DIOKSINA, BURIM KANCEROGJEN PËR POPULLIN E KOSOVËS

Shkruan: Sejdi Veseli

Po mbushen tetë vjet të plota nga përfundimi i luftës tonë të armatosur
çlirimtare dhe deri në ditët e sotme, në raport me eliminimin e pasojave të
shkaktuara nga veprimet vandale të pushtuesit, nuk kemi qenë në nivel të
detyrës.
Ka qenë detyrë ndër detyrat parësore e “pushtetarëve” kosovar dhe e askujt
tjetër, që të organizojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura dhe konkrete
për eliminimin pasojave të luftës, shumë të rrezikshme për të ardhmen e
këtij vendi.
Duhet të konstatojmë me dhembje në shpirt, se edhe ato pak veprime teknike,
gjoja nën drejtimin e “pushtetarëve”kosovar, të cilat janë ndërmarrë në
terrenet ku nga veprimet vandale të pushtuesve ishin djegur dhe rrafshuar me
tokë shtëpitë shqiptare, deri në ditët e sotme, ato ishin gjysmake dhe shkel
e shko. Ndërsa në rastet, kur bëhej fjalë për shtëpitë e minoritarëve serb,
këto u bënë për mrekulli. “Pushtetarët” tanë as që e lodhen mendjen, se
shumica e këtyre shtëpive, jo vetë se kishin shërbye si kazerma për
paramilitarët, por ato ishin djegur nga vetë pronarët gjatë tërheqjes së
tyre bashkë me ushtrinë serbo-çetnike, të bindur se pas krejt atyre mizorive
që kishin ushtruar ndaj fqinjëve të tyre shqiptar, nuk i kanë lënë vetes
vend për t’u kthye më. Nuk përjashtohet mundësia, që edhe paramilitarëve
serbo-çetnik t’u kenë ndërtuar shtëpi moderne dhe t’ua kenë mobiluar ato me
mobile të reja, thjesht t’ua kenë siguruar një jetë më komfore se ajo që e
kanë pasur para luftës. Ndërsa shumicën e luftëtarëve të lirisë dhe familjet
e shumta shqiptare, të cilave pushtuesit ua kishin djegur shtëpitë, i kanë
lënë qe 8 vjet, pa kulm mbi kokë, të ballafaqohen me acarin e dimrave dhe
lagështinë nën plastmasë.
Është e ditur se përveç plaçkitjeve, djegieve, përdhunimeve, masakrimeve dhe
vrasjeve, në pasojat e luftës banë pjesë edhe ndotja e ambientit me mjete
radioaktive, kimike dhe biologjike, pra shkrimi im ka për qëllim të shpalosë
problemin e ndotjes me njërin prej mjeteve më të rrezikshme kimike që parqet
rrezik të madh për shëndetin, jo vetëm për gjeneratat e sotme, por edhe për
ato që do të vinë. Fjala është për kontaminimin e truallit tonë me dioksinë.
Jemi dëshmitar të kohës, se deri në ditët tona, nga të ashtuquajturit
kompetent për shëndetësi dhe për mbrojtjen e ambientit, që figurojnë si
zyrtar të lartë të kinse IPVQK (që në realitet nuk janë tjetër pos servile
të unmikistanezëve...), jo vetëm se nuk është ndërmarrë as edhe një hap për
eliminimin e këtij rreziku, por as që është diskutuar për te, ngase u kanë
thënë shefat e tyre ndërkombëtar se ky rrezik nuk ekziston.
Nëpërmes këtij shkrimi u bëjë thirrje publike, atyre që e konsiderojnë veten
kompetent, për të ndërmarrë hapa konkrete për eliminimin e ndotësve të
hapësirës kosovare me dioksinë, edhe ashtu të kontaminuar rendë gjatë
periudhës së luftës, si nga veprimet luftarake të ushtrisë pushtuese
serbo-çetnike, ashtu edhe nga fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve
strategjike të pushtuesit serb.
Çka është dioksina?
Dioksina është njëri prej helmeve më të rrezikshme për njeriun dhe
rrethinën. Shumë shkencëtarë me renome, gjatë hulumtimeve të tyre kanë
arritur në përfundimin, se për njeriun, vetëm mbeturinat nukleare janë më
të dëmshme se Dioksina.
Dioksina është një përbërjeje e poliklor dyoksideve të karbonit. Më e
rrezikshmja prej tyre, fshehët pas emërtesës
2,3,7,8-tetraklorodibenzo-p-dioksin ose pas shkurtesës TCDD.
Deri në ditët tona janë identifikuar 419 lloje të ngjashme me dioksinën
dhe vetëm 30 prej tyre konsiderohen me ndikim helmues për njeriun. Krijohen
gjatë procesit të djegies së materieve organike-mbeturinave organike, por
edhe si nusprodukte gjatë proceseve kimike në industrinë që ka për bazë
kiminë organike. Ato gjenden në të gjitha pjesët e globit. Gjenden në ajër,
ujë, tokë, në shtresimet e pluhurit dhe në ushqime, veçanërisht në prodhimet
e qumështit, mish, peshk dhe guaca dhe janë shumë të qëndrueshme dhe të pa
tretshme në ujë, por me afinitet për t’u tretur në masat dhjamore dhe në
vajra, andaj s’ka se si të mos arrihet te përfundimi se këto përbërje kimike
shumë toksike shtresohen me lehtësi në trupin e njeriut. Nëse këto helme
futen në organizmin e njeriut nëpërmjet rrugëve orale, absorbimi i tyre
sillet prej 50 e deri në 90 %, ndërsa shtresohen në mëlçi dhe në indet
dhjamore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh apo WHO), nëpërmjet botimeve dhe
faqeve të saj në internet tërheq vërejtjen me seriozitetin më të madh, se
nëse dioksina depërton në ambient apo futet në trupin e njeriut dhe
gjallesave që shërbejnë për ushqim, për shkak të afinitetit të saj për t’u
shtresuar në indin dhjamor dhe për shkak të stabilitetit kimik shumë të
theksuar, ajo do të mbetet aty për një kohë të gjatë, mesatarisht më së paku
për shtatë vjet. Çka është për t’u shqetësuar edhe më tepër, akumulimi i
dioksinës në vargun e gjërave ushqimore është gjithnjë në rritje. Mjafton
një ekspozim i shkurtë i njeriut në një ambient të kontaminuar me përqindje
të lartë të dioksinës dhe të shkaktohen tek ai akne klorike dhe pika me
ngjyrë të zezë apo ngjyrë kafeje në lëkurë, si dhe çrregullime serioze në
funksionimin e mëlçisë. Deri në ditët tona është verifikuar veprimi
degjenerues në 9 lloje të gjeneve njerëzore. Përveç kësaj, këto helme
shkaktojnë çrregullime serioze në metabolizmin e vitaminës K, përkatësisht
mungesën e tij, dukuri kjo që shfaqet me gjakderdhje tek të porsalindurit.
Ndikimi i këtyre helmeve tek fetuset shprehet me peshën e vogël tek të
porsalindurit dhe në rritjen e shkallës së vdekshmërisë së embrioneve.
Ekspozimi më i gjatë ndaj dioksinës shkakton çrregullimin e sistemit të
imunitetit, çrregullime serioze në zhvillimin e sistemit nervor, sistemit
endokrin dhe funksioneve riprodhuese.
Ekspozimi i vazhdueshëm i botës shtazore ndaj dioksinës mund të shkaktoj
edhe disa lloje të kancerit.
Doza vdekjeprurëse e këtyre helmeve është shumë vështirë të përcaktohet,
sepse një dozë e këtyre helmeve që është vdekjeprurëse për një gjallesë,
tjetrës nuk i shkakton asnjë simptomë të intoksikimit. Por, dihet se
dioksina është 11.000 herë më helmuese se cianidi i natriumit dhe që vepron
në koncentrimin prej 100.000.000 herë më të ulët.
Gjithashtu është vërtetuar se për nga vetitë e saj kancerogjene, dioksina
radhitet menjëherë pas uraniumit të fisnikëruar. Çka është edhe më keq,
është një përbërje kimike praktikisht e pa neutralizueshme.
Është vërtetuar se Dioksina shkakton efekte të ndryshme në organizëm,
përfshirë këtu kancerin e mushkërive, të buzëve dhe hundës, të gjëndrës së
hipofizës dhe të atyre mbi veshkore, të timusit, mëlçisë dhe shpretkës , të
indit nën lëkuror dhe lëkurës, defektet tek të posa lindurit.
Nga Agjencia ndërkombëtare për hulumtimin e sëmurjeve malinje është bërë
edhe hulumtimi i ndikimit të Dioksinës (TCDD), në shfaqjen e tyre. Duke u
shërbyer edhe me raportet statistikore epidemiologjike, kjo agjenci ka
ardhur në përfundim, se dioksina është njëri nga shkaktarët e kancerit te
njeriu. Në këtë drejtim, më të rrezikuarit janë fëmijët e pa lindur dhe të
porsa lindurit.
Sipas udhëzimeve të OBSh-së, mbrojtja më e mirë nga kontaminimi me dioksinë
nëpërmjet ushqimit është përdorimi sa më i vogël i yndyrave me origjinë
shtazore dhe produkteve nga qumështi me yndyrë të plotë, si dhe përdorimi sa
më i madh i pemëve, perimeve dhe drithërave.
Gjithashtu ekspertet e preventives mjekësore porosisin, që gjatë larjeve dhe
pastrimeve t’u iket sa më shumë, të gjitha detergjenteve dhe sapunëve të
cilat si pjesë përbërëse të emrit të tyre e kanë edhe fjalën “kloro”. Si
zëvendësim të tyre, mundësisht të përdorin ato të prodhuara në bazë të
oksigjenit.
Kosova është shumë e rrezikuar nga diksina!
Si pasojë e bombardimeve dhe granatimeve nga ushtria pushtuese serbe dhe nga
fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve dhe objekteve me rëndësi
strategjike të ushtrisë serbe, si p.sh. kazermat, mjetet luftarake, depot e
armëve (në të cilat kanë qenë të deponuara edhe predhat me mbushje kimike)
dhe rezervuarve të karburanteve për forcat tokësore dhe ato ajrore, me që
rast gjatë djegieve të materieve të ndryshme, si piraleni nga
trafo-stacionet, zhiva, dioksinet e ndryshme, nafta, benzina, kerozina,
instalimet elektrike dhe PTT (të izoluara me lëndën PVC), gomat e
automjeteve luftarake është liruar sasi e madhe e dioksineve. Andaj, edhe
mund të arrihet në përfundim, se popullata në territorin e Kosovës është
shumë më e rrezikuar, se sa ajo e regjioneve tjera.
Me djegien e hidrokarbureve lirohen përbërje shumë të dëmshme kimike. Nën
ndikimin e dritës së diellit dhe faktorëve tjerë, nga këto përbërje kimike
lirohen edhe dioksinet, të cilat ndikojnë fuqishëm për shfaqjen e formave të
ndryshme sëmundjeve malinje(sëmundjeve kanceroze).
Shkalla e rrezikshmërisë nga këta ndotës është më serioze, se ajo që
pranohet zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e njerëzimit
dhe të ambientit nga ndotësit e rrezikshëm.
Për dekontaminimin kimik të hapësirës kosovare, nga substanca të ndryshme
helmuese, duke filluar nga metalet e rënda, plumbi e zhiva, mandej nga
amoniaku, piraleni dhe shumë tjera, kërkohen veprime sistematike,
profesionale, përkushtim, si dhe mjete të mëdha financiare. Sipas, asaj çka
është vërejtur në terren, mund të dyshohet me bazë, se diçka e tillë as që
mund të pritet nga institucionet “përgjegjëse” në Kosovë. Ato, nuk ishin në
gjendje të sigurojnë mjetet e domosdoshme, as për dekontaminimin biologjik
të territorit të Kosovës, për të cilin ishin përgatitur projektet menjëherë
pas përfundimit të luftës dhe për të cilat nuk kërkoheshin mjete të mëdha
financiare.
Vazhdon ndotja e Kosovës me dioksinë
Për të dëshmuar se vazhdon kontaminimi i Kosovës me dioksinë, e shohë të
mjaftueshme të përshkruaj vetëm një burim kontaminimi. E konsideroj, se ky
shembull është shumë domethënës, ngase lokacioni i tij gjendet në rrethin që
frekuentohet, jo vetëm nga ajka e mjekësisë kosovare, por edhe nga fakti se
më pak se 100 metra prej saj gjendet selia e OBSh-së për Kosovën, Instituti
Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës, Dekanati i Fakultetit të
Mjekësisë, Instituti i Pato-fizës dhe Instituti i Mjekësisë Familjare.
Fjalën e kam për krematoriumin i cili shërben për djegien e mbetjeve
spitalore të krijuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mund të dyshohet me bazë, se jo vetëm nuk është marrë pëlqimi i ekspertëve
të këtyre institucioneve superiore shkencore nga spektri i preventives
shëndetësore, por as që janë përfillua reagimet e tyre.
Ky burim i ndotjes, i ndërtuar menjëherë pas përfundimit të luftës, mund të
dyshohet edhe pa leje ndërtimi, në mes dy restoranteve ku ushqehen një numër
i madh i punëtorëve shëndetësor, vizitorëve të pacientëve nëpër klinika dhe
studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, me vendimin e drejtorit të atëhershëm
të QKUK dhe të zyrtarëve unmikistanez që vranin dhe kthjellnin në
Departamentin për Shëndetësi të ashtuquajturit Këshilli i Përkohshëm
Administrativ (H. Vori dhe bishtat e tij vendor).
Në këtë krematorium digjen të gjitha mbetjet spitalore të krijuara në
klinikat e QKUK-së, pa u bërë ndonjë seleksionim i tyre dhe pa u
kontrolluar procesi i djegies së tyre, shkalla e ndotjes së ambientit, me
gazrat shumë të rrezikshëm që lirohen dhe emitohen jashtë, nëpërmjet
tymtarit lartësia e të cilit është nën nivelin e objekteve më të ulëta
shëndetësore dhe restoranteve që gjenden përreth tij.
Këto mbetje krijohen gjatë diagnostifikimit dhe kurimit të pacientëve, si
psh. Fashat e përdorura nëpër sallat e operacioneve, shiringa plastik,
gjilpërat, ndofta edhe pjesët e amputuara, qeset plastike për ruajtjen e
gjakut të konservuar, fashat prej gipsi, kemikatet dhe barërat e skaduara,
kemikatet e përdorura dhe…
Tymi që lirohet gjatë djegies se mbetjeve spitalore ka një aromë
asfiksuese, identike me atë të dioksinës dhe furaneve dhe të shumë njerëz
vërehen vështirësi në frymëmarrje.
Ndotja kimike që shkaktohet nga ky krematorium paraqet një shkallë të lartë
të rrezikshmërisë, si për shëndetin e personelit mjekësor, për pacientet
shumtë dhe vizitorët e tyre, për studentet e F.M. dhe SHMM dhe ashtu
popullatën e regjioneve deri ku depërton tymi që lirohet gjatë punës së
këtij krematoriumi.
Është për t’u alarmuar se deri në ditët e sotëm nuk dihet se është krye
ndonjë matje e sasisë së komponentëve kancerogjenë dhe mund të dyshohet me
bazë se manaxhuesi i këtij ndotësi nuk posedon aparatin për matjen e tyre.
Siç mund të vërehet në institucionet terciare të shëndetësisë
kosovare-QKUK, mund të nxirret përfundimi, pa u frikësuar se po u hyjmë në
hak sistemit drejtues të tyre, se është jo adekuat i tërë menaxhimi me
mbeturinat që krijohen brenda klinikave. Përkundër faktit se trajtimi i
mbeturinave është shumë larg standardeve të menaxhimit të pranueshëm
shëndetësor dhe ekologjik.
Për korrigjimin e këtij defekti nuk kujdesen as inspektorët sanitar. Është
për t’u “çuditur” se për këtë problem nuk mërziten as unmikistanezët,
sidomos evropianët në përbërje të tyre, kur dihet se në legjislativin e BE
ekzistojnë një mori rregullash dhe direktivash të cilat përshkruajnë mënyrat
për menaxhimin e mbeturinave, deri në eliminimin e plotë të tyre.

Prishtinë, 03 06 2007