Close
Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 39
  1. #21
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Detyrim moral Brari, ose te pakten une e ndiej te tille.
    Mendoj se e ke njerzillek dhe detyrim ndaj te vertetes. Gjithsesi eshte nje teme qe flet sa shume e shume e shkrime gazetash e uleritje te kota. Te vret ne heshtje...nga perbrenda

  2. #22
    mall Maska e bili99
    Anëtarësuar
    05-04-2007
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,804
    ..Falemnderit per "Detyrimin Moral"...qe je duke e kryer... Te lumt...me njerez si Ti ..Si BARAT...dhe shume te tjere qe sjellin te verteten e hidhur, padrejtsine , hedhin drite ne krimin e zbuluar...e shperndajne te gjithe kete informacion testament te vuajtjes njerezore dhe padrejtesise...prekin shpirtin e njeriut..keshtu e bejne me te ndjeshem per qenjen njerezore. Keshtu i pritet rruga perseritjes se krimit...keshtu i dilet zot njeriut..te vertetes...drejtesise...Rrofsh..qe ke sjelle kujtimet e nje engjulli te vuejtun per vendin e vet...ne lekuren e vet....At Zef Pllumi

    Shpirt fisnik

    Ti rro ti ndalish rrugen mashtrimit,
    amanetin e vuajtjes te shpetosh.
    O gjak fisnik, o gjak i trimit,
    Perjetesi te vertetes ti dhurosh.

    At Zef Pellumi me rreze dielli,
    Drejtesise Ti i mbajte Besen.
    Ta marre vesh toka dhe qielli,
    Per shpirtin fisnik dhe qendresen.

    Kur kasapi Atdheun ta theri,
    O, misionar per drejtesi.
    Dashurine per vendin nuk ta shteri,
    O ENGJULL O NJERI.....

    Me nderime dhe perkulje per vuajtjet e trupit dhe shpirtit shqiptar nen ferrin komunist....me nderime per At Zef Pllumi

    Xhabir Alili

  3. #23
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Ndalja dhe leximi ne kete teme eshte po me aq vlere sa postimi i materialeve brenda saj. Pas leximit dhe nxenies vjen perhapja e fjales e keshtu mesojne me shume njerez per sa ka ngjare ne menyre individuale. Per aq kohe sa librat e historise akoma nuk permbajne te verteta te kesaj natyre dhe ne televizion transmetohen filma te kohes se xhaxhit, nuk denohet ajo kohe, te rinjte nuk eshte per t'u habitur qe si tani ne nje pjese te mire te tyre flasin per sa drejtues i mire shteteror ka qene xhaxhi E.H. Dhe nje nga kontributet qe mund te jepet eshte ai individual. Keshtu e interpretoj une dhe temen e BARAT-it qe i lumte dora i lumte!

    Per kete teme ku po lexohemi mbetet ta perhapni fjalen per ata qe nuk jane ndalur akoma ne te.

    Mirulexofshim!

  4. #24
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    PORTRETE TE NDRYSHME TE BURGOSUNISH

    Fq.196

    Lexues i dashtun, që në fillim të këtij kapitulli due me deklarue se ata shka po shkruej nuk mund jete vetë realiteti, por vetëm përshtypjet e mija personale ose edhe të një grupi që mendojshin si un. Nuk kam ndërmend të fyej kurrnji njeri e aq ma pak ta akuzoj. Në këtë kapitull due me ba vetëm pjesën e nji ciceroni që u shoqnon në nji galeri artesh figurative, sigurisht jo n’ato të perandorëve e mbretënve, dukëve e papëve që gjinden në Versaje, British Muzeum, Tetriakovski, Eskurial apo Vatikan, por në nji galeri të errët burgjesh, ku tirania, për qëllime të veta të caktueme, bashkon gjithfarë tipash njerzorë. Në të vërtetë mund ishin të panumërt, por kam zgjedhë në përshkrim ata që i rrijnë ma afër shijeve të mija personale.
    Këtu nuk kam ndërmend të përshkruej asnji prift katolik, përse të gjithë ata ishin të dalun nga shkollat klasike greko-romake, ku formoheshin tipe si të Likurgut o Mucius Scevolas, me përjashtim të ndonji firauni. Vetëm mendoj t’u shoqnoj në nji galeri t’errët, ku tirania kishte bashkue në nji vend të vetëm, me kondita të barabarta, ajkën e kulturës shqiptare, me kulmin e naivitetit të ndershëm injorant shqiptar, si dhe me të gjithë të poshtërit e jetës shqiptare. Sigurisht që nuk asht e kollajtë, por vullneti i mirë kalon pengesat.

    Mehmet Isufi. – Kur e njofta së pari në Reps të Mirditës ai ishte nji burrë i ri çalaman, me tipare fizike të njeriut dhelpnak që të kujtonte fjalën e malsorëve tonë të vjetër “nji çalaman asht tri herë shejtan”. Kishte nji shkollë të mesme mekanike, nga e cila, kur e kishte mbarue, qe emnue drejtues i nji eskavatori “Voronezh” t’ardhun aso kohe në Shqipni. Tue kenë beqar e kishin caktue ndër katundet e Shkodrës, ku me dashuni të profesinit kishte punue shumë vjet. Jeta e puna në ato vende, ku hapte kanale, e kishte njoftë me shumë njerëz, me të cilët ishte lidhë me miqësi e dashuni. Nga origjina qe çam nga Konispoli, por që tashma, ishte shartue me zakonet, virtytet, veset e mendimet e fshatarëve katolikë. Për ta kishte fitue simpati aq sa i kishte shkue ndër mend edhe me lidhë jetën me ato njerëz. Për rrethana të ndryshme, të cilat nuk i parashikon arsyeja e zemrës, ai u martue me “shkuesi” me nji vajzë të bukur nga familjet qytetare të Shkodrës, që natë kohë kishte mjaft fuqi në jetën politike, kështu që u sistemue në qendër të qytetit, me familjen e tij të re. Por në jetë punët nuk shkojnë gjithmonë ashtu fjollë-fjollë, sepse fryjn shpesh edhe ernat e kundërta. Me vdekjen e Drejtorit të Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitit, vdekje që ndodhi në rrethana shumë misterioze të Sigurimit Shqiptar, ai e pa veten të ndjekun gjurmë për gjurmë, sikur pothuej të gjithë çamët n’atë kohë. Mendoi të arratisej dhe fati ia pruni në derë. Në kohën kur filloi puna për realizimin e projektit për ndërtimin e minierës së Gjegjanit, afër Kuksit, ai shfrytëzoi rastin që ishte aty afër kufinit dhe kaloi në Jugosllavi. Atje e burgosën si “agjent të Sigurimit” dhe mbasi i bane nji hetuesi me tortura të vështira, e kthyen në Shqipni bashkë me ndihmësin e tij, Zijadin Fterën. Besoj se kurr nuk ka me u dijtë e vërteta mbi bashkëpunimin sekret ndërmjet Sigurimit Shqiptar dhe UDB-se Jugosllave, sepse burgjet e të dy shteteve ishin plot e përmaje me njerëz fatzij që kishin ra viktima të këtij bashkëpunimi sekret. Mbas të gjitha ktyneve proceseve gjykata këtu e kishte dënue me 20 vjet burg. Ndërkaq duhet përmendë se në çastin kur ai ishte arratisë e kishte lanë gruen shtatzanë, dy muej para lindjes. Përmes miqve të burgosun shkodranë, dikur merr vesht se prej saj i kishte le nji djalë, por grueja, e shtërngueme nga familja, e kishte divorcue e ishte martue me nji tjetër. Këto ishin hallet që i randojshin ma tepër se sëmundjet, siç ishte damtimi i nji unaze të shtyllës kurrizore, shkaktue prej rrximit nga skelat e katit të katërt, si dhe sëmundja e kolitit që i jepte dhimbje të mëdha në bark. Përpjekjet e mia për te ishin vetëm “qetësimi i dhimbjeve” me anë të fjalëve e këshillave, sepse dhimbja e shpirti njerzor asht shuma ma e fortë se ajo e trupit. Këtu kisha parasysh gjithmonë thanien e Hipokratit të urtësisë greke se “Njeriun e shëron ilaçi, thika o zjarmi ose fjala e mirë”. Kur, mbas operacionit të stomakut pata krizën e ngatrrimit të zorrëve (illius) dhe më shtruen në infermjerinë e vogël të kampit, gjeta të shtruem edhe Mehmetin. Ai vuente vetë prej dhimbjeve, por kur më pa mue në atë gjendje e harroi veten, u çue nga shtrati, tepër i preokupuem për jetën teme e përpiqej me çdo kusht të më zgjaste jetën edhe atëherë kur un kishem humbë ndjenjat e nuk kuptojshem kurrgja se ç’po ndodh. Vetëm kur u ktheva i shëruem nga spitali mora vesh gjithshka. Asht e natyrshme që qysh atë ditë fitova nji besim ma të plotë ndaj tij, të cilin e ruejta gjatë gjithë jetës që kalova në burg, mbasi shumë vjet vazhduem dënimin së bashku, tue i u gjetë shoqishojt përherë, kryesisht me ndihmë morale, sepse të dy ishim pa ndihma ekonomike. Nji ditë po më thotë:
    - Gani Tartari, Kryetar i Këshillit të Riedukimit, ti e njeh, është dënuar me grupin e Teme Sejkos, më ofroi të punoj si berber i kampit. Nuk pranova, megjithëse kam shumë nevojë, mbasi ai vend pune është shumë i favorshëm për mua dhe paguhet mjaft mirë.
    - Pse nuk e pranove?
    - Si ta pranoj? Ti e di vetë se punëtorët e prapavijës janë të gjithë njerëz të komandës. Këtë gjë e kam provuar tash sa vjet në burg e nuk dua të përlyhem.
    - Mendoj se mund ta bajshe mirë punën e berberit dhe nuk ke nevojë me ba edhe punën e komandës. Në se ke aq të folun me Ganinë thueja troç: berber bahem, por spiun i komandës jo.
    - Po hyra aty, do të flasin të burgosurit.
    - Sigurisht që do të flasin. Ti e din mirë se nga vetë njerzit e komandës shpërndahen fjalë vesh më vesh për të gjithë të ndershmit: “Rueju atij sepse është spiun”. Jo vetëm këtu në burg, por edhe jashtë, Sigurimi ka përdorë edhe këtë metodë për izolim të shumëkuj; sigurisht që përflasin edhe për mue e për ty edhe për njerëz ma të ndershëm. Ndigjo djalo, nji fjalë e urtë thotë: “Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurr”. Kanë folë për Krishtin e për Zojën e nuk do flasin për ne? Më ndigjo mue: punën e mirë bane, por të keqen kurr. Ti e njef Ganinë? Më kan thanë se asht këpucar. Ç’punë kishte ai me Teme Sejkon?
    - Eshtë çam nga Konispoli. A nuk e din ti se „Grupi i Teme Sejkos“, ashtu si u vu në skenë me gjyqin e madh, është një trillim prej të cilit ranë viktima të gjithë çamët, ashtu edhe vllehët?
    - Nuk besoj. Ballafaqimi me Bashkimin Sovjetik nuk mund të kalohej aq lehtë. Ti e di se ç’asht KGB-ja?
    - E di mirë se Bashkimi Sovjetik është një superfuqi që nuk çante kokën as për Shqipërinë e aq më pak për Enver Hoxhën, si nuk çau kokën as për Budapestin e as për Pragën, por u hyri me forcë brenda. Ajo vetëm me flotën që kishte në Orikum e zaptonte këtë vend për tri orë. Hrushovi, në takimin sekret me Kenedin në Vjenë, u angazhua që të tërhiqej nga Pashalimani, mbasi ishte një bazë tepër e avancuar e shqetësuese për perëndimin. Këtë kompromis Enveri e quajti tradhti. Sovjetikët u larguan vetë e nuk i nxorëm ne, për më tepër, që ta dijsh ti, ata u larguan pa iu kontrolluar asnjë valixhe dhe kështu, me rrogat e larta trifishe që kishin këtu, blenë të gjitha visaret e gurë të çmuar, unaza, bylyzykë e varse që kishin teprue në syndyqet e grave, duke e lënë këtë vend në varfëri të madhe. Prandaj Enveri kërkonte me doemos që Sigurimi i Shtetit, si dhe Forcat Ushtarake të dilnin para botës me një propagandë të madhe ku të paraqitej „Epika Shqiptare“ kundër një superfuqije. Këto sendërgjime u organizuan nga Sigurimi i Shtetit. Kam folur me të gjithë çamët e mi. Më besojnë se kanë njohur babanë tim, Azem Beun, që ishte tmerri i grekërve. Janë të gjithë të pafaj, të gënjyer e të marrë në qafë.
    Me sa më kanë treguar kjo histori ka një fillim. Me rastin e vdekjes misterioze të Gjeneral Hilmi Seitit, çam edhe ky, në funeralin e tij madhështor, në Shkodër, muarën pjesë, pothuaj, të gjithë çamët. Në këtë kohë, nga organet e larta, i propozohet Admiralit Teme Sejko, një plan. Partia e Pushteti, i thanë atij, gjinden më ngusht se kurr, sepse deri më sot për të gjitha arritjet i janë lënë nderet e meritat Bashkimit Sovjetik. Në këtë gjendje të re kërkohet një propagandë madhore për t’i mbushur mendjen botës dhe vendit, se ishin nëna Parti e shteti që sundonin në Shqipëri dhe jo rusët. Prandaj ishte bërë plani që të akuzoheshin disa autoritete ushtarake e civile, kryesisht më afër Pashalimanit, të cilët, të lidhur me sovjetikët, kërkonin të rrëzonin pushtetin në Shqipëri. Iu tha se kjo akuzë ishte krejtë imagjinare mbasi Partia e dinte se nuk kishte asnjë armik në Shqipëri. Prandaj akuza që bëhej duhej pranuar si një detyrë Partie. Natyrisht, ajo, duke e ditur të vërtetën, do të zhvillonte një proces të gjatë, ndërsa trajtimi i të „akuzuarve“ do të ishte shumë i mirë, i priviligjuar, por sekret. Do të bëhej një gjyq publik, i cili pasi të provonte “fajsinë“ do të jepte vendimet, që nuk do të zbatoheshin kurr, mbasi e vërteta ishte tjetër dhe këtë e dinte Partia.
    Admirali Teme Sejko, që nuk dinte edhe aq mirë se ç’ishte Sigurimi i Shtetit, pranoi që të sakrifikohej për Partinë. Atij nuk i shkonte aspak ndërmend se edhe miku i tij, të cilit i shkoi në funeral, ndoshta ishte viktima e parë e këtij plani djallëzor.
    Procesi filli e në te dukeshin personazhe të tjera, me rëndësi e pa rëndësi, u paraqitën dëshmitarë të çdo lloji. Ata që nuk pranuan u eliminuan gjatë procesit, midis të tjerëve edhe Taho Sejko, në atë kohë drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës. Ta kam treguar edhe një herë se e kam parë me sytë e mi dhe kam lexuar letrën që ai Hoxha ynë i çamëve N.N. (kështu quhet, sepse kishte bërë studimet e larta në Rumani) dhe ishte kryeredaktor i „Zërit të Popullit“. Letra ishte kjo:
    „Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së. Detyrën që Partia ma ngarkoi mua e kam kryer me devotshmëri. Nuk e kuptoj pse më mbani gjithnjë të mbyllur këtu etj. Etj... Kërkoj ndërhyrjen tuaj”…
    A e sheh deri ku kishte arrijtë idiotësia e quajtur „ideal i Partisë”? Në këtë grup kenë edhe disa krerë, siç ishte Tahir Demi. Për atë u kurdis një kurth i poshtër. Shihe atë Nashon, atë brigadierin e çobanëve, Nasho Gërxhon. E sheh? Si të duket? Me që çobanët i kulltonin bagëtitë deri në kufirin grek. Brigadieri i tyre, Nashua, ishte njeriu më i besuar i Sigurimit. Këtë Nashon e thirrën një ditë në Sigurim dhe I thanë: “Nasho, ti do të takohesh me kryetarin Tahir Demin”.
    “Po pse unë me këtë punë! Jemi çobenj të pashkollë që nuk dijmë të numërojmë as dhëntë e jo të flasim me të mëdhenjtë.”
    “Ti je artist, or Nasho, e dimë ne që të emëruam brigadier.”
    “E ç’më duhet mua ta takoj. Unë që merrem me dhentë?”
    “Po jo, që duam ne, prandaj u kemi vendosur aty. A e kupton se n’ato poste mund të vendosnim edhe të tjerë?”
    “Këtë e di dhe ua kam borxh.”
    „Atëhere ja si do të veprosh. Ditën e hënë, ora dhjetë, do të shkosh në klubin e fshatit X. Aty do ta bllokosh klubin dhe do t’i njerrish të gjithë jashtë.”
    “Të bllokoj klubin? S’kam para.”
    „Po ja, ku jemi ne që paguajmë. Ja njëqind mijë lekë.”
    “E ç’të bëj me to?”
    “Nxirri të gjithë nga klubi. Njerzit do të ankohen. Ti rri aty e mos ia hap derën asnjërit, përveç Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv.”
    “A vjen ai?”
    “Vjen se s’bën. Do të alarmohet pak çështja dhe kur të vijë ai, ti thuaji se nevojat e dhënve nuk janë si ato të zyrave, o të grupeve artistike. Kërkoji edhe ndonjë grup artistik për barinjtë. Ç’të keqe ka këtu? Je dakort?” “Po.” “Ja dhe njëqind mijë lekshin për të bllokuar klubin për dy orë. Ama, në bisedën tënde me Kryetarin nuk do të jetë asnjë njeri.“
    Kjo skenë u realizua me të vërtetë. Përfundimi: akuza kundër Tahir Demit e cila provohej nga dëshmitari kryesor Nasho Gërxho i ndjekun nga 10-15 çobanë të tjerë.
    Vetëm mbas dënimit me vdekje të dhënë nga gjykata, Teme Sejko e muer veten, la në një anë idealin e Partisë e u bashkua me realitetin e jetës. Simbas procedurës ai kishte të drejtën e “fjalës së fundit”. Vetëm aty foli si duhej. Deklari se kjo ishte një detyrë që ia kishte ngarkuar Partia, se ai nuk kishte zhvilluar asnjë aktivitet politiko-ushtarak me sovjetikët kundër shtetit shqiptar. Deklaroi se ky gjyq ishte i organizuar me kërkesën e Partisë, së cilës ne ia plotësuam edhe dëshirat e fundit, duke sakrifikuar edhe nderin si qytetar dhe anëtar Partie. E gjitha ishte një trillim që vinte nga Partia dhe e firmosur nga ne.
    Kjo fjalë e fundit kje një bombë e papritur e cila shkatërronte çdo veprim të Sigurimit. Tregohej e vërteta dhe demaskohej gënjeshtra e madhe.
    Mbas proklamimit të vendimit që u shoqnua me nji heshtje të madhe, të dënuemit nuk u panë ma me njani-tjetrin. Të gjithë ata që kishin ndigjue fjalën e Teme Sejkos vuajtën pesë vjet izolim, shpesh herë tue u ba edhe “spiunë birucash”, pra tue marrë në qafë të tjerët. Koha 5 vjeçare në izolim do të vlente për me fshi në kujtesën e tyne atë çka ishte thanë në atë seancë të fundit të gjyqit. Kjo ishte dredhia e madhe e Sigurimit të Shtetit.
    Përgjithësisht ashtu ndodhi. Gjatë atyne pesë viteve izolimi në burg u harrue ajo që tha Teme Sejko dhe mbeti vetëm ajo që serviri e shpalli Partia...

    Këto ishin kujtimet e mikut tim, Mehmet Isufi.
    Zhdukja e kujtesës! Kjo donte të thonte zhdukja e së vërtetës për me mbetë në mendjen e shqiptarëve vetëm fjala e partisë. Kështu, e gjithë historia kombëtare, ashtu si letërsia, muzika, artet figurative dhe i gjithë mendimi i njerzve duhej të idjotizoheshin deri aty sa të mos dinin tjetër përveçse gjunjëzimit servil e të devotçëm para idhullit Enver. Ky ishte, pothuej, dami ma i madh që iu ba popullit shqiptar. Po të realizohej kjo ata do tëmbeteshin heroj e na tradhtarë në kujtesën e atyne që do të vinin mbrapa.
    - Këtu e ke saktë, - i thashë. – Atje në burgun e parë në Shkodër kishim drejtor nji burrë të mirë e të ndershëm, edhe pse ishte komunist. Quhej Shyqyri Rrjolli. Mbas pak vitesh si u liruem nga ai denim i parë, ai kishte takue nji kolegun tim dhe në bisedë e sipër i kishte thanë: „Shikjo, djalë, mos të keshë nostalgji për kohën e kalueme. Ajo nuk kthehet ma, sepse sikur sot (bahej fjalë për vjetin 1956) na komunistat t’ua lëshojmë pushtetin në dorë nuk u duhet gja, mbasi e kena ngatrrue ma zi se flokët e harapit. Ju do të kërkoni me i gjetë fijen, po filja nuk mund gjindet as për 50 vjet, sikur të vijnë këtu të gjithë dijetarët e botës.“ Fjalë e urtë sa s’ka përtej.
    Me Mehmetin u takuem përsëri mbas shumë vjetëve, në periferi të Tiranës, në fundin e vjetit 1990, kur mendohej se komunizmi shqiptar ishte në grahmat e fundit. Mendohej se ishim të lirë. Ideali ynë ishte populli shqiptar, progresi e prosperiteti i tij. Mendoi të merrte pjesë në politikë që në gjysën e parë të dhetorit 1990, para se të paraqitej “Partia Republikane” e Sabri Godos. Tue kenë se nuk kishte kurrfarë lidhje as me Ramiz Alinë, as me gjykatësin Rustem Gjatën etj., atij iu kërcënue jeta, prandaj zgjodhi mërgimin politik, ku vazhdon gjithnjim, tue kja me lot, i zhgënjyem, demokracinë e re shqiptare.

    Bajram Hoxha e kishte origjinën nga katundet e Rajcës. Ishte nji burrë I shkurtë, gjithmonë i thatë e i pa fuqi për punë të randa fizike, ndërsa për me hangër ishte i pakalueshëm. Disa herë e patën dërgue në spital të Tiranës për me ba analizat, sepse dyshohej për „shirit“, por nuk i gjejshin gja. Të parën herë e kishin denue se kush e di se ç’kish folë, mbasi buka që i jepte kooperativa bujqësore, sigurisht që nuk i dilte. Tue kenë gjithmonë i uritun, kishte marrë inad në sistemin socialist, tue e konsiderue ate përhapësin e urisë. Gjatë 5 vjetëve të burgut të parë kishte mësue mjaft nga njerëzit e kulturës, të cilët rrijshin me andje me te, mbasi ishte njeri shumë i ndershëm e korrekt, por kishte edhe nji humor të hollë. Atyne që ishin kenë jashtë shteti, në prendim, u bante vazhdimisht pyetje për jetën e lirë në sistemin kapitalist, sepse mendonte se atje edhe malet ishin prej gjalpit, ku merrte gjithkush sa i kishte andje e nuk njifej vorfnia. Tue kenë se në katund të vet nuk kishte kenë i zoti i punëve bujqësore dhe tokën e lshonte përgjysë, atëherë ai bante punëdore si gratë, fanela, çorape etj. dhe i punonte aq mirë, si gratë. Gjatë burgut kjo punë i vlefti shumë, sepse nuk la çorap as fanelë të vjetër pa i mbledhë, i shkrepte, i shprishte dhe mandej i dridhte përsëri e i punonte të reja, në këmbim të ndonji kile sheqeri, voji o makaronash.
    Mbasi u lirue nga burgu i parë e pa mirë se nuk mund jetonte ma i lirë, nën komandën e brigadierit, të kryetarit të kooperativës e të sekretarit t’organizatës së Partisë, prandej vendosi me kthye në burg. Palosi teshat që kish, dyshek, jorgan e ndrresa, i bani deng, i lidhi, i ngarkoi në shpinë e u nis malit të Qafë Thanës përpjetë. Si vendali që ishte e dinte mirë se ku ishte kufini shtetnor, por aty ku fillon teposhtja ndali nji makinë, që po kalonte, dhe e pyeti: „Shok, a di të më thuash se ku është kufiri?“ „Hip, se deri afër Shën Namit të dërgoj unë.” Shoferi e dërgoi në policinë e Pogradecit nga ku filluen proceset hetimore e gjyqsore, nga të cilat do të dënohej 25 vjet. Qeshte tue thanë se tash e kishte sigurue bukën, pa pague asnji lek, ndërsa në kooperativë nuk ia jepte kush. Ndërsa na tjerët thojshim: “Bajram, me sa dijmë na, ajo makina që ke ndalue për me pyetë se ku asht kufini ishte xhipsi i Degës.“
    Gjatë jetës së burgut ai ishte shumë i qetë, i përzemërt me të burgosunit, por jo me puntorët e Komandës, sepse, siç thohej, ata bajshin pjesë në sistemin socialist, të cilin ai nuk e honepste fare. Shpesh herë e pyetshim si me tallje: “Bajram, ti që flet kaq mirë për kampin kapitalist, a je kenë ndonjiherë jashtë shtetit, e ku, në cilin vend?“
    „Në Hamburg, - përgjigjej tue qeshë, - kam kalue aty gjysmën e jetës.“ Me këtë ai nënkuptonte fjalën shqipe: “hamë burg”.
    N’oborrin e kampit ai kishte gjithmonë nji vend të caktuem, ku mbi nji shtroje qëndronte gjithmonë nji tepsi e madhe alumini, mbushun me mbeturinat e bukëve që I mblidhte me mirësjellje të madhe ndër tavolinat e mensës. Kur nuk ishte kohë pune, leximi, ose apeli, ai qëndronte kambëkryq pranë asaj tepsije tue punue ndonji triko o çorapë. Këtë vend ai e kishte zgjedhë mjaft afër stendës ku vendoseshin gazetat dhe nuk ia trazonte kurrkush, sepse ndalohej nga të gjithë. Nji ditë, sapo lexova në gazetën “Bashkimi” rubrikën “Kuriozitete shkencore”, i kthehem e i them:
    - Bajram, ka dalë sot nji lajm në gazetë që tregon se për të parën herë në botë paskan gjetë nji njeri me dy stomakë.
    - Me dy stomakë?
    - Po, a nuk të duket e çuditshme?
    - Ku? Nga asht ky njeri?
    - Nuk e di, nuk shkruhet se ku.
    - Due me ditë se ku, të lutem shko e lexoje edhe nji herë.
    Ktheva, por gazeta nuk tregonte ma tepër. Atëherë i thashë:
    - Bajram, shka po të intereson se ku ndodhet ky njeri, mjafton fakti që ka dy stomakë, kudo që të jetë.
    - Kam dhimbje të madhe për te. Në rast se është në kampin socialist mund të shtyjë ndonjë vit, por në kampin socialist asnji ditë. Unë me nji stomak dhe mezi po jetoj, e jo ai me dy!...

    Kin Dushi. Kishte mbetë jetim që në moshën 10 vjeçare e ishte rritë në nji konvikt shtetnor pranë Normales s’Elbasanit. Gjatë luftës muer pjesë në brigadat partizane, sapo muer dëftesën e shkollës së mesme. Komandant brigade kishte Gjin Markun. U shkrue edhe në radhët e komunistëve, mbasi ata kishin depërtue në të gjitha konviktet shtetnore gjatë kohës së monarkisë dhe të okupacionit italian.
    Në kampin e Ballshit qëlloi të na venë me punue s’bashkut në nji brigadë e në nji skuadër. Ai nuk kishte kurrnji t’ardhun nga familja, për të cilën ishte shumë i preokupuem, mbasi kishte dy fëmijë të vogjël që nuk i lshonte goje kurr. Pinte duhanin, por vetëm kur ia dhuronte kush. Me stoicizmin që e karakterizonte barte skamjen ma të madhe dhe vuejtjet e burgjeve e të kampeve të punës, gjithmonë i qeshun e me humor shkodran.
    Kish nji kulturë të madhe, të formueme në shkollën Normale t’Elbasanit e në studimet e nalta në Bashkimin Sovjetik, për letërsi. Kishte edhe nji karakter të vendosun e nji ndershmëni njerrzore. Ishte nji ndër shkrimtarët e parë të epokës komuniste që në letërsinë tonë thirrej „realizmi socialist“. Kishte botue librat: „Në gojën e ujkut”, dhe “Udha e Velanit” me të cilin kishte marrë të parin çmim të Republikës në letërsi. Siç më tregonte, fatkeqësia I kishte ndodhë me romanin e tretë, “Në qiell shkëlqen vetëm një yll“ (nuk jam i sigurtë për këtë titull) që u ndalue e nuk u vu në qarkullim, sepse ishte kritikue për tipare revizioniste. Përmbajtja, siç ma tregonte Kini, ishte kjo: Gjatë luftës partizane ose N. Çl., ndër disa episode, përshkruhej nji aksion ku viheshin në dukje dy rryma, ajo strategjike-ushtarake e komandantit dhe ajo humanitare e komisarit. Kur u vu në qarkullim ky roman u ndalue, sepse Fiqrete Shehu, aso kohe sekretare e Komitetit të Partisë të Tiranës, e kishte komentue sikur përshkruhej lufta e Brigadës së Parë, ku komandant kishte kenë Mehmet Shehu e komisar Tuk Jakova, i dënuem ky i fundit nga Partia.
    Kini aso kohe kishte kenë kryeredaktor i revistës „Ylli“.
    - Më thrret Ramiz Alia, - më tregonte Kini. – Kur u paraqita më tha se shoku Enver donte të më takonte n’orën 12. Shkuem bashkë dhe e gjetëm shtri mbi nji shezlong me nji libër në dorë. Mbasi u përshëndetëm, ai u shtri përsëri dhe hyni menjiherë në temë. „Shoku Kin, e kam lexuar me vëmendje librin tënd të fundit.
    Eshtë shumë i bukur si letërsi, por ama bie në revizionizëm. Gjatë luftës komandanti dhe komisari ishin në një mendje dhe jo në dy, siç thua ti. Uniteti Parti-Popull ishte i çeliktë në atë kohë ashtu si edhe sot. Të këshilloj ta marrësh edhe një herë në dorë, ta përpunosh ashtu siç duhet, pa kurrnjë pikë vreri revizionist.“
    „Shoku Enver, populli do të kishte mbetur gjithmonë i shtypur sikur mos t’ishin mësimet e udhëheqja e Partisë. Unë e kuptoj komunizmin si kulmin e humanizmit njerzor dhe në roman këtë ide paraqes.“
    „Kaq kisha të të them”, - mbylli bisedën Enveri.
    Duelëm jashtë dhe Ramizi më ftoi për drekë në shtëpinë e vet që ishte aty afër. Gjetëm gruen e tij që po pregatiste sofrën. Folëm bashkë gjatë e gjatë mbi disa probleme, por ma në fund biseda përfundoi te këshillat që më kishte dhanë shoku Enver. Mbas ngranies Ramizi duel për me marrë nji ilaç të zakonshëm, e ndërkaq, grueja e tij, që ishte zojë e vërtetë, e kulturueme dhe dashamirëse, e bija e Aleksandër Xhuvanit, më thotë në konfidencë: „Kin, ndigjoje burrin tim ç’të thotë, se asht shumë i mendshëm, jo se asht burri im po ta thom këtë, por kur e krahasoj me të tjerët, ky rri shum ma nalt.“
    - Kurr nuk m’u mbush mendja ta ripunoj romanin sipas skemave, - më thote Kini. – E kishem shkrue me devotshmërinë ma të madhe për idenë që kisha për komunizmin. Problemin e kishte ngritun Fiqrete Sanxhaktari, grueja e Mehmet Shehut, që në mënyrë konfidenciale në rrethe të ngushta thirrej edhe „Fiqrete Sangjaktari“. Ajo e shtroi këtë çështje edhe në organizatën bazë të Partisë, ku të gjithë më mbrojtën mue. Ma vonë ajo, si sekretare e Komitetit të Partisë për Tiranën e shtroi kritikën për romanin tim në mbledhjet e të gjitha organizatave të kryeqytetit. Me shumicë votash fitoi ajo dhe mue m’u dha dënimi me u përjashtue nga Partia si revizionist. Nuk shkoi shumë kohë dhe në nji ditë të fillimit të verës, ndërsa punojsha në redaksinë e revistës „Ylli“, më lajmojnë se atje poshtë, te dera, më kërkonte nji oficer. Zbrita shpejt për mos me e lanë me pritë. Kur e takova e pyeta: “Shok ç’kërkoni?“ M’u përgjegj: “N’emër të popullit je i arrestuar.“ „Shok, të lutem, të ngjitem lart sa të marr xhaketën që kam në zyrë.“ „Mos lëviz.”
    - Nga vapa e fillimit të verës, - më tregonte Kini, - xhaketën e kishem hjekë e kanë në pështetësen e karriges. Aty më mbet e nuk e dij fatin e saj mbasi nuk e pashë ma kurr. Më shtine n’atë xhipsin e Degës dhe filloi kjo historia jonë e të gjithëve.
    - Kin, sot, mbas sa vjetëve burgu, - i thashë, - si të duket komunizmi?
    - Pater, të nderoj shumë se je përfaqësues i kulturës oksidentale. Kisha katolike e krijoi atë, krijoi kryeveprat e artit në arkitekturë, pikturë, skupturë e muzikë, po thuej edhe në letërsi. Megjithkta ajo bani shumë pak për zhvillimin ose barazimin e shoqnisë njerzore, e cila mbeti e ndame ndër klasat e vjetra – mbeti pra e ndame në patricë, plebej e skllavë. Tashti ajo asht e ndame në aristokratë, borgjezë, punëtorë e fshatarë. Mendoj se vetëm komunizmi do t’i rrafshojë këto klasa e do të krijojë kulturën e re botnore. Ky asht besimi im.
    - Kin, ky besim i yti më duket shumë naiv. Ndër këto 50-60 vjetët, realiteti ka tregue se komunizmi asht vetëm nji demagogji e pacipë e peshkaqenve ose e tiranosaurëve njerzor, siç i quejm. Simbas mendimit tem komunizmi asht nji utopi e vjetër e njerzve që zhvillohet ma shumë ndër njerz që i gjen të marrë, ndërsa po u zhvillue ndër të mendshëm e intelektualë, ajo i kthen ata në të marrë.
    - Të falem nderës për komplimentin, - ma ktheu Kini. – Na jena mësue me kritikat e njerzve arkaikë e patriarkalë dhe ky asht revolucioni ynë i vërtetë dhe jo ai me armë, i zbatuem deri tash e me format shtetnore.
    Këto biseda me Kinin ishin të përhershme. Megjithse në të njajtat kondita, të dy t’uritun, të dy të zdathun, mbasi opingat na i jepshin shumë të vogla, të dy me lecka veshun, që gjysën e kohës së lirë e kalojshim tue qepë harna. Megjithkta ishim miq aq të përzemërt sikur t’ishim vllazën. Shpeshherë flitshim edhe për fatin e letërsisë shqiptare, në të cilën ai ishte aktiv.
    - Më vjen shumë keq, - më thonte, - që talentet ma të mdhaja të kohës së sotme ushtrojnë servilizmin profesional, vetëm për tituj e grada dhe nuk e kuptojnë se shkrimtari i kthyem në shërbëtor nuk i vlenë ma letërsisë e artit, por vetes e padronit të vet.
    Sot, kur të gjithë shkrimtarët e realizmit socialist vetquhen “disidentë“, më vjen keq që askuj nuk i shkon ndërmend se Kin Dushi, për romanin e vet, kishte marrë 10 vjet burg në nji kohë që kolegët e tij shkrimtarë merrshin çmime dhe lavde, atëherë edhe sot.
    Nji cilsi tjetër e Kinit, përveç humorit dhe sinqeritetit, ishte trimnia. Besoj se gjatë luftës ai nuk kishte shkrepë asnji fyshej, se vetëm fletushka e trakte shkruente. Lavdohej se brigada e Gjin Markut, që në shtatorin e vjetit 1943, me kapitullimin e Italisë, kishte „çlirue“ qytetin e Beratit.
    - Kur erdhën gjermanët e u gjetën para këtij fakti të kryem, - tregonte Kini, - nuk menduem me sulmue, por kërkuen marrëveshje. U takuen me autoritetet ushtarake partizane. Ata thanë se nuk kishin ardhë me pushtue vendin, por kërkojshin rrugë të lirë për pikat strategjike në luftën globale që kishin ndërmarrë. Autoritetet partizane e pranuen marrëveshjen dhe kështu gjermanët kalojshin lirisht nëpër Berat, mbasi nuk kishin rrugë tjetër për me shkue te nji pikë vrojtimi jashtë qytetit. Shtabi i Komandës së Përgjithshme, ose ma mirë me thanë Miladini, ashtu siç nuk aprovoi “Konferencën e Mukjes”, nuk aprovoi as këtë veprim të brigadës, dhe i dha urdhën Gjin Markut që të sulmonte gjermanët. Mbas nji beteje të shkurtë na humbëm Beratin dhe duelëm në mal.
    Këto histori të luftë më tregonte Kini, ndërsa aso kohe në kampin e të burgosunve të Ballshit zhvillohej e ashpër “lufta e klasave”, drejtue nga komisari Kiço Gjançi. Çdo dy javë ai organizonte mbledhje të Këshillit të Riedukimit, mbledhje në seicilën brigadë, mbledhje të të gjitha brigadave, e kështu mbledhje mbas mbledhjesh. Në njenen prej tyne u shtrue çashtja: “Përse ish-antarët e Partisë të mos rehabilitohen?” U pru si shembull Kin Dushi. Përse të mos marrë pjesë në Këshillin e Riedukimit Kin Dushi? Rreth kësaj pyetje folën shumë vetë. Si gjithmonë, kush thumbit e kush patkonit. Ndërkaq u çue nji njeri, që në pamje ishte gabel, e quhej Kristaq. Ishte nga fshatrat e Korçës.
    - Si kërkoni që Kin Dushi të jetë anëtar i Komisionit të Riedukimit? Ky është një ultrareaksionar. Po ju tregoj se një ditë kur po shetisnim në oborr, ky i tha shokut që kishte në krah: “Kujdes, mos fol, se kemi një spiun mbrapa!”
    N’atë çast Kini u çue në kambë e foli:
    - Zoti komisar, un nuk rri ma në këtë mbledhje provokuese. Në rasë se keni ndërmend me na dënue për së dyti e së treti, na jena gati. Pranojmë gjithshka në rasë se ju merrni mbi vete përgjegjësinë. Por jo të përdorni shpifsa të tillë si këtë këtu apo poshtërsi të tjera. Dola!
    Komisari Kiço Gjançi, ndërhyni tue e sigurue Kinin se nuk do të lejoheshin ma ndër mbledhjet elementat shpifës e provokues.
    Para se të lirohej ishte tepër i preokupueshëm për jetën që nuk e shifte të kjartë. Un përpiqesha me i dhanë zemër, tue e porositë që të mos i linte shkrimet e se do t’i bahej nji shërbim i mirë letërsisë sikur të përkthente novelat e bukura të Çehovit.
    Mbasi u lirova nga burgu, megjithse e gjeta pothuej të verbuem syshë, u gëzova se ai jetonte në gjinin e familjes së vet, ku djemt e dojshin dhe e respektojshin.





    DISA TJERE ANTARE PARTIE

    Fq.214

    Gjatë jetës sime në burg, nuk e kam aq të kjartë a për çudi të fatit të jetës apo për mrekullitë e politikës shtetnore t’asaj kohe, por më ka ra rasti me u njotë me nji numër shumë të madh komunistash, aq sa nji shok i emi, Parid Derani, më thoshte shpesh me tallje:
    „Nuk e di si asht puna, por krijuesi i Partisë së Punës asht si ata demat spanjolë që ngacmohen ga shamija e kuqe. Ai nuk mundet me pa me sy, si klerin katolik aq edhe komunistat, por i kalbë të gjithë në burg, o i zhdukë“.
    Që në vjetë e para të burgut të dytë më ra me lidhë miqësi me Spiro Gjokën; ishim të dy aty-aty në nji moshë. Kishte kalue shumë vjet ndër kampe t’internimit, sepse nuk i kishte ndigjue partisë me nda gruen e cila ishte e prekun, siç thuhej natë kohë, nga politika. Gjatë luftës, më tregonte, ishte kenë komandant i rojeve të misjonarëve anglezë që punojshin me Shtabin. Kështu, si shoqnues i tyne, i kishte ra me i njoftë pothuejse të gjithë anëtarët kryesor. Në Shtab aso kohe vetëm Miladini urdhnonte. Diçka ma tepër se të tjerët sikur pytej Dr.Ymer Dishnica, ndërsa për politikë paraqiteshin ma t’aftë se të gjithë Nako Spiro e Nexmije Xhuglini. Kjo ishte përshtypja ime, si edhe e englezëve, më thonte Spiroja. Edhe sot, kam mendimin, se këshillat, politikës shqiptare i vijnë nga ajo, mbasi kishte profesionin arsimtare, dhe arsimtarët konsiderojnë gjithë popullin sikur t’ishin fëmijë shkolle ose të nji klase ku fjalën e ka vetëm mësuesi dhe asgja prindët e tyne.
    Ma vonë erdhën edhe Vaso Marku e Prof. Arif Gashi. Vasoja ishte nji ndër antarët e parë të grupit komunist të Shkodrës, themelue prej Zef Malës. Kur ra nga pozita Tuk Jakova edhe këtij I dhanë rrugët e internimit dhe të burgut. Ishte shok moshe e klase me At Aleks Baqlin për të cilin kishte simpati të madhe, prandaj kur i vijshin në takim na thirrte të dyve për darkë. Por kur prunë në burg Prof. Arif Gashin ata hajshin bashkë të shumtën e herës e nuk na ftonin ma sepse filozofia e Arifit ishte në kundërshtim të plotë me atë të klerit. Nji ditë prej ditësh ishim vu në radhë për me u la në banjë me ujë të ngrohtë. Rrugica para saj ishte e ngushtë, nji metër. Ndërsa pritshim aty orë e orë me ndrresat nën sqetull, Arifit se si i rrëshqiti kamba dhe ra poshtë tri metër. U përpoq të ndrihej por pjerrësia ishte e madhe e nuk mund ia delte. Kurrkush nuk i dha dorën, por mue m’u dhimbt se humbte radhën që kishte xanë, prandaj hodha hapin në pjerrësi, i shtrina dorën e ai e kapi e u ngjit. M’ fal nderës, ndërsa un tue u qeshë i thashë:
    - A e din pse të ndihmova? Që të mos guxosh ma në jetën tande me thanë se “nuk i kam dhanë dorën kurr nji prifti katolik”.
    Këto fjalë duket se ia kishte tregue Vasos i cili na thirri përsëri në nji darkë, mue dhe At Aleksin. Kje për ne të dy nji kënaqsi e madhe sepse arifi ishte me të vërtetë nji profesor filozofie që dinte t’i diskutonte çashtjet serioze dhe problemet e mdhaja që mendja e nierit, e etun për të dijtë gjithshka, i ka krijue njerzimit mbarë si edhe çdo personi të veçantë.
    Ma vonë prunë aty te na Shemsi Totozanin. Ishte nji ftyrë autoritare dhe e veçantë. Kini kishte të njoftun me te, ndërsa un jo. Më tha se kishte kenë ky i pari që shtini ndër shkolla diktaturën e proletariatit. Zakonisht ai rrinte në vetmi, por nji ditë të lirë Kin Dushi më tha:
    - Eja të shkojmë bashkë për nji vizitë se më duket shumë i shqetsuem. Të mësojmë shka e ka gjetë.
    Mbasi e pytëm për shëndet, familje e burg, Kini po i thotë se qarkullonte mbi emnin e tij nji ndodhi qesharake dhe donte të dinte të vërtetën. Ndodhija ishte kjo: Në fillimin e Pushtetit Popullor me nji vrull luftarak u hapën shkollat për gjith vend, por kishte mungesë mësuesash, prandaj ministri i mobilizoi të gjithë sikur t’ishin ushtarë. Kështu në malsi të Tepelenës dërgojnë nji mësues nga Shkodra. Ai në vend që të jepte mësim, përditë luente n’oborr me fëmijët nja dy orë dhe i shpërndante. Ditë përditë paraqiste në dy kopje kërkesën për transferim, nji në lokalitet e nji tjetër në ministri. Thonë se mbas disa muejsh ndërsa, ti ishe si i dërguem i Partisë n’atë malsi të Tepelenës ndigjove ankimet e prindërve se fëmijet e tyne po mbeteshin pa shkollë mbasi ai shkodrani nuk jepte mësim, por luente. Si zv.ministër i arsimit i çove fjalë për inspektim.
    - Po, po, - tha Shemsiu tue qeshë, - më kujtohet mirë ai kryederr. Çfar derri kishte qenë ore! S’i tundej veshi aspak. Kur i futi nxënësit në klasë, të asaj shkolle të improvizuar, se ashtu ishin atëherë shkollat, u ula në katedër e ai në këmbë filloi t’u flasë tekstualisht kështu: “Zogjt kur bëjnë vezët në çerdhe, i ngrohin shumë ditë dhe kur ata dalin nga veza mëma i ushqen me sqep duke i thirrur ciu, ciu, ciu! Dhe ata i përgjigjen mëmës “ciu, ciu, ciu!” Nxënës të dashur – vazhdonte ai t’u drejtohej nxënësve, - e përsërisim të gjithë sëbashku si i thërret nëna zogjtë?” “Ciu, ciu, ciu!”, - u përgjigjën fëmijët. “Dhe si i përgjigjen të vegjlit?” “Ciu, ciu, ciu!”. Kështu vazhdoi ai kokëderri shkodran derisa nuk e durova më. Atëherë I zemruar I thashë, lëri nxënësit të lirë. Kur u gjendëm vetëm iu drejtova “Pse kështu mëson ti?... Këto mësime u jep ti fëmijëve tanë? “Shoku ministër, - më tha, - jam nga Shkodra, i martuar, me dy fëmijë që kërkojnë për të ngrënë, por rroga që marr më shkon e gjitha për vete dhe jo për ata. Përditë shkruaj nga dy kërkesa për transferim; një ministrisë dhe tjetrën lokalitetit. Nuk marr përgjigje. Çfar të bëj këtu?” Mirë, - i thashë – këtë gjë e dimë atje në ministri se ditë përditë na vjen një letër nga ti, por duhet të jesh i bindur nga urdhërave të Partisë dhe të Pushtetit Popullor dhe të bësh ato sakrifica që të kërkohen. Prandaj të jesh i bindur, se kurr nuk ke për të patur transferim, jo vetëm kaq, por në vazhdofsh kështu të pret dënimi! Kupton? Ç’janë ato ciu, ciu, ciu? “Shoku ministër, ato ciu, ciu, ciu, janë thirrjet e fëmijëve të mi në Shkodër që duan të jetojnë; dhe unë i kam ndër veshë gjithnjë zërat e tyre! E kupton këtë? Dhe deri sa të jem mësonjës në këtë vend, fëmijët tuaj nuk do të mësojnë tjetër veç kërkesave të fëmijëve të mi: Ciu, ciu, ciu!
    Kur u ktheva në Tiranë i a dhashë shokëve emrin e tij. Doja ta arrestoja. Përgjigja m’u kthye: “Familje e nderuar nga Shkodra e njhur se ka nxjerrë artista komikë.“ Ç’të bëja? E transferova në rrethin e tij sepse kishte të drejtë jetese.
    Mandej tue kalue vështrimin nga un iu drejtue Kinit:
    - Kush është shoku yt?
    - Asht nga Shkodra. Ky ma tregoi si nji barcoletë të qytetit të tij, ndigjue nga Ndoc Hilgega.
    - Kin, kjo është ngjarje e vërtetë. Por ne nuk kishim tjetër mundësi veprimi për të zbatuar planet e Partisë. Arsimtarët e jugut tanimë ishin bërë të gjithë udhëheqësa shtetërorë ose ushtarakë. Ku t’i gjenim të tjerët për fshatrat tona. Shkodra aso kohe, përgatiste intelektualë sa e gjithë Shqipëria me ato shkollat klerikale, ama të mira, prandaj synuam atje dhe jo për ndëshkim e urrejtje, siç duan ta paraqesin.
    Kur u ndamë Kini tue qeshë i tha: „Ciu, ciu“. Qeshi edhe ai. Ma vonë duke se kishte pyetë kush ishem un, dhe gjithnji më përshëndeste kur takoheshim n’oborrin e kampit.
    Nji ditë, ndërsa po bajshim ecejake me Nikollë Dakën, Shemsiu përshëndeti, por Nikolla më tha: „Sa të paturpshëm që janë! Arshi Pipa dhe un ishim Profesora në Liceun e Tiranës, dhe kur ky, si zv.ministër pruni urdhnin që të hiqej Fishta nga letërsia shqip të dy bashkë e kundërshtuem. Atëherë ky jo vetëm që na transferoi, por ma vonë edhe në burg na futi. Dhe sot s’ka turp të më përshëndesë.
    - Nikollë, - ia ktheva, - mos i kqyr punët aq hollë se atëherë do të vijmë vetëm tue mbytë shoqishojnë.

    Zef Mala ishte nji ndër emnat ma të njoftun në Shqipninë e kohës së re sepse ishte i pari që kishte organizue në të gjithë vendin nji „parti komuniste“, aso here „sëmundje rinie“. Shkollën e mesme e bani në Kolegjin Saverjan të Jezuitëve në Shkodër, prej nga u përjashtue si „element anarko-komunist“. Ma vonë e shofim si student filozofie në universitetin e Vjenës, ndërkohë që gjatë pushimeve organizonte në të gjithë vendin grupe komuniste si ndër studenta ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa shumë aktivë e të përkushtuem. Gjatë vjeteve të fundit të regjimit Zogist, ata u hodhën në burgje e u dënuen, por me ardhjen e okupacionit italian, në prill 1939, u liruen, përveç pak krenve që u internuen në Itali. Zefi kje çue në ishullin Ventottene ku i takoi me jetue bashkë me kryesorët e partisë komuniste italiane deri në ramjen e fashizmit. Me të kthyem në Shqipni shkoi në Pezë te Babë Myslimi të cilit i kërkoi që ta përcillte deri në shtab të përgjithshëm, por Myslimi e këshilloi: „A shikon, more djalë, se shokët ma të mirët e Shtabit po mbarojnë nji e nga nji. Ma mirë rri këtu në Pezë, se sa kohë që të jeshë me Babën nuk të gjenë kurrnji rrezik!...
    Kjo fjalë, - më tregonte Zefi, - më bani shumë përshtypje dhe që atë ditë fillova të marr shënime dhe t’analizoj gjithshka. Aso kohe, kur e prune në kamp të Ballshit, ai ishte gati qorr në të dy sytë; dritë shifte, por nuk mund dallonte njerëzit as objektet. Vaso Marku e disa të tjerë, me të cilët kishte formue grupet e para komuniste në Shqipni, i rrijshin gjithnji pranë e kujdeseshin për te. Nji ditë prej ditësh Foto Proko, nga Korça, po më thotë:
    - Kam mbetë pa i bërë një vizitë Zef Malës. A po vjen e të shkojmë bashkë?
    Kur shkuem, ai ishte rrethue prej shokëve të vjetër, aty para kapanonit, dhe po llafoseshin. Vaso Marko ndej gati e na paraqiti:
    - Shoku Zef, - i tha, - po vijnë dy miq me të pa. Njëri është Foto Proko, gazetar, që ka studiuar në Bashkimin Sovjetik, e tjetri Zef Pllumi, që është një prej atyre të cilët na kanë përjashtuar prej shkollash mue dhe ty.
    Tue u tallë i a ktheva:
    - Ndigjo mor Vaso; ç’u paskemi ba na tue u përjashtue prej shkollash? Gabimi ynë asht që kemi hjekë dorë prej metodash klasike tash dyqind-treqind vjet, se ju paskeni meritue me u qitë para inkuizicionit e me u djegë për së gjalli në turrë të druve!...
    Zefit iu dha nji gaz e qeshi të madhe e ndërsa shtërngojshim duert, ma tundëte tue më thanë:
    - Fjalë e saktë! Do të kishit shpëtue ju, na vetë dhe shumë popuj!... Nji herë ndërsa ishem tue pritë në radhë me marrë bukën po vjen nji grue e më thotë: “A je ti Zef Mala a më duket? Meriton me të varë të parin, a shef ku na çove?” … Iu përgjigja se do ta meritojshem sikur t’ishem në tribunë, por jo tash që jam në radhë me ty!...
    Shpesh herë kam shkue me e pa te krevati, sepse ishte njeri me kulturë. Nji ditë po më vjen Vasoja e më thotë:
    - Zefi kërkon me të pa; më ka thënë se ti i pëlqen shumë se nuk e ke ndrruar aspak gjuhën, por flet me atë humorin e bukur shkodran.
    Shkova me e pa. M’u ankue se nuk ishte mirë me shëndet dhe se e ngacmonte dishka në fyt.
    - Nuk dij si merr kjo puna e eme, - tha. – Të kam thirrë si „Zef“, sepse sado mendime të ndryshme që mund të kemi njani me tjetrin, të dy puqemi, së paku, te emni „Zef“. Për së shpejti, më ka thanë doktori, do të më nisin për analiza të fytit në Tiranë. Nuk e ndjej vedin mirë e më kanë hi mjaft dyshime. Sa vjeç je? Po, je mjaft ma i ri se unë. Ndigjo, jam tue të ngarkue nji detyrë. Tash sa vjet shkruej “Historinë e komunizmit shqiptar“. Kam mbi tetëqind faqe. Po ta la barrë ty që të shkosh te grueja e eme në Himarë, merri ato dhe përpiqu me i ruejtë e dikur me i botue, n’ardhtë dita.
    - Zef jam i denuem mjaft randë e nuk e mendoj se dal gjallë prej këndej. Duhet të ngarkosh ndonji djalë të ri e pa dënim të randë.
    - Nuk i dihet jetës, gjithshka mund ndodhin. Në rast se e shef edin keq, mund zgjedhish ndonji djalë të ri besnik, se un nuk i njof. Gjithmonë kur të shkoni te grueja duhet t’i thoni se na e ka lanë Zefi amanet!
    - Do të përpiqem me ta plotësue dishirin me çdo kusht!
    Në spital ndej rreth dy muej. Kthej i përmirësuem se i kishin ba kurime me rreze. Mbas nja gjashtë muejsh e dërguen përsëri dhe nuk vonoi e muerëm vesh lajmin se kishte vdekë nga nji tumor në fyt.
    Mbasi u lirova nga burgu, filluen edhe liritë civile politike. Barra që më kishte ngarkue Zef Mala nuk më hiqej mendsh. Mbas pak vjetësh ia gjeta rasën e shkova në Himarë, kërkova gruen e tij besnike, që gjithnji mbante foton e tij të zmadhueme si nji altar. I tregova amanetin e Zef Malës.
    - Po, - tha, - më ka pasë lanë shumë shkrime, dhe do të përpiqem me i gjetë.
    Në krye të vjetit ktheva prap n’atë shtëpi të vjetë karakteristike himariote. Qyqarja nuk kishte gjetë tjetër nga dorëshkrimet e Zef Malës, vetëm nji adresë të Eduard Spiro Gjokës të cilit ia kishte dorëzue dorëshkrimet kur ishte arrestue Zef Mala. Adresa ishte në Francë.
    - Larg paskan shkue këto shkrime?
    - Kur i kam dorëzue e kishem afër, kojshi, sepse kemi kalue nji jetë t’internuem bashkë, por tash në demokraci e paska lanë Shqipninë.
    Nëpërmjet Prof.Odile Daniel, drejtore e Institutit Oriantal të Parisit, u vuna në të përpjekun me z.Eduard Gjokën, i cili po nëpër atë dorë më kthei përgjigjen se kur agjentët e Sigurimit të Shtetit e kishin arrestue atë vetë e dërgue në kamp të Spaçit, familja e tij e friksueme I kishte djegë të gjitha ato dorëshkrime që mund i shkaktojshin shumë vuejtje në hetuesi. Këtë letër e ruej gjithnji, tue kja damin e madh të historiografisë së re shqiptare.

    Për Kasëm Trebeshinën kam shkrue dishka në parathanien e librit të tij „Rruga e Golgotës”, pamvarësisht se nuk pasqyrohet aty as karakteri i tij aq i fortë dhe i vendosun e i ndershëm, as aftësitë e tij të theksueme.
    Përveç tij, jam njoftë herë mbas here edhe me shumë të tjerë, të cilët, jo gjithmonë shkëlqyen për burrni e karakater. Të gjithë të burgosunit kishin historinë e vet të dhimbjeve, sepse nga jeta e qetë e e dashunisë familjare, nëpërmjet ndonji kurthe të zezë, të papame e të pakuptueme, ngrehun me tinzi nga Sigurimi, kishin humbë lirinë, jetën e dishiret. Këto fatkeqsi nuk kishin kursye asnji pllambë të tokës shqiptare, asnji kategori shoqnore, o intelektuale. Kështu përbamja e jonë cilsohej “grupi i klerit katolik reaksionar”, “grupet e UDB-së”, “grupet sovjetike”, “grupet greke”, kryesisht me minoritarë, “grupet çame”, “grupet polake”, “grupet e Gomulkës”, “grupi i Tarellve” nga Korça, “grupet socialdemokrate”, e sa të tjera, të gjitha, edhe ato “terroriste”, “sabotatore ekonomike” ose “sabotatore të naftës”. Të gjitha këto “grupe” pa përjashtim ishin pjellë e Sigurimit të Shtetit, ashtu si ma vonë ato të “puçit ushtarak”. Këto grupe përgjithësisht kishin në mes tyne spiujt e të poshtërit e vet, herojt e vet e ma të shumtit „naivët”. Zakonisht “spiujt” e këtyre grupeve aktivizoheshin edhe në burg për të dënue të tjerë përsëri, për me shtypë, me mbajtë disiplinë e me mbjellë terror. Nuk kishte pak prej këtyne, por disa ishin tepër aktivë si për shembull Zenel Tarelli të cilin e thirrshim “gjarpëri i verdhë”. Në jetën civile ishte kenë llogaritar e po ashtu vazhdonte në burg, kryesisht i emnuem o si “shef i zyrës teknike”, ose “kryenormist” etj. “Gjarpëri i verdhë” thirrej kështu sepse ishte i hollë, i gjatë, i zbehtë, kërkues në veprim, gjithmonë në lëvizje për mos me lanë me pushue tjerët. Mendjekeq që kërkonte me të ba të zezën. Kur ishim në punë ma shumë iu ruejshim atij se rojeve ushtarake. Ishte edhe çpifës. Nji ditë, ndërsa punojshim në Uzinën e Ballshit, brigadieri i lirë, muer nga skuadra jonë Isa Isufin nga Postriba dhe mue, për me pastrue nji ndërtesë të vogël që thirrej „kip“ ku specialistat kinezë e shqiptarë bashkë kishin vendosë pultin e komandimit elektrik të një sektori. Me dy fshesa, që i sajuem aty për aty, filluem pastrimin e vendit nga listelat, copat e plastikës o të gomës, telat e bakrit, grimcat e dërrasave e pluhni i sharrës që kishin mbulue podin. Këto mbeturina i hodhëm jashtë, përtej çimentos. N’atë ças po vjen “gjarpëri i verdhë“ i shoqnuem nga nji kapter, për me kontrollue frontet e punës. Na nuk e vumë re aspak deri që erdh në derë me nji biz shumë të gjatë çeliku në dorë dhe pyeti:
    - Cili nga ju të dy e ka këtë?
    - Duhet të jetë e specialistëve kinezë, sepse ata kanë punue këtu, iu përgjegj Isa Isufi.
    - Specialistët kinezë janë larguar para ca javësh nga ky sektor, por tregoni cili nga ju e ka punue këtë dhe pse?
    - Nuk e kemi punue na por e kemi gjetë në këto zhumile që gjinden këtu.
    - Nuk kam kohë tani, por do kthej e ju duhet të tregoni të vërtetën sepse kjo asht nji armë shumë e rrezikshme, punue me shumë kujdes.
    Kur shkoi, bashkë me kapterin, i thashë Isasë:
    - Ndigjo se puna e atij bizi do të na sjellë shumë mërzi, se ti e din se këta nuk duen me dijtë të vërtetën, por vetëm duen me të damtue, a i ke provue në hetuesi? Prandej kur të vijë përsëri mos fol asnji fjalë se përgjigjem un.
    Mbas nja nji ore u kthye përsëri dhe këtë herë shoqnohej jo vetëm nga kapteri, por edhe oficeri i punës. Nxori nga çanta atë bizin e gjatë prej çeliku me dorezë druni dhe na u suell ne:
    - Cili nga ju e ka punue këtë armë?
    Heshtje e plotë. Me fshesa në dorë banim sikur punojshim.
    - Ore cili nga ju e punoi këtë? Përgjigjuni!
    Asnjë fjalë, asnjë përgjigje.
    Atëherë oficeri i punës ndërhyni me nji za të naltë:
    - Lereni punën! Pse nuk përgjigjeni? Kush e ka punuar këtë armë?
    - Zotni oficer kot na pyetni ne; pyet atë që ka në dorë, ia ktheva me gjakftoftësi. Vetëm ai e din se ku e ka marrë.
    - Po unë këtu e mora, ja tek ju!
    - Na nuk e kemi pa kurrkund tjetër, por vetëm në dorën tande. Ti bredh gjithadej mbrenda dhe jashtë kampit dhe kot e ke të thuesh se këtu e more se tashma gjithkush i njef shpifjet tua, por na len të qetë të punojmë.
    Zeneli u tërbue, filloi me sha, por ai oficeri i tha me qetësi:
    - Zenel, këtë herë ta hodhi! Ka usta e mbi usta, ka shkollë e mbi shkollë. Mend për një herë tjetër. Ejani të shkojmë.
    U larguen ndërsa Zeneli vazhdonte me sha e me kërcënue.

  5. #25
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    NJERZIT DHE SHTAZET


    Fq.237


    Kur njerzit duen me përbuzë nji shoq të vetin i thonë “shtazë“. Me këtë fjalë nënkuptohet shkallzimi i jetës. Sipas mendimit tem jeta ka tri shkallë – bimore, shtazore e njerzore. Ende nuk kam mujtë, me atë dijen teme, me përcaktue në se janë shkallzime a por paralele. Jam përpjekë me jetue me të trija. Sot, në pleqni të shtyme, ende jam i pakjartë se sa e tmerrshme do t’ish jeta e njerzve pa shoqninë e tyre.
    Gjatë jetës në burg bimët dhe kafshët ishin të rralla për ne. Në Reps, komanda me mbledhjen e mbeturinave mbante rreth 10-15 pula, për të cilat kishte caktue nji kujdestar, i cili ishte i përjashtuem nga puna me raport mjeksor. I kishte rrethue në pak vend, aty bri kampit dhe ndërtue nji si kaçore të vogël. Por zogjt e pulave pak i pengonte ai rrethim dhe kështu mjaft të burgosun, vetëm për kënaqësi, ia hiqshin gojës së vet ndonji kafshatë buke e ua grimcojshin atyne. Nji mik i ngushtë i emi, Mehmet Isufi, kujdesoi nji prej atyne zojve që iu duk ma i ligshti. E mësoi me i hangër në dorë, i ngjiti edhe emnin „Lule, Lule“ me të cilin e thrriste përherë.
    Tue u rritë zogu i pulës, ai e mësoi me i ardhë në kapanon e me fjetë nën krye të shtratit, ku i kishte pregatië furrikun dhe e ledhatonte. Herët në mëngjes e nxirrte jashtë dhe ajo fluturonte jashtë kampit, n’atë bri kodrine, ku zakonisht kullotnin pulat tjera, por sa herë ky e thirrte ajo vinte me turr. Në vjetin tjetër ajo filloi t’i bante vezën në furrikun nën krevat, dhe Isufi ia dorëzonte përditë kujdestarit të caktuem. Kjo pulë krijoi nji problem komande sepse pyetej se ku shkonte veza e saj e përditshme. Kur kujdestari dëshmoi për dorëzimin e rregullt të vezës, atëherë u gjet preteksti tjetër i heqjes së saj mbasi ajo nuk hynte nga dera, ku kontrollohej gjithkush, por fluturonte mbi tela, prandaj mund dyshohej edhe ndonji lidhje sekrete me jashtë.
    Megjithkta shtazët ma të zakonshmet ishin macet, të cilat ishin të domosdoshme kundra mijve, mbasi kurthat konsideroheshin të ndalueme nga rregullorja e burgjeve, si objekte metalike. Nganjiherë edhe qentë.
    Kur nga Repsi u transferuem në kryporen e Vlonës, gjetëm n’atë kamp shumë mace, të cilat i ushqenin të burgosunit tue ia hjek gojës së vet. Ma e famshmja ndër macet ishte Nusja, sigurisht e rritun edhe ajo në burg, mbasi e dinte rregulloren shumë mirë si dhe rrjedhojat që vinin nga kapërcimi i saj. Nuk kishte frikë nga asnji, ose ma mirë me thanë se i donte të gjithë të burgosunit. Kur fishkullonte sinjali i zgjimit na kishim nji të katër të orës kohë për tualet personal, mandej një gjysë ore për mensë. Në këtë kohë ajo sillej me radhë ndër të gjitha kapanonet, te kryet e çdo të burgosuni. Sikur t’ishe fjetun ose i sëmundë ajo me kokën e vet shtynte kokën e të burgosunit për t’i dhanë lajmin e zgjimit, ose ndoshta përshëndetjen e saj. Ajo ishte nji mace që nuk tregonte kurr as grabitje as agresivitet, përveçse me mijtë. Lindi katër zogj, dy mashkuj e dy femna – Kuqoja i kuq, Benzi i zi, Lala e bardhë dhe Qorka e larme.
    Kuqon e Lalën i muer me i rritë berberi, Rexhep Gripshi nga Peqini, Benzin e muer Mehmet Isufi, ndërsa Qorkën e mori në kujdes Kozma Bashi nga Dhërmiu. Emnin “Qorkë“ ia ngjiti Kozmai, sepse ishte zogu ma i ligshtë dhe i kishin qorrue synin. Të gjithë këto jo vetëm se i ushqejshin, por edhe i merrshin me fjetë te krevati. Qorka natë për natë, kur bahej qetsi e plotë, e lente krevatin e Kozmait e zbriste pak metra ma poshtë ku flejshem un. Nji ditë, ndërsa po punojshim bashkë në kanal me Kozmain, ai më thotë:
    - Si është puna e asaj Qorkës sime që un i jap për të ngrënë dhe ajo vjen e flen te ti? Ç’i ke bërë asaj? Sa herë e shoh aty e marr dhe ajo gjithnjë kthen vetëm te ti.
    Kozmai më donte shumë, sakrifikonte për mue aq sa më bante gadi gjysën e normës, sepse e shifte se nuk kishem fuqi. Dhe un iu përgjigja:
    - Duket se i ka ra në te edhe ajo se ti më nderon mue e don edhe ajo me ba nderën e vet, tue më ngrofë kambët.
    E me të vërtetë çuditej i gjithë kapanoni kur vinte e flinte ajo mace e friksueme vetëm te kambët e mija.
    Nji ditë Nusja u smund randë dhe e çuen te doktro Kosovrasti me e vizitue se nuk kishte në burg ndonji mjek veteriner. Doktori u përpoq me disa injeksione, por mandej konstatoi se ajo kishte xanë ujë në bark. Macja e shkretë e kuptoi se e kishin për të mirë të saj dhe rrinte e qetë, porsi nji fëmijë i urtë. Edhe pse doktori i bani dy herësh operacion kirurgjik nuk jetoi ma gjatë.
    Ditën e transferimit për në Ballsh të burgosunit i morën macet e vogla me vedi, me përjashtim të “Qorkës“, e cila u zhduk e s’u pa ma. Mbas pak vjetësh kur hina përsëri në atë kamo vuna re shumë mace e ndër to dallova Benzin e zi të M.Isufit, Kuqon e madh dhe Lalen që ishte nana kryesore aty, por që nuk i përgjasonte kurrnji Nuses, përveç Kuqos, që ishte ba djali i të gjithë të burgosunve. Kjo sepse, sikur e ama dikur, edhe ky dac i bashëm, porsa jepej çanga e zgjimit kalonte te kryet e çdo të burgosuni, e për ma tepër, kur rreshtoheshin n’oborr për apel dhe pritshim oficerin e rojes për numrimin, ai sillej i vemendshëm mes të gjitha rreshtave, sikur të hetonte se kush mungonte. Çdo i burgosun e merrte në prehën, e ledhatonte e ai ndjehej i kënaqun. Kur familjet vinin për takim dhe u bijshin me sakrifica të mësha njerzve të vet mish ose sallam, pothuej të gjithë e gëzonin edhe Kuqon, i cili me mirsjellje të pabesueshme për shtazën, nuk prekte kurrgja, as kur i hapej kutia e peshkut, derisa të ia hidhshe në tokë. E shumta e rojeve e kqyrshin me dhimbje e mirsi, ndërsa nji prej tyne, që thirrej Haki, e kqyrte me inad, sepse, ai shpirti i tij nuk donte që të burgosunit të kishin ma të voglin ngushllim, as nga shtazët. Afër Ballshit, në Aranitas ishte nji tjetër kamp, i rrethuem me tela njilloj si i yni, me disa kapanona, i pregatitun “për raste emergjence”. Aty bajshin roje vetëm 4 policë. Nji ditë prej ditësh Hakiu e kishte marrë Kuqon, e kishte shti në thes dhe e kishte dërgue n’Aranitas. Kur ai muer shërbimin u çudit se si Kuqoja, ishte kthye te na para tij. U mbush me inad. Mbas dy-tri ditësh nji nga hetuesat e Fierit erdh në Ballsh me marrë në “pyetje” nji të burgosun të vjetër. Hakiu, që dukej se njifej mirë me te, kur u nis me kthye, ia shtini macen në “Xhips”, të ndrymë nënji thes. Fieri me Ballshin janë 24 km. Mbas dy javësh Kuqoja u gjet mbrenda kampit tonë dhe nuk ishte aspak i ligshtuem nga shëndeti. Na të burgosunit kishim marrë vesh gjithshka dhe nga të gjithë erdh tue u shtue dashnia e kujdesi për “djalin e kampit”. Por Hakiu ishte shumë shpirtkeq. Njaty nga mueji tetor erdhën sy „Skoda“ me briket qymyri nga Tirana, ndërsa ai kishte shërbimin. Thirri nji nga ata të burgosunit e Komandës, e urdhnoi ta shtinte Kuqon në thes dhe ia dha njanit prej shoferave. Atë mbramje u muer vesh në gjithë kampin se Kuqoja ishte „internue“ në Tiranë. Sigurisht që nuk mund mendohej ma kthimi i tij, sepse largësia Tiranë-Ballsh asht 150 km. Afër gjashtë muej kaluen. Kje nji ditë e filimi të prandverës, ende pa u dhanë sinjali i zgjimit, ndigjuem se nga pylli i vogël i lajthijave, që ishte përmbi rrethimin e kampit, vinte zani vajtues i nji maçoku. Menjiherë më shkoi mendja – a thue asht Kuqoja? Gjatë kohës së apelit ai za erdh e u ba përherë e ma i fortë. Ndërkaq të burgosunit e tjerë duelën nëpunë. Aso kohe un nuk punojshem ma as në uzinë as n’ekonomi ndihmëse, sepse drejtori, Sami Kamberi, më kishte caktue që të restauroj dhe të baj lidhjen e librave të damtueme të bibliotekës së burgut. Më kishin caktue nji dhomë të vogël dy me dy metër, jashtë rrethimit të parë të burgut, ku punojshin kovaçi, mekaniku, zdrukthtari dhe përgjegjësi i lavanterisë së kampit. Nuk dola si të tjerët fill pas apelit; më kishte mbetë merak ai za vajtues i atij maçoku. Në kamp kishte ra qetsi, sepse fillonte për të papunët leximi i mërzitshëm e torturues i veprave të shokut Enver. N’atë pritje fillova të ndigjoj përsëri, shi përmbi telat e rrethimit, zanin kumbues e vajtues të Kuqos. E pash me sy. U turra vrap te rrojtorja e kampit. I thashë Rexhep Gripshit:
    - Rexhep, ktheu Kuqoja. Del e shife aty mbi rrethim. Fol me kapterin se ty të lejon t’u avitesh telave.
    - Nuk asht e mundun. Kuqoja nuk ngjallet ma.
    - Del e shife, ndigjoje si mjagullit i përmallshëm!
    Ai la briskun aty, duel n’oborr, pa Kuqon që sillej rreth telave. Mandej shkoi te roja dhe i tha:
    - Të lutem shumë, më ndihmo për maçokun.
    Polici shkoi me Rexhepin, i foli rojes ushtarake atje në truproje që të mos qëllonte. Rexhepi u avit te telat dhe e thirri:
    - Kuqo! Kuqo! Hajde te baba.
    Kuqoja ia njofti zanin, hini mbrenda telave dhe ai e mori në grykë, tue e dashtë e tue e puthë. E çoi te rrojtorja, ku ishte ngroftë. Shkoi menjiherë te përgjegjësi i depos. Hapi nji kuti sardelesh, ia vuni përpara, në tokë. Kuqoja nuk e preku. I ishte shterrë shtati e shëndeti, nuk ishte ma ai që ishte kenë dikur. Nuk donte ma ushqimin, por vetëm dashuninë.
    Posa mbaroi leximi i „veprave“ të gjithë muerën vesh se Kuqoja kishte kthye. Sigurisht që dhuratat u banë për te nuk mund konsumoheshin as nga nji njeri e jo ma nga nji maçok. „Djali i kampit“ u njoft me të gjithë të burgosunit, u çmall, u përshëndet dhe mbas tri ditësh nga kambët e Rexhep Gripshit nuk u zgjue ma kurr, se aty pushoi.
    Që nga ai ças lindën shumë pyetje dhe probleme jo vetëm shkencore:
    Si asht e mundun që të gjente drejtimin për të kthye në Ballsh nga Tirana e me përshkue nji largsi rreth 150 km.
    Megjithkta, për këto kafshë spijake asht shkrue aq shumë, sepse ato janë ma familjaret e njerzve dhe gjithsecila ka veçortië e veta individuale.

    Gjatë vitit t’izolimit në Ballsh, ku ishim të ndrymë 19 vetë në nji dhomë, gjatë verës kishim aq shumë miza sa me ta pru shpirtin në fyt. Deri tash vonë, mue personalisht, më ka pëlqye të xetit e kam fjetë ma mirë se në dimën. Ngjitun kishem Gjon Perjakun, i cili më thonte tue qeshë:
    - Gati të marr inad kur të shof tue fjetë e mue nuk më xen gjumi vetëm afër mëngjesit. Kur ju të gjithë fleni, për nën derv vjen e hin këtu nji çaperkocë e madhe që na i thomi thithlopë. Ajo ndalet në mes të dhomës dhe rrin tue u hedhë e zmbrapë si grykë topi.
    - Ajo ushqehet me miza, të cilat këtu i kemi me tepri, - i thashë.
    - Nuk më ka shkue nëpër mend se për atë punë e ndihmoj edhe un, dhe do ta provoj.
    N’e nesre më thotë:
    - E vërtetë ishte fjala jote, kam gjuejtë miza plot gjysën e natës, mbusha nji kuti shkrepsash dhe ia hodha nji nga nji. Të gjitha i përpiu.
    Çapërkoca e kuptoi dashamirsinë e njeriut, dhe mbas nji jave ajo nuk duel ma nga dhoma, por xuni vend shi nën krevatin e Gjon Perjakut. Ditën e parë duel si e mshehun, por kur e pa se të gjithë të burgosunit e dhomës gjuejshin miza për te, sepse kënaqeshin tue e pa si hidhej, ajo atëherë e ndrroi orarin e vet dhe e përshtati me tonin. Dy herë në ditë na hapej dera me nga nji orë. Edhe ajo delte me ne, hynte në barin e skarpatës, ndoshta për me krye nevojat e veta fiziologjike. Ishte pak ma e lirë se na sepse kur polici ndrynte derën, ajo hinte nën derë pa lejen e tij. Në të vërtetë na u ba nji shoqe e kandshme e gjithë dhomës t’izoluemve. Gjoni, të cilin ajo e njifte ose e donte ma tepër se të gjithë të tjerët, nxuer nga fshesa e dhomës nji shufër zunke, dhe me te filloi ta përkëdhelte. Çudi e madhe. Çapërkoca zgjatte qafën, përulej, shtrihej, ishte tepër e kënaqun nga ledhatimet që i bante njeriu. Për ne ishte kënaqsi e madhe, sepse kurrkush në botë nuk kishte vu lidhje me nji çapërkocë. Nga ato pamje të jashtzakonshme të gjithë qeshnim me të madhe, ndërsa vuejtja jonë morale e fizike harrohej. Mbas disa kohe ajo pruni edhe nji tjetër të vogël, zogun e vet. Për të gjithë kjo kje nji kënaqsi e madhe. Tashma ishim familjarizue plotësisht, dhe ato respektojshin orarin tonë të ditës e të natës. Kur vinte ora e heshtimit, Gjoni dhe un mund flitshim me za t’ultë mes vedit, dhe po n’atë ças nga nënkrevati ndjehej zani i çapërkocës „siu, siu, siu“, që e përsëriste sa herë që donte me na thanë se ato ishin aty, në pushim dhe në se na kërkojshim ndonji gja prej tyne.
    Mbas gjysës së nandorit filloi vjeshta me shinat e mëdha. Në dhomën tonë mizat ishin tepër të radha.
    - Ç’do të bahet me këtë çapërkocën, - më pyeti Gjon Përjaku, shumë i prokupuem.
    - Nga ato shka dijmë, shumë shtazë, që mvaren nga jeta rrethanore, kanë gjithashtu privilegjet rrethanore. Ti e din se ka shumë kafshë që kalojnë gjithë dimnin në gjumë, nuk jam I sigurtë, por ndoshta edhe kjo prej tyne do të jetë.
    Por nuk u prit që të vinte dimni. Aty kah fundi i nandorit, kur na hapën derën për në banjë, ishte terr e binte shi i randë. Çapërkoca kishte dalë jashtë dhe n’atë turr me xanë rradhën, dikush kishte skelë mbi te dhe e kishte mbytë. Megjithkta ajo çapërkocë mbeti në kujtimin e të burgosunve si e para që lidhi ndjenjat e veta me të njerëzve.

    Nji rasë tjetër më ngjau mue, por me nji kafshë tjetër të ngjashme me nji hardhucë.
    Puna kje kështu. Mbasi u shkarkuen nga detyrat e drejtorit e të komisarit Çelo Arëza dhe Kiço Gjançi, dy ndër drejtuesit ma katila të kampeve e të burgjeve, prune në Ballsh drejtor Sami Kamberin e komisar Tahir Çobanin. Ndryshonin nga paraardhësit 190 gradë. Nuk kishin paraqitje të butë, por arsyetimin e kishin në rregull, sidomos për kohën. Ishin të ndërgjegjshëm për veprimet e tyne dhe pozitën që kishin. Kryemja e detyrës asht nji barrë e randë, por e drejta njerzore asht barrë edhe ma e randë. Megjithkta për këto dy persona, edhe n’u ankoftë kush, e ka krejt gabim. Sami Kamberi kishte origjinë dibrane. Me shka njof un, njerzit ma punëtorë të Shqipnisë janë dibranët, ata të fushës së Devollit të Korçës dhe mandej ata të disa malsive të Shkodrës. Samiu e kishte në gjak punën. Kampin e gjet mo’Zot’ma keq edhe nga pikpamja e sigurisë. Punëtorët dembela të komandës, deri atëherë, kishin hjedhë hinin e qymyrit gjithkund n’afërsi të rrethimit kryesor. Naltësia e hedhurinave përbri rrethimit kishte mbërritë afër dy metër. Samiu, në mbasdreke, mbas 8 orshit të punës në Uzinën e naftës, ditë për ditë, nxirrte në punë për 2-3 orë, pesëdhjetë punëtorë të burgosun. N’atë kohë nga shëndeti i lig i ishem avitë pleqnisë dhe zakonisht nuk më mbingarkonin. Nji ditë prej ditësh, kur pesëdhjetë punëtorët e burgosun ishin të rreshtuem, hini në kamp Sami Kamberi dhe tha para të gjithëve:
    - Ku është prifti katolik, Zef Pllumi? Përse ju të zyrës teknike nuk e nxirrni në punë?
    Gani Tartari iu përgjegj:
    - Eshtë një njeri i sëmurë dhe nuk ka aftësi pune, zoti komandant. Ju kërkoni punëtorë, por ai nuk është...
    - Mjaft! – e ndërpreu Sami Kamberi, - ai është një prift katolik që ka ngrënë në kurriz të popullit. Dua që të jetë këtu në rradhën e parë.
    Më thirrën dhe dola, mbasi gjithshka ndigjova. Kur u gjeta në radhën e parë, bashkë me Hasan Didën nga Kuksi, Samiu foli me të madhe:
    - E shihni ju Zef Pllumin, është prift katolik që ja shfrytëzuar gjithë jetën malsorët injorantë. Tani duhet t’i shlyj me punë të gjitha gjynahet që ka bërë në kurrizin e popullit. Ti shef i zyrës teknike, - iu suell Gani Tartarit, - ma sheno n’atë frontin më të vështirë; aty në llucë! Aty t’i lajë gjynahet që ka bërë kundra popullit.
    Puna nuk ishte larg, por ngjitun me kampin tonë, aty ku, deri para pak muejsh ishte kenë kampi i të burgosunve ordinerë. Gjysa e kampit mbytej në llucë. Shi aty më caktuen mue të vetëm, me detyrën me e pastrue.
    Nuk kishte projekt. Punova tri ditë, me ritmin tem të kadalshëm, por punësaktë. Hapa nji kanal, i cili hynte mes dy kapanoneve në nji korridor të ngushtë dhe shkonte deri te telat e rrethimit të mbrendshëm. Aty u grumbulluen të gjitha ujant. Ndërsa po punojshem, aty kuk vetëm, qe se po vjen komandanti i kampit, Sami Kamberi, pau punën gjithkund dhe kanalin e hapun.
    - Ulu e pusho. Dridhe nji cigare.
    - Jo, kam edhe pesë minuta për me e krye punën teme.
    -Zef, jam komandant dhe duhet të më dëgjosh. Ulu e dridhe nji cigare.
    E lshova belin aty, dola në breg, nxora kutinë e duhanit dhe me letër të verdhë ambalazhi makaronash fillova ta dresh cigare.
    - Nuk ke letër cigaresh?
    - Jo nuk më del me i ble; me çibuk nuk mund e pij dhe këto letra ua kërkoj për shoqni punëtorëve të kuzhinës.
    - A më njeh mue?
    - E si jo, je komandanti i kampit.
    - Tani jam komandant këtu, por përpara a më mban mend.
    - Jo.
    -Sa herë që ti vije në Koplik, unë isha ai që të kontrolloja pasaportën, ndërsa ti hyje në klub për kafe me Ajet Zenelin. Prej tij të njoh. Më ka folë shumë mirë për ty dhe punët që ke bërë atje në Dukagjin.
    - Të kam pa, por nuk jemi njoftë.
    - Ajeti më ka thënë se ishe merakli lulesh dhe se pate hapë nji tokë për me mbjellë lule.
    - Po, shi ai jam.
    - Zef urdhërova me të shti në këtë llucë, vetëm që të flasim dy fjalë bashkë. Tani që erdha, dua që të të jap dorën. E shoh se ke punuar mirë dhe të lumshin duart.
    - Të falem nderës, zotni komandant se asht e para herë që ndigjoj se i thohet nji të burgosuni: „Të lumshin duart“, sepse gjithmonë jena mësue të na thonë „Jepi derr, shtyje derr, puno derr!“
    Samiu qeshi me të madhe, madnej tha:
    - Po ja, që nuk mund bëjmë ndryshe. Vetëm kjo na ka mbetur. M’u desht të të sjell në llucë që të flasim sëbashku. Zef, unë dua që të ndihmoj. Kam menduar të të bëj brigadier.
    - Brigadier? Jo, kurrsesi! Nuk pranoj!
    - Zef, due me të dhënë dorën, të të ndihmoj.
    - Zotni komandant, të lutem më len të des rehat!
    - Me vdekë? Zef, unë mendoj për jetën dhe jo për vdekjen.
    - Zotni komandant, a e kupton ç’do me thanë sot, në gjendjen teme, të mendojsh për jetën? Don të thotë me shtue burgun!... I sëmundë, i plakun, zharg jeta e burgut?!...
    Mbasi nuk pranova asnji nga propozimet e tija dashamirëse, më tha:
    - Si punëtor i thjeshtë a pranon, sigurisht nën drejtimin tim personal, sepse vetëm unë I kam projektet e gjithë kampit, që të të nxjerrë jashtë rrethimit për të zbuluar lartësitë e shtyllave të telave me gjemba, që në projekt janë të gjitha katër metër lartësi, ndërsa në realitet e shumta mbërrijnë në dy metër e gjysë? A e shef këtu ku po punon tani ti? Në projekt është një pusetë e thellë afër dy metër, dhe tuba çimentoje që vazhdojnë përtej rrethimit. Prandaj çdo ditë do punojmë bashkarisht. E pranon këtë?
    - E pranoj, por duhet ta kuptosh që tashma jam i plakun e shëndetlig. Nuk mund e baj i vetëm këtë punë.
    - Mos u bëj merak. Mendoj unë për këtë.
    N’e nesret fillova punën aty jashtë rrethimit.
    - Simbas projektit, - më tha Samiu, - këtu duhet gërmuar thellë për të gjetur tubin e shkarkimit.
    Punova gjatë, shkova dy metër thellë dhe nuk gjeta asgja.
    - Zoti komandant, më lejo të punoj si të di vetë, pa ato projektet tuaja.
    - Po, jam dakord.
    - Në daç me rregullue ujnat ose bonifikimen e kampit, më len të lirë të punoj si di vetë. Të jesh i sigurtë se kam ma shumë eksperiencë se teknikët tuej injorantë. Lene këtë punë në dorën teme dhe do të mbetesh i kënaqun.
    Ai më la të lirë. Punojshem për nderin tim.
    Mbas të gjitha punimeve që bana nuk u gjet asnji tombinë dhe asnji tub shkarkimi.
    Samiut i paraqita projetin tim të detajuem për ato ujna që mbeteshin në ekskampin e ordinerëve, ku do të vendosej reparti ushtarak. Iu duk i arsyeshëm dhe mbrenda javës ia realizova. I pëlqeu shumë puna ime, prandaj në javën tjetë më kaloi në nji tjetër front që ishte sa gjatësia e kampit.
    - Këtu duhet të punosh tani. Kërkesa ime është kjo: dua të më nxjerrish kuotat e shtyllave të betonit katër metër e gjysë. Kur të mbërrijsh aty, duhet që me anë të një pjerrësie të pranueshme, të bahet lidhja me rrugën që përshkojnë rojet. Këtë pres prej teje.
    - Zoti komandant, ky asht nji front kaq i haptë sa un personalisht nuk mund e punoj derisa të des.
    - Jo, Zef, nuk më kuptove. Ti duhet të punosh vetëm një model pune prej pesë-gjashtë metrash. Për tjerat mendoj unë. E njeh Hasan Diden?
    - Si se njof Bablokun? Na në burg e thrrasim „Bablok“, ashtu si djali i vet.
    - Po e nxjerr edhe atë, e punoni dy pleq bashkë.
    - Ashtu po.
    Nxuer në punë edhe plakun nga Kukësi. Të dy bashkë në pak ditë përfunduem nji copë gjasht-shtatë metërsh që do të vlente si model për gjithë rrethimin e jashtëm të kampit. Samiu e pëlqeu shumë dhe n’e nesre shtini në punë afër pesdhetë vetë që të vazhdonin po ashtu. Mandej më dau anash e më tha:
    - Më ka pas thanë Ajet Zeneli se atje në Kuagjin ke pasë punue edhe lulishte.
    - Vërtetë ashtu ishte, dhe sa të bukura që bahehsin!
    - Ç’thoshin malësorët?
    - Për drandofillet më thojshin: „Mos na shto ferra, zotni, se i kena me tepri“. Ndërsa kur shifshin lulet e bukra e të larme me ironi me pyesnin: „Çfar kokrrash bajnë, zotni?” “Nuk japin kokrra, i mbaj vetëm për bukuri.“ „Zotni, - më thoshin, - për bukuri mbahen gratë dhe jo ferrat e lulet.” Ç’të bajsh? Bota kështu asht: sy-sy e mendje mendje!
    Atëherë Samiu më tha:
    - Kam mendue që të gjitha skarpatat e kampit t’i baj lulishte. Po ta ngarkoj ty këtë detyrë.
    - Zotni komandant, nuk e pranoj për dy arsye. E para se nji burg as mund të mendohet të zbukurohet me lule. Burgu mbetet i idhtë sa vdekja! Lule ka në çdo funeral. Vdekja të tmerron. Së dyti duhet ta dijsh se jeta mes luleve dhe njerëzve lidhet aq ngusht sa për shembull, sikur nji i burgosun të më këpusë nji lule, un për vedi, do të pranojshem që ma parë të më kapin për veshi. Jeta mes luleve dhe nejrzve përfshihet n’atë familjare: „Nanë dhe vajzë“. Në malsi kishin nji fjalë tepër tronditëse: „Bimën nuk e rritë as uji e as plehi, por vetëm syni i të zotit!“... Kam vërtetue se asht fjalë e saktë dhe kam shumë prova.
    - Po këtu, para komandës mund të bëhet lulishte?
    - Tepër e bukur, por don shumë punë. Këtu asht kalldram.
    - Më paraqit projektin, tha Samiu.
    Ndërkaq ai kishte sajue vetë nji lulishte dhe mbasi të burgosunit përfunduen rrethimin e kampit, atëherë i shtini me hapë tokën aty. Kur erdhi vjeshta pruni rozmarinë e drandofille dhe më caktoi si lulishtar. Punuem te kovaçi edhe nji cap të përshtatshëm për lule si dhe nji lagëse...
    - Zef, - më tha, - megjithëse tash je i përjashtuar nga puna e detyruar për shkak moshe e sëmundjeje, prap se prap mendoj se asht ma mirë për ty që të merresh me nji punë se sa me ndejë aty mbrendë tue llomotitë me të burgosurit e tjerë. Kështu i rrin larg edhe rrezikut. Kjo punë është vullnetare, nuk paguhet, sepse nuk e përfshin tefteri, por bukën e gjellën e merr si puntorët.
    Në të vërtetë për mue kje nji privilegj i madh, sepse që nga revolta e Spaçit ndër kampe e burgje ishte ba i modës dënimi i dytë e i tretë me dëshmitarë shpifsa. Nga ana tjetër edhe për shëndetin tem nji punë e lehtë si ajo e lulishtarit, n’ajër të pastër, i bante shumë mirë trupit tem, tashma të ngarkuem me shumë sëmundje. Në vitin e ardhshëm lulishta duel shumë e bukur. Punuem te kovaçi edhe nji gërshanë të madhe për qethje bordurash e nji tjetër të vogël për krasitje. Të gjitha këto vegla më caktoi që t’i ruejsha në lavanderi, aty ku para pak vjetësh kishem kalue dymbëdhjetë muej izolim. Përballë gjindej nji skarpatë shumë e naltë dhe mjaft e gjat; përbri saj nji rryp i vogël toke të cilën e përshtata për mbjelljen e farnave e rritjen e fidanave. Atë skarpatë e mbusha me karajfila të të gjitha ngjyrave. E kishem si lulishte personale. Edhe polici ma i egër mbetej shtang nga ajo bukuri e aromë e kandshme. Nuk ma damtonte kurrkush. Dikur prunë puntor lavanderie Minella Balën, nga Saranda, njeri i rrahun me voj e me ufull. Lidhëm miqsi ende pa u njoftë mirë. Dhe përditë më qeraste me dy kafe dhe bisedojshim bashkë për jetën, familjen e burgun.
    Kishem vu re se kur prashitshem karajfilat, m’avitej gjithmonë nji hardhucë, e un i hidhshem asaj krymbat që delshin. Erdh puna që ajo hardhucë më merrte mbrapa e hynte edhe në lavanteri e ndërsa bisedojshem me Minellën ajo kapej në mur mjaft nalt e na kundronte. Nuk vonoi e u ba krejt e shtëpisë. Kur merrshem lagësen e luleve ajo nuk vinte mbas meje, por avitej menjiherë vetëm kur e shifte se kishem në dorë çapën. Për hatër të saj prashtishem ditë për ditë nga dy-tri metër katrore dhe ajo më rrinte aty tue pritë krymbat. Kishem knaqsi të madhe kur e shifsha pranë, por në të vërtetë nuk pranova kurr me e përkëdhelë ose me e marrë në dorë. Mbas nji vjeti e gjysë të kësaj miqësie, hardhuca përfundoi viktimë e nji spërkatje disifektimi që infermeria e kampit bani kundra çimrrave. Ajo e helmatisun kishte kërkue ndihmën tonë. E gjetëm aty te praku i derës së lavanterisë, t’ajtun, ndrrue ngjyret, dhe tue hapë e mbyllë gojën kalonte minutat e fundit. Bashkë me Minellën e gjetëm n’atë gjendje të jashtëzakonshme. Menduem ta shpëtojmë. Në fillim i bamë banjë me ujë. Me gojë të hapun mori frymën e fundit. Në këtë ças mbaroi.
    Minella dhe un për të „dashunën“ tonë të jashtzakonshme, hardhucën, muerëm edhe “masat” tona të rastit. Hapëm nji gropë të vogël aty në skarpatën e karajfilave. E varrosëm me ma të madhin nderim. Mbi vorrin e saj ranë edhe dy pika loti. Minella dhe un ishim shumë të përmalluem nga mortja e saj, dashuni e shkimbun, tepër të jashtzakonshme!
    Nji ditë prej ditësh, ndërsa punojshem në kopshtin para komandës vjen komisari i kampit (emnin e kishte Kosta, e mbiemnin nuk ia mësova kurr) e më thotë me dashamirsi:
    - Zef, deshta të dijë në se këtë mbiemër „Pëllumbi“ ta kanë ngjitur se ke mbajtur pëllumba, apo e ke familjar. Mua më rezulton se asnjënga farefisi yt nuk ka këtë mbiemër.
    - Zoti komisar, në Shqipni e shumta e njerzve si mbiemën mbajnë atë të babës, ndërsa vetëm Partia i detyroi që të gjenin gjithsecili nga nji mbiemën familjar. Këtë rregull e kishim edhe na në kolegj prandaj ai i pari, ma i vjetri i fisit tem thirrej „Pëllumb”, kështu atë më vunë. Familjarët e mi kur i detyroi Partia me gjetë mbiemën e muerën „Gjeka“, sepse në fisin tonë Gjekë Marku ishte ma në za. Megjithkëta, kur ishem fëmijë kam rritë shumë pëllumba me dishir të madh.
    - Din t’i kujdesish?
    - E si jo! Por duen kohën e duen ushqimin, sepse hanë shumë dhe nuk mjaftojnë dromcat që mblidhen në tryezat e mencës.
    - Komanda nuk ka fonde për të blerë ushqim për pëllumba.
    - Nuk asht nevoja e fondit. Ju n’ekonominë ndihmëse kultivoni shumë, disa dynymë, me mel fshesash. Ajo bimë prodhon shumë farë. Ku e depozitoni ju?
    - Në magazinë, aty gjendet me kuintalë kjo bimë. Kemi provuar t’i japim lopëve apo derrave, por na ka rezultuar se është ushqim i rrezikshëm për to.
    - Ndigjo, zotni komisar, ai asht ushqim i përshtatshëm vetëm për zogjt? Këto fara m’i jep pune.
    Përmbi taracën e lavanterisë, ku ishin vendosun ato pak çifte pëllumbash, me copa drrasah e kartonash ndërtova, pothuej sa nji kat shtëpije vetëm për pëllumbat. Aty vendosa edhe enën e ujit si dhe atë të ushqimit. Dy herë në ditë hypshem n’atë tarracë, n’orar të caktuem dhe u hidhshem ushqimin e i pastrojshem furriqet. Kokrrat e melit të fshesave dhanë efektin e vet. Pëllumbat u shtuen menjiherë. Jo vetëm pëllumbat, por sa herë hypshem në tarracë e i ndjellshem tue thirrë: vidi-vidi-vidi, shumë ma shpejt mblidheshin trumcakët e zogj të tjerë mali. Gjatë dimnit, në nji shtyllë të rrethimit vinte nji gushakuq dhe këndonte për bukuri me sa za që kish. I hidhshem nji grusht mel Gushakuqi u ba klient i përditshëm. Atëherë i punova nji shtëpizë të bukur e të vogël drrase ku i qita mel dhe ujë. Shtëpizën pa derë e vara me nji gozhdë në murin e lavanterisë, përballë asaj shtylle ku vinte gushakuqi e këndonte. Përditë, sa herë që hypshem në tarracë për kujdesim të pëllumbave, ai gushakuq vinte, po n’atë shtyllë e këndonte e këndonte me sa za që kish. Kur ulesha nga tarraca i hidhshem melin në shtëpizën e vogël. Minella, përgjegjësi i lavanterisë, kënaqej pa masë e më thonte shpesh:
    - Me që na kanë ndarë nga fëmijët tanë njerëzit e këqinj, Zoti na solli fëmijë të tjerë që të na ngushëllojnë.
    Nji ditë prej ditësh, ndërsa ishem në tarracë me pëllumbat e gushkuqi, si përherë këndonte n’atë shtyllë, në lavanteri kishte ardhë oficeri operativ i kampit, Gjergji, nji djalë i pashëm korçar. Me vemendje kishte vrojtë e ndigjue atë zog që këndonte aq bukur dhe i kishte thanë Minellës: „Sa bukur që këndonte këtu një zog mali!“ „Asht gushkuqi i Zefit. Me siguri ai tani duhet të jetë në tarracë për të ushqyer pëllumbat. A sheh si ia ka bërë shtëpizën aty?“
    Kur zbrita e hina në lavanteri gjej aty oficer Gjergjin, i cili menjiherë më tha:
    - Zef, nesër do të bie nji kafaz dhe ma shtjer aty atë zogun të që këndonte aq bukur.
    - Shka po thue, zotni komandant? Për cilin zog flet ti?
    - Për atë gushkuqin tënd që këndonte aty ku I ke bërë edhe shtëpizën. Nesër e dua.
    - Zotni komandant, ai nuk asht zogu im, por asht zog malit. Kena lidhë miqësi. Un i jap me hangë e ai vjen e këndon për mirënjohje.
    - Unë e dua që nesër!
    - N’e e daç xene vetë në kjosh i zoti! Un jam në hall për vedi e ti don me shti në burg edhe zogjt e malit!... Ik! Mos t’i ndigjojë kush këto fjalë! Don me shti në burg edhe zogjt e malit!... U asht ba mendja burg... burg!...
    - Zef, jam oficer operativ. T’urdhëroj.
    Ik, ik, se për këtë gja nuk mund të më urdhnosh. Me kapë zogjt e malit!... Si u shkon mendja me i shti në burg edhe ata? Jam I penduem që u kam rritë në burg lule! Lule në burg!... Por lulet rriten për mue e jo për ju!
    Minella u përpoq të ndërhyjë, por un ishem shumë i acaruem.
    - Me kapë zogjt e malit!?... Ik, ik, ik...
    Kur shkoi oficeri, Minella më tha:
    - Sa mirë që ia bëre!... Të lumtë!...
    Lexues i dashtun, ky kapitull nuk do të kishte fund sikur të përshkruejshem ngjarjet e jashtzakonshme që krijuen lidhjet miqsore ose familjare mes njerzve dhe shtazëve si për shembull historia e lejlekut „Sakio“ e trumcakut „Voks“ dhe e dallëndysheve luftëtare. Për të gjitha këto mund shkruhet nji libër në vete. Por si përfundim i këtij kapitulli un mund u thom të saktën se njeri, shtaza dhe bima jetojnë me njani-tjetrin, kanë ndjenja dhe dishira të përbashkëta.

  6. #26
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Nga kapitulli

    OFICERA TE MIRE E OFICERA TE KEQIJ

    Fq.260

    Si hymje të këtij kapitulli po tregoj nji episod sa të dhimbshëm po aq edhe qesharak.
    Kur ishem në Spaç na prunë aty nji të burgosun të moshës mesatare e që të burgosunit e tjerë e thirrnin Ferit Lopa. Sigurisht që kishte nji mbiemën tjetër e ai vetë thonte se ishte nga Lini i Pogradeci, por mbiemnin Lopa ia ngjitën djelmoçat e rinj që talleshin me te. Ai u kishte tregue se gjithë jetën nuk kishte punue ndonjiherë, por kishte jetue vetëm me hajni, e për këtë kishte hi në burg kushedi sa herë. Por të fundit ai kishte vjedhë nji lopë të fermës dhe për mos me e ndjekë për gjurmë, kishte hjekë çizmet e veta e ia kishte mbathë lopë,s ndërsa dy kambët tjera i kishte lidhë me peca të kambëve. Lopën për lakut e çon në ndërmarrje të grumbullimit të mishit. Mbasi e peshojnë nëkandar i paguejnë paret në dorë. Me atë shumë të hollash hynë në ma të parin klub e aty hangri e piu sa deshi. Paret që kishte në xhep nuk e lejshin me u çue deri në mbramje vonë, kur mbyllej klubi. Mbasi s’kish shtëpi as katandi hini me fjetë në nji mullar kashtet. Ditën tjetër, kur u hap klubi, ai u gjet i pari aty. Tri ditë rresht kjo lojë. Mbas tri ditësh hine në klub operativi i zonës (oficer), bashkë me “të plotfuqishmin” e policisë. Ishin lodhë që tri ditë tue kërkue gjurmët e lopës, dhe mbasi muerën aty në kambë, te banaku ka nji dopio raki, po pvesin banakierin: “A thue të ka ra me dëgjue gjësendi për lopën e vjedhun të fermës?” “Kurrgjë s’kam dëgjuar. S’e besoj ta ketë vjedhë kush nga këto anë. Po, ja, që ai aty në tavolinë është që prej tri ditësh, mëngjes e darkë këtu. Për ne është fytyrë e panjohur. Kushedi?!...“
    Sa pinë rakinë ata të dy e morën me vedi Feritin e ngratë, e nxuerën jashtë, jashtë klubit dhe e kërcnuen: „Ti ke vjedhë lopën e fermë!...“ „Unë?!... Ç’thoni? Ç’është lopa?!“ „Ja që ti e ke vjedhur, or qerrata!... Nga cili fshat je?“ „Nga Lini i Pogradecit.“ „E ç’kërkon ti këndej nga Lushnja?!... Ti e ke vjedhur lopën e fermës. Trego ku e çove lopën?“ Ata me rrëmbim e kontrolluen e i gjetën gjithë ato pare në xhep. E dërguen në postën ma të afërt të policisë. Aty iu turrën me grushta e shtjelma tue e pyetë: „Ç’e bëre lopën? Ku e çove? Ti e vodhe lopën. Ti, ti, ti“, - e vazhdonin grushtat e shtjelmat.
    Dikur Feriti u lodh e u tha: „Zotni, unë lopën nuk e kam vjedhë, por vetëm se i kam ndrrue vend. Ajo ishte në fermën e shtetit, ndërsa unë e kam dërgue në ndërmarrjen e grumbullimit të mishit që është e shtetit e aty m’i dhanë këto pare. Këto pare i kam dërgue në klub që është dhe ai i shtetit e unë veçse kam mbushë barkun, po edhe unë jam i shtetit, prandaj lopës vetëm vend i kam ndrrue e nuk pranoj se e kam vjedhë.“ Mbas proceseve e dënuen pesë vjet dhe e dërguen në nji kamp pune ku ishin të burgosunit për krime ordinere, diku afër Lushnjës. Aty gjet shokët e vet. Tue pasë nji oreks të çuditshëm ai nuk ngihej kurr, se racioni që jepte komanda ishte i papërfillshëm për te. Prandej mblidhte të gjitha kashatat e dromcat që gjente në mencë, i hidhte në nji tepsi e i thante në diell, për t’i njomë mandej me supën që jepte komanda. Ndërkaq vuni re se shpesh herë psheshet përgjysmoheshin ose nuk i gjente fare. Nuk asht çudi që të hupnin sepse mbi 90 përqin e të burgosunve ishin aty për hajni. Prandej ndej dhe ruejti se cili do t’ishte vjedhsi i pshesheve të tij. Nuk vonoi shumë dhe e gjet. Ishte zagari i komandantit. Komandanti dilte për gjah, por mbajtja e zagarit ishte nji shpenzim familjar. Prandej e shtini në kamp dhe e la nën kujdes të nji të burgosuni që e njifte, i cili merrte aty dhe nji racion për qenin. Kur Feriti e gjet hajnin mblodhi shokët e vet e u tregoi. Ata dhanë mendimin se i duhet ba gjyqi. Kështu pra, u mblodhën katër vetë, tre gjyqtarë e prokurori. Feriti si prokuror bani akuzën. Tre gjyqtarët e shqyrtuen me imtësi krimin e qenit që kishte vjedhë fukaranë, ate ma t’uritunin. Gjyqi u zhvillue simbas ligjit në fuqi të Republikës Popullore të Shqipnisë. Prokuror Feriti kërkoi dënimin „me varje“. Mbas shumë debatesh gjyqsore e këshillimesh, trupi gjykues dha këtë sentencë: “Vendim I Gjyqit Special: Në bazë të ligjeve të RPSH, me të drejtat e botës, akuzohet zagari Caja për shkelje të nenit të tradhtisë së lartë, numër kaq e aq; gjithashtu akuzohet me nenin kaq e aq të ligjit mbi moskryemjen e detyrës. Gjtihashtu për vjedhjen më të poshtës që i bëhet fakir fukarasë më të uritur të kampit duke i ngrënë psheshet, akt ky tepër i urryer për shoqërinë tonë socialiste. Sipas kërkesës së drejtë të Prokurorit i jepet dënimi me varje dhe pa të drejtë apelimi.
    N’e nesre, në nji qoshe kapanoni u gshi e varun Caja, zagari i komandantit.
    Kur muer vesh komandanti, u shqetsue së tepërmi. Shtini në punë zagarët e tjerë për të gjetë se kush ishin autorët e krimit të paparë. Kur muer vesht se si ishte zhvillue ngjarja i arrestoi që të katërt, tue i akuzue se kishin vu në tallje gjykatat popullore. Feriti gjatë gjyqit dhe procesit ngulte kambë se ishte i pafaj, mbasi kishte luejt rolin e prokurorit. Të katërt i denuen me nga 10 vjet burg, simbas nenit të ligjit “agjitacion e propagandë“ kundra pushtetit popullor. Në këtë rasë, nga të burgosun ordinerë që ishin, i kthyen në të burgosun politikë dhe i shpërndanë ndër kampet tona. Ferit Lopën e prune në Spaç, si të burgosun politik. Aman, o i madhi Zot, se në jetën teme kurr nuk kam pa nji njeri aq t’afërt me shtazën sa ate. Sigurisht nuk mund t’ishte nji dëshmitar i saktë për teorinë e Darvinit se njeriu rjedh prej majmunit. Sikur ta shifje mirë, ai kishte nji konstruksion simpatik, kuq e bardh, dhe sikur t’ia vejshe kompasin në hundë, ai dilte me nji fytyrë krejt të rrumbullaktë, mbasi gjithmonë i kishte bulshijt të mbushun. Në teoritë e vjetra të psikologjisë pothuej mesjetare, spikateshin katër karakteret njerzore: sanguin ose i lëvizshëm; kolerish ose idhnak; melankolik ose vajtues dhe gjakftohtët. Këto karakterizoheshin me fytyrat e dhelpnës, të luanit, kalit dhe kaut. As në atë teori Ferit Lopa nuk gjente vend. Veçoritë e tij nuk përkojshin me asnji teori të quajtun shkencore. Ai ishte nji kleptoman i lindun anormal, që shikonte dhe përqendrohej vetëm për me vjedhë diçka, me fitim, o pa fitim nuk kishte randësi, mjaftonte hajnia. Ai rrinte gati, si maçok, në mëngjes te çesmat, kur laheshim, për me vjedhë ndonji copë sapun ose facoletë, o peshqir. Aq donte. Çdo fitim ai e shiste për nji cigare duhan. Nji ditë e xune në flagrancë dhe e dënuen me 15 ditë birucë. Në birucën ku e çuen ishin edhe dy të tjerë që prej 15 ditësh. Ata për me kalue mërzinë kishin punue me tul buke gurët e shahut. Për nën batanije kishin vizatue fushën, aty në pod. Kalojshin kohën tue luejt shah. Mbas tri ditësh, kur u zgjuen, e panë se mungnin gurët e shahut. I kërkuen në çdo skutë të birucës. Nuk gjetën gja, përveç nji oficeri. U shkoi mendja se ua ka mshehë Feriti. E pyetën, por kot se nuk tregonte. Atëherë filluen me i ra grushta e shputa kresë. Ai u dorëzue e tha: „Ju bëni gjynah para Zotit duke shpërdorurar tulin e bukës, në një kohë që unë jam i uritur. Unë u pashë tek luanit me ushtarë, me oficerë, me kuaj, mbretër e mbretëresha. Një luftë e përgjithshme. Të gjithë i urrej. Prandaj nga urrjetja i hëngra të gjithë, të gjithë. U shoftë fara e tyre në tokë!“ „Po oficeri si të shpëtoi?“ A“jo, jo, nuk më shpëtoi, por nuk e hëngra me kast, se m’u duk sikur t’ishte oficer Aliu!...“
    Oficer Aliu ishte përgjegjës i furnizimit, i cili u kishte dhanë urdhën kuzhinierëve që mos ta lejshin t’uritunin Ferit Lopën, por t’I jepshin dy racione.
    Dy të burgosunit qeshën të madhe: “Ç’e mendon ti oficer Aliun?” “Njeri të mirë edhe pse është oficer i Sigurimit të Shtetit”.
    Kaq ishte episodi.


    Nga po ky kapitull

    Fq.276

    Këtë kapitull po e përfundoj me atë nieri që e filluem, me Ferit Lopën, i cili çmohej në kamp ma keq se nji kafshë shtëpijake. Më dhimbej ajo trajtë njerzore që rrahej pa kurrfarë mëshire nga djelmoça të rinj e të fortë për nji cigare duhan që nuk mund rrinte pa e marrë. Po ç’e don, se që atë ditë që i dhashë nji cigare duhan, ai nuk mëla në xhep as kutinë e duhanit, as sapunin e facoletat. Në rasën e „revoltës së Spaçit“, kur policia bllokoi furnizimin e kampit me ushqime dhe ujë, ai bërtiti: “të thyejmë dyqanin se ka miell, oriz, sheqer e vaj”. Për këtë thirrje, të cilën nuk e vuni në peshore asnji i burgosun, Ferit Lopën e dënuen për së dyti, si politikan e jo ma pak se njizet vjet. Me kalimin e vjetëve, tue ndigjue nga të rinjtë me të cilët rrinte, se ndonjeni prej tyne ishte në burg për tentativë arratisje me të dashunën e zemrës, mbasi në Shqipni, siç thonin, as dashunia nuk lejohej pa pasë pëlqimin e Partisë, atëherë edhe ky nuk tregonte ma hajnitë e dikurshme, por kur pyetej: “Ferit për çka je dënue kaq randë?” – ai bante sikur merrte hijen e nji njeriu të politikës, e përgjigjej: “Po, ja për tentativë arratisjeje. Kisha një të dashur, Sanijen. Donim të martoheshim dhe shkuam për të kaluar muajin e mjaltit te „Saranda e bukur e jona“, kështu këndon kënga. O Saranda e vukur e jona! Ne vështronim detin. Detin e ka të bukur Saranda, se jo malin. Mali ishte i thatë e pse ta vështronim? Po ja, që duke parë detin e bukur të Sarandës, përtej ishte Korfuzi i Greqisë. E ndërsa ne vështronim detin, që për ne ishte deti i dashurisë, spiunët dhe policët na arrestuan bashkë me Sanijen. Atje n’at shpatin karshi detit të Sarandës na vunë hekurat, duke na akuzuar për arratisje.“ „Po Sanijen?“ „Për Sanijen nuk di më kurrgjë. Sa e desha!“ – dhe fillonte nji kangë të përvajshme:

    „O Sanije, o bukurije!
    Nazet tua se ç’të kanë hije!
    O Sanije, o dahuri,
    Për ty jetën kaloj në burg të zi.“


    Kur këndonte, pothuej, i mbusheshin sytë me lot.
    E gjitha ishte fryt i fantazisë së tij dhe ndërsa e ndigjojshem thoja me vete: “O Miguel Cervantes sa i madh që je kenë! Ti nuk ke krijue kurrgja nga mendja jote, por ke përshkrue ma mirë se kurrkush tipat njerzorë që natyra, gjatë jetës të bani me i njoftë. Sanija e politikanit shqiptar, Ferit Lopës e Dulqinia e Don Kishotit të Mançes gjasojnë si dy pika uji për të cilat herojt derdhin lotët.

  7. #27
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Nga kapitulli

    KAMPET E FSHEHUNA NE SHEN VASI

    Fq.322

    Mbi krevatin tem prunë Zyhdi Çitakun, nji burrë i zbehtë, asht e lëkurë që s’dihej se ku i rrinte shpirti. Vuente nga gulshimi (asma) që e kapte tri-katër herë çdo ditë dhe e mundonte, së paku, nji orë rresht, deri sa binte i vdekun. Shpeshherë ai nuk mund ngjitej nalt në krevat të vet e u shtinte aty poshtë ku ishem un. Nuk fliste kurr, nuk kishte shoqni me askend. Gjithmonë I zymtë e i veçuem. Përveç gjellë që jepte komanda nuk kishte asnji ndihmë tjetër ekonomike, dhe as nuk pranonte gja prej kurrkuj. Asnji nuk dinte në se kishte familje apo jo. Nuk më ka ra me pa nji person tjetër që të paraqiste dëshprimin ma me vërtetësi se ai. I kqyrshem me shqetsim krizat e tija shëndetsore dhe me dashamirsi e trajtojshem kur ngelte me orë e orë në krevatin tem pa mujtë me lëvizë. Shpeshherë më takonte, gjatë këtyne krizave, që t’avitem te kazanat për të marrë me gavetën e tij gjellën e bukën dhe ia ruejshem te kryet. Nga kjo sjellja ime ai, kur nuk kishte kriza, ndërsa kacavirej në krevatin e vet, më përshëndeste pa folë, por vetëm me nji t’ulun koke dhe përpiqej për nji buzëqeshje prej kufome.
    Nji ditë, nji shoqit tem, i kishin ardhë në takim e ai, nga ato që sollën, më fali nji tas plot me ullij. Bashkë me bukën e gjellë ia lashë te kryet. Kur I kaluen krizat, u ngjit në krevat të vet. Zgjati kryet poshtë e më thotë si nën za:
    - Zef, a ke mundësi të më afrohesh këtu?
    Pranë tij ishin dy krevate bosh.
    - Ndigjo, kush mi ka lanë këta ullij? Ti do t’i kesh vu, sepse vetëm ti merr gjellën teme. Por ta dijsh se nuk pranoj ndihmë prej kurrkuj. Mos të vijë keq, por merri.
    I tregova se m’i kishte dhanë nji shok që kishte pas takim me familjen, por tue kenë se as atij nuk mund ia kthejshe, që mos të fyhej, dhe as un nuk mund I haja, se më shkaktojnë dhimbje në stomak, mendova për t’i dhanë.
    - Ku t’i çoja? – i thashë, veç në kosh të plehnave, o t’ia jepja Ferit Lopës! Kështu që mendova ma parë për ty. Ti ke rregullën tande, por çdo rregull ka edhe përjashtimin e vet. Mue nuk duhet të m’i kthesh.
    Kur i përmenda Ferit Lopën e pash se qeshi me zemër. Ajo fytyrë e zymtë u skjarue.
    - Pater, jam betue që mos me i pranue gja kurrkuj. Të lutem…
    - Ndigjo, Zyhdi, kur thue “jam betuar” don të thotë që ti beson. Ndërsa detyra e ne klerikëve asht që t’i zgidhim njerzit nga betimet dhe mëkatet, prandej un marr mbi vedi çdo përgjegjësi morale e shpirtnore për thyemjen e këtij betimit tand, dhe duhet ta pranosh me doemos këtë dhanti.
    - Nuk kam se si ta kthej, por po më ban me turp. E di se në jetë, ndërsa ka ndere, e mira ka të mirën, dhurata ka dhuratën, por un nuk kam mundësi ma për asnji nga këto.
    - As un nuk kam, por jetën duhet ta përballojmë me trimni, se nuk e kemi në dorë na, por tjetërkush.
    Q’atë ditë Zyhdiu më shikonte me nji sy të qeshun, më përshëndeste edhe me gojë. Mbas disa ditësh më thirri përsëri pranë krevatit të vet që të bisedonim.
    - Ullinjt i mbarova e të thirra për me të dhanë tasin. I kam hangës me shije të madhe, se për mue ai asht ushqimi ma i mirë.
    - Të bashin mirë, por tasi nuk ka ç’na duhet as mue as atij. Në ras se të hin në punë, mbaje, përndryshe hidhe.
    - Mbasi më bane që të thej betimin nji herë, desha të të kërkoj nji nderë tjetër.
    - Fol pa marre me mue, besoj se më kupton.
    - Në se ke mundësi me më dhanë nji zarf me nji pullë poste dhe nji fletë fletoreje.
    - I kam këtu poshtë krevatit.
    - E di se i ke. Deshta edhe un të shkruej letrën e parë nga burgu.
    Për sëmundjen e randë që kishte ai, ishte përjashtue nga të gjitha oraret e veprimeve të burgut. Doktori i kishte dhanë raportin për “regjim shtrati” të përhershëm. Gjatë dy orëve që punojshem me lulet, kohë që gjithë të tjerët ndigjojshin me bezdi leximin e veprave të Enver Hoxhës, kishem mundësi me mbushë paguret e ujit për vete e për shokët. Zakonisht edhe Zyhdiut ia mbushja paguren. Kur hina në dhomë për t’ia lanë te kryet, e gjej Zyhdiun në krevatin e vet, atje nalt; kishte shpërthye në vaj e lot dhe thirrte „i mjeri un, i mjeri... jam ma i mallkuemi i botës!...“ Tue mendue se i kishte ra nji krizë ma e randë se herët tjera, u ngjita për me i dhanë ndihmë. Fillova t’i fërkoj qafën e shpatullat, siç bajshem edhe herë të tjera. I thashë:
    - A të thrras doktorin?
    Por ai vazhdonte dënesët, vajin e dihatjet. Mendova se i kishte ardhë fundi jetës dhe për me e ngushllue I thashë:
    - Zyhdi, qindro dhe mendo se ka nji Zot!... Të gjithë do të shkojnë te Ai, sepse bij të tij jemi!
    Ndërkaq ai nxori nga poshtë batanijes nji zarf e ma lëshoi përpara. E kishte të hapun. Mbrenda tij ishte edhe zarfi tjetër i pahapun. Ishte po ai që ia kisha dhanë un. Në zarfin e hapun kje nji letër shoqnuese ku shkruhej:
    Ore qen, armik i Partisë dhe i popullit, si guxon të më shkruash mua! Unë nuk jam bija jote, por e Partisë dhe nuk dua të njoh kurr. Në rast se e përsërit, unë do të hedh në gjyq dhe do të shohish ti, or qen armik se ç’do të bëhet me ty!”
    Në fund kishte vue nënshkrimin.
    Lexova zarfin e pahapun. Kishte adresën e nji vajze në Berat. E hapa dhe e lexova letrën që kishte shkrue Zyhdiu me dorën e vet:
    Shumë e dashuna bija ime N.N.
    Të kam lanë të vogël, pesë vjeçe, por jam i sigurt se do më mbajsh mend. Jam i djegun për ty, sepse ti kje i vetmi ngushëllim i jetës sime, dhe mendja më rrin vetëm te ti. Si je me shëndet, si shkon në shkollë. E vetmja dëshirë e imja asht që të jesh e lumtun. Më shkruej e më qetëso!”
    Baba yt i dashtun
    Zyhdi Çitaku


    Mbeta i tronditun. Nuk dijshem ç’t’i thojshem, por as pa folë nuk mund rrijshem.
    - Ndigjo Zyhdi, mos u dëshpro, sepse ti e din se nji e treta e të burgosunve janë braktisur nga fëmijët se kështu i ka detyrue partia.
    - Kjo asht thika ma e helmueme që ngulet në këtë zemër që s’njofti kurr gëzime! Vdekja asht, sigurisht, njiqind herë ma mirë!... Pater, më njef ti mue se kush ishem?
    - Nuk jam interesue kurr, por kur të shof se vuen kaq shumë, vuej edhe un. Vetëm këtu u njoftëm, në këtë burg të mallkuem.
    - Që ta dijsh, kur ishem djalë, kishem këtë emën që kam sot, ishem nip i Ramadan Çitakut, që në Histori të Partisë thirret me emnin “Baca”. Ishem tepër i ri në vjetin 1945, kur më dërguen në Beograd, mbasi si kosovar dijshem gjuhën serbokroatishte. Më shtine në nji konvik e shkollë spiunazhi, ku q’atëherë nuk më ka njoftë ma kush me këtë emën. Gjithmonë, tanë jetën, kam pasë emna të tjerë e pasaporta të ndryshme. Vetëm Sigurimi Shqiptar e dinte emnin që kam sot… Aty në shkollë të spiunazhit, përveç stërvitjeve, mësova frëngjishten, anglishten e rusishten. Kur u prishën marrdhaniet me Titon, nga Shqipnia mora urdhën për me shkue në Austri e mandej me dalë në Çeki. Më kan arrestue tue kalue kufijt, por ishem shumë i ri, dhe më lironin mbas pak kohe. Në Çeki mësova gjermanishten e mandej mora urdhën me shkue në Gjermaninë Perëndimore. Detyra ime ishte me ndjekë gjurmë për gjurmë shqiptarët e arratisun, për të cilët dorzojshem raporte të hollësishme. Ma vonë mora udhën me kalue në Francë, Belgjikë e Itali, pra gjithkund nëpër Evropë ku kishte t’arratisun shqiptarë. Kam ndejë ma shumë se 25 vjet, tue u përpjekë me shti grindje, ngatrresa, përçamje, me organizue vrasje e atentate mes të emigrumve. Në vitet e fundit kisha në komandë mbi 60 oficerë të shquem shqiptarë që ishin herdhë në Prendim. Sikur ta dijshe sa shpenzime ia ka ba qeveria shqiptare për këto veprime t’ulta, ti do të mbeteshe pa mend, sepse po t’ishin shpenzue këtu, ky do t’ish nji vend i lulzuem. Mbas gadi 30 vjetësh m’erdh urdhni që të kthehem në Shqipni me të 16 oficera, bashkëpunëtorë të mi. Kur mbrrina në Tiranë u çufita se nuk ishte kthye asnji tjetër, përveç meje. Mbas tri ditësh banimi në hotel Dajti, erdh vetë Ministi i Mbrendshëm e më lajmoi se më kishin caktue nji tjetër detyrë, po aq të randësishme për kombin shqiptar: me organizue diversioni në Jugosllavi, por për këtë detyrë më kërkohej që të ruhej sekreti ma i madh. Duhej që të figurojshem si llogaritar i fermës së Roshnikut në Berat. Aty u sistemova dhe u martova me nji grue që pak a shumë ma rekomanduen ata, sepse tashma ishem në moshë të shtyme. Më lindi edhe vajza, që për mue kje e vetmja kënaqsi e jetës sime. Mbas 7 vjetësh, m’erdhi përsëri urdhni me u paraqitë te Ministri. Atë mëngjes prita që vajza të nisej për kopsht. E mora n’grykë ma me afsh se asnjiherë tjetër, sepse ma ndjeu zemra, se ndoshta, mund largohesha për ndonji mision. Kur gruaja u nis me vajzën, mbasi u larguen të dyja, sa nuk i pashë ma, dola edhe un, me çantë nën sjetull e u nisa për në stacionin e autobusave. Por aty, në rrugen time, mbas disa hapash pashë xhipsin e Degës. Duel prej andej vetë kryetari e më tha:
    - Ku po shkon, në punë?
    - Jo, kam nji ftesë për Tiranë.
    - Po, ja që atje do të shkoj edhe unë. Kemi një vend bosh në makinë.
    Kur hina në xhips gjeta edhe dy tjerë të cilët m’u hodhën në shpinë, më suellën duert mbrapa, më vunë prangat, ndërsa kryetari me nji revole në dorë më tha:
    Në emër të popullit je i arrestuar!
    Në birucat e Tiranës qëndrova dy vjet në hetuesi. Hetuesi!? Nuk ishte hetuesi, ishte akuzë se un gjith jetën kishem veprue, n’emën të Sigurimit të Shtetit, kishem veprue kundër shtetit, atdheut e popullit shqiptar. Akuza kryesore se kisha organizue 14 vrasje n’emigracion, të gjithë bashkëpuntorë të Sigurimit dhe jo „armiq e tradhtarë“, siç kisha pasë urdhnin.
    Akuza tjetër, se kishem shpërdorue fondet e Sigurimit, nga të cilat kishem përvetësue dy milion lekë, të cilat, në të vërtetë i pruna kur ktheva në Shqipni e i kishem depozitue n’arkë të kursimeve. Nuk kam nevojë të flas për hetuesi të gjatë e të vështirë që përfundoi nga nji gjykatë speciale sekrete e cila më dënoi me vdekje. Mbas dy muejsh më lajmuen se Presidiumi e kishte ulë dënimin në 25 vjet. Më dërguen në Spaç. Mbërrita natën. N’atë kapanonin e përkohshëm ishte vetëm nji burrë i ri. Ai u interesue për mue. Më pruni tri batanije, mandej edhe nji tas çaj të ngroftë. Mbas sa vitesh mjerimi ky kje ngushllim i rrallë. “Ç’asht këtu?”, - e pyeta. “Nuk e din? – më tha me nji farë humori, - asht kampi i minierës së Spaçit, ku punohet ditë e natë e shkopin shpinës e barkun e thatë!” “Sa je dënue?, - e pyeta.” “Katër.” “Sa ke ba?” “Katërmbëdhetë.” „Sa të mbetën?” “Njizetekatër.”
    Këtë tallje të egër nuk e kapërdina, e vrau shumë sedrën time. U pështolla n’ato tri batanije, u solla nga muri dhe kjava me lot. Përsëritshem fjalët tallëse t’atij burri dhe i thoshem vetes: më kanë pru aty ku të gjithë i njofin krimet e mia. Nga lodhja më xuni gjumi i dëshprimit. Mbas gjumit të shqetsuem gdhini dita tjetër. Ai burri erdh e më tundi: “Ndigjo, vetëm një çerek ore asht koha e tualetit. Zgjohu, jepi se mandej vjen nji gjysë ore koha e gjellës që zgjat gjysë ore e mandej bahet apeli.”
    U zgjova. Mbas tualetit vjen e më pyetë përsëri: „Të ka regjistrue komanda kur erdhe?“ „Nuk e di.“ „Ishe në Zyrën Teknike?” “Nuk e di.” „Si të quajnë?” “Zyhdi Çitaku.” “Nga vjen?!” “Nga vjen?” “Nga birucat e Tiranës.“ „Erdhe vetë apo me tjerë? Me ç’autoburg?” “Ishim gjashtë, por i zbarkuem në nji tjetër vend. Vetëm mue më prunë këtu.”
    Kur ai u nis, merdh vetiu mendimi se këtu “hetuesia” nuk paska kurr mbarim.
    Mbas gadi nji ore ai po kthen me nji racion buke, me nji tas gjelle dhe nji lugë. “Gjellën e ke të mirë se e mora te puntorët.”
    Në të vërtetë nji gjellë aq të shijshme kishte ma se dy vjet pa hangër. Duert e palidhuna në pranga më jepnin përshtypjen e nji jete të lirë. Gjithashtu gjella e ngroftë, atë të nji jete ma të mirë. Interesimi i nji shoku të vështirsive? Vetëm dashuni njerzore! Të gjitha këto më ngjallën në shpirt lehtësim e nuk mund prita pa i thanë: „Shok! O burrë i mirë! Të falenderoj shumë për ndihmën që po më jep, por mbramë u talle shumë me mue.“ „Kur u talla? – më tha. – Nuk e kam zakon me vu ne lojë vuejtjet e të tjerëve, se më kanë dalë e teprue të mijat.“ „Kur të pyeta: sa je dënue, m’u përgjigje: katër; e sa ke ba? – më the, katërmbëdhetë; po sa të kan mbetë? – m’u përgjigje: njizet e katër. A nuk asht tallje kjo?!... Un të pyeta mbramë përnjimend.” “Po, të kam tregue të vërtetën, - më tha. – Këto janë çuditë e këtij vendi! Kur më kanë shti në burg më dënuen katër vjet. Mbasi i kreva ato më dënuen edhe me dhetë vjet të tjera, tue më nxjerrë dëshmitarë të burgosun. Kur e panë se i përfundova edhe këto, më dërguen në hetuesi me akuza të tjera ma të randa, sikur un paskesh organizue mbrenda kampit grupe për nji revoltë. Të gjitha shpifje, rrena e poshtërsi vetëm si me të shkatrrue jetën. Më dënuen njëzet e pesë vjet, prej këtyne nji kaloi në hetuesi e tash më mbeten njizet e katër. Këtë tragjedi e more ti për tallje!? Më kanë shti në burg fare të ri, pa mbushë të tetëmbëdhjetat, për nji fjalë goje se “buka nuk më del”, e sot jam I dënuem që mos të dal kurr gjallë.”
    Kur fliste ai, bajshem krahasim me jetën time.
    - Pater, më ndigjo mirë: bota sot asht kriminale! Më kanë dërgue që në moshën 14 vjeç në nji shkollë të mallkueme ku krimi, dhuna, poshtërsia e të gjitha të kqija thirreshin „heroizëm“, „patriotizëm“. Kam jetue gjithë jetën me krime të shëmtueme, tue kenë organizator i tyne, madje I bindun. A din ç’do të thotë “I bindun”? Je i mbushun mendje se të gjitha këto veprime janë domosdo të dobishme për të mirën e kombit, t’atdheut e të popullit. Kam mendue se nga këto veprime të mija, kombi shqiptar do të bahej ma i ndrituni i botës, sepse ashtu trumbetohej me të gjitha burijat mbrenda dhe jashtë. Kur erdha këtu, në atdhe, dhe e pashë këtë vend të shkretuem, jetën e mjerë të këtij populli fatkeq, shpirti m’u ba akull. Kishem andrrue gjithmonë se kur të vinte ajo ditë e kthimit në Shqipni do më pritshin si “hero kombëtar”, së paku mbas Enver Hoxhës, sepse ishte vepër e imja ajo çoroditja e plotë, e gjithanshme dhe e pariparueshme e mërgatës shqiptare n’Evropë e n’Amerikë. Jo vetëm opinioni ndërkombëtar e ai i politikave të jashtme të Prendimit që nuk mund shpresonte e pështetej ma ndër ta e t’i ndihmonte, por edhe në vetë të mërguemit, në mendjet e zemrat e tyne, u shkatrrova çdo shpresë. Natyrish se për këtë punë janë shpenzue shuma kolosale nga shteti shqiptar.
    Për burgjet këtu nuk dijshem kurrgja. Nji pakicë edhe mund mendohej të ndodhej në burg, por se gjithë Shqipnia të shndrrohet në nji burg të madh kush mund e çonte ndërmend? Në botë jo, kurrkush! Q’atë ditë që më vunë prangat me tradhti kam fillue refleksionet e shpirtit. Sa i marrë që paskam kenë! Gjithmonë në shërbim t’idealeve që nuk ekzistojnë e i mvarun prej urdhnave t’organizatave kriminale, edhe shtete në kjoshin këto! Ta dijsh se kam kalue nji jetë aventurash që kërkojshin sakrifica të mëdha. Pater, kam sakrifikue gjithë jetën e nganjiherë edhe me rrezik vdekje për gjithë ato marri e poshtërsi. Mendo se edhe m’asht dashtë me sakrifikue çdo lloj dashurie në jetë! E vetmja dashuni kje kur krijova familjen në Berat. Por e shed se si ka përfundue edhe ajo!... Vajza, loçka e zemrës mrrini me më thanë “qen e tradhtar”! Asht thika ma helmuese ngulun në zemrën time! Qe, pra, edhe këtë ma punuene! Kështu u shpërblyen të gjitha veprimet e jetës sime! Me helmin ma t’idhtë! Kurr nuk mund e mendojshem këtë!... Të gjitha të zezat i kam ba por ndaj familjes jo, jam kenë korekt! Kaherë e kam kërkue vdekjen, por ajo nuk vjen!... Por mbas kësaj letre vdekjen e kërkoj edhe ma me kambëngulje; nuk due të jetoj ma. Ky asht shpërblimi i të gjitha veprimeve të mija!
    Mbetëm të dy në heshtje të plotë. Duhej, si rregull njerzor, të flisja un, por ç’mund t’i thoja?... Mbas pak minutash i fola:
    - Ndigjo, Zyhdi, kam jetue shum vjet ndër malsi, ku e gjithë dija e shkolla e tyne, ishte pështetë ndër prralla e legjenda. Tashti po të tregoj nji prej tyne. Krishtit iu mbush mendja me u ulë në tokë për me pa sesa e zbatojshin fenë që u kishte mësue Ai vetë. Zbriti nga qiella bashkë me Shën Pjetrin. U hap fjala nëpër dhe se ka zbritë Krishti. Populli i shkoi mbrapa. Iu paraqit nji nanë që kishte nji fëmijë tetë muejsh, për gjinit, e i tha: „E kam shumë të sëmundë! Të lutem ma beko! Krishti, mbasi e pau fëmijën, i dha bekimin e vet. Mbas pak çastesh fëmija vdiq në dorën e s’amës!... Të gjithë u çuditën. Nuk kaloi shumë kohë dhe Jezusin e thrrasin te nji plak e i thanë: „Ka disa ditë që përpiqet për vdekje, por shpirti nuk i del! Të lutemi jepi nji bekim që t’ja lehtësojë daljen e shpirtit.
    Krishti u avit te plaku e i tha: „Sa vjeç je?“ „Tetëdhetë.” “Të shërova! Ke edhe dhetë vjet jetë.”
    Prralla vazhdon gjatë, por unë po e përfundoj kështu:
    Shën Pjetri u idhnue e i tha Krishtit: “Shka ke ardhë me ba këtu në tokë. Mirë apo keq?” “Vetëm mirë”, iu përgjigj Krishti. “E si asht e mundun: djalin që duhej të jetonte nuk e shpëtove, ndërsa plakun e mbetun e shërove!“ „Krishti përgjigji: “Sikur fëmija të jetonte, do delte dreq që me ia pa sherrin gjithkush. Ma mirë të shkonte engjëll në parriz. Ndërsa ai plaku nuk ka lanë gja pa ba në këtë tokë, sa ka pasë fuqi. Tash edhe në dashtë, nuk asht ma i zoti. I dhashë dhetë vjet që të pendohet për shka ka ba.
    Këtu e përfundova un tregimin. Mandej iu drejtova Zyhdiut:
    - Edhe për ty këto janë vjetët e pendimit!...
    - E ç’vlen sot pendimi? Ti e din se gjithë jetën kjeme pa Din e pa Iman. Mësimet e fëmijnisë së parë i braktisëm. S’vlejtën.
    - Pendimi nuk asht vetëm nji akt fetar, por ka nji randësi të madhe në shoqninë njerzore, jepet nji shembull i mirë e ndihmon që tjerët mos i përsërisin ma ato gabime.
    - Këto që të thashë quhen sekrete shtetnore mbi të cilat nuk mund flitet kurr. Ta kam zili kur të shof se në të gjitha këto vuejtje je prap i buzëqeshun. Pater, ti nuk e din se ç’asht krimi!...

  8. #28
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    LIRIA ERDH VETE

    Fq.342

    Mbas vdekjes së kolegut Dom Pjetër Grudës dhe lirimit të mjeruem të Nikollë Mërnaçit na hypi nji trishtim i madh, pothuej të gjithë të burgosunve. Kqyrnim me tinzi njani-tjetrin dhe me vedi thonim: „Cili e ka radhën sot?...”
    Ai vegimi i kumbonave të këshëndellave e i lajmit të mirë që më kishte parafolë miku im Ruzhdiu, u venitën. Veriu i dimnit t’egër, që frynte n’atë qafë të Shën Vasisë na e thonte troç: “Jo kurr nuk delni gjallë!...”
    Ani, “Vdekja me nderë kapak florinit“, - kështu thohej motit, por tash kohët e mendimet kishin ndryshue. Më kujtohet se, ndërsa punojshem në lulishten e Komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner, dhe e ndjeva tue i thanë: “Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si “armik” i pushtetit, por vetëm për hajni…”
    Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm ndërsa “armiku” i pushtetit, marre e turp! Truni i të gjithë shqiptarëve tashma ishte çoroditë aq shumë nga injoranca e servilizmi ndaj dhunës sa as syni nuk shifte, as veshi nuk ndigjonte, por seicili vetëm se rrahte shuplakë si majmun e përsëriste fjalët si papagall: “Parti, Enver, jemi gadi kurdoherë!”…
    Burgu i Shën Vasisë, ose si i thonin, i „Përparimit”, më kujtonte ditët e fundit të kampit të Bedenit në vitin 1948. Pjesa ma e madhe e të burgosunve, shkatrrue nga vjetët e shumta të burgut xenin radhën e gjatë te dera e infermierisë për me marrë nji resorpin, carvasin, adalat, mbi të cilat kishin vu shpresën se u shtonte ndonji ditë jetë. Un vetë, me capën e vogël për prashitjen e luleve në dorë, u zvarritshem për t’I hikë vdekjes nga sëmundjet e randa që më kishin kapllue, sepse I thojshem vedit, dhe të tjerëve, se po xuna krevatin nuk çohem ma. Në nji rrypinë t’oborrit, aty nalt, bante ecejaket e veta të përhershme, si luani në hekura, Kasëm Trebeshina, edhe ai për mos me iu nënshtrue vdekjes. Jo vetëm ata që me burrni e heroizem u kishin qindrue torturave e dhunës së tiranisë, por edhe ata të tjerët si Nikollë Therçaj e shokët si ai, që nuk kishin lanë poshtërsi pa ba nëpër biruca, tue tradhtue, spiunue, rrejtë e shpifë, tash ishin aty, limona të shtrydhun e të hedhun në atë kosh të madh, shpërblim që tirania ua kishte pregatitë për shërbimet e bame.
    I vetmi njeri shëndetfortë aty ishte Ferit Lopa, me jetën e vet shtazore të paqëllim e të padobi.
    Në fillim të shkurtit komanda lëshoi urdhën që të paraqiteshin të gjithë ata që dinin me shkrue në makinë. Na ulën atje poshtë te oficeri i rojes. Nga pesë vetë që u paraqitëm na ndanë dy – mue dhe Ali Kubatin. Mbas dy-tri ditësh na urdhnuen të pregatitnim rrobat për transferim.
    - Po lulet e farët e tyne kuj t’ia dorëzoj?
    - Kuj të duash.
    - Duhet ta emnoni ju. Keni ndonji agronom?
    Nënoficeri i rojes u hodh:
    - Agronom? Çfarë agronomi ore! Ata i morën në qafë të gjitha kooperativat se nuk dijnë as kur mbillet, as kur korret, as kur ujitet. Jo agronom.
    - Atëherë po ia la atij që më ndihmonte me ujitë.
    - Mirë. Kush është ky?
    - Ruzhdi Çoba, shok i imi.
    - Shumë mirë, - dhe i shkroi emnin.
    Kur i kallzova Ruzhdiut, më tha:
    - Sa nderë të madh që më paske ba, mbasi m’i ke shpëtue çdo ditë dy orë lexim nga veprat e Enver Hoxhës që na e prune shpirtin në fyt.
    Kur mbrrijtëm në Tiranë na dërguen te pishinat, pranë kompleksit sportiv “Dinamo”. Të gjitha ato ndërtime aty përreth i kishte ba reparti i të burgosunve. Në njenën prej ndërtesave ishte vendosë edhe burgu; ishte nji godinë disa katëshe e pambarueme dhe e papastrueme, por me dyer e dritare të vume në vendin e tyne. Në katin e pestë ishin lanë apartamentet e pandame ndër dhoma. Kështu njana përdorej si zyrë e përkthyesave, afër së cilës ishte dhoma e vogël makinës së shkrimit ku kishte edhe dy shtretën. Aty na caktuen mue dhe Ali Kubatin. Na dhanë porosi që ajo dhomë nuk duhej lanë kurr vetëm, prandej në çdo çast, njani prej nesh duhej të ishte patjetër mbrendë, me derë të mbyllun. Kjo dhomë nuk i duhej hapë kurrkujt tjetër veçse shoqishojt. Përkthyesat nga anglishtja, frengjishtja e italishtja kishin disa tavolina dhe të gjitha përkthimet i redaktonte Inxhinjer Nikollë Skana. Aty punonte edhe miku i em Bardhyl Dindi. Në të vërtetë nuk kishim orar, por puna paguhej sipas faqeve, si për përkthyesat, ashtu edhe për shkrimin me makinë. Grupi i shkrimtarëve ishte rreth tetë vetësh. Të gjithë librat që përktheheshin banin fjalë për instruktimin e policisë. Nji ditë shkova me i pa ato botime. Njani nga librat kishte format të madh me plot ilustrime; ishte I policisë amerikane. Nji kapitull e kishte mbi luftën kundër „fondamentalizmi islamik“. Për çudinë teme ma të madhe pash aty nji fotografi ku paraqitej nji libër i madh fetar, mbrenda fletëve të të cilit ishte mëshefë nji revolver (fletët e mbrendshme të tij ishin pre në trajtën e revolverit). Po ajo fotografi ishte publikue në revistën e Sigurimit të Shtetit „Në shërbim të popullit“ katër herë: së pari për nji prift të minoritetit grek; së dyti nën emnin e Dom Pashko Muzhait; së treti nën emnin e Dom Mark Hasit e rreth vjetit 1985, u botue nën emnin tem!... Hajde gjeje ma hollë! Ia tregova Bardhylit.
    - Aman, - më tha, - mos gabo me ia përmendë kujt, sepse na që i përkthejmë këta libra i gjejmë këtu mbrendë të gjitha “grupet armiqësore” që ka zbulue Sigurimi deri tash, veçse këta nuk kanë emna anglezësh, as francezësh, por shqiptarësh! Nga këta libra që përkthejmë na, „profesorat“ u japin „detyra“ oficerave të rij që të realizojnë edhe këtu, për në daçin me ecë në jetë. Pse a nuk e njofte atje në „Përparim“ grupin e atentatorëve të Ramiz Alisë, që asnjani nga ata qyrrana nuk dinte lidhë as brekët e veta!... Pse,a mund bajshin ata atentat?... Mjerë ky popull që nuk guson të flasë lirisht!...
    Ndërkaq ishem n’atë gjendje shëndetësore që nuk mujshem me I ulë e me I ngjitë shkallët e atij peskatëshi të mërzitshëm; kishem mbetë I burgosun aty, n’atë dhomën e vogël të makinës së shkrimit. Për fat, nji djalë i ri, nga minoriteti maqedon në Shqipni që banonte atje përtej Malit të Thatë, afër liqenit të Prespës, përditë më binte racionin e bukës e të gjellës. I binte derës e thonte:
    - Prift, eja për të ngrënë.
    Un delshem nga dhoma. Aty përbri ishte nji tjetër apartament i pandamë ku kuejshin domino, shah etj., kur nuk punohej në ndërtim. Më kishte thanë se kishte dishirë të madh me u ba prift, porse nuk dinte kurrgja as për Krishtin, as për Ungjillin, por vetëm se i kishte pa si fëmijë n’ikonat e kishës së fshatit. Kur e patën kapë në kufi, gjatë hetuesisë, si zakonisht hetuesat e pyetnin: „Ore ti djalë i ri, ç’t’u desh që tradhtove atdheun, popullin e partinë? Ç’lidhje pate ti, e me cilët armiq?...“ etj.
    Atëherë ishte përgjegjë: „Jo, jo, nuk doja të tradhtoja atdheun, por vetëm doja të dilja prift“. „Ti prift?“ „Kjo është dëshira ime...“
    E dënuen me njizet e dy vjet burg. I kishin mbetë edhe tetëmbëdhetë. Nuk pata kurrfarë frike nga ai djalë se mund ishte provokator, sepse i shkëlqente në fytyrë e tru pastërtia e shpirtit. I thashë vetes se e kisha për detyrë me i mësue Fjalën e Zotit.
    - Ndigjo djalë, - i thashë, - jam prift katolik, por Ungjillin, Fjalën e Zotit e lutjet i kemi të barabarta, veçse në gjuhë të ndryshme, por Zoti i din të gjitha gjuhët. Un do t’i mësoj shqip, por me kujdes e me urti, se gjindemi të rrethuem nga spiuj të kqij nga të gjitha anët. Shif si do të bajmë: gjatë turnit që ti je i lirë nga puna, më thirr, do të marr shahin e do të luejmë bashkë. Aty atëherë të mësoj.
    Kishem nji shah që kur ishem marangoz në Reps të Mirditës; ia pata punue si kujtim Dom Mark Hasit, por kur vdiq ai në Ballsh, e mora përsëri, kso here në kujtim të tij. Kur më thirrte ai djali, shkonim bashkë te dhoma e lojnave. Kur ma pa atë shah aq të bukur, u çudit e i mbetën sytë në te.
    - Ku e ke gjetur?
    - E kam punue vetë.
    Mbasi filluem lojën e e çuem kot së koti deri dikund, mbasi kqyra për rreth, nëse na ndigjojshin, fillova mësimin e besimit për të cilin ai nuk dinte kurrgja, por vetëm dishirën e kishte të madhe.
    - Në botë, - i thashë, - ka gjithfarë besimesh ose religjionesh. Këto ndahen në disa kategori; por i përmbledhim zakonisht në dy: të parat bazohen ndër përralla, ndër hyje, simbole, vese e kafshë dhe thirren politeiste, që don të thotë besim ndër shumë zota; ndërsa të dytat bazohen në mendimin e arsyetimin njerzor që të çon aty ku pranohet nji fuqi e mbinatyrshme që thirret Zot. Këtyne besimeve u thonë monoteiste që pranojnë vetëm një Zot. Tue kenë se mendja e nierit nuk kënaqet me kaq, por don me dijtë edhe si asht Ai, atëherë Zoti u asht zbulue disa njerzve e kështu kemi besimet e bazueme mbi zbulesën që pranon Shkrimet Shejte ose Fjalën e Zotit. Në këtë kategori hijnë ebraizmi, kristjanizmi e islamizmi. Kristjanizmi sot asht i ndamë ndër shumë besime ose fe të ndryshme.
    - Pse është i ndarë? E nga kush? Eshtë mirë o keq që janëndarë?
    - Këto pyetje kërkojnë spjegime të gjata. Po të tregoj se kristjanizmi asht i bazuem mbi dy mistere. Mister don të thotë „të pambërrijtshme“, ose gjana që mendja e njeriut ta përfshijë Zotin, atëherë don të thotë që asht ma i madh se Zoti. Këto dy mistere janë se: Zoti asht nji por në tre vetë: Ati, Biri e Shpirti i Shejt. Kjo Treshe në Nji, asht misteri i parë, gur themeli i besimit kristjan. I dyti mister asht se Biri, në mënyrë të jashtzakonshme u ba nieri tue lindë nga Virgjinia Mari për hir të Shpirtit Shejt, dhe të gjitha këto veprime i deshi Ati për dashuni që ka për njerzit që ka krijue vetë, të cilët kishin hi në rrugë të keqe. Krishti kur erdh në tokë predikoi dashuninë. Tha se Zoti asht dashuni. Sikur un, - I thashë, - ta marr këtë shah e ta përplasi për kokën tande çfarë do të bajsh ti? Sigurisht, me të dyeja duert më xen për gryke... ndërsa mësimet e Krishtit thonë që duhet me dashtë edhe anmikun. A I shef këta që të kanë shti në burg për marri të veprimeve të veta? Nuk duhet t’I mënijsh, por t’i duesh tue iu lutë Zotit për ta që të ja u bien mendtë e kokës e të kthehen në rrugë të mbarë. Ky ashtu kristjanizmi i vërtetë dhe të gjtiha ndamjet e besimeve kristjane kanë ardhë sepse nuk i kanë vu në jetë mësimet e Krishtit. Janë kapë mes vedit, o për sende që nuk mund dihen ose edhe për pesë pare spec, e kështu si njerz që jemi, në vend që me dashtë njani-tjetrin i kanë marrë punët me inade.
    - Si i ka lejuar Zoti?
    - Zoti i ka dhanë lirinë njeriut dhe u kërkon llogari vetëm n’atë jetë. Zoti nuk ka frigë nga nejrzit e marrë që grinden mes vedit e ndshta, ndoshta këto ndamje e grindje vlejnë për me përhapë Fjalën e Zotit. Për shembull, un flas shqip e ti bullgarçe...
    - Jo, pater, flas maqedonçe.
    - Po njilloj janë ato.
    - Jo, jo, maqedonçja është tjetër, ne e kemi për fyerje të na thonë bullgarë ose grekë. Jemi maqedonas.
    - Po mirë që je maqedonas; a don të thotë kjo se njani popull asht ma i mirë se tjetri? Ka njerëz të mirë e njerz të kqij, por jo popuj të mirë e popuj të kqij. Të gjithë janë bijt e Perëndisë e krijesa të tija e prandej duhet të shkojnë mirë e ta duen njani-tjetrin. Shi kjo mendje që thotë se ka popuj të fisëm e të pafisëm ka ba që njerzit t’i ndajnë kishat e besimet e kështu kemi Kishën Greke, Kishën Bullgare, e Kishën Sllave, Ruse, Latine e tjera e tjera të cilat grinden njana me tjetrën në vend që ta duen. A e kuptove?
    Këto mësime ia jepshem ditë përditë, ndërsa bajshim se luenim shah. Ai kënaqej kur më sillte atë gjellën e pështirë të burgut, sepse kryente nji vepër dashunije ndaj mejet, por edhe un kishem kënaqsinë kur kohë mbas kohe I spjegojshem Ungjillin.
    Në fillim të marsit, u transferuem te nji kamp i vogël që ishte ndërtue për ne në lagjen “Ali Demi”, atje në Sauk, në periferi të Tiranës. Kampi ishte ndërtue gjysa me mure guri e gjysa e poshtme, nën oborr, me baraka populiti që përdoreshin për mensa e magazina. Fjetoret kjenë të mira e të bollshme për sa ishim, po ashtu edhe oborri. Më kishte marrë malli me u shpi në diell edhe pse ishte dimën. Nuk i kishem ma ato shkallët e peskatshit që më patën izolue, mbasi nuk kishem fuqi t’i baj. Atë ditë që bareshim për në kampin e ri, djaloshi maqedonas erdh me më rregullue teshat. Kur bani me sistemue shahin i thashë:
    - Merre, shtine ndër rroba tueja e ta kesh kujtim prej meje.
    - Po ti, - më tha, - mbetesh pa gjë…
    - Ti e shef që jam në fund të jetës dhe nuk më duhet ma. Jeta tek asht nji lojë e vështirë me u kaperdi po nuk na drejtoi gjatë saj Fjala e Zotit e për mue asht ngushllim i madh që kjo lojë shahut kje mjet i mirë që t’ia le trashigim nji djali të ri, Ungjillin Shejt!
    Me 10 prill 1989, kur u kthyen puntorët e ndërtimit të pallateve, po vjen Bardhyl Dindi e më thotë:
    - Ndigjo Zef, na tha oficeri I punës se së shpejti nga ky kamp do të lirohen dy prifta.
    - Hiqu rrenash të tyne. Ende nuk i njofte mbas njizet e shtatë vjet burgut?!... Kur po na lirojnë ne!... Këta jan ngusht me shti të tjerë mbrendë, por s’kanë ku i marrin.
    - Sa prifta jeni këtu?
    - Vetëm un. Ai të ka thanë dy. A e shef si del rrena?
    N’e nesre, ndërsa po shkruejshem në makinë vjen e më thrret Nikollë Skana:
    - Zef, u lirove. Më thirri kartelisti i kampit dhe më tha që t’i pregatitshem dokumentat e llogaritë tueja.
    - E ke gabim. Sigursiht asht ngatrrue me atë djalin e ri nga Vlona që thirret Pëllumb, dhe që e kërkoi oficeri para dy-tri ditësh.
    - Jo, mor jo, se edhe un mendova ashtu, por më tha: priftin, priftin bëje gati.
    Vazhdova gjithë atë paradite me shkrue në makinë. Kur kthyen puntorët prej pune, bashkë me ta hine edhe komandanti, komisari etj. Nuk i lanë me shkue në mencë, por aty n’oborr na mblodhën të gjithëve.
    Foli komandanti se Pushteti e Partia e kishin parasysh punën dhe sjelljen tonë dhe herë mbas here, me mëshirën e tyre, do të falnin dënimin tonë. Mandej nxuerr dekretin e lirimit nga Presidenti Ramiz Alia, i cili cilësonte se “për sjellje të mira gjatë dënimit“ lironte këta persona: Ndoc Sahatçia, Anton Luli, Zef Pllumi, Simon Jubani, Martin Trushi si dhe emnin atij djaloshit maqedonas në kamp, për tallje e quejshin „prift“. Mbas duartrokitjeve të gjata, komisari m’u suell e më tha:
    - Thuej dy fjalë.
    - Nuk kam ç’me thanë. E kam të vështirë ta besoj.
    - Sa të janë falur?
    - Po thuej tri vjet, por kurr nuk kam ba lutje për lirim.
    Atëherë iu suell atij djaloshit:
    - Sa vite të fali Partia?
    - Shtatëmbëdhjetë vjet e gjysmë, - u përgjigj ai.
    - Ja, pra, shikoni si Partia mejton për lirimin tuej dhe vetëm nga ky repart riedukimi falen njëzet vite dënimi.
    Mbas duertrokitjeve u shpërndamë e u nisëm për në mencë. Nikolla më tha se në llogari m’ishin ba pesë mijë lekë, të cilat do të m’I dorëzonte kartelisti në dalje. Bardhyli erdh e më porositi:
    - Shko në shtëpinë time. U thuej djemve që ta ndigjojnë nanën e mos të sillen rrugash me gjithfarë shokësh, m’i pagëzo e mos të kesh frigë prej tyne. Thuej Niqit se kam dalë në punë e të m’i rregullojnë opingat e të m’I bienë në takim. Rri aty në shtëpinë time, ose te vllaznit se janë ma lirë. Shtëpinë e kam ngjitë me ambasadën greke. Të fala shumë nanës.
    Megjithse u përpoqa të marr plaçka sa ma pak, prap se prap valixhja drrasah edhe bosh, për mue ishte e randë. Falë nderës Zotit ai djali maqedonas m’i barti të gjitha, dhe ndërsa ishem tue pritë që të vinte kartelisti, më thonte: Çudi që bëri Zoti Krisht për mua!...
    - A ke ku shkon sonte, para se nisesh për fshatin tand?
    - Kam motrën të martuar me një shofer në Tiranë, por nuk ia di adresë… Po edhe sikur t’ia dija nuk i shkoj se mund e dëmtoj.
    - Mos u mërzit se Zoti do të na ndihmojë.
    Kur erdhi kartelisti më dorzoi llogarinë që kishem e më tha se me që ishin ma shumë se pesë mijë lekë të vjetra, nuk i përfitojsha paret e udhëtimit, ndërsa atij djalit i dha dy mijë e pesëqind për udhëtim.
    Autobusi urban ishte plot e përmaje me njerëz në kambë. Ndërsa djali po shtinte valixhet, populli u kujtue se ishim të liruem nga burgu. Mbetëm të gjithë të çuditun kur u thashë se kishem ba ma shumë se njizet e dy vjet burg rresht, pa dalë asnjiherë. Vuna re se populli na kqyrte me dhimbje e jo me urrejtje. Në qendër të qytetit zbritëm nga autobusi.
    - Ndigjo djalë, - i thashë, - po rrij këtu me gjithë valixhet se nuk mund eci ma. Shko e kërko nji taksi që të na çojë deri te shtëpija e Bardhylit, mos ban Pazar me shoferin se i kam aq pare sa të kërkojë, por merre nji sa ma parë. Mbas dhetë minutash që po pritshem, i ulun mbi valixhe, qe se po vjen taksia. Duelën të dy.
    - O çudi e të madhit Zot! – tha djali. – Ky asht burri i motrës sime!
    Kur i thashë emnin e vllaut të Bardhylit, më tha se e njifte, madje më dha edhe nji hollësi, se ai ishte në shoqatën e gjuetarëve. Më dërgoi drejt e te shtëpija e tij. Kur e pyeta se sa kërkonte, m’u përgjegj:
    - Të detyrohem unë ty, sepse më solle të lirë kunatin.
    U dalëm e u përqafuem, i dhashë bekimin me zemër atij djali aq të mirë e jam i bindur sot se Zoti do t’ia ketë plotsue të gjitha dëshirat e atëhershme.
    Te vllau i Bardhylit u grumbulluen ç’ishin: vllau tjetër, kunatat e disa djelmosha, njani prej të cilëve kishte të varun nji kryq ari në qafë. Nuk ishin aty vetëm nana dhe grueja e Bardhylit, Niqi. Nana nuk mund lëvizte nga krevati prej pleqnije, ndërsa grueja nuk ishte kthye ende nga puna. Të gjithë më pyesnin jo vetëm për Bardhylin, por edhe për jetën e burgut. U tregova, se, si gjithkund, ka të mirë e ka të kqij; se kishte njerz t’urtë, heroj virtytesh, por kishte edhe të tjerë me sjellje të kqija, kishte edhe spiuj që mos u ruejshe prej tyne të merrnin në qafë. Njani nga ata më pyeti:
    - Po baba im ç’sjellje ka pasë në burg?
    - Kush asht baba yt?
    Kur ai më tha emnin atëherë u kujtova:
    - Ai tropojani i gjatë, madhosh, kuqalosh, shoqnuesi i Beqir Ballukut?
    - Po, taman ai.
    -Ai nuk ka ba burg veç dy a tri vjet, edhe ato i shtrimë në krevat, ose në infermieri, se vuente shumë nga zemra. U lirue shpejt ai.
    - Unë, - tha djaloshi, - ia kam thanë edhe atij, drue se na ka koritë e asht sjellë keq në burg. Ishte oficer.
    - Jo, jo mos u ban merak. Kurrkush nuk din gja të keqe për te. Me shka mendoj, ai edhe ato pak vjet burg i bani tanë frigë për vete tue kenë se ishte shoqnue I Beqirit e sigurisht nuk do t’ish aq I sëmundë sa paraqitej.
    Kur dola nga burgu mora opingat e Bardhylit e atij i lashë të mijat se ishin ma të mira, prandaj u thashë atyne djelmoshave që të m’i blenin nji palë këpucë, sepse opingat do t’i lejshem aty. Ata më prunë këpucët e Bardhylit. Më binin taman për kambë. N’atë kohë kthej nga puna edhe Niqi, së cilës i lashë të gjitha porositë e Bardhylit. Ajo më ftoi për ditën e diel, gitë pushimi për atë, të shkojshem për drekë n’atë shtëpi dhe të pagëzojshem djelmoshat. Ata do t’i pregatiste me mësimet e lutjeve nana e Bardhylit, e cila nuk luente nga krevati. Mandej të tre të rijt më përcollën te shtëpia e Suor Gjeorgjinës.
    Shtëpia e Motrës Gjeorgjinë ishte pjesë e një hauri të nji banese të vjetër tiranase, e ndame në tri dhoma. E para dhomë shërbente për pritje, e dyta për punë dhe e treta për fjetje. Të trija komunikonin me njena-tjetrën pa korridor. Gjithshka aty ishte e lagësht dhe e errët, megjithkëte ajo shtëpi ndriste jo aq nga pastërtia, por nga zemra bujare, sinqeriteti e mirësia e zojës së shtëpisë që jetoi gjithmonë e qeshun dhe e patundun nga vështirësitë e jetës. Jorgjie Bulgareci ishte nga Korça. Ishte lindun në nji familje ortodokse e mbetë jetime. Motra e madhe, si nanë e saj, e dërgoi në Shkollën e Stigmatineve. Aty jeta shembullore e Suor Muzhanit, aq e devotshme për Krishtin, e tërhoqi aq shumë sa kërkoi me i përngja asaj e me u ba murgeshë. Me të gjitha kundërshtimet që gjet si nga familjarët, ashtu edhe nga të tjerët, ajo u tregue e vendosun në zgjedhjen e vet e u shkrue n’Urdhnin Rregulltar të Motrave Françeskane Stigmatine në Shkodë. Kur u mbyll kjo shkollë e u shpërnda kuvendi i murgeshave, në mars të vjetit 1946, ajo u kthye në vendlindjen e saj në Korçë. Por nuk vonoi shumë që ma në fund ta arrestonin dhe ta dënonin me pesë vjet për agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Kur u lirue nga burgu erdh e kërkoi strehim te Kisha Françeskane në Tiranë. Jetoi pranë kishës tue u shërbye deri në vdekje fretënve pleq At Bonaventura Gjeçaj e mandej At Marjan Prelës edhe mbasi u mbyllën kishat në vjetin 1967. Shtëpija e saj e vorfën, e vogël, e errët, strehoi për shumë e shumë vjet Jezu Krishtin nën trajtën e Ostes Shejte.
    Aty, pra e gjeta un. Zoti e kishte pajisë me shumë dhunti që t’I shërbente Atij. Zanin e kishte si bilbil, për të lavdue Zotin në kishë. Duert I kishte t’arta për çdo punë: qëndisje, qepje, punime qylymash të veçantë, qylyma Korçe, ndër të cilët nuk mund rrinte pa paraqitë ndjenjat e veta fetare. Ndërkaq kurreshtinë dhe gjuhën e kishte si të gjitha gratë e botës. Duhej durim I madh që ta ndigjoje.
    Gjatë burgut tim kje e vetmja ndihmë. Kur ishem në sanatoriumin e burgut në Tiranë ajo më pruni në takim At Marjanin, nandëdhjetëvjeçar. Ishte nji fat I rrallë. Në Sigurimin e Shtetit kishte njerëz të mirë e të kqij. Për fat, ndodhi nji oficer me ndjenja njerzore. At Marjanit I pruni nji karrige, sepse e pa që ishte në fund të pleqnisë.
    - Ndigjo, or nip, - tha At Marjani, - e shef ti vetë se nuk mund vij ma në takim. Zoti të ndihmoftë. Por kjo vajza ime do të jetë motër e jotja sa të jesh gjallë. Do të përpiqem, do të bajmë çfarë të mundemi që ti të rrnosh!... Qe motra jote!... Amanet! Te Zoti!...
    Që atë ditë ajo u tregue me të vërtetë sikur t’ish motër e emja. Gjurmoi se ku i kishem miqtë e dashamirët e mij, merrte ndihma nga ata, kryesisht nga familja Suma e Shkodrës dhe m’i dërgonte n’emën të vet. E me të vërtetë, në ato rrethana, ajo ishte për mue motër mbi motër. Të tre djelmoshat dhe un u ulëm në prakun e derës dhe pritëm. Nuk vonoi dhe ajo erdhi. S’më vuni re. U fal me djemt që i njifte mirë dhe kur u takue me mue mbet shtang:
    - Pater Zefi?...
    - Po, taman ai jam!...
    - O Zot i madh!... Po ti kishe edhe tre vjet burg!... Si të liruen?...
    - Motër më liruen kur deshten vetë, dhe nuk më pyetën mue! E shef, më nxorrën përdhuni nga burgu! Atëhere çka të thomi? Vetëm Zoti e din! Atë natë fjeta aty. Fjeta a nuk fjeta. Në çdo çast që më delte gjumi pyetshem veten: „Ku jam? I lirë apo jo?...“ Kurrgja nuk besojshem.
    Kur duel dita, u çova dhe thirra:
    - Motër!... Motër!...
    Nga dhoma tjetër ajo përgjegji:
    - Vëlla, vëlla!... asht tepër herët.
    - Më ka marrë malli me thanë Meshë.
    - Mos u ban merak se i kam të gjitha, por po shkoj me thirrë edhe dy-tri shoqe të mija besnike e ti mos u mërzit deri sa të kthej.
    Kur e fillova Meshën, zemra m’u çue peshë. Më rrethuen gjithfarë mendimesh. Ato katër gra, që luteshin nën za, mos me i përgjue kurrkush, ai terr I nades, para agimit, ato dhoma t’ulta dhe t’errta, ma çuen mendjen te vitet e para të krishtënimit, te katakombet. E në ç’shekull jena sot?... Pse Doktrina e dashunisë gjithmonë do të rrijë strukun prej dhunës?... Mister I madh I historisë njerzore... Kjava me lot ndër sy. Vetëm me vedi thashë: O Zot! E kur do të vijë fundi I kësaj bote?!...
    Atë ditë, bashkë me Gjeorgjinën shkuem te shtëpija e Bardhyl Dindit. Pagzova tre djelmoshat ndërsa gjyshja plakë thonte me nderim të veçantë: “Zot’i vërtetë prej Zotit të vërtetë. Dritë prej drite, etj.“ Aty n’atë shtëpi ndejëme deri në mbramje. Na përcollën po ata djem. U thashë atyne me dashuni: „Ju jeni ortodoksë, por sakramentet e punët e fesë i kemi njilloj.“ Kur bana me fjetë në mbramje e ndijshem veten tepër të qetë; m’u duk sikur kishem fillue përsëri misionin tem të cunguem.
    N’e nesre mendova me shkue te Kisha e Shan Ndout. Vetëm aty kishem mallë e shpresë. Gjithë rrugës më dukej vetëm shkatrrim i madh. Udhëtojshem në nji botë, që tashma ishte krejt e panjoftun për mue. Mjerim i plotë. Ndërsa po kthejshem kryeulun, i lodhun e i vramë shpirtnisht, qe se para meje dukej nji njeri plot forcë e jetë. Ishte Dashamir Deliadhisi, nji ish i burgosun, me të cilin kishem kalue disa vjet. Kur më pa ia vuni njanën dorë mbi ballë dhe tha:
    - Shif, shif, shif!... A më rrejnë sytë apo jam i saktë?... Je ti Pater Zef Pllumi apo…
    - Shi ai jam e mos u çudit aspak. Ndigjo Dashamir, çuditë janë në tokë dhe jo në qiell!... E kupton se ç’po të thom?...
    - Pater, më lejo që të të puth?...
    - Si kufomën në prag të vorrit!...
    - Jo kurr! Kurr! Kurr!... Pater kemi kalue shumë vjet bashkë në burg dhe të gjithë e kanë pa, provue e jetue se ndër të gjitha grupet e klasat shoqnore, si po i thonë sot, shembulli ma i mirë për të gjithë kje kleri katolik. Vetëm ky u tregue Heroo! Heroo! HERO! Ç’don të thotë kjo fjalë që nuk asht shqipe? Ajo kupton nji qenie midis njeriut dhe Perëndisë!... Pater e ka lanë nji fjalë arit ai vlonjati Kujtim Alimerko kur i thanë: „Burrë ishte filan Gjeneral.“ E ai iu përgjegj: „Për çfarë burrash flet ti?!... Sepse gjatë tridhet vjetëve që bana burg kam vrojtë se ka: burra grash e burra burrash. Në të vërtetë burra burrash kam gjetë ma tepër se të tjerët në klerin katolik. Atyne nuk u dridhej qerpiku as para vuejtjes e as para vdekjes. Ata janë burrat e burrave!... Na të tjerët jemi burra grash...“ E mandej Deliadhisi vazhdoi:
    - Pater, ti e din se jam mysliman i saktë denbabaden. Megjithkëta i shof dy djemtë e mij me kryq në qafë. I kan ble nga shtatëqind lekë. Un i pagova paret. Nuk u flas për kurrgja sepse tashma kryqi asht simbol I asaj lirie që aq shumë po e dëshrojmë. Nuk dij sa asht e vërtetë, por vesh më vesh u përhap fjala në Tiranë se janë lirue priftat katolikë. Gjithkush u gëzue, edhe myslimanët, sepse me dallëndyshe vjen pranvera. Ju ishit pika e zjarrtë në shinjestrën e Partisë. Pra vjen së vedit se kur u detyruen me ju lirue ju të gjithëve, don të thotë se liria po troket në derë.

    24 Tetor 2000


    FUNDI I LIBRIT TE TRETE

  9. #29
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Per lexuesit e kesaj teme:

    Per te pasur nje pershtypje te plote mbi librin po e sjell ne mbyllje dhe permbajtjen e lendes ne secilin prej tre librave te ketij rrefimi gjigand. Ne te zeze te theksuar me germa te medha te shtypit ndodhen ata kapituj te librit te cilit ne forme te plote ose ne nje pjese te mire te tyre jane sjelle ne kete teme.

    Nese e gjeni librin, mos humbni rastin ta blini.




    LIBRI I

    LIBRI I KUJTIMEVE
    Pjesa e pare
    1944-1951


    Nën këmishën e hekurt të kujtimeve
    LEXUESIT
    Vjeti 1944
    Kisha në Gethsemanit
    Vjeti 1945
    Legalët ilegale
    DHUNA BAHET PUSHTET
    Netë në arkiv
    Në Lekbibaj
    Bashkimi shqiptar
    KUJTOJ
    DUHEN KURBANE TJERA

    Shpresa e zhgënjime
    Levizja e Postripës
    ARMET NE KUVENDIN FRANÇECKAN
    Arrestimi në Melgushë
    SHTYLLA NE OBORR TE PILATIT
    ULKONJA DHE BIJT E VET

    Vetëm vdekja
    Burgu i Kishës
    FRATEL GJON PANTALIA
    XHABIR DIBRA
    Gjyqi në Redaksinë e “Hyllit te Dritës”
    BURGU I MADH
    KAMPI I BEDENIT
    Krishti në Burgun e Madh
    KENETA E MALIQIT
    I LIRE
    PRANE FAMILJES

    Në gërmadhat e Kishës



    LIBRI II

    LIRIA MES DY BURGIMEVE
    Pjesa e dyte 1950-1967


    PUNA NE MUZE
    Në Tiranë
    Shkurt 1951
    Gjyse ilegal në familjen time
    Zija e Bukës
    Përsëri në Kuvend
    Organizimi i ri në Kishën e shkatrrueme
    Statuti i Kishës Katolike
    KAMPET E BURGJET E SHQIPNISE
    Të kthejmë te punët e Kishës
    Intermezzo për At Kelmendin
    Meshtarët e rinj
    VDEKJA E STALINIT
    Ndër male të Dukagjinit, Frati i Shoshit
    Nata e Shënkollit
    Nata e Këshndellave
    Shtëpia e Zef Delisë
    Kleri nuk luftohej vetëm me pushkë, por ma shumë me shpifje
    Shtëpia e re
    MARASHI
    ZBORI E RADHAT

    Doket të vjetra
    Sosja
    Tregimi i Cubit plak
    Sosja (vazhdim)
    Dom Dedë Malaj
    Përsëri në Lekbibaj
    PO THUEJ SI TE PUSI I JAKOBIT
    Baba i vërtetë
    Në Brashtë të Shoshit
    Puna jonë me pengesa
    Shtërgata që po vjen
    Zhdukja e Kryqave
    Tre muejët e kuq
    LIN BIAO NE SHQIPERI
    DITET E FUNDIT T'ASAJ QE E QUEJTEM LIRI





    LIBRI III

    ROBNIA E GJATE
    1967-1989


    Paraqitje e volumit të tretë
    Filloj aty ku mbetem
    Si dikur
    GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNE
    Në pritje
    Kausha në Tiranë
    Miniera e Spaçit
    Fabrika e Repsit
    Korniza
    Në spital
    Në krypore të Vlonës – Lufta e klasave në burg
    Smajl Duli i Postribës
    Përsëri rob në minierë
    Uzina e naftës në Ballsh
    FRAGMENTE NGA REVOLTA E SPAÇIT
    PORTRETE TE NDRYSHME TE BURGOSUNISH
    DISA TJERE ANTARE PARTIE

    Hetuesi e re
    NJERZIT DHE SHTAZET
    Shpresa e pa shpresë derisa tirani vdiq
    OFICERA TE MIRE E OFICERA TE KEQIJ
    Uzina në veprim – mbarimi i miqësisë
    Burgu i Zejmenit
    KAMPET E FSHEHUNA NE SHEN VASI
    Vegimi i lirisë
    LIRIA ERDH VETE

  10. #30
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Mbylli sytë ati i rezistencës


    Elsa Demo
    26-09-2007


    Dje ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare Pater Zef Pllumi. Nga spitali "Gemelli" i Romës trupi i pajetë mund të sillet sot në atdhe. Thuhet që për këtë figurë "Nderi i Kombit" fretërit françeskanë në Shkodër do t'i marrin përsipër gjithçka të funeralit
    Dje, e martë e 25 shtatorit 2007, rreth orës 22.30 mbylli sytë si pasojë e kolapsit kardiak At Zef Pllumi. Kleriku, historiani, shkrimtari, humanisti, 83-vjeçari, ndërroi jetë në spitalin "Gemelli" të Romës. Përmes telefonit e bëri të ditur lajmin e hidhur për të gjithë ata që e njohën dhe do ta njohin at Zefin, Ardian Ndreca, njeriu që i ka ndenjur te kryet deri në çastet e fundit të frymës. "Gjendja kishte dy ditë që ishte përkeqësuar. Thoshte nuk ndjej dhimbje. Zemra e la para gjysmë ore". Gjendja shëndetësore e At Zef Pllumit ishte rënduar prej disa muajsh në kthinën e tij, në kuvendin e fretërve françeskanë të Gjuhadolit prej nga u largua për mjekim drejt Romës në muajin gusht. U kthye për pak ditë në Shkodër dhe përsëri drejt "Gemellit" ku dha shpirt dje. Sipas Ardian Ndrecës do bëhet ç'është e mundur që trupi të kthehet në Shqipëri në mos ndoshta nesër. Dhe për funeralin thuhet se do të kujdesen kleri françeskan, udhër të cilit Pater Zefi i kushtoi jetën.

    At Zef Pllumi u lind më 7 prill 1924 në katundin Mali i Rrencit, rrethi i Lezhës. Që në moshë të vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Ndoqi mësimet fillore e të mesme në Lyceun "Yllyricum" në vitin 1942. Për rrethanat e ashpërsimit të luftës, ndoqi mësimet e larta teologjike në Kuvendin Françeskan, në Shkodër. Në 1946 kur u mbyll ky Kuvend, atë me shumë klerikë të tjerë e arrestuan më datë 14 dhjetor. U dënua nga një gjykatë ushatarake në fillim të vitit 1948 me tri vjet burg të cilat i kaloi në Shkodër, ne Beden të Kavajës e në Orman-Pojan të Maliqit. U lirua mbas tri vjetësh e u kthye në Kuvendin Françeskan, te Arra e Madhe në Shkodër. Në vitin 1958 u transferua ndër Malësitë e Dukagjinit, ku ndenji derisa u mbyllën kishat në pranverë 1967. Në fund të shtatorit e arrestuan përsëri dhe u dënua me 25 vjet të cilat i kaloi në Spaç të Mirditës, në Krypore të Vlorës, në Ballsh të Fierit, në Zejmen të Lezhës e në Përparim (Shën Vlasil) të Sarandës. U lirua më 11 prill 1989 mbasi kaloi shumë sëmundje. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku mban meshën e parë të lirë. Nga kjo kohë e deri para pak muajsh kur në faqet e Shekullit iu botua analiza e fundit "Periudha njiqindvjeçare e tranzicionit - Shikime rreth historisë sonë kombëtare", ai ka qenë aktiv si njeri i dijes, kulturës duke shprehur hapur e në mënyrë të pakompromis qëndrimet e veta ndaj situatës së klerit në Shqipëri, ndaj ekspansionit të klerit të huaj dhe deri tek qëndrimet kundër mjerimit politik dhe kulturor të sotshëm të vendit.

    Përmes autobiografisë "Rrno vetëm për me tregue", një vepër në tri vëllime, rrëfimeve për kalvarin e burgjeve dhe persekutimin jo vetëm individual, jo vetëm të klerit katolik por të çdo individi që pa me sy brenda dhe jashtë burgut ferrin e diktaturës, ai dha një leksion së pari njerëzor dhe së fundi. Për këtë vepër në vitin 2006 u vlerësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin "Penda e Artë", pak pasi ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu do ta nderonte me urdhërin e lartë "Nderi i Kombit" me motivin që përfaqëson "në mënyrën më bindëse disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane". Po këtë vit i botohet një tjetër vepër voluminoze "Historia kurrë e shkrueme". Në intervistën e fundit që pat dhënë në faqet e kësaj gazete Pater Zefi kishte thënë se kishte frikë që nuk do të mund ta çonte në fund veprën "Saga e fëminisë".

    Ardian Ndreca na tha dje se keqardhja e fundit e At Zef Pllumit ishte një vdekje larg Shqipërisë. Prandaj pyeste si ishte moti që të fluturonte me balonë për në atdhe.


    Gazeta Shekulli

Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. At Zef Pllumi - Deshmia e se Vertetes
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-04-2015, 19:34
  2. At Zef Pllumi - "Rrno vetem per me tregue"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 27-12-2013, 18:13
  3. Atë Zef Pllumi - “Nderi i Kombit"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-07-2006, 18:25
  4. Rrno per me tregue - At Zef Pllumbi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •