë natë pothuej nuk fjeta fare tue sjellë ndër mend jetën e asaj grueje. Jeta e asaj grueje ishte jeta e qinda, mija e miljona grave në botë. Njeriu, njerëzimi, në dy sekse: dy karaktere të ndryshme, ku duhet të sundojë dashunija. Ndërsa sundon dhuna e mashtrimi, ku femna mbetet gjithmonë flije. E si mund rregullohen këto raporte njerzore? Thohet se vetëm me „liri“ e „barazi“. „Të drejta të barabarta“. Më delte parasysh nji ndër ato parullat e mëdha që propagandonte partia: „Partia i dha gruas lirinë“ dhe paraqiste nji grue të re me kazëm në krah. Po, kjo ishte liria! Që të barë kazmën, shatin e lopatën, të punojë si skllave, ndërsa burrat të derdhin zinxhirin si nënpunsa e brigadiera, me „të drejta të barabarta“?... Mashtrim i madh!... Por, ta lamë anësh këtë lloj mashtrimi politiko-shoqnor. Problemi i mash i femnës qëndron në jetën intime. Ajo kërkon dashuni: vetëm dashunija i bjen lumtuninë. Dhe këtu, shi këtu ash tai mashtrimi i madh që mashkujt e pandërgjegjshëm i bajnë çdo femne për ta qitë në grackë e mandej, me ma të madhen paturpsi, e hedhin në rrugë. Sot bota nuk dënon mashtrimin, por të mashtruemin.
    Megjithëse me mend u solla gjithë natën mbi këto probleme të ngatrrueme keqas, nuk mund gjeta nji zgjidhje të përshtatshme. Më delte parasysh ajo grue. E disprueme nga jeta, pa kurrnji burim jetese. Vetëm dashunija për atë fëmijë e shtynte me shitë gjakun e vet për jetën e tij. Familja!... Pra, çdo dashuni pa familje asht thjesht mashtrim. Probleme që njerëzimi nuk mund i zgjidhin kurrma, sepse ka dalë jashtë natyrës njerëzore. Un e vras mendjen kot. Nganjiherë më dukej se bota kish kthye n’ato kohët e para që përshkruejnë Librat Biblikë, kur Zoti i ndëshkoi njerëzit me kataklizma të pjesshme. Por, a thue njerëzimi nuk ka ndrrue kurrë, e siç e përshkruen Bibla atëherë, por ka vijue gjithmonë e ne na duket se ka kthye përsëri atje?

  4. #14
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Sot bota nuk dënon mashtrimin, por të mashtruemin.
    Universale dhe e dhimbshme..... si e gjithe pjesa tjeter e postimeve...

  5. #15
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    BARAT,

    per cudi, ose jo, nder gjithe cfare permbajne te tre librat, ajo qe ke shkeputur edhe ti ka qene fjalia qe me ka bere pershtypje me shume. Nese libri do te kishte pasur vetem faktet pa rrefimin e At Zef Pllumit ai do te kish qene shume me i varfer sec paraqitet. Ka momente gjeniale ne meditim, ne leximin e te cilave me vinte e me vjen keq me gjithe zemer qe nje intelekt i tille nuk ka mundur te vihet ne pune per te nxjerre produkte shkencore me vlere. E sa te tjere si At Zef Pllumi...
    Per t'iu kthyer dhe njehere fjalise te shquar edhe prej teje, une nuk di te kete ndonje shkrimtar qe te kete arritur ta nxjerre ne pah ne ate forme dhe ate intensitet (me nje fjali te vetme) te verteten e hidhur pas te funksionuarit te shoqerise. Nisur nga kjo me ka bere dyfish pershtypje e me ka ardhur dyfish keq. Edhe talent artistik do kish mundur te shpaloste At Zef Pllumi.

    Vazhdojme...

  6. #16
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    LIN BIAO NE SHQIPERI

    Fq.248

    Nuk e mbaj mend në se Lin Biao kje personalisht ndonjiherë në Shqipni. Ai po, kryeministri Çuen Lai erdhi dy herësh; bile të parën herë pregatitja kje shumë qesharake. Në gazetën e Enver Hoxhës „Zëri i Popullit“ u botue disa kohë përpara se „për vitin e ri do kemi një sihariq për popullin shqiptar“.
    Kjo fjala „sihariq“, sigurisht fjalë turke, ishte nxjerrë në pension ka herë e mot në gjuhën shqipe, që nga mbarimi i shekullit të kaluem ish zavendsue me fjalën „lajm“. Mirë por shkrimtarëve të Hoxhës iu duke se vetëm fjala „sihariq“ e shprehte ngjarjen e madhe, a po ndoshta u dukej, porsi nji „dacibao“ kineze. Pregatitja kje shumë e madhe: të gjitha anat e skorpatat e rrugëve automobilistike të Shqipnisë u mbollën me qepujka deri në Konispol. Populli nga ky „sihariq“ priste nji lajm të madh: flitej se në Shqipni ndoshta ishte zbulue nga shkencëtarët tanë socialistë një minierë Ari: mendohej se me ketë do t’i thohej hordhekut „lamtumirë njiherë e përgjithmonë“, se nuk do të kishte ma kurr as radha buke e as rradha qumështi, ato që fillojshin që nga ora dy e natës mendohej se ... e shka nuk shef n’andrra fukaraja i këputun ndër grahmat e fundit? ... Për vit të ri erdh Çun En Lai ose, si e thirri populli ynë Çuni i Lalës. Mandarini i vjetër kinez dukej se i njifte mirë kurthat e vogla e nuk ra as me nji kambë mbrendë, bile thonë se as i kqyri me sy qepujkat e mbjelluna. Aso kohe flitej edhe se udhëheqsat kryesorë të këtyne dy partive motra marksiste-leniniste do të diskutojshin së bashku dhe do të vendosshin mbi nji teori shumë të randësishme aktuale të marksizëm-leninizmit për trajtimin e popullsisë: në se për mbrojtjen e atdheut socialist do të ish ma e dobishme heqja e gjithë pasunive private, deri në atë gjendje që mos të kishte bukë për nesër, a por lirimin deri diku i nji pasunije private të arsyeshme. Në rastin e parë njeriut nuk do t’i dhimbej jeta për atdheun socialist, mbasi nuk kish shka me humbë, kurse në rastin tjetër ai do të luftonte për të mbrojtë mirëqenjen e vogël por të sigurt të jetës së vet. Në të vërtetë kështu flitej gojë më gojë, por kurgja nuk dihej se shka biseduen. Ma vonë u pa se u desht nji o dy ndërhymje tjera për të mujtë me shti në valle klanin familjar të Maocedunit për të sigurue kredinë e parë e të dytë kineze si edhe deklaratën e famshme bombastike shqiptaro-kineze se „Shqipëria socialiste ishte siguruar nga çdo mësymje që mund i vinte nga armiqët e jashtëm kapitalistë e revizionistë dhe sikur çdo koalicjon superfuqish të vehej kundra saj, mbrenda pak orëve do të zhdukeshin nga sipërfaqja e dheut“. Kjo ishte përmbledhja e nji deklarate të gjatë zyrtare maoceduno-enverjane që bante me qeshë nën mustak edhe opinjonin e mbrendshëm shqiptar. Megjithkëta Agjensia HSINHUA i vendosi aparatet e veta në Shqipni dhe zani kinezo-shqiptar u ndigjue i qartë dhe i fortë në të gjitheë Europën, tue propogandue „parrizin shqiptar“.
    Nuk mund e saktësoj në se për fat të mirë ose për fat të keq të gjithë popujve që pësojnë rrezikun e zi, por ekziston nji ligj i pashkruem e i pashmangshëm në historinë e të gjitha tiranive, revolucjoneve e diktaturave asht „ligji i vetngranjes së kokave“. Kështu në nji ditë të 1966 në Pekin u duk nji nier i ri i quajtun Lin Biao, i cili vuni në lëvizje „Revolucjonin Kultural Kinez“ dhe me anë të këtij sulmoi autoritetet ma të nalta kineze si Liu Shau Çi atëherë President i Kinës e me të edhe të gjithë njerëzit e kulturës e artit të Kinës: të gjithë akuzoheshin si „komplotistë kundra Mao Ce Dunit. Në ket rasë u organizuen gjithë rrugaçët e idjotët e Kinës për me luftue e me zhdukë kulturën e lashtë kineze dhe në fronin e saj të nderuem të hypte idjotsia e poshtërsia, me anën e „Dacibaove“. U zhvillue nji luftë e madhe: nderi dhe poshtërsia u gjetën ballë për ballë po në atë fushë ku luftojshin për jetë e për vdekje Dija e Urtija kineze kundra injorancës dhe poshtërsisë. Këto të fundit u duk se korrën fitoren të udhëhequna nga shoku i armëve Li Biao. Në Tiranë, tirani komunist i Shqipnis, Enver Hoxha, ndiqte ngjarjen e madhe kineze; përveç informacjonit masiv kishte në dispozicjon informacjonet diplomatike prej marrëdhanjeve ma miqsore me Kinën. Mendohej se ky ishte çasti ma i përshtatshëm për me ba punët ma të zezat mbasi bota interesohej më shumë për Kinën e madhe se sa për Shqipninë e vogël, e cila do të ecte ndër gjurmët e Lin Biaos. Kështu me 6 shkurt 1967 në mbledhjen e përbashkët të disa organizatave të partisë në Tiranë Enver Hoxha mbajti fjalimin ma të çmendun „për zhdukjen e besimeve të kota fetare dhe zakoneve prapanike“ ku i ban thirrje rinisë që të hidhej në veprime rrugaçërije e vandalizmi të pashembullt dhe antiligjore: „pse ligjet tona do të na ndalojnë neve që të djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut?“ (Të kqyret teksti i fjalimit të 6 shkurtit 1967, „Zëri i popullit“ nr.32 (5757), 7 shkurt 1967 e jo ribotimi i saj në veprën 35, të shifet edhe letra e Komitetit Qendror drejtues Komiteteve të Partisë mbi luftën kundër fesë paragjykimeve e zakoneve fetare 27 shkurt 1967 (vepra 35 fq. 103).
    Gjithçka dukej se ishte pregatitë me kohë. Në nesre filluen me u dukë për gjith vend “fletë rrufetë” njëlloj si në Kinë, kundra njanit e kundra tjetrit. Por ajo që bani zhurmën ma të madhe kje veprimi vandal i rrugaçëve të organizue prej Komitetit të Partisë në Durrës, të cilët sulmuan e shkatrruen shenjtoren ortodokse në Shna Vlash: flamurin e barti shkolla “Naim Frashëri”. Në të gjithë Shqipninë filloi shembja e minareve të xhamive. U formue “shtabi i përgjithshëm për drejtimin e luftë kundër zakoneve mbrapanike të bestytnive fetare” me në krye Ramiz Alinë, i cili u gjet aso kohe në Shkodër bashkë me Haki Toskën gjoja për me ba muejin e punës fizike.
    Me datën 15 shkurt dyert e kishave u gdhinë me fletë të mbushura me fletë-rrufe të vendosuna në atë mënyrë që dyerët mos të happen. Ishte dhe nji kërcnim aty që thonte se kushdo që t’i hiqte at, binte para përgjegjsisë, si dhe një shënim tjetër që ato mbeteshin aty derisa t’u kthehej përgjegja prej Imzot Ernesto Çobës, I cili asohere ishte autoriteti ma I naltë I Kishës Katolike në Shqipni. Kur shkova heret n’orën 5 të mëngjesit fletë rrufetë i gjeta të ngjituna aty për tre ditë, mbasi imzot Çoba nuk u përgjegj. Atë javë e kishem unë meshën e parë në orën 5 të mëngjesit. Më duhej çdo ditë me zhgulë njanën pjesë të asaj fletrrufeje që ishte vendosë mbi dy kapakët e derës. Me marifet un hiqshem vetëm njanën pjesë të asaj fletrrufeje që ishte vendosë mbi dy kapakët e derës. Me marifet un hiqshem vetëm njanën pjesë dhe i lejshëm zvarë. Nji ditë më kishin ruejt dhe m’u vait nji djal i ri:
    - A e din që flet rrufeja nuk mund të hiqet pa iu dhanë përgjegja?
    - Nuk jam tue e hjekë as tue e shkye, por mbasi liria e fesë asht e garantueme me kushtetutë, un vazhdoj me e hapë Kishën si çdo herë.
    - Ban si të duesh deri të mbyllen Kishat, por ditët i keni të numrueme: pregatitu me punue si i gjithë populli.
    Kur ktheva në Kuvend të Arrës së Madhe gjeta një numër personash kund 5-6 vetë që kishin hy ndër dhomat tona dhe po barshin të gjitha bibliotekat e vogla personale dhe po I grumbullojshin në atë të Kuvendit. Edhe në Arqipeshkvi muerëm vesh se kish hi nji grup tjetër. Un prej atyne njerzve njofta Izet Begoviqin, Vasil Llazarin e Sandër Gerën. Ky i fundit ishte me frigë të madhe dhe, kur e pveta tinzë se kush ishin ata, ai m’u përgjegj se nuk i njifte po kishin ardhë prej Tirane. Ndërsa Vasili më tha se ai që kryesonte ishte vëllai i Ramiz Alisë, i ardhun si drejtues i këtij komisioni që do të seleksiononte të gjithë librat e dorëshkrimet me vlerë për ruejtje.
    Po atë ditë, ndër orët e para të mbasdites, në nji sallë të madhe në lagje, kishin thirrë Imzot Çobën e Dom Mark Hasin. Un shkova aty, por si i panjoftun, me ndigjue: kishem shumë dyshim në aftësitë e qëndresën burrnore të Çobës, megjithse e njifshem fenë e tij të forte. Disa oratorë partiakë kishin folë njani mbas tjetrit mbi domosdoshmërinë e zhdukjes së Kishave që ishin bazat materiale të fesë. Mandje kishin kritikue publikisht Imzot Çobën se ende nuk u ishte përgjegjë fletë-rrufeve që rinia kishte vu ndër dyer të kishave, në pjacë e gjithandej. I kërkuen llogari e përgjigje. Imzot Çoba u çue e foli qetë e qetë:
    -Ndigjoni, - tha, - na nuk jemi njerz ilegalë. Kisha e liria e fesë janë të garantueme nga Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë; në bazë të Kushtetutës janë edhe ligjet mbi Komunitetet fetare. Përveç këtyne na kemi edhe nji Statut të Kishës Katolike të miratuem nga Shteti. Ligja asht shumë e kjartë, ata që duen me besue, e kanë lirinë e besimit si për Kishë ashtu Xhami; le të shkojnë ku të duen. Në bazë të Kushteturës dhe ligjeve liria e besimit asht e garantueme njilloj si ajo ateiste ose e mosbesimit: Gjithsejcili ka lirinë personale, beso ose mos beso: zgjidh e merr. E tash shka doni ju?
    - Rinia kërkon çelsat e kishave, - bërtitën. – Dorzoji! Dorzoji çelsat e kishave!...
    - Ndigjoni, - vazhdoi Çoba i qetë. – Ndigjoni se nuk bahet ajo që thoni ju. Rinia asht rini, por nuk asht i gjithë populli. Përveç ksajë un po shof se në ket sale pothuej nuk ka fare të rij katolikë e aq ma pak katolikë të moshave tjera ma të pjekuna e të plakuna, ndërsa Kisha asht për shërbesat fetare të popullit katolik: me ç’të drejtë i kërkoni ju çelsat e Kishave? Un nuk i dorzoj kurrë çelsat e Kishës askujt tjetër përveç Popullit katolik ose Pushtetit, i cili në mënyrë ligjore përfaqson popullin katolik. Shka kërkoni ju tjerët?
    Mbas heshtjes gjatë fjalëve të tija u ndigjua nji za kërcnues:
    - E pse atëherë ti nuk i përgjigjesh fletë-rrufesë?
    - Nuk iu përgjigja fletë-rrufesë që mos të mbetet e shkrueme se në popull ka përçamje në pleq e të rij, në katolikë e myslimanë: se pot a jap ketë përgjegje, ju nesër më akuzoni si nji që shtjen përçamje, në nji kohë që un e dij mire se nuk ka pasë as nuk ka përçamje në ketë drejtim: gjithsejcili në punën e vet.
    Atëherë u çue në kambë nji officer i Degës së Punëve të Mbrendëshme e foli qetsisht:
    - Ndigjoni shokë, - tha, - un e përkrahi iniciativën e rinisë për zhdukjen e xhamive dhe të kishave, jo se ato shtien përçarje, por sepse ato janë qendra të edukimit antikomunist. Un banjo në një lagje ku të gjithë janë besimit katolik. Fëmijët e mij dashtë e padashtë jetojnë me fëmijët tjerë tëlagjes e luajnë aty në rrugë me ta. Ç’e do: here mbas here kalon në atë rrugë një frat i veshun me zhgun me litar: ai drejtohet aty te Kisha e fretenve për shërbesa fetare. Porsa hynë ai në rrugicë, fëmijtë e lënë lojën me njëri-tjetrin, turren e i puthin konopin e ai përkëdhel; fëmijët e përshëndesin të gjithë njëri pas tjetrit me një “Qoftë lëvdue Krishti!” e ai i përkëdhel e i bekon të gjithë pa përjashtim. Fëmijët e mij bëjnë si të gjithë fëmijët e tjerë të lagjes dhe në mbramje kur kthejnë fëmijët në shtëpi time më thonë: na ka bekuar frati kur i kemi puthë konopin e e kemi përshëndetur: qoftë lëvdue Krishti. – E si do të mundi unë atëherë t’I rris fëmijët e mij ashtu si i don Partia?
    - Kjo është arsyeja kryesore që Partia na bën thirrje për zhdukjen e besimeve fetare.
    Mbledhja u shpërnda mbasi nxuerën fjalën nga Imzot Çoba se do të jepte po atë ditë përgjegjen fletë-rrufesë.
    Kur u kthye në Arqipeshkvi Imzoti shkroi ketë përgjegje lakonike për fletë-rrufenë:

    “Kishat janë të Popullit Katolik, prandej nuk I dorzohen kurrkujë tjetër përveç popullit katolik ose pushtetit.

    Për Kryesinë e Kishës Katolike: Imzot Ernest Çoba“

    Asokohe si At Aleks Baqli, ashtu edhe un vetë, kishim dy burime të sigurta informacioni për mbledhjet e përnatëshme që bante “shtabi i rinisë për zhdukjen e zakoneve prapanike dhe besimeve të kota fetare”. Megjithese shokë e kolegë të ngushtë, ose ma mire me thane “si vëllazen të vërtetë”, na ia mbajshim secret njani-tjetrit burimin, por shqyrtojshim vetëm informacionin: ishte i saktë. Nga të dy burimet erdh se atë natë në Shtab u paraqit përgjegja lakonike e Imzot Çobës. Kryetari i Shtabit, Ramiz Alia, e lexoi me vëmendje të thellë atë dhe mandej e dorzoi tue thane “ua paska hedhë: duhet të tregoni më të kujdesshëm”.
    Ndërkaq, mbasi ishin shembë përdhe të gjitha minaret e xhamijave të Shkodrës, filloi rrenimi i xhamisë së madhe në Parrucë, e cila paraqitej si nji perlë arkitektonike e qytetit të Shkodrës, megjithëse e përfundueme vonë. Minaret ishin beton armeje: u deshtën mjete të fuqishme moderne për t’i shkatrrue. Ato mjete i kishte në dorë vetëm “shteti”. Rinia duel bosh. Me mjetet shtetnore “Stalinec” u shembën minaret e xhamisë së madhe të Parrucës.
    Ndër ato ditë lajmet plakeshin çdo orë. U zhvillue nji luftë e pagjak mendimesh, idealesh e veprimesh. Un mora pjesë edhe si nji fotoreporter historic. Përnji që mora vesh se po sulmohej Xhamija e Madhe e Parrucës u nisa për atje. Mbrrijta kur po shembej minarja e fundit. Kishem mbetë shtang para asaj pamje të hatashme. Dikush nga mbrapa m’i vuni duerët ndër supe dhe ndjeva zanin e tij:
    - Po ti, Pater Zef, shka ban këtu?
    Kur solla kryet pashë se ishte nji officer i Degës së Punëve të Mbrendëshme, i gjatë e truplidhun, fëtyrë e njoftun, por që nuk i dijshem emnin. Thojshin se ishte nga Krahina e Kukësit. Shoqnohej nga nji femen që i rrinte në krah të majtë dhe kurrë nuk e kuptova nëse e kishte motër apo grue. Ajo rrinte e heshtun. Oficerin e shifshem aq shpesh kur për çdo mëngjes ose mbasdite kalojshem i veshun me petkun françeskan, zhgun e litar, përshkojshem rrugicen e Degës Punëve të Mbrendshme për me shkue te Kisha e Fretënve në orar. Vërejshem se më kqyrte si me dashamirsi, pa inat.
    - Pater, pse je i trishtuar? Kjo që po shembet nuk asht Kishë por Xhami!
    - Ndigjo miku im: kur po shof se shka bahet me xhaminë më shkon mendja: e çë dhunë do të bahet me Kishën?...
    - Un nuk jam nga Shkodra, po thonë se këtë xhami e ka ndërtuar Perandori fashist Viktor Emanueli III.
    -Sigurisht që nji perandor ose mbret e ka ndërtue. A e din pse? Të gjitha veprat e mëdha e të bukura janë ndërtue prej Mbretenve, Perandoreve, Dukeve që synojshin me u ba perandorë, Kardinalë ose Papë.
    Vetëm këta kanë punue vepra të pavdekshme gjatë shekujve. Ndërsa Presidentat e Kryeministrat kanë ndërtue kotece pulash, që kur ato të kokorisin, këta t’u marrin venë. Kjo asht me dy fjalë historia e njerzimit.
    - Ah Pater, Pater, - më tha, - e dij se je brumosë me papë e me mbreten e nuk i shef punët e mëdha që po ban revolucjoni!
    Kur un desha me iu përgjigjë, vuna re se fytyra e asajë femne që kishte për krahu, muer nji pamje të çuditëshme që mue ma ndali fjalën në gojë dhe në vend të përgjegjes që mendojshem më duel nga goja:
    - Gjynah i madh që po e rrxoni, më duket se edhe në Romë ka nji xhami!
    (Në të vërtetë un aso kohe nuk e dijshem se në Romë deri atëherë nuk kishte xhami, sepse kur arabët ia kishin kërkue lejen Musolinit, ai kishte dhanë përgjegjen e shkurtë: të drejtat njerzore e ndërshtetnore janë të barabarta e reciproke: e jap lejen për nji xhami në Romë kur të më jepet leja me ndërtue nji kishë në Mekë. Kështu aso kohe në Romë nuk kish xhami, megjithkëta ishin shumë tjera ndër metropole të Europës.)
    N’e nesre vazhdoi gjithnji rrenimi i xhamisë. Zakonisht ndërmarrjet shtetnore – nuk jam i sigurtë nëse kishin directive nga nalt a jo – por zakonisht veprojshin në ketë mënyrë: po t’ishte puna për keq te Kisha dergojshin myslimanët ndërsa te Xhamia dergojshin katolikët. Ashtu edhe atë ditë për shembjen e xhamisë dërguen punëtorë katolikë, ku njani prej tyne u rrxue nga skelat dhe ra dekun në tokë. Prej gjithë popullit të Shkodrës besimtare u mbajt si nji mrekulli e Zotit. Ndërkaq vepra shkatrrimtare e parties jo vetëm nuk u ndal, por si për inat të Zotit e të kulturës vazhdoi ma me turr.
    Mbasi përfunduen me xhamitë dhe minaret e tyne pritej sulmi kundra kishave katolike; aty mbështetej dyshimi i madh në se do të bajshin qindresë ata të pathyemë të sa shekujve. Në Arqipeshkvinë e Shkodrës u paraqitën këshilltarët popullorë të lagjeve, të cilët konsideroheshin „pushtet ligjor“, dhe me nji dekret në dorë, të lëshuem nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv Bilal Parruca, urdhnojshin marrjen në dorzim të Arqipeshkvisë, shpalljen „Monument Kulture“ të Kishës së Madhe, e që prandej kalonte në administrim shtetnor. Po atë ditë Këshillat e Pushtetit Popullor muerën në dorzim edhe çelsat e Kishës së Fretënve në Gjuhadol. Mbeti vetëm nji qendër për gjithë Katolicizmin. Kuvendi i Fretenve te Arra e Madhe me Kishën përbri të Zojës Rruzare. Kjo ndodhi në fillimin e marsit. Aty erdh Ipeshkvi, Imzot Çoba. Aty, vetëm aty zhvilloheshin gjatë gjithë ditës funksjone e shërbime fetare për krejt katolikë e Shqipnisë, përveç Delbënishtit, afër Laçit, ku Këshillet Popullore nuk kishin pranue.
    Të gjithë e shifshim se kishte mbarue gjithshka.
    Nuk e din kush se shka don me thane me e jetue vdekjen para se me vdekë! Tmerri ma i madh. Tashma i gjithë Kleri Katolik ish i mbledhun aty, jo me vullnet, por me dhunë. Të gjithë pritshim vetëm kasapin. Kurrkush nuk erdh me marrë në dorzim as arkivin, as inventarin. Ekzistonte vetëm nji urdhën: mbylle! Më jep çelsat! Nuk bahej kurrnji document zyrtar me shkrim.
    Ata që kishin ardhë për Bibliotekën pothuej ishin në mbarimin e punës së tyne. E kam tregue ma nalt se kryetar i tyne ishte vllai i Ramiz Alisë. Por, si dukej, ishte nji tjetër i cili kishte ndoshta ma randësi se ai. Flitej se ishte nji instruktor i Komitetit Qendror të Partisë. Nji burrë aty kalue të tridhjetat. Nji ditë prej atyne ditëve të vështira ai më shikoi me kureshtje dhe më tha:
    - Edhe ti je prift?...
    - E si jo!
    - Ti je tepër i ri!
    - Jo dhe aq: i kam edhe un do vjet në shpinë.
    - A e shifni se çë po ndodh me ju?
    - Asht e kjartë!...
    - Ç’mejton se do bëhet?
    - Burg dhe vuejtje!
    -Burg dhe vuejtje jo, se nuk keni bërë krime, ama kishat dhe koha juej mbaroi njiherë e përgjithnjë. Rinia po zhvillon luftën finale mbi dhe. Ti je akoma i ri. Ç’pret më? Pse nuk hidhesh n’anën tjetër të barrikadës?
    - Në anën tjetër të barrikadës? A e kupton që un besoj!...
    - Në të vërtetë beson? Me të mbushur mendje?
    - E si mund dyshosh? Un sot jam 43 vjeç: jam i brumosun krejtsisht me fenë time. Prej ligështive personale mund baj shumë gabime, ndoshta tepër të mëdha para njerzve dhe Zotit, por jo kurr të lshoj fenë. Mos e mendo atë sikur t’ish nji këmishë e cila duhet ndrrue se u vjetrue ose u ba pa la. Jo kurr!
    Ndërkaq na të dy ishim pështetun te dritarja e nji korridori. Poshtë ishte kopshti i Kuvendit Françeskan. Aty nji man i trashë, kushedi sa i vjetër:
    - Shikoj, - i thashë, - e shef ti atë man aty poshtë?
    - E si jo!
    - A tam err mendja që ai përkulet?
    - Jo kurrë.
    - Pra si ai jam un, vetëm sopata e pret. Por nga rranja e tij do të dalin shumë filiza të rij. Kështu mendoj un.
    - Krejtsisht gabim. Ju keni jetuar me idera dhe iluzione të turbullta e të shtrembëruara. Logjika materjaliste është e vetmja rrugë e drejtë, pasi përveç materjes nuk ekziston kurrgja tjetër. Materja, ajo, shfaqet ndër mënyra të ndryshme: edhe si ide edhe si ëndërr, por ligjët e materjes janë të palëvizshme.
    Mue më erdh ndër buzë nji nënqeshje e lehtë, mbasi vuna re se me çfarë devocioni ai fliste për materjalizmin, ketë religjion të kurrgjasë, të cilit i kishin pështetë edhe aq shumë dogma, rregulla e ligje sa ka çdo fe e Zotit. Nuk mund u durova pa i thanë:
    - Un nuk ia pritoj të bisedoj me nji filozofi të mirfilltë, pamvarësisht se kurrgja nuk nxieret, mbasi diskutimet siç e gjejnë ashtu e lanë gjendjen.
    - Po është fare e qartë që materja ishte e para dhe që mbas pjekjes së trurit lindin idetë e jo si thua ti që ideja lind materjen. Ç’është kjo! Skolastikë e skaduar!
    - Ndigjo, se un nuk mendoj të zhvillojmë bisedën si ata që kapen mes vedit në se e bani veja pulën apor pula venë! Un nuk jam materjalist, as ai idealist që gabimisht përcaktoni ju të rijtë: un jam realist, që pranoj ekzistenën e idesë dhe të materjes ose trupin dhe shpirtin, ku ideja ka parësinë. Asaj fjalës sate po i kundërshtoj me këtë pvetje: më trego ti mue në se kur don me ndërtue nji shtëpi: Shka ban përpara: planin e shtëpisë apor muret e saj? Me shka dij un, gjithmonë planet ose idetë janë ato që i paraprijnë gjithë zhvillimit shoqnor, ashtu edhe shkencave të ndryshme, të cilat mandej realizohen ose jo sambas mundësive dhe kushteve përcaktuese të materjes.
    - Ti – më tha, - paske nji kuptim krejtsisht të gabuar për idetë e projektet shkencore. Mendja e njeriut përpunohet në një pjesë të trupit që thirret „truri“, pra del nga materja dhe nuk mund dalin nga realiteti i materjes e të trajtave të mundëshme të saj. Ne mejtojmë se shkencëtari bëri një shpikje, por ai në të vërtetë nuk bëri gjë tjetër, por zbuloi një ligj të materjes deri atëherë i panjoftun në njerzimin.
    - Je i sigurt në këtë tezë?
    - Krejt i sigurt, - m’u përgjegj.
    - Po fantazia, simbas teje, shka asht?
    -Kurgjë tjetër, por format nga më të ndryshmet të mundura të materjes: nga kjo linden të gjitha artet, të cilat na paraqesin botën e bukur, kënaqsi gjithmonë e materjes.
    - Ndigjo, - i thashë, - te ajo teza mbi mendjen e idetë e njeriut do të kthehemi përsri ma vonë, por mos m’i moho. Vazhdo!
    Ai ia nisi sikur të ishte tue më ba leksjonet aq të mërzitëshme të filozofisë. Pa ia da më përsëriste disa „silogjizma logjike“, të cilat un nuk i peshojshem fare në se janë të drejta, të rregullta apo të shtrembëta, por i thojshem: vazhdo! Atij i dukej se un po e pranoj gjithë filozofinë e bukur të tij. Foli shumë gjatë dhe me eufori. Ndërkaq fretent i kishin ra kumbonës për me hanger drekën. Un u përpiqëshem me i ra sa ma shkurt bisedimit dhe prapë m’u desht me ndërhy ndoshta sikur t’ishem me pak edukatë:
    - Ndigjo zotni!
    - Nuk jam zotni, por shok!
    - Në kjoftë se e ndien vedin të ofenduem nga fjala „zotni“, atëherë duhet të kërkojmë nji tjetër ma reale, por sigurisht që „shok“ nuk shkon, prandej as un nuk e përsëris, sepse nuk asht e vërtetë. Të mirë ose të kqij mund thirremi „vllazen“; prandej ndigjo or „vlla“: kumbona ra për me hangër bukë fretent. Më duhet të shkoj, përndryshe mbetem pa gja, sepse na kemi rregulla me orar. Mos të vijë keq nëse bisedimeve që zhvilluem bashkë tash tri orë, duhet t’u bajmë nji maje ose t’ua lidhim kryet – në gjuhën filozofike i thonë „konkluzion“. Ta keshë parasysh se debatet filozofike kanë vazhdue me shekuj pa ndonji konkluzion të randësishëm.
    Tashti un po nisem nga ajo teza jote materialiste që thotë se „truri përfton idetë dhe duke qenë truri materje – idetë nuk mund dalin jashtë materjes apo formave të mundëshme të sajë reale.“ Tue u bazue mbi ket teori materjaliste që ti e mbron me aq fanatizem, un të pves: Zoti, që thue ti se e u krijue nga truni i njeriut, a mund të jetë nji krijesë e bazueme në realitet? A mund krijojë mendja e njeriut nji gja që nuk ekziston? Këto t’i pves tue u bazue në tezat e filozofisë sate.
    - I poshtër! I poshtër! Unë kam dëgjuar se Kleri Katolik është shumë i poshtër, por që t’arrijë deri këtu që të provojë ekzistencën e Zotit përmes doktrinës materjaliste, këtë s’e kisha dëgjuar as menduar kurrë!...Paskëni qenë me të vërtetë të poshtër!
    - Shikjo mirë e ndigjo shka po të them: gjatë shekujsh po-hi e jo-hi kurr nuk e kanë përmbysë njani tjetrin: mbeten të barabartë, aty ku ishin; ndërsa shamjet e fymjet nuk i përmban kurrnji kod njerzor: janë arma e të mundunit, e atij që nuk ia del me anë të logjikës të pëqafojë fitoren: shamja e fyemja janë dhunë. Në logjikë nuk ka dhunë! Kur t’i thuesh dikjt: „i poshtër“ duhet të keshë në dorë fakte që provojnë poshtërsinë.
    - Nesër do t’i jap të gjitha faktet.
    Ndërsa un zbrita shkallët për me mbërrijtë në sofër ai u kthye në atë dhomën e bibliotekës ku punonte grupi i drejtuem prej vllaut të Ramiz Alisë.
    N’e nesre aty përsri u takuen. Ai kishte nji pusullë (copë letre) në dorë ku kishte të shënueme pikat e poshtërsisë të Klerit Katolik. Ai filloi:
    - Ndërsa i gjithë populli shqiptar vuante varfërinë më të tmerrshme dhe injorancën, përse Kishat tuaja ishin aq të mëdha, të bukura, me vepra artistike të barabarta me vendet e pasura?
    - Na mendojmë që kjo asht nji meritë e madhe e jona dhe jo poshtërsi. Un mendoj se na jemi mjeshtrat e mdhaj të edukacjonit shpirtnor e kultural. Nji arkitekturë klasike e madhshtore nuk e përulë atë njerin e pashkollë, por e edukon atë me nji shije artistike edhe në kjoftë se nuk ka mjete me ndjekë shkollën.
    - Ato ndërtime i kanë bërë të huajt.
    - Arkitektat e inxhinierat duhet të jenë të huej, por sigurisht që puntorët ishin shqiptarë e kjo ishte nji metodë e bukur për t’u mësue mjeshtritë.
    - Ama janë paguar nga fuqitë që synojshin okupacjonin e ksaj toke.
    - Sigurisht që ato pare kanë ardhë nga jashtë por Kleri Katolik i Shqipnisë nuk i bani rrush e kumbulla ato, as nuk i hangri vetë, por ndërtoi vepra madhshtore për popullin e jo për vete.
    - Sa merrni ju për një meshë: unë aty i kam regjistrat tuaj, dhe sa kohë shpenzoni për një meshë?
    - Na marrim zakonisht 15-20 lekë, dhe çdo meshë përfundon në nji gjysë ore.
    - Nuk u duket ju ky nji shfrytzim i madh që u bëni besimtarve tuaj? Ata punojnë gjithë ditën, djersitin 8 orë rrjesht dhe aq marrin sa ju në një gjysë ore! Të keni turp!
    - Shifet kjartë se nuk kupton kurrgja nga jeta dhe detyrat e Klerit Katolik. Ti e mban sikur të ish nji puntor i thjeshtë minieret ose kooperative bujqsore që duhet të punojë së paku tetë orë: dhe ndër këto tetë orë ai mund thotë mesha sa të duen si fitim.
    - Po ja regjistri!
    - Lene regjistrin aty, se ti nuk e kupton fare! Shife mirë! Gjindet aty ndonji vërtetim se asht thanë ma shumë se nji meshë në ditë?
    - Jo, sikur të ish punë fitimi e tregtije na do të kishim thanë nga 10 meshë në ditë. Ndërsa na thomi vetëm nji meshë e marrim 20 lekë. Prej këtyne 20 lekëve, 10 shpenzohen për nevojat personale e të Komunitetit, ndërsa tjerat shpenzohen për popullin. Na kemi pasë aq shkolla të mesme në Shqipni, sa ç’ka pasë Ministria e Arsimit. Kemi pasë aq kopshte fëmijsh, sa ç’kishte shteti. Shife kumbonaren: kishte nji sahat të cilën autoritetet shtetnore e hoqën nga këtu për ta vendosë në Gjirokastër. A asht mirë që të çveshet nji qytet për të veshë nji tjetër? – Shif kumbonaret e tjera, të gjitha me sahata. Shkodra i ka këto në sajë të Klerit Katolik, pra në sajë të atij 20-lekshit. Dhe nuk keni turp të flitni kështu?
    - Ju jeni të pafamilje dhe kështu sakrificat mund i duroni më shumë se kurrkush tjetër.
    Si i tha këto fjalë ai ktheu në strofullin e bibliotekës. Me kaq mbaroi edhe misjoni i tij.
    Kuvendi i Arrës së Madhe tashma ishte vetëm rezidenca e fundit e Kishës Katolike. Ipeshkvi aty, të gjithë priftent e fretent aty. Kisha e vogël rrinte hapun ditë e natë gjithmonë me funksjone fetare e plot me popull, mbasi të gjithë katolikët e kishin kuptue se as ajo nuk do të vonotnte me u mbyllë. Ndërkaq edhe Komiteti Ekzekutiv dërgoi e na thirri me dy radhë: aty u interesuen për ne se kush kishte vllazën o nipa do të kthehej tek ata; të tjerët do të interesoheshin qysh tashti me gjetë vend ku të mundej. Shumë familje i pritën krahëhaptë meshtarët, por u gjetën edhe asosh që nuk pranuen, sepse nuk dojshin me hi ne kalemin e qeverisë porsi të „prekun“.
    Ardhja e Ipeshkvit dhe e shumë meshtarëve tjerë që nuk kishin pështetje ndër njerëz të vet, teshat e tyne denga-denga të lidhuna nëpër korridore i dha Kuvendit tek Arra e Madhe pamjen e nji kampi të vogël internimi. Ai komisjoni shtetnor, me vllaun e Ramiz Alisë në krye, mbas nja dy-tri javësh muer çilsin e Bibliotekës dhe nuk u duk ma ndër ne.
    Nji ditë Ipeshkvi çoi e më thirri në atë dhomën që i kishim lëshue në Kuvend; rreth tij ishin edhe tre meshtarë tjerë: At Mark Harapi, At Frano Kiri e At Augustin Ashiku.
    - Më ka ardhë ky telegram, - tha, e ma dha në dorë. E lexova kadalë e me vëmendje ma shumë se nji herë. Kqyra ditën e shejet, se më dukej i pabesueshëm. Përmbajtja ishte afërsisht kjo:

    Kryetarit të Kishës Katolike Imz.Ernest Çoba
    Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë

    Na, Kryesia e Komunitetit Mysliman të R.P.Shqipërisë, Kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale të R.P.Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botnore e Bektashianve, të mbledhur në Tiranë me dt. x (nji ditë në javën e parë të marsit), mbasi shqyrtuem bashkarisht ngjarjet e reja të këtyne ditve dhe zhvillimin e tyre vendosëm që të gjitha xhamijat, teqet, tyrbet, kishat e vendet tjera shejte, si edhe pasuritë e tyre t’ia dorëzojmë vullnetarisht rinisë, që ajo t’i vejë në punë e t’i shfrytzojë për të mirën e popullit shqiptar. E ftojmë edhe Kryesinë e Kishës Katolike të Shqipërisë të bashkohet me ne në këtë veprimtari patriotike për të mirën e popullit.
    Ma poshtë ishin emnat e tre Kryetarve të feve.
    Tue ia kthye Çobës telegramin i thashë:
    - Për mue ky telegram asht krejt fals dhe kam dyshim se mos të jetë përpilue këtu në Postën e Shkodrës.
    - Po edhe na kështu mendojmë, - m’u përgjegj At Frano Kiri, - por puna asht me e marrë vesh mirë se cili ka shkrue.
    - Shka po të duhet me e dijtë: sigurisht që asht ba me shtymjen e Komitetit të Partisë prej atyne të rinisë.
    - Nuk asht punë rinije kjo, po lene.
    Atëherë foli Imzot Çoba.
    - Na kemi mendue se ti ke mundësi me shkue në Tiranë dhe, mbasi i njef personalisht, të shkojsh ti vetë në Kryegjyshatë, se i ke dashamirë, mandej edhe te tjerët. Në kjoftë se ata nuk dijnë gja, vjen së vedit se ky telegram asht fals.
    - Para nji jave ishem në Tiranë te Pater Marjani: edhe atje i kanë mbyllë të gjitha Xhamijat e Kishat: Tirana ishte mbushë plot me fletë-rrufe si Shkodra.
    - Tanë puna asht me u sigurue në se janë a nuk janë Kryesitë ku ishin. Në kjoshin, shko e pveti si i dërguem prej meje. Qe, merre edhe telegramin, merre me vedi e tregojua.
    Ditën e nesre u nisa për Tiranë. Fletë-rrufetë ziejshin nga të gjitha anët, rrugët, qoshet, pjacat si dhe stendat e mëdha të shpalljeve ishin mbushë me nga ma të ndryshmet, kundra ktij e atij, personale e kolektive. Çfarë marrinash që thoheshin ndër to as dreqi vetë nuk kish mundësi me i sajue! Kishte ndonji që të bante edhe me qeshë: për shembull ishte nji fletë fletroje e shkrueme keq:

    “Filanes, shitëse buke në dyqanin nr.43. Dje un isha e para në radhën e bukës e ti nuk ma dhae mue së parës, por ia dhae filna burrit që vinte mbas meje. A kështu thotë drejtësia që na mson Partia! Përgjigju!

    Filanja“


    Mbasi i lexova shumë fletë-rrufe u nisa te Komuniteti Mysliman. Gjeta nji burrë që nuk e njifshem. E pveta në se u kishin thanë gja me dalë prej andej. M’u përgjegj se u kishin thanë që mbrenda javës do të dorëzojshin çelsat e shtëpisë.
    - Po për këtë telegram din gja ti? Kam ardhë prej Shkodre për ketë punë. Ai e muer, e lexoi, tundi kryet e më tha:
    - Kryetari i Komunitetit Mysliman asht Myftia i Lezhës, port ash nja dy muej qyshë se i ka dekë djali 20 vjeç nuk asht dukë ma këtu. Kush po i din këto punë në këtë kohë. Por nënkryetari, i cili dikur ishte profesor e u ba hoxhë, tani shif atje në pjacë se ka vu një deklaratë të madhe sa nji çarçaf ku i bjen mohit fesë e ka rrue mjekrën! Në kjoftë se e ka nënshkrue ai ketë telegram, se nënkryetari sigurisht që jo.
    U nisa për rrugë e shkova ku banonte Kryesia e Kishës Autoqefale. Në mos kjosha gabim, më priti vetë Hirsia e tij Sofron Koroneshi, burrë shumë i plakun e gadi si i shushatun. I tregova se më kishte dërgue Imzot Çoba, i cili i bante shumë të fala dhe donte me dijtë nëse e keni nënshkrue ketë telegram? Shtrina dorën e ia dhashë. Ai nuk e muer. Un ia lexova.
    - Mbledhjen e bëmë në Kryeministri, aty në zyrë të Reshatit, e pse nuk erdhi Hirsia e tij Çoba?
    - Nuk ka marrë ftesë e dijeni; për ketë telegram ç’mund më thoni?
    - Po, ja që e nënshkruam aty neve që të gjithë. Ia dorëzuam aty rinisë: e si mos t’ia dorëzonim asaj; ajo i mori vetë! Janë mbyllur të gjitha kishat, kemi mbetur vetëm neve këtu edhe për dy-tri ditë e do të dalim.
    Mbasi i bana nji përshëndetje të thatë, dola. Aty dy-tre vetë që ndesha më kqyrën me çudi e me vrejtje. U nisa për në Sauk te Kryegjyshata. Në rrugë, pa hi mirë n’oborr të saj, u ndesha me atë që ishte kenë Sekretar i përgjithshëm në kohën e Baba Ahmet Dedejt. U përshëndetëm dhe, kur i kallxova se për shka kishem ardhë, më tha:
    - Jam duke kthyer në shtëpi, sepse isha duke bërë dorëzimet, mbasi mbrenda dy-tri ditve e lëshojnë Kryegjyshatën të gjithë. Puna e këtij telegrami, - më tha, - nuk është për t’u çuditur. Nuk është më Kryegjysh Baba Ahmeti që kapej dhëmb për dhëmb me ta edhe për gjënë më të vockël: ky është tjatër, krejt tjatër dhe s’ka ndonjë çudi çdo gjë që është për të bërë. Po atje në Shkodër si shkojnë punët?
    - Si në të gjithë Shqipninë, - iu përgjegja, - tashtu kemi vetëm nji Kishë por, siç shifet gjasa, jemi ndër ditët e mbrame.
    Kur u damë, më ftoi në shtëpi; i thashë se më duhej me xanë autobusin e mbasdrekës. Atë mbramje ktheva.
    Menjiherë u paraqita te Imzot Çoba, ishin aty edhe tre këshilltarët.
    - Ktheve ma shpejt se Çezari prej ballit të luftës.
    - Po, por ai ktheu me lajmin e fitores, ndërsa un me humbje. Nuk ka randësi në se telegrami asht i vërtetë a jo; puna asht se atje të gjithë janë dorzue. Edhe mandej ua tregova fill e për pe gjithshka bana, shka pashë e ndigjova. Më ndoqën me vëmendje të madhe.
    - Shkado që të kenë vendosë tjerët, - tha Imzoti, - Kisha Katolike nuk ia dorëzon çilsat as rinisë, as kurrkuj tjetër përveç përfaqsuesave të Pushtetit, që na i merr kundra Kushtetutës dhe ligjës.
    Të gjithë tjerët e përforcuen ketë vendim. Edhe un u kënaqa në shpirt, se deri n’ato ditë Imzot Çoba nuk gëzonte paraqitjen e burrave të fortë. Ndoshta po avitej vdekja.







    Nga kapitulli përmbyllës:

    DITET E FUNDIT T'ASAJ QE E QUEJTEM LIRI

    Fq.277

    Ndër ato ditë të zymta ndigjojshem radion dhe lexojshem gazetat pa ia da. Botojshin porsi akte heroike mbledhjet popullore ku mbas njaj fjalimi të gjatë kundra Zotit, Kishës e Klerit, mbas sa budalleqeve të thanuna varg e vistër, i kërkohej popullit të merrte pjesë në mënyrë revolucionare me u çue kundra Zotit, dhe niseshin me turr për me shembë kulm e themel Kishë, Xhami, Teqe, etj. Këto turma të çmenduna ndër ato ditë me „aksjon vullnetar“ dhunuen e thyen deri edhe të gjitha kryqat e varrezave!
    Në ketë çmenduri të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem për ma shumë se 22 vjet, rrijshem tue mendue me vedi, zemërplasun: si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e mos të dalë kush që me i thanë: ndal! E pra, përveç njaj klike të vogël që i rrinte për rreth, kurrkush nuk përfitonte ndonji gja të dukshme. E atëherë, shka ishte kështu? Të gjithë ishin të dejun, të shastisun mbas këtij njeriu. Ai tiran u kishte marrë të gjithëve lirinë. I kishte zhburrnue ose, si i thonë sot, u kishte hjekë personalitetin njerzor. Ua kishte nxjerrë gratë prej shtratit për me i çue në zbor o ku të donte vetë. Ua kishte marrë fëminë e pasuninë. U kishte hjekë deri kafshatën e gojës e hjedhë në mizerjen ma të madhe që mund të mendohej. I kishte shkëputë jo vetëm nga kombi e gjithë bota, por edhe nga historia e vet e e mbarë njerzimit! I kishte rrethue në tel e nuk i lejonte me hi e as me dalë, vetmue prej gjithë botës! Nuk i lente me qeshë e as me kja. E atëherë shka ishin këta? Mund thirrej popull ky? Jo, nuk ishte popull, por nji tufë e paspjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e pa vullnet. Ndërkohë që edhe më dukej se ato turma turreshin kundra qiellit sikur Zoti t’u kishte faj që i mbante nën thembren e randë t’atij tirani mizor. Por faji nuk ishte i Zotit, ishte i njerëzve që i shërbejshin tiranit dhe e kishin frigë, e ndigjojshin e e adhurojshin ma shumë se Zotin. Kurrgja nuk e përligj këtë veprim barbar, vandal, të turpshëm, të pashembullt në histori të njerzimit, përveç çmendurisë.
    Sikur sejcili njeri të rrinte në pastrinë e shpirtit të vet e të ndigjonte ma shumë zanin e ndërgjegjes së vet humane, të asaj që thrret e brenë vazhdimisht për punët e liga, të ndigjohej ma shumë ajo se urdhni i tiranit, shka do të ndodhte atëherë? Kurrgja e keqe nuk do të ndodhte. Gjuetari me armë në dorë, kur hin në pyllë, kurrë nuk mund e vrasë lepurin ndër shkurre sikur mos të jenë zagarët që e ndjekin e ia dorëzojnë atij. Pa këta zagarë as Tirani nuk mund bante kurrgja: ai i vetëm, po nuk e ndigjoi kush, se nuk mund e vrasin krejt nji popull, ndërsa populli, tue iu nënshtrue urdhnit të Tiranit, vret vedin.
    E shka un rrijshem tue përblue me mendjen time ndër ato caste kritike të këtij populli fatkeq! Si kishte për ta gjykue historia ketë brez? Shka kishin me thanë bijt tanë për ne, që i kemi mbushë faqet e historisë me tanë ata trima e asnji nuk duel me lëvizë vetëm nji gisht për të mbrojtë ndërgjegjen, lirinë, pasuninë, token, zakonet e traditën, historinë, nderin e familjes e as fenë? Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas, rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?
    Turp i madh! Por ky turp asht edhe ma i madh kur turpin nuk e shef vetë. Ndejëm 450 vjet nënshtrue robnisë së turkut, tue ecë së prapthi e tue shtue vetëm rrenoja. Tash po shkatrrojshim na vetë me duert tona e jo të tjetërkujë, gjithë shka pat teprue nga ajo robin e gjatë, për ma tepër, tue u levdue sikur po bajshim punë të mira.
    M’u duk sikur krejt toka jonë kje hapë aty para meje si nji krater gjigant, grykë vorri që me tërbim kërkonte të përpijë të gjithë ata që dojshin me i shpëtue skëterrës së tmerrshme, ku dreqent e njerzit përpiqeshin si e si të sjellin sa ma shumë vuejtje, fatkeqsi e mjerime shoqishojt dhe ku nuk kish tjetër por “vajë e kërcllim dhambësh”. Sytë, ndoshta edhe të mendjes, shifnin vetëm terr. I thashë vetes se duhej të shpëtoja. Po si të shpëtohej nga ferri që nuk kishte kurrnji rrugëdalje? Megjithkëta, vendosa shpëtimin ose vdekjen.
    Nji za sikur më thonte që edhe vdekja në ketë rasë ishte shpëtim, por ajo ishte e fundit. E turbullt, mendja rrekej me gjetë rrugë tjera të pagjetuna: ato të parafundit.
    Aty xente fill nji tjetër rrugë e gjatë.

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Flm e pergezime per keto faqe tronditese nga libri qe ke sjell ..

  8. #18
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Detyrim moral Brari, ose te pakten une e ndiej te tille.

  9. #19
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    LIBRI III

    ROBNIA E GJATE
    1967-1989






    GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNE

    Fq.63

    Afër gjysës së marsit, para se t’errej dita, ndigjova se nga zyrat e hetuesisë vijshin gjamë të tmerrshme të nji njeriu që torturohej, dikund aty në korridor. Dukej sikur merrshin pjesë disa policë, të cilët edhe shajshin e britshin, por mbi të gjitha, ushtojshin gjamët e atij të mjerit që nuk mund kuptohej se kush ish. Mbas nja nji ore na u duk se ai filloi të lëshojë grahmat e fundit. Mandej u ndien kambë policësh që ecshin me këpucë të randa. Bartnin, me sa kuptoja, nji trup të pa ndjenja ose kufomë. Nuk merrej vesh kurrgja e saktë nga birucat e tmerrshme. Mandej ra nji qetësi vorrit.
    N’e nesre më thirrën përsëri në hetuesi.
    - E din se do të dalish në gjyq?
    - Po.
    - Ke rroba të tjera që t’i veshish se këto janë mizerje.
    - Kam kostumin e zi.
    - Shkruej nji pusullë që t’i bien nesër.
    I shkrova dy rreshta motrës dhe teshat m’erdhën po atë ditë.
    - E ndigjove ti, - më tha oficeri i rojes, - se ne jemi në shërbim të popullit?
    Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.
    - Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.
    - Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?
    - I shkrova se i the ti.
    Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Perveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
    - I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, - iu drejtova Shyqit, - por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.
    - Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: „Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len“. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.
    Atëherë thirri me të madhe:
    - Jonuz, e ke gadi tjetrin?
    - Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pvesin aty.
    - Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.
    Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.
    Na nxuerën jashtë të rrethuem me gjashtë ushtarë t’armatosun e na drejtuen përtej birucave t’ajrosjes, aty ku gjindej nji portë e madhe druni me dalje në Rrugën e Daullës, kështu thirrej ajo. Priste nji kamion i zbuluem. Hypën ushtarët e me vështirësi edhe na. Kur u hap dera, rruga ishte plot me njerëz që pritshin në të dy anët. Makina ecte kadalë, me ritëm mortor, për me na pa bota. Ndigjojshim gjithfar thirrjesh, që nga „të mjerët“ e deri te „tradhtarët”. Rruga Gjuhadol Serreq, ishte mbushë me parrulla nga ma të ndryshmet. Perveç atyne të zakonshme: „Vdekje tradhtarëve të Atdheut!“, „Poshtë reaksioni i klerit katolik!“, etj. Më bani përshtypje nji parrullë tepër e gjanë e e gjatë e varun në hymje të rrugës së murgeshave. Aty ishte shkrue me germa ma të mëdha: „Kur guri i fundit i kishës së fundit t’i bjerë në krye priftit të fundit, vetëm atëherë njerëzimi do të jetë i lirë.”
    Didëro

    Makina ecte me ritmin mortor. Populli bërtiste, shanin e mjeronin. Vuna buzën në gaz e thashë me vedi „ditë që nuk do të mbrrijë kurrë. Bota lavdon marritë“!
    Altoparlantët çirreshin gjatë gjithë rrugës me kangët „Hakmarrje rini“, „Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, “Dy luana që ka bota, nji Azia e nji Evropa!” Frynte nji erë cingërimë, siberiane. M’u ftof trupi, megjithse zemrën e kishem të ngroftë. Na zbritën te kisha e murgeshave. Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te „kafazi i të pandehurve“. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: „Drejtësia në shërbim të popullit“. E kqyrshem me kureshtje atë parrullë se më dukej si nji „kashë e lashë“ (gjë e gjëza i thonë në Jugë) dhe mundohesha t’i gjej kuptimin se çdo të thotë nji Drejtësi që nuk asht në shërbim të së Drejtës, por të dikuj tjetër, kushdo kjoftë ai. I dhashë nji vështrim sallës dhe popullit; ishin të gjithë me ftesa, pra njerëz të Partisë ose të Sigurimit. Dom Nikolla shfrytëzoi atë ças e më foli: „Absolucionin“ tha: „Confiteor“. I dhashë të zgjidhmet e mëkateve për çastin e vdekjes. Ashtu bana edhe un dhe ai m’i dha. E pamë se na priste vdekja.
    Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi më tha:
    - Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.
    Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.
    - E vetmja gja që i mungon asht ngrfoja.
    - Ditë kaq të ftohta janë të rralla.
    - Sot asht 7 gradë nën zero, - tha Shyqi.
    Hyni trupi gjykues i pritun me duartrokitje të përgjithshme. Me sa më kujtohet, Kryetar ishte Nuri Resmja; anëtarë: njani quhej Gligor (mbiemnin nuk ia mësova, ishte nji punëtor) e tjetri nji grue që nuk ia dij profesionin. Prokuror ishte Faik Minarolli. Sekretarit gjithashtu nuk ia mësova emnin.
    Kryetari u çue në kambë e mbajti nji fjalim, jo të shkurtë për hapjen e séances. Tha se gjyqi bahej kundra nji grupi priftërinjsh katolikë, t’akuzuem për “tradhti të lartë”, të cilët, ashtu si nuk kishin mujtë t’i shpëtonin synit vigjilent të Partisë, nuk do t’i shpëtonin as “Drejtësisë Popullore”.
    Mbasi u ul, e mori fjalën Prokurori i cili nga pupitri i tij lexoi nji aktakuzë të gjatë. Ishte formulue e njillojtë me ato të viteve 1945-1948.
    Thirrën në fillim Dom Nikollën, i cili duel para tyne, aty në kambë, te mikrofoni. Foli për jetën e vet, studimet, veprimtaritë kishtare, e kryesisht mbi 20 vjetët e fundit, kalue ndër kampet e dënimit, midis të burgosunve e të internuemve. Në fund tha se nji Athe i cili u binte bijve të vet vetëm robin, vuejtje, mundime, tortura e vdekje nuk ishte ma Atdheu i zemrës dhe duhej braktisë me lot ndër sy, mbasi nuk jepte kurrnji shpresë për ndonji gëzim shpirtnuer. Në nji Atdhe të tillë njerzit, t’ushqyem vetëm me inad, urrejtje, mëni e pabesi do të jetojshin në luftë mes vedit gjithë jetën. Ky nuk mund thirrej ma Atdhe, tha ai, - dhe mendova me u largue sa ma parë që të mujshem. Për ketë kërkova ndihmën e këtij shokut tem, mbasi njizet vjetët e burgjeve e internimeve më kishin shkëputë nga të gjithë tjerët, ndër të cilët mund të kishem besim.
    Kështu e përfundoi ai tregimin e vet.
    Mandej kryetari i gjyqit filloi ta pyeste për çdo gja që përfshihej e nuk përfshihej në procesverbal. U vu në dukje se në nji fletore të tij të konfiskueme ishte shkrue: „Gjuha shqipe asht tue ecë si babili“. Ç’doni të thoni me ketë?“ e pytën. Dom Nikolla spjegoi se babili ishte nji zog i verdhë, që bante folenë e vet thellë në tokë, në ndonji bregore. Ajo ishte nji vrimë e gjatë, horizontale, e ngushtë, ku hynte tue u zmbrapsë, mbasi nuk kishte mundësi të sillej. Gjuha shqipe, që nga Naimi, filloi përparimin e vet të madh. Ndërsa shkrimtarët e sotëm, vazhdoi Dom Nikolla, që nga vjeti 1945, në krahasi me pastërtinë e gjuhës së Naimit, përdorin aq shumë turqizma e fjalë të hueja, marrë nga frengjishtja, italishtja e rusishtja, sa e ka humbë vleftën dhe bukurinë e saj.
    Pa i mbarue mirë këto fjalë, kur t’u çuen peshë të dy përnjiheri, kryetari e prokurori, njani mbas tjetrit:
    - Shihni ku arrin poshtërsia e një intelektuali borgjez! Reaksionar! Zëdhënës i klerit ultra konservator e nacional-shovinist! Që thotë letërsia shqipe është zhytur që atë ditë që ka ardhur në fuqi Pushteti Popullor! Dhe me paturpësinë më të madhe na vë një poet të krimbur me ideologjitë fetare, siç është Naimi, përballë letërsisë së realizmit socialist. I pandehur ke lexuar apo jo letërsinë tonë të re të realizmit socialist, veprat e Shevqet Musarajt, Andrea Varfit, Llazar Siliqit, të Dritëro Agollit e të Ismail Kadaresë? E çfarë vlere kanë veprat e Naimit, „Qerbelaja“ dhe „Skënderbeu“ në krahasim me „Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“?
    - Nuk kam mujtë me i lexue sepse ato janë propagandë partiake dhe jo kurr letërsi. Kur t’i fillojsh, të mbesin në fyt.
    Atëherë u çue prokurori e tha:
    - Sigurisht, që me ardhjen e revolucionit kulturor do të bëhet edhe reforma shkollore në programet e letërsisë. Ne nuk na duhet më letërsia reaksionare nacional-shoviniste, as ajo fetare. Letërsia jonë do të fillojë e mbarojë me realizmin socialist. Por me të pandehurin kemi në gjë tjetër me shumë interes për kohën e sotshme. Ky ka thënë publikisht në Kishën e Laçit te Vau Dejës se shkenca aprovon fenë. A është kështu? Përgjigju.
    - Po, e kam mbrojtë ketë tezë kundra atyne që thonë se shkenca nuk njef Zotin. Kam tregue në atë kishë se në nji anketë që u asht ba, tash vonë, 100 shkencëtarëve të botës, 90 ishin pro dhe 10 kundër. Për ketë fjalë kam kalue dënimin dhetë vjet ndër kampe t’internimit. Mendoj se kjo çashtje asht e mbyllun.
    - Si e mbyllur? Kjo sot është çështja më aktuale. Revolucioni kulturor pikërisht këtu ngulmon. I pandehur, - tha kryetari, - thuaj ç’mendon për fjalimin e shokut Enver dhe veprimet popullore që pasuan ketë fjalim?
    - Si, shka të thom?
    - Thuaj mendimin tend këtu para popullit që të dëgjon.
    - Nuk mund e them mendimin tem, sepse ndoshta do të kërkoni të më dënoni për agjitacion e propagandë. Prandej po u thom se zakonisht njerzimi vjen gjithmonë tue përparue e ndërkaq kështu do të dishirojshem me interpretue edhe veprimet e fundit që nga fjalimi i 6 shkurtit. Kaq mjafton për ju.
    U ba nji heshtje, po thuej si nji pushim i shkurtë. Prokurori atje e kryetari këtu shfrytëzonin procesverbalet. Ndigjohej çpalosja e fletoreve. Pritej diçka e madhe.
    - Ndigjo, i pandehur, - tingëlloi zani i Nuri Resmjes, - këtu kemi bisedat që ti ke zhvilluar kohë mbas kohe me të pandehurin tjetër, Zef Pëllumbi. Ç’do të na thuash për këto biseda? Ishin armiqësore apo jo?
    - Zoti gjyqtar, bisedat e mija me At Zef Pllumin ishin të përzemërta, vllaznore, ma shumë se miqsore. Çka kërkoni ndër t? Mendoni t’i ktheni në „agjitacion e propagandë”? Do t’ishte qesharake! Un me i ba agjitacion At Zefit që asht anmik, po si un, i komunizmit?
    - Nuk asht pun ate agjitacioni, port e komploti.
    - Komploti!? E çfarë komploti!? – tha Dom Nikolla. – Na dojshim me ikë për vedi e jo me u rrxue ju!
    - Po, ja, këtë do ta shohim, - tha kryetari dhe mbasi shikoi sallën anë e mbanë foli: - Bëjmë pushim. Vazhdojmë pas pak.
    Gjyqtarët u tërhoqën mbrapa skenës, ndërsa në sallë buçiti kanga e vjetër partizane: „Hakmarrje rini, dëshmori thërret!“ ... „Hakmarrje rini, hakmarrje rini!“ ... „Hakmarrje rini, dëshmori thërret“!
    Mbeta shtang. Nuk mund e kuptojshem se në cilin vit ishim: në 1948 apo në 1968. Populli shqiptar kishte mbetë në vend. Tashma e kishim të kjartë se tirania nuk mund lejojë kurrnji hap para. Populli shqiptar kishte vdekë nji herë e përgjithmonë. Përgjithmonë? Përgjithmonë?!...Konstatim i vështirë. T’ardhmen nuk e din kurrkush. Në shkencë diskutohet e kaluemja dhe e tashmja, por jo kurr e ardhmja. Megjithkëta, megjithkëta, po ta lejojë shkenca, konkludojmë se populli shqiptar nuk ka t’ardhme. Sentencë gjyqsore tepër e vështirë, por nuk kemi ç’t’i bajmë...
    Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:
    - Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?
    - Sigurisht që po!
    Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:
    - A asht motra jote ajo?
    - Jo, nuk e njof.
    - Nuk e njef?
    Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.
    Mbas nji të katërt ore thirrën emnin tem. Dola aty para mikrofonit. Nuk e ndjeva vedin mirë, sepse më kishte kapë aq të ftohtë sa dridhesha, por ndërkaq m’u desh me u përgjegjë. Pyetjet silleshin kryesisht në katër pika kryesore: a) te bisedat për arratisje, b) mbajtja me ushqim e diversantave, c) bisedat që kishem ba me të tjerët për mbylljen e kishave dhe d) mshefja e disa dorëshkrimeve, kur na nxorën prej Kuvendit Françeskan.
    Për nji kohë, relativisht të gjatë, në sallë ushtoi vetëm zani im që e shifshem kjartë se populli e ndiqte me ma të madhen kureshtje. Spjegova me ma të madhin sinqeritet gjendjen teme shpirtnore gjatë mbylljes së kishave si edhe bindjet e mija personale për t’ardhmen e errtë e të panjoftun që na priste. Thashë se që në moshën e njomë i ishem kushtue Zotit e fesë në ketë tokë, se kishem predikue disa herë në ketë kishë që sot po dhunohet në mënyrë të pabesueshme.
    Vetëm në ketë moment ma kputi fjalën Nuri Resmja.
    - Ç’mund të bëje ti kur shërbimi fetar ishte i ndaluar?
    - Un nuk mund bajshem kurrgja, por prania e personit tem në çdo ambient që të gjindesha do të vepronte te mendjet e njerzve tue shkue nga prifti te Zoti, dhe se çdo katolik, po të gjindej vetëm për vetëm përballë meje, në mos me gojë, së paku me mend do të thonte:
    „Kjoftë levdue Krishti!“ Dhe kaq do t’ishte e mjaftueshme për misionin tem fetar. Liria e fesë ishte garantue me Kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, por ju tregoheni kontradiktorë në veprime e në doktrinë. Si asht e mujtun që ju, si leninista, të shkrueni me shkronja të mëdha parrullën e nji ideologu të borgjezisë, Dideroit?
    - Shihni ç’armik kemi përballë! Një armik ideologjik, i cili me më të madhen qetësi tregon metodën e vet të djallëzuar për të përgjumur vigjilencën revolucionare!
    Kështu foli kryetari dhe që n’atë ças populli në sallë filloi gumëzhitjen.
    Pjesët ma të vështira kjenë ato të agjitacionit e propagandvs, mbasi bisedat e thanuna ishin zhvillue ndër rrethe krejt konfidenciale, të mbylluna, ndërsa të shqiptueme para publikut, aso kohe, mbaheshin si herezi aq të mëdhaja sa me ia kalue marrisë; populli ishte çmendë nga servilizmi dhe dhuna tiranike. Ndër proceverbalet e mija qe shkrue se „udhheqsat e Partisë e të Shtetit kalojnë nji jetë luksoze, ndërsa populli i mjerë shkrryhej me dit e me net ndër rashat e gjata, para dyqaneve të bukës e të qumështit dhe të shumtën e herës kthehej duer bosh“. Aq ma t’ashpra e të papranueshme ishin interpretimet për veprimet revolucionare të vjetit 1967, të cilat, un me kolegët e mij i mendojshem jo si nji tregue i forcës së Partisë e Pushteti, por si nji ligshti, sepse Kisha Katolike kishte si parim bazë vetëm lirinë e njeriut, me zgjedhë vetë ai, ndër të gjitha idetë e ekspozueme ate të mbrojtun me logjikë; pra kishte si themel propagandën e mbushëmendjes. Ndërsa Partia e Pushteti kishin dështue në këto punë dhe kishin zgjedhë rrugën e dhunës.
    Populli shqiptar kaherë kishte harrue ligjet e logjikës e të realiteti dhe i ishte nënshtrue fatalisht fatit të keq, ndoshta edhe me mburrje, prandej fjalët e mija tinglluen në atë heshtje kishtare si të pandigjueme ndonjiherë, si fjalët e nji të marri.
    Kryetari Nuri Resmja tha:
    - Po bëjmë një pushim të vogël, se e shoh që i pandehuri është lodhur.
    Gjatë pushimit Dhimitër Shkodrani më kqyrte me nji vështrim të posaçëm, ndërsa Shyqi më tha si nën za:
    - Zef, kqyr e mos e zgjat shumë. Ndër disa biseda tueja esenca nuk asht aty. Rueje gjakftoftësinë.
    - Un nuk do çeksha asnji nga këto biseda private, por po më ngacmojnë dhe un duhet të mbrohem.
    - Ti mbrohu, por jo tue sulmue; mos u ban agresiv se nuk të shkon. Ti je njeri i qetë.
    - Zotni, jam njeri i sinqertë dhe nuk mund e cungoj mendimin. Flas ashtu siç më vjen, pa kqyrë në se të tjerëve u pëlqejnë apo jo fjalët e mia.
    Seanca e dytë nisi aty nga ora 12.30. Kryetari bani sikur kaloi disa nga faqet e procesverbaleve dhe filloi me çastet e fundit të mbylljes së Kuvendit Françeskan dhe të kishës në Shkodër, me 19 mars 1967.
    - Na trego si është puna e atyre dy domizhaneve të verës.
    - Zotni, asht krejt e thjeshtë. Ndër ditët e mbrame të Kuvendit Françeskan rrinte nji polic aty jashtë në rrugë. Na fretnit e priftnit, bashkë me Ipeshkvin, ishim të grumbulluem me forcë aty. Pritshim se çdo të ndodhte me ne. Kryetarët e Këshillave Popullore, që vijshin tash e parë, thonin: presim. Gjatë kësaj pritje, në Kuvendin Françeskan vërshuen gjithfarë njerzish, të gjithë të panjoftun, djelm të rij e burra të pjekun, gra të ndryshme, deri gabele. Me paturpësinë ma të madhe hyjshin në Kuvend e dikush merrte karriget, dikush divanet, dikush qylymin. Na pritshim që Këshillat Popullore ose autoritetet shtetnore të merrnin në dorëzim gjithçka me inventar, por ndërkaq Kuvendi plaçkitej çdo ças. Kurrgja nuk u ba në ketë drejtim. Atëherë un mora dy domizhana me venë Meshe dhe i dërgova për ruejtje ndër kojshi. Zotni, për ne vena e Meshës duhet me kenë e saktë dhe e zgjedhun. Ju mund e interpretoni si të doni, por mjerisht jam i smundë me ulçër duodenale dhe nuk mund duroj asnji pije. Shka doni tjetër?
    - Po për ato dorëshkrimet ç’do të na thuash?
    - Për dorëshkrimet? Zotnij, sigurisht që ju e keni të vështirë ta dini se ç’ishte Kuvendi Françeskan, mbasi nuk jeni nga Shkodra, por nga Maqedonia ose nga Korça, tue nisë nga mbiemnat tuej. Kuvendi Françeskan ma shumë se nji shtëpi priftënsh katolikë ishte nji akademi shkencëtarësh, akademi e pashpallur, ku sejcili prift ishte i specializuem në nji shkencë, dikush në gjuhësi, nji tjetër në histori, në etimologji, në folklor, antropologji e të tjera shkenca humane, si drejtësi, arte, etj. Kemi punue pa kurrnji interes, por vetëm për popullin shqiptar. Ndër këto kohët e fundit, në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe në Shkodër, kishin teprue dy shkencëtarët e fundit: At Justin Rrota, gjuhëtar dhe At Marin Sirdari, historian e folklorist. Shkrimet e At Justin Rrotës ishin shpërnda, vjedhë e masakrue nga xhambazë të shkencës gjuhësore shqiptare. Ndërsa shkrimet e historianit e folkloristit At Marin Sirdari, ishin ma pak të njoftuna e të kërkueme. Mendova me i shpëtue, por jo, ato ranë të gjitha në dorën tuej. Kaq.
    Ti ia dhe Zef Mjedës at?
    - Përpara i çova tjetërkund, por mandej e pashë se ato duhej t’i kishte në dorë nji intelektual. Zoti prokuror, simjet asht 500-vjetori i vdekjes së Skanderbegut. Këto shkrime të At Marin Sirdarit kanë nji vlerë të madhe, prandej duhen studiue me imtësinë ma të madhe.
    - Zef, tani do të përfundojmë. Dua të të bëj edhe një pyetje. Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit të Shokut Enver?
    - Zotni, nuk mund të jap nji gjykim të saktë mbasi na mungon distanca historike.
    - Distanca historike? Çdo të thuash me këtë?
    - Zotni gjykatës, kur flasim për distancën historike, flasim për nji shkencë të kulluet. Kjo shkencë nuk asht vetëm historike, por edhe juridike. Kur ju më kërkoni mendimin për këtë çashtje të caktueme, siç asht mbyllja e kishave, un do të ndryhem në veten time, do të shqyrtoj historinë e ndërgjegjen dhe vetëm atëherë do të vendos se cila asht e drejtë. Na nuk duhet të influencohena as nga pasionet, as nga emocionet e aq ma pak nga nji ideologji e caktueme. Distanca historike asht çveshja nga çdo passion.
    - Zef, të pyes për herë të fundit: Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit?
    -E thashë ma parë se më mungon distanca historike.
    - Jo, nuk e duam këtë. Ne kërkojmë se si e sheh dhe e gjykon ti sot për sot fjalimin e 6 shkurtit të shokut Enver!
    - Mendimi im personal? Thashë me vedi: Alea iacta est. (U hodh zari, shorti.)
    - Krejtësisht i gabuem! Gjykimi i saktë do të vijë mbas 30 vjetësh, por un thom që të gjithë do ta dënojnë nji herë e përgjithmonë.
    Kur e thashë ketë fjalë nji antar i trupit gjykues, që thirrej Gligor, shkrepi grushtat për kokë. Fjala ime i dukej nji marri e madhe.
    Gjyqi mbaroi. Më kthyen në qeli. Aty të vijnë plot mendime: Si fola? Mirë apo keq? Sigurisht do mund të flitshem edhe ma mirë.
    N’e nesre gjyqi vazhdoi; ai i popullit; me të vërtetë në dukje ishte i popullit.
    E kërkoi fjalën Prof.Luigj Franja. Kishte studime në Shkollën Françeskane. Të naltat i kishte ba në Itali. Atje ishte puqë me idetë komuniste, të cilat i mbronte edhe në Shqipni. U çue në kambë e foli vetëm për idetë revolucionare të kohës dhe të shkencës, mbasi, siç tha ai, këto ide ishin kundra fesë. Deshta t’i përgjigjesha fjalës së tij, por Shyqyri Çoku më tha:
    - Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin. Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo.
    Mbasi e mbaroi fjalën e saj, Nuri Resmja e pyeti:
    - Ti e dëgjove që të tjerët kërkuan dënimin me vedkje, po ti çfarë i propozon gjykatës?
    - Të dënohen randë.
    - Rëndë? Po, sigurisht... Edhe ti kërkon dënimin me vdekje si të tjerët?
    Ajo u skuq, na kqyri me dhimbje, sikur të donte të na kërkonte falje, mandej tha:
    - Të dënohen randë, por jo me vdekje.
    Ra nji qetësi e madhe, mandej u çue në kambë Prof.Ju Kastrati. Ky gëzont emën në Shkodër, si nga prejardhja familjare, si nga pregatitja shkencore, por edhe nga ledhatimet e dukshme që i banin institucionet partiake e shtetnore.
    - Ndigjova se këtu u fol se „gjuha shqip, që nga Çlirimi e deri më sot, po ecën si balili. Ndërsa unë këtu do t’argumentoj se kurr gjuha shqipe nuk ka përparuar shumë. Këto janë parulla të klerit katolik, që donte të monopolizonte gjuhën shqipe dhe patriotizmin.
    Atëherë ai filloi të thotë se që në vjetin 1945 kishin fillue botime të revistave shkencore si “Buletini i Institutit të Shkencave” etj. Si dhe Fjalori I Gjuhës Shqipe të sotme etj. Foli mjaft gjatë, gjithmonë tue naltue antishkencën e re shqiptare të drejtueme, në të gjitha fushat, nga Partia dhe i quejtuni Pushtet Popullor. Mbasi i cilësoi përfaqësuesit e klerin katolik shqiptar, si „pseudoshkencëtarë“ dhe pseudopatriotë”, u ul. Nuk I kërkoi kush mendimin se me ç’masë duhej të dënoheshim me vdekje apo jo.
    Mbas tij u çue Tomë Nikolla, nji kangëtar popullor I maleve që kishte thurë sa e sa kangë për Partinë dhe udhëheqësin Enver. Kishte nji za të fortë dhe foli nga lozha:
    - Ndigjuem këtu tue folë at Zef Pllumin, që përpiqej t’I rrshqasë si njala drejtësisë popullore. Por ndigjuem këtu të flitet vetëm kundra klerit katolik. Mendoj se nuk duhet ba fjalë vetëm për tradhtinë e klerit katolik, por për tradhtinë e të gjitha klereve të gjitha besimeve fetare në Shqipni. Sigurisht që tradhtia e naltë e klerit katolik u vrejt ndër këto kohët e vona kundra Pushtetit Popullor, por ama nuk duhet të mbyllim sytë para tradhtisë së klerit musliman, që për pesqind vjet i shërbeu me ma të madhen devotshmëri okupatorit turko-osman, tue u përpjekjë të shkombtarizojë popullin shqiptar, tue luftue doket e kanunet tona kombëtare, për me nab a pjesë integruese të Perandorisë Osmane. Kjo ishte nji fatkeqsi e madhe historike e kombëtare. Gjithashtu kleri i besimit ortodoks, siç na tregon historia jonë kombëtare, vazhdimisht asht përpjekë me shkombëtarizue, me anën e fesë, popullin shqiptar, tue e identifikue me atë grek. Të gjitha këto tradhti, njana ma e naltë se tjetra, nuk duhet të kalojnë pa u dënue në ketë process gjyqsor që populli i ban fesë. Për të gjithë këta, që janë e nuk janë këtu, populli shqiptar kërkon të dënohen nga Gjyqi i Popullit për tradhti të naltë.
    Mbasi i tha këto fjalë u ul. Kje i fundit.
    M’u duk sikuj jo vetëm ndër fytyrat e hetuesve, Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani nuk gjet përkrahje fjala e tij, por as në trupin gjykues, as te prokurori e as te shumica e popullit në sale.
    Ishte ba mesditë e kryetari lajmëroi nji pushim për nji të katërt re. Seanca tjetër e mbasidtes filloi me dëshmitarët.
    Ata, të pregatitun me porosi, u paraqitën si nji mizerje njerzore. Kje nji gafë e vërtetë. Si ata të Dom Nikollë Mazrekut, si ata të mijët ishin të pavendosurn, të mangët, të friguem, të dhunuem e që do të shprehshin si papagalli thaniet e Sigurimit. Ata u banë qesharakë para elitës popullore të zgjellun nga Partia.
    Mbas kësaj gafe seanca mbaroi. U dha pretence. Pretenca e Faik Minarollit kje: Dënim kapitaö (me vdekje) për mue dhe dënim me 25 vjet heqje lirie e punë të detyrueme për Nikollë Mazrekun.
    Kthyem në qelitë e famshme. A fjeta atë natë? Fjeta pak. Pretenca ishte me dënim kapital, por në rishqyrtim në kohë të mavonshme. Kishem frigë, kishem edhe shpresë. Por atë ditë të ftohtit më kishte lodhë shumë.
    Revolucioni kultural kishte përfshi edhe gjykatat. Me arsyetimin se gjykatat ishin të popullit, e rrjedhimisht, duhen të jenë të drejta, nuk do t’ish ma nevoja për avokatë mbrojtës. U hoqën ata. Mbrojtja do të bahej nga vetë i akuzuemi. U pregatita po atë natë. Fola gjithë natën me vehte: kështu dhe ashtu. Kur dola në gjyq ne e nesre, nuk fola as dhetë përqind të mendimeve t’asaj nate.
    Kur m’erdh fjala e fundit thashë:
    - Dua vdekjen.
    - Kerkon vdekjen?!...
    - Po, se vetëm përmes asaj mund të fitoj lirinë.
    - Çdo të thuash tjetër? – pyeti Nuri Resmja.
    - Zotni, kam thanë gjithçka. Kjo jetë që ju projektoni, tue hjekë fenë, asht e padurueshme.
    Në sallë ra nji heshtje vorri. Mbas ndonji minuti, dikush andej nga lozha e fundit, tha:
    - E pse mos t’i heqim qafet këto qelbsina klerikale që duen të pengojnë jetën tonë të lumtun?
    - Si të quajnë? – pyeti gjykatsi.
    - Zef Rrushi, - së paku kështu m’u duk se tha.
    - Do të tërhiqemi për të përgatitë vendimin, - tha kryetari.
    Në sallë filloi kanga si motit. Mbas nji të katët ore trupi gjykues hypi në podium dhe të gjithë në kambë ndigjuen vendimin: 20 vjet për Dom Nikollë Mazrekun dhe 25 vjet për mue, ku përfshihej, nga bashkimi i neneve, tentativa për arratisje e agjitacion e propaganda. Në dënim përcaktohej edhe konfiskimi i gjithshkafe që më përkiste mue.
    Mbasi lexoi këtë vendim tha:
    - Shumë nga ju në ketë sallë keni kërkuar dënimin me vdekje, por dua t’ju skjaroj se ne si gjykatë nuk mund ta jepshim atë me që faji ka mbetë në fazën e tentativës. Megjithatë Gjykatat tona Popullore e japin vendimin e tyre mbështetur edhe në opinionin e popullit. Prandaj para se t’i dërgojmë dokumentat për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kërkoj që ju të shprehni përsëri mendimet tueja. A kërkoni ju dënimin me vdekje? Po apo jo? Thuajeni mendimin tuaj.
    Po thuej dhetë minuta vazhduen pyetjet e tij n’atë heshtje të gjatë. Kurrkush nuk foli. Atëherë ai tha:
    - Me kaq përfundojmë.

  10. #20
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    FRAGMENTE NGA REVOLTA E SPAÇIT

    Fq.191

    Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjene të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.
    Shokët që takova ma e treguen kështu revoltën e Spaçi:
    Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Atje u bashkuen me të tjerë të dënuem, që n’atë kohë ishin të lirë dhe luejshin domino e shah ose shëtitshin në tarracë. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullore nga Pali, hine në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: „A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!“ Mbas asaj thirrje dëshprimi u çue në kambë Paulin Vata i ndjekun nga Pavllo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin.
    Mbas nji gjysë ore hini në kamp oficeri operativ, Fejzi Liço i shoqnuem nga 4-5 policë t’urgjencës. Por tashma të burgosunit ishin të bashkuem kundra dhunës policore. Në nji përleshje të vogël, që u fillue nga komanda, mbetën të rrahun policët dhe oficeri operativ dhe kur grupi i të dënuemve i përzuni deri te dera, oficeri i kërcënoi se ky veprim do të lahej vetëm me gjak. N’atë ças „virusi“ i lirisë pushtoi të gjithë skllavët e minierës së Spaçit, që u lidhën ngusht rreth herojve të fitores së parë. Mbrenda orës kampi ishte rrethue me pesëfishin e rojeve të zakonshme, ndërsa të burgosunit u ngjitën në tarracën e fjetores, katër katëse, dhe atje ngritën flamurin kombëtar, pa hyllin e kuq të komunizmit, të cilin e punoi piktori matjan Mersin Vlashi. Të gjithë bashkë filluen me këndue Hymnin e Flamurit, si dhe kangë të vjetra patriotike. Mbas çdo kange brohoritshin të madhe për nji „Shqipni të lirë e demokratike” shoqnue me “Urra!” të vazhdueshme. Ndërkaq ai grup i fitores së parë mbi dhunën e komandës ishte shndrrue, pothuej, si nji farë komiteti drejtues. U mendue prej tyne me dërgue nji delegacion për me u marrë vesht me komandën dhe me paraqitë kërkesat e ligjëshme të të burgosunve. Për këtë zgjodhën dy persona, të cilët mendohej se respektoheshin si nga komanda, po ashtu edhe nga të dënuemit. Ata ishin Paulin Vata dhe inxhinjer Koço Papa. Të dy u avitën te dera kryesore e kampit, u folën rojeve e u thanë se ishin ngarkue me mision nga të burgosunit. Erdh komisari, i cili nuk pranoi me folë me delegacionin, por u tha se „kjo çështje nuk ishte më e komandës, por e Ministrisë së Brendshme”.
    Në të vërtetë, mbas ndonji ore, nga tarraca e fjetores të burgosunit panë se në oborrin e komandës kishte ardhë Drejtori i Përgjithshëm i Kampeve. Ai lëvizte aty plot nervozizëm, tue projektue krime masive. Kampi i të burgosunve të Spaçit që n’atë ças mbeti i izoluem, i pa furnizuem nga çdo ushqim dhe ujë. Në këtë kohë nji i burgosun ordiner që e kishin sjellë aty thirri:
    - Të sulmojmë dyqanin se aty kemi miell, sheqer e voj me bollëk.
    Kurrkush nuk e ndigjoi për mos me përlye idealin politik kombëtar.
    Dita e 22 majit, në kampin e skllavëve të minierës së Spaçit, kje ditë e lirisë. Pamvarsisht se nuk kishin bukë, ujë e as ushqime dhe se çdo rast vazhdonte t’avancohej rrethimi me mjete të randa ushtarake, si tanke etj. Këtë operacion e drejtonte vetë zv.ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu. Helikopterat fluturojshn mbi krenat e skllavëve të lirë, të cilët, në këtë kohë përpiqeshin, pa krime, me asgjesue spiunazhin e komandës. Njerz të tillë ishin të njoftun prej gjithkuj. Në përgjithësi e gjithë „zyra teknike“ dhe gjithë „mbrapavija“ përbahej nga njerëz të komandës. Kishte edhe përjashtime, sidomos në „Këshillin e gjanë të Riedukimit“ në të cilin shtijshin disa njerëz të nderuem e të ndershëm, që mos të thohej se ishin të gjithë spiunë. Në përgjithësi, „brigadierat“ e punës në minierën e Spaçit, kishin dy detyra kryesore, së pari me shkatrrue moralin e të rijve dhe së dyti me rekrutue spiuj të komandës.
    N’atë kohë, ndër burgje e kampe, kishte shumë çam të cilët, pak a shumë, tregojshin se midis dy luftave botnore në Greqi u vendos diktatura e Metaksait. Kur ky u ba kryeministër thirri Ministrin e Mbrendshëm dhe i tha: due që me çdo kusht të përgjohen të gjithë njerëzit e politikës greke. Ministri iu përgjegj se nuk kishte mundësi dhe për këtë paraqiti dorëheqjen. Atëhere Metaksai thirri shefin e përgjithshëm të policisë dhe i tregoi planin e vet. Sherifi, si njeri shumë praktik që ishte, i tha: „Unë e realizoj këtë plan, por që ta dijsh mirë, për këtë do të rekrutoj të gjithë homoseksualët e Greqisë. Vetëm ata mund të pranojnë këtë shërbim i cili refuzohet nga çdo njeri i ndershëm.
    Fabula ishte kjo: Në Shqipninë e Enver Hoxhës, Sigurimi I Shtetit, të parën detyrë kishte korruptimin moral perms homoseksualizmit dhe mbas tij vinte robnia shpirtnore.
    Në minierën e Spaçit ishin të përmendun për këto punë Abaz Ceka, Loli Diamanti e shumë të tjerë të poshtër. Vetëm Zoti i din punët e tyne e nuk mund gjykoj për ta, por namin e kishin të keq.
    Tash, nga presionet e të burgosunve, n’atë gjendje të jashtzakonshme, ata i pranuen gabimet, premtuen edhe shpërblimin. Gjithshkafja kot.
    Më datën 23 maj 1973 u hapën dyert e Kampit të Spaçit dhe hine mbrendë me tërbim rreth treqind nga ata qentë e tërbuem të forcave speciale, njerëz të hunit e të litarit, të stërvitun me kujdes për krimet ma të zeza që i duheshin tiranisë. Mbas tyne hini Feçorr Shehu i shoqnuem nga autoritete të Drejtorisë së Kampeve e Burgjeve. Mbajti nji fjalim të shkurtë të nxjerrun nga palca e ideologjisë enveriane. Pa dalë mirë nga dera filloi terrori madh. Çdo i burgosun, që hinte ndër duer të tyne, fillonte ulurimat e tmerrshme. Në përgjithsi ishin disa policë të Komandës së Spaçit që shenojshin se cili i burgosun duhej rrahë e cili duhej kursye. Megjithkëta shumë u torturuen kot së koti, mbasi policët, tue mos i njoftë mirë, u jepshin nji emën për nji tjetër. Kështu ata e shtruen në dru Zef Ashtën deri sa i thanë: “Po ti more prift I m…. ç’na mejtove neve kur I nxite zagarët e vegjël kundra Partisë?” Atëherë Zefi u kthye e u tha: „Jeni gabim, se un nuk jam prift.“ “Nuk je prift ti? Katolik?” “Jo, jo, kurr nuk e pranoj. I burgosun jam, edhe nga Shkodra jam, por jo kurr prift katolik. Jam Zef Ashta. Cilin kërkoni ju?“ „Priftin Zef Pllumi“, - i thanë. “Ai nuk ashtu këtu, por në nji kamp tjetër. Nuk e dij se ku ndodhet.“
    Me kaq mbaroi filmi. Nuk e rrahën ma.
    Ndërkaq Sigurimi ishte krejt i mobilizuem me të gjitha forcat e veta të jashtzakonshme për me shtypë „Revoltën e papritun“.
    Në tarracën e fjetores ku ishte ngritë flamuri kombëtar, pa hyllin e kuq të komunizmit, qëndruen të fundit vetë katër herojt. Kur aty hypën „forcat e jashtzakonshme“ të Feçorr Shehut, ata nuk u dorëzuen, por të katërt u hodhën poshtë nga të katër anët e tarracës. Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. U pushkatuen atë mbasdite të 23 majit 1973. Vdekje, vetëm vdekje. N’atë vend, që nuk dihet se ku, u pushkatuen katë heroj. Sigurisht, diku në Mirditë. Dekreti i Feçorr Shehut e shpalli atë pushkatim si nji fitore, ndërsa ishte humbja ma e madhe e demokracisë shqiptare, mbas njizet vjetë tiranie mizore.
    Mbas asaj dite kampi i minierës së Spaçit u kthye në vendin e terroit ma të madh të gjithë Shqipnisë. Që n’e nesre filluen proceset hetimore me tortura të cilat përfunduen me denimin e 80 vetëve, të cilët mandej i deportuen nëpër burgje e kampe të tjera.
    Po thuej vjet për vjet aty u sajuen, nga Sigurimi i Shtetit, gjyqe për gjoja „grupe t’organizuara për përmbysje të pushtetit me dhunë“, të cilat përfundojshin me pushkatime të njerëzve të pafajshëm, siç ishin Xhelal Koprencka, artisti Fadil Kokomani, ish oficeri Vangjel Lezha e shumë të tjerë. Që n’atë datë Sigurimi i Shtetit me organizmat e tyne „prokuroritë” dhe “gjykatat” filloi çpikjen e re me vumjen në zbatim të dënimit të dytë e të tretë, tue ia shtue ato dënimit të parë. Ky sistem terrorizimi vazhdoi për shumë vjet tue perfshi të gjitha burgjet e kampet e Shqipnisë.

Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. At Zef Pllumi - Deshmia e se Vertetes
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-04-2015, 19:34
  2. At Zef Pllumi - "Rrno vetem per me tregue"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 27-12-2013, 18:13
  3. Atë Zef Pllumi - “Nderi i Kombit"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-07-2006, 18:25
  4. Rrno per me tregue - At Zef Pllumbi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •