Elona Demollari
"Dita e mirë duket që në mëngjes??". E kush e ka thënë këtë gënjeshtër…Erdhi mesi i qershorit! Por është kaq e vështirë të marrësh me mend nëse duhet të dalësh nga shtëpia me mëngë të shkurtra, apo me çadër në dorë. Siç duket duhet ti themi lamtumire klimes mesdhetare. Ndryshimet e klimës kanë sjellë një mot me tipare të vërteta kontinentale. Gati për të ndryshuar rrënjësisht sa hap e mbyll sytë. Brenda natës koha ndryshon dhe nuk është çudi që të zgjohemi në një ditë të bukur me diell dhe kur të jemi bërë gati për të dalë nga shtëpia pas një ore, të ketë filluar të bjerë shi. Dhe luhatjet e temperaturës brenda 24 orëshit të ditë-natës, nuk janë për tu tallur. Shkojnë nga 10- 13 gradë celcius në ditë! Kjo do të thotë që nëse në drekë mund të kemi një temperaturë normale vere, 30 gradë Celsius, në darkë, mund të kemi një pragdimri me 16-17 gradë C. Dhe kjo nuk është shaka. Madje ka filluar të japë shenjat e para dhe tek shëndeti. Janë shtuar ndjeshëm viruset gripale, ftohjet dhe alergjitë.
Një kërkim i vogël në internet dhe shqetësimin për këtë që po ndodh, e gjen thuajse në të gjitha agjensitë sinoptike të Europës. Sipas tyre "Për javën e ardhshme duhet të presim një tjetër dalldi të nxehti si shkak i një anticikloni të ardhur nga Libia. Temperaturat mund te rriten deri në 13 gradë më shumë se nga ç'na është ofruar këto 10 ditët e fundit. Ky tip moti ka sjellë çrregullime në qarkullimin e masave ajrore dhe ulje-ngritjet shkaktojnë pasoja të paparashikueshme. Energjia që grumbullohet mbi sipërfaqen e detit në ditët me temperatura të larta, me ardhjen e këtyre masave shkakton dhe përmbytje.
Klima jonë e dikurshme (ka ardhur vërtet koha ta quajmë "të dikurshme") njihej si mesdhetare: ndryshimet e temperaturës brenda ditës ishin mjaft të vogla dhe të justifikueshme. Ndryshimet e menjëhershme brenda ditës, janë tipike të një klime kontinentale, ku temperaturat mund të ulen dhe 10 gradë brenda një nate të vetme.
Ata që e vuajnë më tepër këtë shndërrim historik të klimës janë personat që kanë probleme kardiovaskulare. Këto ndryshime sjellin shqetësime të shumta edhe në sistemin nervor. Është provuar se pasoja e tyre kryesore psikologjike është ndjenja e një destabiliteti të fortë humori.
Këto paqëndrueshmëri të kohës kanë shtyrë ekseprtë të mbrojtjes civile nga e gjithë Europa të organizojnë një mbledhje, e cila do të mbahet më 20 gusht. Dhe kjo nuk është e vetmja nismë për të mbrojtur planetin nga ngrohja globale. Në Gjermani është mbledhur dje një samit me pjesëmarrës nga vende të ndryshme si Rusia, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe, Japonia dhe Kanadaja.
Pranvera 2007, më e nxehta e dy shekujve
Ajo që sapo kaloi, ka qenë pranvera më e nxehtë që nga 1800 deri më sot. Ky është një rekord tjetër pas atij të muajit prill dhe të dimrit 2006-07. Lajmi bëhet publik nga Instituti i Shkencave Atmosferike në Bolonjë. Nuk janë marrë si pjesë e kësaj llogaritje temperaturat e freskëta të ditëve të fundit të majit. Gjithashtu dimri i këtij viti ka qenë më i ngrohti i dy shekujve të fundit, dhe lidhet veçanërisht me muajin prill (më i nxehti i regjistruar nga të gjithas të dhënat e këtij instituti, me një rritje 3,1 gradë) ndërsa marsi dhe maji nuk kanë një ngritje të madhe të temperaturave. Marsi më i nxehtë që nga 1800 është ai i vitit 2001, ndërsa maji më i nxehtë që nga 1800 është ai i 1868.
Mos harroni... çadrat
Për të gjithë ju që jeni në lëvizje gjatë ditës, nuk do të ishte keq të merrnit me vete, gjithmonë një çadër. Pasi vera e këtij viti po na habit të gjithve. Nuk është habi që pa kaluar as 10 minuta nga shkqëlqimi i diellit, Tiranën ta mbulojnë rrëketë e ujit që shkakton rënia e shiut. Dhe mos harroni gjithashtu të merrni gjithmonë me vete diçka për ta hedhur krahëve, vërtet ndonjë nga ne mund të mendojë që shiu që bie është shi vere, por moti ka treguar të kundërtën. Tirana ka provuar një "dimër" të vogël dhe në mes të majit. Siç duket është ende herët për të hequr nga garderoba veshjet e dimrit. Vera e këtij viti është plot të papritura.
Gushti, muaji i surprizave
Parashikimet? Vështirë të kemi një kuadër të qartë me këtë diversitet të madh, por mund të thuhet që po shkohet drejt një stabilizimi të të nxehtit gjatë korrikut. Në gusht pritet të këmi përsëri fenomene të tilla si ngrohtë- ftohtë, diell- shi, tamam si në këto javë. Ata që kanë planifikuar të bëjnë pushimet e tyre në muajin gusht, bëjnë mirë të jenë të përgatitur. Ky muaj do të karakterizohet nga ulje dhe ngritje të menjëhershme të temperaturave.
GAZETA SHEKULLI
Krijoni Kontakt