Close
Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 39 prej 39
  1. #31
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Meriton te sillet dhe ky shkrim ne kete teme...



    Nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zef Pllumi

    (26.09.2007)

    Për njerëzit e sërës së Padër Zef Pllumit nuk shkon kurrë fjala “vdiq”. Lasgushi pat qëmtuar për këto kualitete njerëzore një tjetër fjalë, të thjeshtë e pa mort, fjalën “shkoi”. Kështu nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zefi, se shkoi

    Për njerëzit e sërës së Padër Zef Pllumit nuk shkon kurrë fjala “vdiq”. Lasgushi pat qëmtuar për këto kualitete njerëzore një tjetër fjalë, të thjeshtë e pa mort, fjalën “shkoi”. Kështu nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zefi, se shkoi.
    Shkoi nga kjo botë njeriu që me talentin e tij brilant e pasqyroi dhimbjen dhe tronditjen njerëzore, fatet dhe historitë makabre të ferrit komunist, si askush tjetër. Themi si askush tjetër se nëse do të merrnim një model që bota e pranoi si të naltë, Solzhenicinin, me gulagët stalinistë, Padër Zefi shkoi ma larg me heshtën e tij të dhimbjes e të drejtësisë njerëzore, e të diktaturës mizore. Nga mbrëmë në eterin e lajmeve erdhi njoftimi se padreja nuk do të zbresë më me zhgunin e tij në Tiranë. Tek miqtë dhe tek të tjerët. Ai na njihte të gjithëve. Ishte mbi të gjithë ne, vetëm shpirti i tij që shkoi e din notën që na vuri secilit.
    Për mua ora që ma njohu Padër Zefin ka qenë një orë e lumtur. Ka qenë një njohje e thjeshtë përmes një mikut të tij, më saktë një miku të përbashkët, me të cilin pati vite të suksesshme bashkëpunimi për ringjalljen e Hyllit të Dritës dhe në përgjithësi të kulturës që pat përçue kjo revistë e famshme. Që nga ai çast, rrethanat qenë edhe më të lumtura, pasi ai jetonte në votrat e miqve të mi të zemrës, e të lidhur prej kohësh me mua, pa e ditur kurrë lidhjen me Padër Zefin. Kështu që kam pasë orë të mjaftueshme, por sigurisht të etshme pafund, për ta lexuar jo vetëm veprën e Padres, por edhe shpirtin e tij, retiçencat e të pathënat. Sepse ai kishte të pathëna, dhe një pjesë do thuhen tani e pas, por ai nuk ngrinte furtuna zemërate, edhe kur i afroheshin duart e ndonjë dobiçi diktature, që mbron vrasësit dhe themeluesit e Sigurimit. Padreja ishte prift, përndryshe ishte atë. Dhe si atë, me rrëfenjat që kish situr në dëgjimin e tij, ishte shumë lart për luftërat tona të egra dhe me shpata që bëjmë sot. Por kjo nuk do të thotë, dhe nuk do të thoshte aspak se ai nuk e dallonte grurin nga egjra, por përpiqej me mish e me shpirt, e me zemër në dorë, ta fundoste konfliktin dhe pakënaqësinë, edhe kur biba që shkojnë pas modelit të Pezës i përgjëroheshin për gegnishten. Për hir të së vërtetës, shëmbëlltyra e padres, fuqia e tij për të falur, na e pat ndalur dorën për me e pa kockën e vërtetë të disa “dhimbsuranëve” të “melodisë turke”.
    Aq sa thashë, në këtë moment dhimbjeje, e thashë në emër të parimit të jetës së tij. Padër Zefi ishte Atë, jo në kuptimin zyrtar, ai ishte Atë në kuptimin e modelit njerëzor, ai ishte tolerant pa i shkelur parimet e tij. Aktualisht një figurë e tillë shfaqet shumë rrallë në historinë gjaknxehtë të shqiptarëve, por Padër Zefi ia mbërriti, me ndritjen e talentit të tij, të bëhet një formulë njerëzore pajtimtare. Por gjithsesi, pasi të krasitet thelbësia e së keqes në mesin e shqiptarëve, se nuk mund të shkojë puna deri aty saqë ta trajtojmë librin “Rrno për me tregue”, një gjenialitet të tij, sikur ky e shkroi duke ndenjur në qelë. Harrojmë që ky ishte prift i futur në burg dhe i kërcënuar nga vdekja me urdhrin më të zi serbo-rus për të mbyllur dyert e qytetërimit perëndimor në Shqipëri. Nuk duhen harruar xhelatët. Nëse vendosim t’i falim, është një tjetër çështje, por duhet t’i tregojmë me gisht, sepse nëse ai s’do të kishte qenë në burg, ai Zef Pllumi, malësori, do të ishte akoma më jetëgjatë. Padër Zefi, kjo pikë bashkimi besimesh, shpirtrash, karakteresh, sot që “shkoi” ban dritë për rrugë, që ta ndjeki gjithsecili që e do të vërtetën. Ai ishte simboli i persekutimit të klerit katolik shqiptar. Ai ishte emblema e rrugës qytetërimore shqiptare, drejt Perëndimit. Ai ishte mbrojtësi dhe përkrahësi i idesë se në Evropë do të shkojmë të gjithë shqiptarët, me këto besime që kemi dhe kjo s’është kurrfarë pengese. Ai u bë kështu një nga prokursorët e thirrjes kombëtare mbarëshqiptare për ta çuar kombin në Evropën prej nga ka dalë e ka lindë.
    Sigurisht morti i tij asht i randë, ndër të gjithë njerëzit që e kanë njohë e e kanë dashtë. Por sigurisht asht ma i randë ndër ata që s’kanë dashtë të marrin prej tij, por atë t’ia japin të tjerëve. Dhe ky është një ndryshim i madh. Sot që ai shkoi, mund të themi se mbështetja dhe frymëzimi i tij rilindi shumë sene, siç thoshte ai me gjuhën e tij, në Shqipëri. Tabllotë historike, memorialistike që shpalosi Padër Zefi janë të cilësive të tilla që shumë shpejt, nga serm e xhevahire, do të kenë vezullimin e diamantit që do të shpërndajë dritë për të gjithë çka do të vijnë pas nesh.
    Sa pa fund mund të zgjateshim, por duhet dhe heshtje.

    Nga Fahri Balliu
    Gazeta 55

  2. #32
    mall Maska e bili99
    Anëtarësuar
    05-04-2007
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,804
    Ngushllime per familjen dhe per gjithe Shqiperine per nje simbol qendrese dhe mbijetese qe shkoi nga kjo bote duke ndricuar si nje Yll i Drites se vertete, driten e se vertetes e la pas....Lavdi jetes ,perjetesise se Pader Zef Pellumit.

    Me nderime,
    Xhabir Alili,USA

  3. #33
    alpha dominant Maska e D@mian
    Anëtarësuar
    20-09-2005
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    1,170
    Lamtumire At!
    Blendi Fevziu
    Koha Jone
    E Enjte, 27 Shtator 2007

    At Zef Pllumi, i fundmi i brezit te arte te franceskaneve shqiptare, u shua dje ne Rome. 83-vjecari, qe kishte ecur neper nje jete plot ulje dhe ngritje, duhet te kete qene ne momentet e fundit, se paku i qete per dicka: ne jeten e tij te trazuar, ai arriti te permbushe amanetin qe i lane sivellezerit e tij te besimit. Ai arriti te dilte tej kufijve te njeres prej diktaturave me te ashpra te botes, te triumfonte mbi vuajtjet, vrasjet, zhdukjet, per t’i deshmuar brezave qe vijne nje nder krimet me te qarta dhe me ngjethese te Evropes: zhdukjen e klerit katolik per arsyen e vetme se nuk pranonte komunizmin.

    Ithtar dhe trashegimtar i Fishtes, Arapit, Palajt dhe nje grupi te jashtezakonshem klerikesh, qe po aq sa te tille qene edhe figura te rendesishme te kultures dhe shkences shqiptar, i formuar ne shkollen me serioze qe Shqiperia kishte ne ate kohe, ate franceskane, At Zef Pllumi pati fare pak mundesi ta ushtroje besimin e tij. Fare i ri u arrestua nga komunistet qe erdhen ne fuqi ne Shqiperi. U torturua dhe u denua me disa vjet burg. Dalja nga burgu, ne fund te viteve ’40-te qe e perkohshme. Pas disa kohesh liri, ai u arrestua serish, per te vuajtur ne burgjet komuniste plot 26 vjet te tjere. Duke pasur ne qeli, per shume vite dhe ne shume rrethana, padyshim eliten e intelektualeve shqiptare.

    Jeta e tij, eshte po kaq e pabesueshme. Refuzues per t’ju nenshtruar regjimit; i afte per t’ju pershtatur dhe per te mbijetuar ne kushtet e burgut; i bindur ne drejtesine e bindjeve te tij dhe i paepur ne qendrese, me nje qellim te vetem: mbijetesa per te deshmuar ate qe kishte goditur familjen e tij te besimit. Ai besoi deri ne fund. Besoi te Zoti dhe drejtesia, besoi se e verteta vonon, por nuk harron dhe realisht kjo ndodhi. Nje dite, ai u kthye serish aty ku e kishte lene karrieren dhe besimin e tij, 46 vjet me pare. Me dhimbje, i trishtuar, por edhe i lodhur, ai nuk u ankua, por vijoi tutje ne kohen tjeter. Kur 67-vjecar ai arriti te dale ne brigjet e nje Shqiperie te lire, si pak te tjere, ai mendoi se duhej te fitonte kohen e humbur. Ne 17 vjet, ati i nderuar iu fut rimekembjes se tradites franceskane, ringjalljes se bibliotekes se saj, trashegimise se mrekullueshme, ribotimit te veprave dhe monografive dhe, mbi te gjitha, shkrimit te kujtimeve te tij. Kujtime qe u botuan nen titullin: “Rrno vetem per me rrefye”! Nje liber i jashtezakonshem, ngjethes, por edhe reflektues. Nje liber, qe perben padyshim korpusin qendror te momuaristikes se burgut e me gjere ne vitet e komunizmit, por qe perben nje monument te rendesishem per gjithe vuajtjen e klerit ne Evropen Lindore komuniste.

    At Zef Pllumi u shua pardje, vone, ne mbremje. Ai iku, duke lene pas nje kujtim te mrekullueshem. Kujtimin e nje njeriu, qe besimi dhe kuraja e ngjiten nga ferri ku e kishte hedhur koha, ne Parajsen ku me siguri duhet te prehet tashme. Ai iku, pasi kishte arritur ne nje jete te trazuar, te permbushte amanetin qe iu kishte dhene mesuesve dhe ithtareve te tij: rrefimin. Ai iku, me ate qetesi qe shkon gjithkush qe beson se ne jete ka bere ashtu sic duhet te beje dhe qe nuk perse te pendohet per asgje. Ai iku pa pendesa, duke na lene pas nje biblioteke te mrekullueshme, nje shembull ne jete dhe fjalen e tij monumentale: gjithkush merr ne jete ate qe meriton… Lamtumire At!
    FLUCTUAT NEC MERGITUR

  4. #34
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Mendoj se do te ishte mire te sillej dhe kjo interviste e fundit e marre nga gazeta Shekulli.


    At Zef Pllumi, intervista e fundit

    Elsa Demo
    27-09-2007


    Në vjeshtë të vitit 2003, në një ditë dielli me dhëmbë, u takuam me At Zef Pllumin në Fshatin e Paqes në Shkodër. Zbriste një të tatëpjete dhe fundi i gjerë i zhgunit të murrmë i bënte erë. Ndali tek rrethi i njerëzve që kishin zënë rrezen e diellit, lidhi nga pas duart kryq dhe iu drejtua një gruaje në moshë, një francezeje që kish ardhur në atë takim të përkthyesve të huaj të shqipes: Mos ke ftohtë Odilë? Hidhe xhaketën në shpinë.
    Ç’ishin aty, rendën të bënin nga një foto me At Zefin. Para tij kishe ndjesinë se po takoje historinë. Prandaj mora guximin t’i kërkoja një ide për të hapur në shtyp një cikël shkrimesh për klerikët e persekutuar të dijes. Kisha pasur në dorë deri atëherë vetëm vëllimin e parë të “Rrno vetëm për me tregue”, aty ku ai nis e tregon edhe për këto fakte. Dy të tjerët i gjeta më vonë tek një vitrinë bukinistësh në trotuar. Kur gruaja që i shiste i nxori nga bodrumi i pallatit buzë rruge, pyeti: A je nga ato anë ti që blen librat e padres? Je katolike? Jo, jam myslimane, nga Berati.
    Librat e pater Zefit nuk kishin marrë këtë popullaritet që kanë 10 vjet pas botimit, madje atëherë qarkullonin fjalë se dikujt i interesonte që “Rrno për me tregue” të mos e gjendej nëpër librari.
    Aty tek ajo rrezja e diellit në Fshatin e Paqes, biseda rrodhi dhe ati françeskan që siç do ta kishte zakon vitet e fundit në takimet e rralla me orë të gjata, duke e kaluar bisedën degë më degë ndërtonte një gjenealogji bashkëbisede dhe ti shihje se ai ishte kthyer prapë atje ku e kish nisur, tregoi për një antropolog amerikan që kish ardhur në veri të Shqipërisë aty nga vitet tridhjetë, dhe kish marrë për kampion matjesh kryet e magjypëve të kësaj ane, pikërisht aty ku po tregonte këtë histori. Ishte në natyrën e tij gjuha parabolike si në rastin e kësaj rrëfenje për keqkuptimin banal të racës shqiptare nga një amerikan, si kur e sillte biseda për lumturinë, gruan dhe burrin, komunizmin, besimin. Parabolat e tij kishin për çudi një nëntekst të hapur që dëgjuesi mund ta interpretonte mesazhin e fratit si të donte, por ama nga kumti që kishe marrë varej vazhdimësia ose e jo e takimeve me të.
    Një mbrëmje të vitit 2005 kur një tufë njerëzish ishin mbledhur për librin e tij të ri “Frati françeskan i Bushatllinjve”, vajza e një përkthyesi të njohur u ngrit me qetësi dhe i tha se babai i saj, po, ishte komunist me bindje, por aspak ashtu, njeri materialist, siç e kish përshkruar frati tek kujtimet “Rrno vetëm për e tregue”. Nuk e kundërshtoi gruan. Të nesërmen u takuam në shtëpinë e nipërve të tij, pranë kishës françeskane në Tiranë, aty ku në ditët e para të demokracisë, pa shtëpi e katandi, ishte kthyer për të bërë pagëzimet e para. Unë do të diktoj një letër dhe t’i do ta shkruash, më tha, se nuk mundem nga sytë. Në tryezë kishte lupën e stërmadhe dhe një tufë letrash me shkrim dore. Më diktoi përgjatë një ore letrën ku i kthente përgjigje gruas që e kishte kundërshtuar hapur në sy të njerëzve. Pak a shumë thelbi i letrës ishte ky: pavarësisht kontributeve që i kanë dhënë këtij vendi të gjithë ata intelektualë që në vitet 30-40 u kthyen nga Evropa në atdhe me idetë komuniste, ata që nuk e ngritën zërin kundër deformimit që patën idetë e tyre menjëherë pas vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës, mbajnë përgjegjësi për çfarë ndodhi pas vitit 1945.
    Tërhoqa një nga letrat mbi tryezë. Nga Amerika Petro Zheji i shkruante që kishte vënë në rrugë të mbarë përkthimin e tre vëllimeve “Rrno vetëm për me tregue”, porse ishte shumë e vështirë të gjendej në atë vend të madh një botues për këtë libër që do mund t’i tregonte botës ferrin e “Shqipërisë sonë të dashur”.
    U takuam për herë të fundit më 1 gusht në kthinën e tij të ngushtë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Prapë tha se ndihej si plak. E kishte gjetur këtë gjoja batutën për të hequr qafe pyetjet e kota si je me shëndet, si e ke zemrën e trupin e të tjera si këto. Më tha se njeriu nuk duhet ta tronditë jetën e vetë nga fatkeqësitë e njerëzve të dashur, se çdo njeri ka fatin e tij, dhe kërkoi t’i mbushë me verë gotën e vogël të ujit. Nuk kam pirë kurrë më përpara në jetën time. Kur dola prej burgut një njeri më tha t’i qetoj therjet në zemër me një gotë raki.
    Kur sa isha penduar për fjalinë “Kam frikë se s’do takohemi më”, ai shtoi një “Po” qetësisht pranuese, të përgatitur, që mezi priste ta nxirte jashtë fytit. Po kam frikë se s’do mundem dot ta mbaroj “Sagën e fëminisë”. A do të ketë njeri që do ta botojë? Pyeti me dyshim sikur të ishte një fillestar në kësi punësh dhe sikur të mos i kish takuar atij dhe të mos e kish merituar gjithë jehonë që pati ribotimi i kujtimeve një vit para.
    Tregoi aty se Saga niste me lindjen e tij në pyll. Kaq. Disa javë më vonë u shtrua në spitalin “Gemelli” në Romë ku mbylli sytë më 25 shtator. Dorëshkrimi duhet të jetë akoma në tavolinën e vogël, në qoshe të kthinës, nën dritaren e drurit që rrinte e mbyllur ato ditë të nxehta ngushti, ngaqë ai kishte ftohtë. Këtu Pater Zef Pllumi dha intervistën e fundit që mbyllet me fjalët për Sagën e fëminisë. Ky njeri ishte shkëputur nga trupi i nënës me një të rënë të sëpatës mbi kordonin e kërthizës. Dhe pastaj të dy dilnin përmes pyllit.
    Me At Zef Pllumin në kuvendin françeskan ku prej më shumë se një muaji ndihet i sëmurë. Një bisedë për ndjesën, besimin, fatin, guximin, politikën dhe femrën
    Kurrgjë më shumë se liria
    Në kuvendin françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Verandën e ndërtesës njëkatëshe ku ndodhet administrata, biblioteka dhe kthinat e fretërve françeskanë, megjithë pemët në oborr, e rreh dielli fund e krye. Pater Zef Pllumi ndodhet në kthinën në fund të korridorit. U bë kohë i sëmurë. E kanë lënë këmbët që një kohe bridhnin kryq e tërthor Dukagjinin. I mban mbështetur në tokë me gjithë bastun që e ngre herë pas herë dhe shtyn derën gjysmë hapi larg poltronit. Njerëzit që e vizitojnë e lënë dhe hapur.
    Si je me shëndet pater Zef?
    Dje mbret, sot ruajna Zot.
    Tre fëmijë i kthejnë faqen. Përshëndetja e ditës. Vijnë prapë nesër.
    Kthina ka pak gjurmë françeskani. Shtrati i ngushtë nuk ka gjurmë gjumi. Pas dere xhaketa e zezë e rëndë. Në jakë duket kryqi gri. Duket që ka kohë që s’e ka veshur. Nga tavolina e punës kërcet diçka sa herë ikin dhe vijnë dritat. Është kompjuteri. Te kryet, pranë poltronit, ngjitur në mur, kalendari françeskan. Nesër është 2 gusht, është Ndjesa e Shën Françeskut.
    Ndjesë për çfarë pater?
    Ai është paraardhësi ynë. Si ai, ne besojmë që edhe mbas vdekjes kemi jetë. Kështu besojmë ne. Kështu kanë besuar dhe ata që kanë bërë piramidat. Po ne besojmë që pjesa më e madhe e mëkateve që bëhen në këtë tokë mund të shlyhen në jetën tjetër.
    I pari ynë, Shën Fraçesku, ishte duke u lutur në atë kishën e vogël që kish ndërtuar vetë kur iu duk Shën Mëria, ishte me Krishtin. E pyeti çfarë kërkon. Ai i tha që unë kërkoj ata që sillen rrotull kësaj kishe t’u shlyhen mëkatet në atë botë.
    Tash kanë filluar njerëzit t’i harrojnë punët e fesë.
    Bota është më plakë, a mundet lutja të shlyejë detin e mëkateve të njerëzimit?
    Sigurisht që do të jetë më e vështirë, por tash për tash na duhet me mendu me mendimin e kohës. Çdo kohë ka etapën e vet, besimin dhe filozofinë e vet. Ne s’mundemi me i fajësu njerëzit. Është gabim me i fajësu njerëzit. Ne fajësojmë politikanët, po jo njerëzit. Njerëzit do të bëjnë gabime se s’bën.
    Po ku është feja në hapin dhe filozofinë e kohës? Ju thatë se nuk është më si dikur kjo punë.
    Nuk mendoj që feja ka nevojë të reformohet, ka nevojë të kultivohet.
    Ju keni investuar në njerëzit tuaj për këto ditë.
    Kam njerëz tek të cilët kam investuar, por u mungon fati dhe guximi. Dy sende u dashkan në jetë: fat dhe guxim.
    Ju na keni folur qartë për guximin pater, guximin jo si rrahjegjoksi. Ky besoni quhet dhe fat i juaj?
    Të them të drejtën guximin e kam pasur dhe në burg. Nuk më kanë dënuar për së dyti.
    Dhe ky është fati?
    Fati pater? Mos mendo se ai libër s’është shkruar kot (Rrno vetëm për me tregue). Më kanë lidhur, më kanë rrahur, më kanë izoluar, dhe unë prapë mundja të flas me oficerët e Sigurimit. Operativi ishte shumë i keq, shumë i vështirë, sidomos në Ballsh. Edhe kur më kanë lidhur, kur më kanë rrahur, kur më kanë izoluar, ata kishin respekt për mua.
    Një vizitor hyn në derë.
    At Zef Pllumi na kujtoi kampin e Ballshit, fort i vështirë. Ja një skenë mes operativash që rrëfen tek vëllimi i tretë “Rrno vetëm për me tregue”:
    Atëhere ai mori prangat të cilat i kishte lanë mbi tavolinë, m’i suell duert mbrapa shpine, m’i shtini hekurat në kyçe dhe shtërngoi vidën me sa fuqi kishte. – Ja, - tha, - le të vijë Zoti e Krishti e të shpëtojnë nga duart tona. A beson gjithnjë?
    - Po.
    - Nuk di ta bësh mirë atë punë, - ndërhyni prapë Jorgoja, - ma ler mua ta përfundoj. – Dhe ndërkaq mori një palë pinca elektricisi për të vazhdue shtërngimin e vidës me atë fuqi që kishte ai trupmadh.
    Me hekura ndër duer kishem jetue që në rininë 20 vjeçare, por kurrë nuk kisha provue dhimbje si kjo.
    - Beson tani? – më pyeti operativi.
    - Po, besoj.
    - Le të shohim në se vjen ai Zoti e Krishti yt të të shpëtojë. A vazhdon të besosh përsëri?
    - Po, besoj, - thashë me nji za gjithnji e ma të ligshtë.
    Dhimbjet ishin aq të forta, sa gjaku më hypi në krye. As kambët, pothuej, nuk më mbajshin ma. Megjithate, ma fort për inad të tyne, nuk lshova asnji britmë, asnji oh!, asnji eh! Mendjem e kishem te Zoti dhe thojshem me vedi: “O Zot, ndër duer tua shpirti em”.
    At Zefi kthehet në bisedë.
    Atë fazë e kam kaluar, thotë. Qëndron pak dhe duke qeshur shton:
    Tash të vetmin fat që s’kam pasur ka qenë me femra. S’kam dashur.
    Nëse do të na tregosh njëherë, na trego dhe për këtë.
    Karshi Muzeut kishim postën. (Vitet ‘40. Pater Zefi ishte 20-vjeçar.)
    Aty ishte një vajzë çalamane. Një miku im piktor më nxiste t’i shihja ndryshe punët me femra. Njiherë, vajza çalamane vjen e më thotë se gjashtë vajza duan të bëjnë një vizitë në muze. U afruan dhe çalamania më prezantoi një vajzë: Kjo është myslimania më e bukur që ka Shkodra, tha.
    Ishte e bukur. Jo e bukur, po kishte nji palë sy që i lëshonin xixa. Ashi sysh s’kam parë më në jetë. Ndoshta për hir të atyre syve edhe mund të kisha folur me të, por... megjithatë vetëm i përshëndeta me dorë.
    Unë kam dashur lirinë më tepër se kurrgja. Kur femra apo mashkulli lidhen, e kanë dorëzuar lirinë. Po duhet ta dorëzosh lirinë se kjo është jeta, pater. Megjithëkëtë kam frikë me e humbë lirinë.
    Ç’thotë Shën Françesku i Asizit për këtë?
    (Qesh) As ai s’ka pasë.
    A është trupi burgu i shpirtit?
    Janë të dy bashkë në zhvillim e sipër. Nuk mund të zhvillohet shpirti pa trupin, as trupi pa shpirtin. Kur bashkëpunojnë të dy bashkë mund të japin vepra të mëdha. Sot, s’mund t’i kuptojmë veprat e mëdha tek njerëzit pa bashkëpunimin ndërmjet dashurisë. Ajo i ka tërhequr në këtë jetë dhe ka menduar dhe për pavdekësinë.
    Është kjo parajsa shpirtërore?
    Besoj se po.
    Atëherë, pse janë njerëzit të palumtur?
    Janë larguar prej natyrës. Për shembull homoseksualiteti është kundër natyrës njerëzore.
    A s’është kjo gjë dhe në Bibël pater, para shkatërrimit të Sodomës e Gomorrës?
    Po, është. Homoseksualiteti ishte një sëmundje e përhapur. Njerëzimi ka qenë gjithmonë njerëzim, ka pasur të mirë e ka pasur të keqe.
    Bota është kthyer aty ku ka qenë, prapë në fillesën e rënies?
    Bota sugjeron tolerancë për këtë punë. Por njeriu është i lirë të bëjë ç’të dojë dhe le të bëjë ç’të dojë me veten, por jo me u shtu në shoqëri. E keqja është që tani i mbron ligji. Kjo është një nga sëmundjet e mëdha të shekullit. Sëmundja e dytë është terrorizmi.
    Terrorizmi si sëmundje?
    Terrorizmi si filozofi që të mbysësh njerëzit në emër të fesë dhe kjo është krejt e kundërta e fesë. Ky është një lloj terrorizmi sepse ka edhe të tjerë të lidhur me islamizmin. Nuk e di pse vazhdon islamizmi me këtë teori.
    A nuk ishte enverizmi një lloj terrorizmi?
    Ishte një terrorizëm i madh. Enverizmi më tepër se sa komunizëm ishte një fondamendalizëm islamik i veshur me maskën e komunizmit. Po të ishte komunizëm, s’do të qe prishur as me Kinën e as me Rusinë komuniste.
    Pater, këto fjalë po i thotë një njeri që është i veshur me petka të fesë tjetër, katolike.
    Unë s’mundem të flasë keq për myslimanizmin, sepse shokët më të ngushtë që kam pasur në jetë ishin myslimanë. Unë fola kundër fondamentalizmit islamik. Prej nga vjen ky? Vjen nga njerëz të politikës që venë mantelin fetar. Po ata s’janë as fetar, as njerëz të politikës.
    Bashkë me këtë bisedë do të botojmë dhe shkrimin tuaj të fundit në “Hyllin e dritës”. Ç’ju shtyu të shkruani për tranzicionin tani?
    Sepse ka filluar tash e njëqind vjet. Po unë kam frikë se s’do mundem të mbyll librin e fundit.
    Cilin libër?
    Saga e fëminisë.
    Ka treguar gati gjithçka për pjesën e dytë dhe të tretë të jetës në një Shqipëri të frikshme, tani Pater Zefi i është kthyer fëminisë. Ky është një libër që nis nga dita e lindjes së fratit. Nëna e lindi në pyll. Ishte duke prerë dru, e kapën dhimbjet, vetëm, merr sëpatën dhe pret kërthizën e foshnjës. E ngarkoi bashkë me drutë në kurriz dhe u kthye në shtëpi. At Zef Pllumit i gjallërohen sytë. Janë sy që kanë parë drejt dhe kanë vështruar gjithnjë përtej.
    Ka shkruar pjesën më të madhe të Sagës dhe tani nuk e ndan dot po qesh apo po qan frati.
    Dalim në oborrin e kishës. Pasditeve të nxehta fryn pak ajër i freskët. Burri që i shërben paradites, që e mban fort në njërin krah thotë se Pater Zefi ka dy javë që s’ka dalë në oborr. Më 28 gusht është përvjetori i 83 i lindjes. Në fakt datë zyrtare i ka mbetur 7 prilli i vitit 1924. Kur u shpall armik i popullit, i vunë datë lindjeje 7 prillin, meqë armiku, Italia fashiste në këtë datë kishte pushtuar atdheun.
    Kjo foto mund të jetë për librin e fëminisë.
    Vë buzën në gaz dhe e vazhdon mendimin, tani me zë:
    - Ata fëmijë që pe sot rrotull më kanë zgjatur jetën. Fëminia zgjat më shumë nga ç’mendon ti.
    Është lëngu i jetës pater...
    ... Zgjat aq sa njeriu të jetë zot i vetes, vetëm që vdekja të mos vijë para kohe.


    Bisedoi Elsa Demo
    1 gusht 2007
    Botuar në “Shekulli” më 4 gusht 2007
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  5. #35
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Kjo eshte nje foto me e cilesore.


  6. #36
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    At Zef Pllumi lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë, ishte shkrimtar shqiptar.

    Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, ku ndjek ciklin e arsimimit klasik me mësues personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, At Gjon Shllaku e të tjerë ku, veç të tjerash, përvetëson dhe mjaft gjuhë të huaja. Gjatë viteve 1943-1944 është bashkëpunëtori më i ri i revistës Hylli i Dritës dhe sekretar personal i At Mati Prendushit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë. Në vitin 1956 shugurohet meshtar dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë (25 dhjetor 1990). Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, po punon për libra të tjerë. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Presidenti Moisiu vlerësoi At Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohrave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij, At Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve. Po në vitin 2006 At Zef Pllumi merr çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Juria paska pranuar edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj është vlera që ka demokracia. Kjo është vlefta më e madhe që i bëhet librit tim. Të tjerat janë për mua kurora që çohen në funerale që i vdekuri nuk i sheh, ka thënë Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.

    Titujt e veprave

    * Rrno vetëm për me tregue
    * Françeskanët e mëdhenj
    * Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo
    * Ut heri diçebamus-siç i thonim dje

  7. #37
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    AT ZEFI - “PLLUMI” I MONUMENTEVE VERIAKE

    Artan Shkreli


    “Duhet me bâ kujdes me Voskopojën se asht nji ndër djepet e kulturës tonë. Un jam i moçëm e s’po mundem me i ndjekë t’gjitha”. M’u pat ngulë bigë n’mendje ky shqetësim i françeskanit Zef Pllumi, “hem me giuhë e hem me fe tjetër”, për “ishullin” e Voskopojës, e cila po bdarej larg syve te polemit, atje ne jug-lindjen tonë të skajme.
    E ndofta, bash falë këtij shqetësimi, u ngjiz ajo klimë vëmendjeje e alarmi njëherësh, e cila poqi kushtet qe ne Shqiperi, ne Voskopojë, të mbërrinte nje nder organizmat më aktivë te trashegimise kulturore në lëmin frëng: “Patrimoine sans frontiere”.
    Sidoqofte emri i Zef Pllumit ka mbetur i lidhur pazgjidhmenisht me disa nder monumentet me kuptimplote e stoike te historise s’Arbenise: me Rodonin, Pëdhanën/Pllanën, Rubigun, Shirgjin; monumente ne Shqiperine veriake keto, t’cilat duhet me qene te detyrueshme per t’u njohur e për t’u vizituar sa nga nxenesit e shkollave aq edhe nga autoritetet ne rasë festash kombetare. Njohja mire e tyre mbetet njeri nder garantet me te sigurte per ndryshimin e vizionit historik mbi truallin arbenor, vizion ky qe sot percillet tejet i labërguar e i mugët nga njeri brez ne tjetrin.
    Shkeputja breznore qe edukata nacional-komuniste ia doli të përmbushte ne gjysmëshekullin e terrtë qe sapo u sos, rëndoi edhe mbi ate pjese te monumenteve te ashtuquajtura “monumente-deshmitare”. Historine nuk mund dhe nuk duhej ta deshmonte kurrkush tjetër pos Historianit te Madh. Njëlloj si me hierarkinë në përparësitë e restaurimit të tyre. E sakur n’Shqiperine e diktatures restauroheshin me dhjetra e qindra objekte çdo vit, disa nder “çelësat” per hapjen e enigmave historike ishin lënë nergut me u ndryshkë. Kurrnji restaurim te Kishë e Kastrioteve ne Muzhlin e Skenderbeut, Rodon; assesì nje nderhyrje ne Manastirin e Shirqit, “ku janë vorruar mbreterit e Shqiperise” siç relatonte Bogdani; le më ajo harresë fatale e Mungadës se Rubikut/Rrbigut, ku edhe në shek. XIII sikunder ne te XII, fisnikeria e përparuar vendore ngrinte dorajdorën struktura te pavarura qofte nga Bizanti, qofte nga Normanet.
    Nder keto monumente veriake saku ndër dhjetra te tjere kësisoj, rrotull Krujes e Durresit, ne Mirdite e Malesi te Madhe, ase ndër brigjet e Bunes zemërgjerë, të lëshuara krejt n’dorë te fatit, bash ndër ato rremba te ngurosura rrjedh limfa e historise sone t’vertete. Te asaj historie qe të le gojehapët e qe, ne rastin me fatlum, ti mund ta mbash vesh veç nga ndonje relikt njerezor i Shqiperise së “para-kijametit” - sikunder shfaqet sot, me zhgunin e tij skamnor, At Zef Pllumi.
    Enigma e Muzhlit te Skenderbeut
    Ne mesjeten e hershme dhe nder portulanet e detareve mesdhetare ky vis del me emrin s. Nastasiam a li Rodoni - per nder te virgjereshes se krishtere Anastazì, martirizuar qe ne shek. IV. Për Topiajt qe punë e lehtë ta zoteronin kete kep te rendesishem, kjo edhe per shkak te përafrisë fetare qe ata paten me popullaten lecenis-letenis (latine). Nuk dihet me saktësi qysh Gjoni I Kastriot, i jati i Gjergjit te Madh shtiu ne dore Kepin e Rodonit, duke siguruar kështu daljen ne det per principaten tij te vogel, por të rrebtë. I biri, Skenderbeu, deri në t’mbrame të ditëve t’veta ngulmoi me zell te admirueshem, jo vetem te ndertonte nje keshtjelle ne instauratio loci Rhodonorum (dhe per kete u patën bërë disa projekte), por deri edhe ngritjen e nje qyteti te tere: Kjurrilin. Sot pakmos dihet per planet e Kastrioteve dhe arkeologjia nuk ofron ndonje të dhënë të rëndësishme, pasi germimet e rregullta ne Rodon ende s’kanë marrë udhë, porse deshmite e Barletit bejne me dije se Skenderbeu udhakonte shpesh në kep n’periudha paqeje, kurse sipas Fabianitzit, Mamica, “motra e Skenderbeut kish blatuar ne kete vend nje manastir per murgeshat e Shen Kjares/Klares”.
    Manastiri, ndonese i ngallmuar, mund te shihej ende kur e vizitoi konsulli Ippen, por emri i ketij manastiri ruhej edhe ne toponomastiken e zones. Në të ish ngulitur emri i Kjarës (sot ne trajten Qare). Dokumentat françeskane brendambajnë ende surpriza edhe mbi figuren e vetë Mamices.
    Ne vere te vitit 1998, Zef Pllumi i kish hyrë punës, e madje prej do kohësh, për te nxjerrë nga pluhuri i harreses kete truall te rrallë per historine tone (foto1). Me konsulencat perkatese, kishte bere pastrimet e dherave ne disa vende te kalase se Skenderbeut ne Bishtin e Muzhlit dhe teksa bënte t’njëjtën gjë ne Kishen e Shna’Ndojt (Sh’Nastazja e dikurshme) kreu nje zbulim qe për nga rëndësia i kapton kufijte e Shqiperise. Ne absiden pas lterit/altarit gjeti emblemen e Kastrioteve, shqiponjen dykrençe, ne nje afresk origjinal te shek. XIV (kjo me pas u vërtetua edhe nga specialiste italiane). Ish e para here qe ne Shqiperi gjendej emblemea e Kastrioteve, bere pikërisht në gjallmeni të Skenderbeut.
    Ne dyshemene para altarit u gjeten dy varre monumentale me mbulese guri te thyer. E ndersa njeri syresh i perkiste Martin Gjonimit (Martinus a Gionima), kryekustodit françeskan shqiptar te shek. XVII, per tjetrin At Pllumi ngul kembe se eshte i Mamices. Tradita don qe Mamica, ndonese qe grua e forte e luftarake, u shua ne Rodon e jo ne beteje e mandej u varros aty bashke me femijet e saj si flí e një epidemie. A eshte varrosur Mamica ne kembe t’atij altari e n’atë kishë qe ajo vete ia blatoi françeskaneve? Pergjigjen ndofta e marrim nga muri me hark i absides prej nga sheh nje grua qe kaleron lirshem, ne gjysmëbust e me flokun qe i derdhet (foto2).
    “Asht Mamica? Kete duhet me e zhbirilue historianet e artit” thote Pader Zefi. Ishte zbulimi i tij i radhës.
    Pjesa tjeter e daljes ne drite t’asaj kishe tashmë dihet. Në përurimin madheshtor te hapjes së kishës së restauruar mori pjese edhe presidenti shqiptar bashkë me mjaft autoritete ndërkombëtare. Pader Zefin, kryerestauratorin e Kishes së Kepit t’Rodonit, pakkush e pa ate dite. Rrinte ulur krejt ne fund, i pafjale e buzeqeshte me nje fshatar qe diç i tregonte – i permbahej prunjtas dogmes së tij skamnore.

    Kisha e Pëdhanës/Pllanës
    Kur kapton lumin e Matit per ne veri, mbi uren madheshtore te Zogut, realizuar prej inxhinjer Gjadrit, lart ne te djathte ndodhet fshati i Pllanës (quhej Pëdhanë deri ne shek. XIX). Toponimi të ndërmend ate rrah, atë pedane natyrore qe shpalon zona, menjehere mbi fushen e Myzjes, nga lartesite e se ciles mundet te rroket horizonti i pamatë dhe pamja e begatë e fushave qe shtrihen deri ne detin Adriatik. Ne fakt Pllana, anipse ka perqendruar ne emrin e saj toponimine e nje zone te gjere, nuk i gëzohet dot kësaj pamjeje, ngaqë vetë është strukur pas nje kodre per t’i shpetuar ererave te forta te lugines se Matit. Pamja magjepëse shfaqet pak me tutje, aty ku ndodhen rrenojat e Shen Kollit, asfare të restauruara. Vetem ahere e kupton pse Principata e Arbenit u perqendrua në kete brez e në këtë lartesi, sikunder edhe ne Krujë. Kësodore merret vesh edhe për se ne Mesjete e në Mesjete t’Vone vendbanimet e Pllanes, Blinishtit, Merçinjes etj. moren atë rendesi te madhe. Kurrmos një fjalë nuk u tha në historigrafine zyrtare te komunizmit per keto vendbanime, të cilat mbajten gjalle ethnoi-n arbanor pergjate gjithe kohes se mesme. Cili nder nxenes te sistemit arsimor shqiptar e di sot se Shkollat e Para Shqipe u hapen ne Velaj te Lezhes dhe Pllane ne vitin 1638? Po që gymnasium-i i pare u hap ne Blinisht me 1639? Askush.
    Sot Pllana eshte nje fshat i mjere e i zhytur ne varferi, me popullsi relativisht te re e te prekur thelle nga mërgimi. Popullata e dikurshme u shkrand nga një epidemi murtaje aty nga fillimi i shek. XVIII, por Mirdita e rrëmbushi fshatin perseri me gjind. Per ne kishen historike te fshatit nuk ka rruge makine. Ndonese e shkurter, edhe ne kembe nuk eshte e thjeshte të përshkohet, por me te mberrirë aty, e kupton pse kisha i paskesh shpetuar shortes së shkaterrimit t’plote qe pllakosi mbi te gjitha kishat e Shqiperise Veriake: ajo pati fatin te restaurohet nga italianet, pak para luftes. Nje portik i varfer neoromanik me tulla te kuqe u ka bërë strehë e mbrojë afreskave të mrekullueshme qe ndodhen mbi t’vetmin mur origjinal te kishes mesjetare.
    Në Pllanë At Zef Pllumin e njohin te gjithe. Fshati i përgjumur zgjohet kur ai shkon aty dhe femije te panumert dalin e i vijne mbrapa. “Skam çfar me ju dhane!” thote duke treguar duart e tij te medha. Merret me mend se ne vazhdën e traditës së françeskaneve t’medhenj te shek. XIX dhe XX, Zef Pllumi di ku vinte dorë. Kishte parë e prekur koleksionin e Gjeçovit dhe kish mesuar me Fishten. Ne kuvendin e Shkodres ndonese teper i ri, kish shkelqyer dhe i qe besuar te punoje ne arkivin e Bibliotekes Mitike Françeskane. Pllana është per te nje urë-lidhëse kulturore e Shqiperise shtadmylerjane te prapatokes dhe t’asaj arbanore te bregdetit. Shqetësimi i tij kryesor ishin afreskat anzhuine qe qendronin nen Shen Gjergjin, me mbishkrimet e murgjve te shek. XVI-XVII të inçizuara ne suva. Brenda, ne nje diptik eshte Shen Barbulla/Barbara qe i ka dhene emrin jo vetem kishes, por edhe mjaft femrave te atij vendi. Këta janë shenjtore te vjeter qe lidhen posaçerisht me liturgjine e prapatokes. Ne keto vende pak te njohura ka rrenje fort te hershme, mjaft të shohësh afresket qe paraqesin Doktoret e Kishes.
    Mbeti i kenaqur kur restaurimet u kryen nga nje ekspertize italo-shqiptare. I pa ato punë dhe tha: “Ashtë fillimi, vetem fillimi”.

    Mungada e Rrubigut/Rubikut
    Mungadë (mung-munk-monk-murg) sikunder murgadë-mërgatë ne toskeri, do te thote Manastir ne shqipen e vjeter. Asnjeri nuk e lidh sot mungadën me mërgimin, porse rrenja eshte e njejte. Aty, ne bigën (rrbigën) e bashkimit te dy Fandeve (Fandi/Fani i Madh dhe Fandi/Fani i Vogel) qe krijojne Matin ngrihet kisha e Rubikut.
    Ja një pjesë letre e Zef Pllumit, kur ishte i pamundur për ta ndjekur personalisht dhe in loco ndërhyrjen delikate në absidën e stërmoçme të saj: “Ka gjashtë muej që jam ndry ktu në Kalá të Shkodrës, si Karagega dikur motit, sepse pleqnia e shtyme dimnin paska ma t’madhin anmik, jo që pa drita, pa zjarm, pa ujë po âsht tepër e vështirë jetesa, ndërsa ktu së paku zjarmin e ujin i kam të sigurueme. Megjithëkëta, interesa për monumentet nuk më largohet nga mendja, edhese nuk kam mundësi tash për tash. Vjen fjala te Rrubigu. Më ka thanë Superiori i ynë Atë Flavio Cavallini, se jeni në marrëveshje për restaurimin e absidës së Kishës të Rrubigut, si edhe gërmimet që do të bahen në presbiterin e saj... .”
    Ngulmimi i gjate i Zef Pllumit kishte vënë në lëvizje edhe austriaket te cilet, ne bashkëpunim me restauratoret shqiptare, kryen nje nderhyrje shpetuese per afreskun historik te Rubikut.
    Kritikja bjelloruse Puzanova, themeluese e restaurimit te artit bizantin e post-bizantin ne Shqiperi, veren se afresku i Rubikut mund te interpretohej ne çeles komnen, gjithë sipas afreskut te bere me vitin 1164 ne kishen e famshme te Nenrezes se Shkupit. Ne fakt Rubiku pikturohet nje shekull me vone, ne shek. XIII, por ka rendesi themelore per historine e asokohshme të Arbenise, pasi aty permendet Kapiteni i Arbënve Andrè Vranaj. Titulli kapiten ishte me origjine normane ne territor, por n’atë kohe sipas burimeve zona kontrollohej nga fisnikeria vendase, ndonese selia e titullit qendronte ne Durres. Vranaj me 1267 e shkaterroi dhe e shkrumboi Rubikun. Ky qe demtimi i parë i rëndë i kishes, por që nuk u përkeqësua deri ne kohe te socializmit, kur gazrat e uzines se pasurimit te bakrit që u ngrit atypari, i dhanë goditjen e mbrame afreskut te ribëre në vjetin 1272, ngase tjetërsuan kimikisht perberjen e tij, e per rrjedhoje edhe ngjyrat.
    Sipas Jireçekut, kisha qe perbente nje grup me kishen e Vaut te Dejes dhe Kallmetit, i ka fillesat e saj qe ne kohe te perandorit Heraklit (shek. VII) e ndofta edhe ne kohe te Justinianit (shek. VI). Mbi kishe qendron “Kalaja e Xhudhinjve/Hebrenjeve” dhe ne Mesjeten e vone u ngrit dhe nje hospic per pelegrinet, e kësisoj mungada mori rendesi nderkombetare. Ky qe dhe njeri nder motivet qe vete At Gjergj Fishta, ne rolin e arkitektit, projektoi dhe realizoi fasaden kryesore te kesaj kishe, e cila u ndërtua ne bashkepunim po me austriaket, ne vitin 1901.
    “Ruajtja e Kuvendit te zhgatrruem asht hapi tjeter per me shpetue kete dishmi historike” insiston ende sot At Pllumi – “Ai natyrisht nuk mund te perdoret ma si kuvend, por do kish mujt me u perdore si muze fare mire”.

    Shirqi/Shirgji në breg të Bunës
    Rrenojat e kishes se Shirqit sot qendrojne ne kembe. Nuk do t’i kishin bërë ballë permbytjes se paparë në dimrin e vitit 2003, po t’mos qe për ngulmin e fratit të madh, në luftë edhe me institucionet, që të krijohej nje pendë betoni ne kembet e Buenes/Bunes. Te flasesh per rendesine e manastirit kushtuar shenjtoreve Sergj e Bah/Baft ne shek. VI nga iliret, nuk del nje monografi e tere, por edhe te permbledhesh ne pak rreshta letrat dhe perpjekjet e Pader Zefit per te shpetuar gjurmen e fundit te manastirit te dikurshem – deshmi e Rabanes/Arbanes mesjetare dhe antisllave (shek. XIII) deri kur kamejkami turk e shpall manastirin prone perandorake, per të reshtur grindjet shqiptaro-sllave (shek. XVIII) – duhet qendruar gjate. Ndonese qe nga 2001-shi, eshte bere zakon qe ministrat e kultures te bejne vizita ne rrenojat e manastirit te Shirqit (Uruçi, Dade, Leskaj), asnje fond nuk eshte dhene per te ndërmarrë të domosdoshmet germime arkeologjike rrotull rrenojave. At Zefi, pa funksion te larte drejtues ne hierarkine fetare, pa para e pa biznese, dhe ç’eshte me mbreselenesja tetëdhjetëecavjeçar, u mbështet veç hierarkinë e tij shpirterore dhe në karizmën vetjake. Si kurdohere, nami u befte, por vlerat kombetare para se gjithash! Dikur ne Rodon prishte uren e kepit qe te mos vidhej pylli ne dimer dhe e riparonte perseri ne pranvere, kur njerezit nuk kishin më nevoje per dru. Sa i madh! Letrat ankuese drejtuar institucioneve se ai pylli mesjetar po hupte ishin nje veprim i kote.
    Shirgji sot për sot eshte jashte rrezikut – dhe kjo fale Pader Zefit – por fatkeqësisht asnjehere nuk eshte germuar e as restauruar, ndonese ne te «jane vorruar mbreterit e Shqiperise» siç shkruan Bogdani, dhe ndonese sipas E. Armaos eshte monumenti me i rendesishem i Shqiperise Veriore.
    Nëntoka e Shirqit ndryn e ruan gjurmet e manastirit, panegjirit, varrezave, doganes dhe portit lumor te dikurshem. Prej tij pak ka mbetur mbi toke, veç nje mur me klasonazh me një dritore të stilit gotik në të. Marubbi e fotografoi ne vitin 1906 dhe ate kohe kisha me gjithe mbishkrimet e saj ishte ende e lexueshme; prej rrenimit të saj t’ngadalte e t’paprerë sot, pas nje shekulli, ka mbetur i naltuar veç një mur kryeneç. E ai mur i mugët e i moçem, qe shquan fillikat ne horizontin e shkarë te Bregut’Bunës duket sikur eshte At Zef Pllumi.

  8. #38
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Presidenti Alfred Moisiu, dekoron At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit"


  9. #39
    mall Maska e bili99
    Anëtarësuar
    05-04-2007
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,804
    Lavdi At Zef Pllumi

    S'ju perkule padrejtsise ,
    O, Pader Zef, soj i trimit.
    Bire besnik i Shqiperise,
    O, Qiriri i Naimit.

    Nisa n'engjuj te besoj,
    Tash per Ty une qe di.
    Dhimbja shpirtin ma pushtoj,
    Lavdi Pader Zef, Lavdi.

    Gjalle ti mbajte te verteten,
    Shume dhimbje Ti durove.
    E fale si drite gjithe jeten,
    Sojin njerezor shpetove.

    Qe te them se jam njeri,
    shqiptar pse jam , ta di.
    Me meson te mbroj drejtesi,
    Lavdi Pader Zef, Lavdi.

    Nje rruze gjaku yt na vlon,
    Jete e vdekje m'japin shprese.
    Jane misteri qe na shpeton,
    Shqiptaria gjalle do mbese.

    Keto vargje nga mergimi,
    Ti coj bashke me nje pike lot.
    Te te them se je Engjull i imi.
    Ti ma mbush zemren plot.

    A ka engjuj une sot e di,
    I ndershmi, Ti ma vertetove.
    Lavdi Pader Zef , Lavdi;
    Perjetesine sot fitove.


    Lavdi jetes dhe vepres se te ndershmit Pader Zef Pllumi,
    Jetoi nje jete plot dhimbje, per kuptimin e nje fjale DREJTESI qe OH... sa vone mberrini shpirtin e pastert te ketij njeriu te rralle .

    Me nderime,
    Xhabir Alili
    Ndryshuar për herë të fundit nga bili99 : 29-09-2007 më 10:38

Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234

Tema të Ngjashme

  1. At Zef Pllumi - Deshmia e se Vertetes
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-04-2015, 19:34
  2. At Zef Pllumi - "Rrno vetem per me tregue"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 27-12-2013, 18:13
  3. Atë Zef Pllumi - “Nderi i Kombit"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-07-2006, 18:25
  4. Rrno per me tregue - At Zef Pllumbi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •