Firmoset marrëveshja mes ministrave Pollo dhe Sewerinsky
Bursa studimi, kurse verore të gjuhës dhe shkëmbime specialistësh, janë disa nga pikat e programit të bashkëpunimit mes qeverisë sonë dhe asaj polake. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, dhe ministri polak i Arsimit, Michal Sewerinsky, nënshkruan dje marrëveshjen përmes së cilës Shqipëria dhe Polonia do të mbështesin njëra-tjetrën në zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës. Studentë dhe specializantë do të jenë pjesëmarrjes në konferenca të përbashkëta, simpoziume dhe seminare shkencore. Gjithashtu, marrëveshja parashikon shkëmbim të literaturës së specializuar, botimeve dhe revistave. Një ndër projektet më të rëndësishme, që ndiqet prej vitesh dhe do të vazhdojë edhe këtë vit është ai i bursave. Kështu, pala polake do të pranojë, çdo vit, 12 studentë universitarë dhe doktorantë shqiptarë, për të ndjekur studime universitare ose studime për doktoraturë falas, në shkollat e larta publike në Poloni. Nga ana tjetër, pala shqiptare do të pranojë, çdo vit, studentë dhe doktorantë nga Republika e Polonisë, për të kryer studime ose forma të tjera shkollimi, si dhe do të pranojë pedagogë akademikë. Për sa i përket studimit të gjuhëve shqip dhe polonisht, palët, sipas këtij programi, do të ofrojnë shkëmbimin e studentëve të gjuhës shqipe dhe polake, si dhe të pedagogëve akademikë, specialistëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe e polake, me synimin për të ndjekur çdo vit kurset verore të gjuhëve.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt