Adem Jashari, sendet personale restaurohen në Tiranë

Në to gjenden ende gjurmët e luftës. Diku dallohen qartë shenjat e djegieve. Veshje të tjera janë të grisura, të tjera kanë njolla të shumta, disa mbajnë edhe shenjat e plumbave. Të gjitha kanë qenë të familjes së Adem Jasharit. Janë një grup objektesh tekstile që i kanë shpëtuar luftës. Nga Kosova kanë mbërritur në Tiranë për t'iu nënshtruar trajtimit konservues. Vet rëndësia e familjes Jashari në luftën e Kosovës i vesh ato me vlera muzeale. Vetëm dy ditë më parë, në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit ka filluar trajtimi i veshjeve të para. Dy triko grash, një triko e një këmishë burrash, një triko jeshile, një mëngë trikoje e një këmishë fëmijësh, një palë çorape burrash, nga një çorape tek grash e ndonjë papuçe e punuar me dorë, po pastrohen me solucionet e nevojshme. Janë vetëm pak nga disa objekte që janë gjetur mes gërmadhave të shtëpisë së Adem Jasharit, apo edhe të hedhura shkujdesur diku larg saj. "Në Kosovë janë mbledhur rreth 240 objekte tekstili, prej të cilave gjysma në fund të prillit u sollën në Tiranë për t'u restauruar", - tregon shefi i Laboratorit të Restaurimit dhe Konservimit. Bashkë me disa specialistë të tjerë, ai ka udhëtuar në Prekaz,(aty ku gjendet shtëpia e Jasharit) për të parë gjendjen e tyre. Ndërkohë, këto objekte tekstili ruhen në Muzeun Kombëtar. Dëmtimet e shumta i bëjnë të duken si një grumbull i madh vjetërsirash. Qëndrimi në shi dhe baltë, përveç të tjerash i ka dëmtuar edhe më shumë. "Përgjithësisht, gjendja është e rëndë. Tekstilet janë të kalbura pasi për njëfarë kohe ngelën në baltë e shi, disa janë të djegura, e të tjera si këpucë e çizme prej lëkure janë të deformuara. Duan një punë serioze për t'u restauruar", - thekson Stamati. Këto objekte kanë mbërritur në Tiranë në bazë të një marrëveshjeje me drejtorin e fondacionit "Adem Jashari", Shaban Hoxha. Në Kosovë nuk ka një laborator të specializuar për të bërë ndërhyrje të tilla. Ndërsa një pakicë objektesh, rreth 50, që nuk janë të dëmtuara rëndë do të trajtohen atje. Stamati nuk e përcakton kohën që do të duhet për trajtimin e tyre. Janë vetëm në fillimet e punës. Por pas mbarimit, ato do të jenë të gatshme për muzeun që do të organizohet në Prekaz e që do t'i dedikohet familjes Jashari dhe aktivitetit të tyre patriotik.
Objektet
Ato janë objekte të përditshmërisë të përdorura në familjen e Adem Jasharit, një nga komandantët e luftës për çlirimin e Kosovës. Më së shumti janë objekte tekstili. Mes atyre që kanë mbërritur në Tiranë dallohen triko burrash e grash, këmisha, veshje për fëmijë, çorape që në të shumtën e rasteve ka shpëtuar vetëm njëra. Ende nuk janë identifikuar se kush nga personat e familjes i ka përdorur ato. Mes grumbullit në Muzeun Kombëtar(ku janë shënuar edhe numrat e inventarit) të kap syri edhe jorgan të grisur, jastëk që mban njolla djegie apo edhe perde tyli e shumë veshje të tjera që djegia i bën të padallueshme se çfarë janë. Frederik Stamati tregon se mes objekteve që banorët kanë mundur të gjejnë pas luftës ka veshje, këpucë, ene kuzhine plastike, qelqi, metalike, porcelani etj. Po nuk mungojnë as vegla pune bujqësie për të cilat ata kujdeseshin në një ofiçinë të tyren. Fletore, ilaçe që ndodheshin në shtëpi, stola, një krevat i thjeshtë dërrase që në kokë mban të gdhendur një shqiponjë kanë shpëtuar. Stamati tregon se në disa prej tyre gjenden edhe shenjat e plumbave. I tillë është rasti i dy kupave që kanë ngelur të ngjitura, pasi plumbi që ka depërtuar i ka shformuar. "Lufta ka vazhduar për tre ditë dhe shtëpia është gjuajtur edhe me armë të rënda. Të gjithë që ndodheshin në shtëpi u vranë. Dhe sot e kësaj dite janë të shpuara nga predhat dhe plumbat. Atje ka ngelur një traktor që është përplasur në muret e banesës", tregon Stamati. Ndërkohë në Prekaz(aty ku ndodhet shtëpia) është ndërtuar një rrugë e ndriçuar që lidhet me rrugën nacionale, do të bëhen varrezat dhe një tip stadiumi që njerëzit e shumtë të kenë mundësi të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve. Pas këtyre do të ndërtohet muzeu me të gjitha parametrat ku do të ekspozohen objektet e familjes Jashari.