Esat Avdyli- exha
Jam skeptik për pavarësinë
Është e vërtetë se të gjithë shqiptarërt, e duan lirinë, pavarësinë. Por, është poashtu shumë reale, se për liri e pavarësi shumë pak shqiptarë janë duke punuar...Kjo mbase ka ndikuar në të kaluarën, po ndikon edhe tani e ndoshta do të ndikoj edhe në të ardhmën që të prolongohet, të shtyhet, të ndryshohet koha e marrjes së vendimit definitiv dhe përfundimtar...
Për këtë jam shumë skeptik se do ta kemi pavarësinë me dhjetë dhjetor siç po deklaron kryeministri i nderuar Agim Çeku dhe ata të Grupit Negociator, (Grupit Servil)....Nuk u besoj më, se po ky kryeministër dhe po ky grup, pati deklaruar edhe për marsin, edhe për prillin, edhe për qershorin e ja ku jemi...aty ku ishim dhe duket se nuk kemi lëvizur fare...
Jam shumë skeptik se udhëheqësit tanë, të gjithë, po i shikojnë interesat personale e jo ato kombëtare. Për këtë nuk do ta kemi pavarësinë edhe për disa kohë edhe pse e dëshiroj më shumë se jetën ...
Jam shumë skeptik edhe për faktin se atëherë kur nuk është dashur po mbahen zgjedhjet, qofshin ato lokale apo parlamentare, sepse tani në vend se të flasin për arritjen e pavarësisë, krerët tanë, kanë filluar të flasin për zgjedhjet dhe u lodhën duke vrapuar vend më vend e fshat më fshat për ti siguruar votat që nuk i meritojnë.
Jam shumë skeptik se do ta shijomë aktin final në dhjetor, qoftë ai dhjetë apo tridhjetë e bile edhe tridhjetëenjëshi...Jo...Nuk e besoj, sepse, siç po rrjedhin gjërat, kjo nuk do të ndodhë fare këtë vit...kështu po na shtyhen vitet dhe them se tani është e pranishme edhe në ditët tona, thënia popullore “pall magar sa të del bar”, ndërsa bari vjeshtës e dimrit thahet e nuk rritet...
Për të gjitha këto jam skekptik se me këtë strukturë politike do ta kemi pavarësinë, sepse asnjëherë deri më tani, nuk ka ndodhur, që qoftë më të voglin kundërshtim t’ua bëjnë të huajve. Pra sikur janë mbështetur shumë tepër në faktorin ndërkombëtar...duke e mënjanuar atë kryesorin faktorin e mbrendshëm, faktorin njeri e faktorin popull.
Jam skeptik edhe për faktin se para gjyqit të huaj dhe të pandërgjegjshëm, për atë se po e kërkon lirinë e plotë, pavarësinë, vetëvendosjen, gjendet Albin Kurti dhe askush nga faktorët tanë politikë, institucional e shtetëror, nuk e tha asnjë fjalë sikur Albini, të ishte jo nga Kosova por nga një vend shumë i lagërt...nga Mashidezeku i dikurshëm i të ndjerit Rugova...
Jam skeptik se po na përsëritet historia. Po na përsëriten, politikat, tutorët...Kështu ishte atëherë kur i ndrituri, luftëtari ideor për bashkimin kombëtar Adem Demaçi gjendej nëpër burgjet jugosllave, ne si të rinjë asaj kohe mësonim për Mendelen, Che Ge-varen, e për dikë krejt të huaj, ndërsa emrin Adem as që guxonim ta përmendnim...
Pra edhe pse kaluan më shumë se pesëdhjetë vjetë luftëtarët e vërtetë të lirisë Bacën e Adem dikur, e të nderuarin Albin sot, po i përcjell i njëjti fat...
Jam skeptik edhe për shumë gjëra, por më shumë jam skeptik për guximin e humbur të atyre që duhet ta thonë fjalën në Parlament se do ta shpallin ndonjëherë pavarësinë...
Por më shumë jam skeptik edhe për faktin se askush deri më tani qoftë këtu në Kosovë apo në Shqipëri, kam fjalën për faktorët udhëheqës, qofshin ata të partive politike, apo të institucioneve shtetërore, nuk po e qesin në plan të parë bashkimin e trojeve shqiptare...
Pra pa bashkimin e shqiptarëve nuk do të ketë qetësi ky vend e ky rajon...
Dhe në fund mendoj se ne si popull e udhëheqësit tanë si liderë, duhet flakur frikën nga të tjerët se çka do të thonë ata, çka do të veprojnë ata për ne...dhe tu themi: ne jemi shqiptarë dhe duam të jetojmë në shtetin tonë...asgjë më shumë e asgjë më pak...
A po na mbete ëndërr pavarësia, ëndërr e parealizuar.
Për fund po e përfundoj me Frojdin: "Një ëndërr është realizimi i një dëshire, të cilën për një arsye ose tjetër, s’kemi qenë në gjednje ta kënaqim. Përmbajtja e dukshme e një ëndrre mund të quhet realizim i ndaluar i dëshirave të shtypura”...
Krijoni Kontakt