AFER & LARG
Ndër troje të Gjorg Golemit
Fatos Baxhaku
Sikur të mos ishte zhurma e mbytur e gjeneratorëve, Librazhdi në këtë mëngjes qershori do të na dukej vendi më i qetë i botës. Por dritat kanë ikur dhe "gjinkallat" e mëdha kanë nisur të bëjnë punën e tyre. Nëpër lokalet e rrugës qendrore njerëzit rrufisin kafenë fare të ngeshëm, duke shfletuar gazetat. Shumica janë gazeta sportive, apo bastesh. "Të tjerat nuk na duhen, bën shaka një vendas, miku ynë, sa ishte pa ardhur Bushi hajde de, por tani…". Bëjmë një shëtitje në rrugën qendrore. Në anë të saj ka vetëm dy monumente.
I pari është ai i dy poetëve martirë, Genc Leka e Vilson Blloshmi, të pushkatuar në mënyrë absurde në 1978. Dy koka të mëdha të bronzta, të trishtuara, janë vendosur në një shesh të vogël, të rrethuar nga pallatet, të cilat me siguri duhet të jenë ndërtuar në kohën kur dy artistët e rinj i vinin para togës së ekzekutimit. Monumenti i dytë është një bust më modest, i vendosur në anë të hyrjes që të çon në ndërtesën ku kanë sot selinë partitë politike. Një qëndrim krenar, një palë mustaqe të rënda dhe një palë sy mospërfillës, njësoj sikur kalimtarët e sotëm të ishin shërbyesit e tij të vjetër, ky është busti i të famshmit Gjorg Golemi, Gjergj Araniti, Aranit Komneni, Gjorg Golemi Araniti, quajeni si të doni, vetëm dijeni se ishte pikërisht ky që e nisi i pari rezistencën e vërtetë të suksesshme kundër turqve që dhjetë vjet para heroit tonë kombëtar. Është vetë ai, vjehrri i Skënderbeut, i ati i Donikës, xhaxhai i Moisi Golemit të Dibrës. Pleqtë e këtyre anëve e konsiderojnë Gjergj Aranitin thjesht të tyrin. Legjendën e tij, të trashëguar brez mbas brezi, e pat pikasur Dhimitër Shuteriqi andej nga fundi i viteve ‘50.
Nga njëri monument te tjetri rruga nuk zgjat veçse pak minuta. Ndjesia është si të kalosh në pak kohë nga shekulli XV në diktaturën e Enverit. Blloshmët e Bërzeshtës, ku Vilsoni ishte djalë dhe Genci nip, e ruajnë me fanatizëm një pemë të tyren gjenealogjike, sipas së cilës ata janë pasardhësit e një rrembi që vjen nga Gjergj Araniti i famshëm. E duke kujtuar këto histori të vjetra e të reja, na vetëtin menjëherë në mendje: Përse të mos ngjitemi njëherë andej nga malet ku jetuan njerëzit më të famshëm të Librazhdit?
Në Bërzeshtë te Shaqja
Që të shkojmë në Bërzeshtë duhet më parë të marrim rrugën që të çon drejt Përrenjasit. Ndalojmë për pak minuta në Hotolisht, një fshat i madh në të dy anët e Shkumbinit. Është e mërkurë, ditë pazari në këto anë. Në një shesh të madh mes rrepave, në anë të lumit, mund të gjesh çfarë të të shkojë mendja. Litarë, samarë, ushqim për bagëtitë, por edhe metrazhe, xhinse të përdorura ose jo, bluza të stamposura me fjalë të pakuptueshme për fshatarët, lloj-lloj thikash e biçakësh…
Pastaj vjen Qukësi, edhe ky një fshat goxha i madh. Këtu nuk kemi kohë të qëndrojmë shumë, veçse nuk mund të mos ndalemi një copë here te mulliri i Abazit. E dallojmë menjëherë godinën e vjetër, të gurtë, me mokrat në pragun e saj. Nga brenda uji rrjedh fuqishëm drejt Shkumbinit. Është nga të paktët mullinj me ujë që vazhdojnë të punojnë njësoj si qëmoti. Mullixhiu nuk është, "ka shkuar në Librazhd për një punë të tijën", na thotë një fshatar që po bluan për qejf të vet. "Sikur ca të trashë po e bluan, or mik", i thotë njëri prej nesh fshatarit, duke u munduar që ta ndihmojë. "Për bagëtitë mirë është", ia kthen prerë mullixhiu i improvizuar, duke vazhduar të bluajë pa u trazuar. Shoku ynë, që donte të hiqej si ekspert, e pagoi disi atë ndërhyrjen e tij prej kompetenti. Kur dalim nga mulliri është fare i bardhë. Nuk thonë kot: Çdo zanat ka të vetën…
Nga ura mbi Shkumbin në Qukës, deri në Bërzeshtë rruga bëhet në pak minuta. Vetëm se tani e kemi ndjerë që po u afrohemi edhe më tepër maleve. Bërzeshta është një fshat fare i gjelbër. Shtëpitë e gurta shtrihen mbi një pjerrësi që zbret deri poshtë, thuajse në anë të Shkumbinit. Është një fshat i mbushur plot me histori. Shkolla e parë shqipe këtu është hapur nga një patriot vendas që në 1913. Nga ky fshat, sidomos nga fisi Blloshmi, kanë dalë me qindra të shkolluar, ushtarakë, artistë, mësues. Ne na kujtohet edhe e famshmja Sara Blloshmi, një nga mbesat e Ismail Qemalit të Vlorës. Sara ishte martuar me Selahedin Blloshmin, një njeri i afërt me oborrin e Ahmet Zogut. Sara u pat bërë përshtypje të gjithë të huajve në Tiranën e asokohe, për mënyrën e saj mondane të jetesës. Aq më shumë ishte bërë e famshme kur i shoqi i saj u gjet i mbytur në vaskën e shtëpisë së tyre luksoze.
Një rrap i madh në qendër të lagjes së sipërme na i bën edhe më të afërta historitë e vjetra. Në anë të tij një çezmë e vjetër me shtatë kroje vazhdon të nxjerrë ujë njësoj si qëmoti. Këto anë janë plot me burime e përrenj. Fshatarët thonë se këtë çezmë e pat ndërtuar një bashkëfshatari i tyre që kishte shtatë djem. "Kështu nuk do më grinden nuset kur të shkojnë të mbushin ujë", kishte menduar fshatari. Dhe me sa duket ka pasur plotësisht të drejtë. Ca më tej është shtëpia e Vilson Blloshmit. Ajo është krejt e braktisur. Vite më parë një kushëri i tij na kishte rrëfyer dritaren ku Vilsoni i ri e kishte zakon të rrinte në pushimet e verës. Përballë, matanë Shkumbinit, lartësohet një shkëmb i lartë, që fshatarët e quajnë "Guri i Skënderbeut".
Nuk mund të rrimë pa kthyer te Manushaqja, motra e Gencit, poetit të pushkatuar. Shaqja, sikurse e kemi thirrur nga hera, është një dashamirëse e të gjithë gazetarëve. Historitë e vuajtjeve të saj dhe të familjes janë shkruar me qindra herë. Këtë herë kemi ardhur t‘i bëjmë një vizitë si miq të vjetër. Na pret me mall bashkë me të shoqin dhe vihet në lëvizje të ziejë kafenë dhe të bëjë adetet e rastit. Trishtohet ca kur mëson se nuk kemi edhe aq kohë. "Po ju rrini sot, ja ku është Stravaj. Se mos do lëvizë! Unë ju kam në vend të vëllait", bën me dorë nga malet mbi kryet e fshatit. Por neve na duhet të shkojmë një herë andej nga ku erdhën paraardhësit e Blloshmëve. Ndërsa nisim të zbresim poshtë drejt Shkumbinit, i hedhim sytë te një shtëpi tjetër e braktisur. Është shtëpia e Genc Lekës. Edhe kjo është e braktisur prej kohësh.
Me drejtorin mes pyjeve
E kapërcejmë edhe një herë atë urën mbi Shkumbin dhe marrim një xhade tjetër. Këtë herë udhëtojmë në bregun nga ana e djathtë e Shkumbinit, në skaj të malësisë së Mokrës. I kalojmë me radhë disa fshatra, Karkavec, Manastirec, Stranik. Nuk ndalojmë në to. Jo vetëm se nuk kemi edhe aq shumë kohë në dispozicion, por edhe se na duken të gjithë thuajse të barabartë. Rruga sa vjen e bëhet më malore dhe më e vështirë. Në fakt është një xhade që është hapur në 1953, kohë në të cilën u mendua që të ndërtohej një kombinat i madh për përpunimin e drurit në Elbasan. Xhadeja e tanishme është një përzierje mes një kalldrëmi të vjetër, që dikujt prej nesh i kujton Rrugën Egnatia, disa gropave që thellohen menjëherë sapo bie një shi dhe gurëve që sjell mali. 21 kilometra që ndajnë Qukësin nga Stravaj i kalojmë në afër një orë e gjysmë. Rruga shpesh është edhe e rrezikshme. Nga njëra anë kemi një faqe mali krejt të thiktë dhe nga ana tjetër një humnerë të thellë me qindra metra.
Më në fund e kuptojmë se tashmë jemi fare afër Stravajt. Në lagjet periferike dallojmë shtëpitë e mbuluara me çati të pjerrëta, njësoj si përdoren në zona të tjera malore të krejt Shqipërisë. Disa kamionë ushtarakë të kohës së socializmit janë parkuar në anë të rrugës. Në derën e njërit prej tyre kanë shkruar: SH. T. Me siguri kanë dashur të shprehin dëshirën e tyre për të shitur kamionin e madh jeshil. Këndej na zënë sytë edhe kamionë të tipave që nuk i kishim parë prej kohësh. Të gjithë janë të ndaluar. Presin natën. Vetëm atëherë do të mund të zbresin poshtë lëndën e drurit që vazhdon të pritet pa mëshirë. Për familjet që kanë mbetur këtu kjo është e vetmja mundësi për të mbijetuar. Poshtë një skode të tipit të vjetër dallojmë një njeri të shtrirë. Është një nga punëtorët e ngarkim-shkarkimit. Ia ka futur me gjumë nën hijen e makinës për shtatë palë qejfe. Këtij vendi ku kemi ndaluar vendasit i thonë "te Sharrat". Dikur kjo ishte qendra jetike e Stravajt. Me mijëra punëtorë dhe familjet e tyre jetonin në këto anë. Tani, thuajse çdo gjë është e mbyllur. Shumë vetë kanë ikur prej kohësh. Të tjerët që kanë mbetur, ose mbahen nga fëmijët në emigracion, ose nuk e dinë as vetë se si. Në një lokal aty pranë, një burrë, që duket se i ka hedhur "ca të mira", po mban një fjalim me zë të lartë, nga i cili marrim vesh vetëm pak fjalë të shkëputura. "Po ky?", e pyesim Seit Vreton, një kuzhinier i vjetër që po na shërben kafet. "Ah, ky është shoferi i atij punëtorit që po fle poshtë skodës", përgjigjet Seiti, ndërsa mundohet të bindë shoferin e revoltuar e të mërzitur nga pritja e gjatë, se që të ndezë makinën, më parë duhet të nxjerrë nga poshtë njeriun që po fle. Seiti na e bën me sy që poshtë syzeve të tij, njësoj sikur të dojë të na thotë: Mos u bëni merak. Kështu bëjnë gjithnjë këta.
Kemi takuar një mik të vjetër. Pëllumb Shëmitraku ka kaluar këtu 40 vjet të jetës së tij. Kur Stravaj nisi të bëhej një kantier i madh, këtu u vendos edhe babai i tij i ardhur nga Gora e Korçës. Gjithë jetën e tij e ka kaluar mes fëmijëve të punëtorëve të sharrave. Tani është drejtor i shkollës. Fëmijët e tij kanë ikur prej kohësh poshtë nëpër qytete. "Po ti a do të lëvizësh që këtej?" e pyet njëri prej nesh. "Si thua ti?", përgjigjet me pyetje drejtori. Më në fund është zgjidhur problemi. Punëtori që flinte poshtë skodës është zgjuar. Po rrufit një raki tjetër duke bërtitur fort kundër diktaturës. E ka mirë. Asnjë diktaturë nuk do ta linte të rrumbullosej nga mëngjesi deri në darkë, të flinte poshtë kamionëve e pastaj të përlante ndonjë dru.
Bashkë me drejtorin marrim rrugën për në një lagje tjetër, për në Lëpushë. Këtu jemi thuajse në mes të pyllit, në rrugën që të çon për në Sopot. Lëpusha është një fshat ku kanë mbetur ende rreth 40 shtëpi. Kudo që hedhim sytë shohim dërrasa e trungje të stivuara, këtu jemi vërtet në kryeqendrën e sharrave. Fatime Çeni është 80 vjeç. Ka lindur në Bërzeshtë. Ka probleme me shikimin, megjithatë e dallon njërin prej nesh që kishte qenë këtu gjashtë vjet më parë. "Aha, të njofta t‘keqen nana, t‘njofta. Ti je ai që t‘kam falë një mashë ktu e shumë vjet ma përpara". Ndërsa ne flasim me Fatimen për hallet e përditshme, që këtyre anëve nuk mbarokan kurrë, drejtori flet me mbesat e nipin e saj për punët e shkollës. Shtëpia e plakës ka ndryshuar fare pak. Po ato shkallë prej druri, po ai ballkon që mbështetet mbi trarë, po ato dritare të bymyera nga lagështia e dimrit…
Në të perënduar marrim rrugën e kthimit. Diku në të dalë të Stravajt na ndalon një plak: "A më merrni dhe mu deri n‘Manastirec, vetëm se 50 lekë kam unë. Kaq m‘ka dhan plaka". E qetësojmë xhaxhain se nuk jemi taksi. "Se mos të zë makina xhaje", i thotë njëri prej nesh. "Unë edhe naftë po t‘pi nuk më zë", ia kthen xhaxhai. "O xhajë, po Gjorg Golemin e njeh ti"? Asnjë përgjigje. Xhaxhai ka do kohë që po dremit.
Nga mjegulla e kohës
Ai është një njeri me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Aranit Komneni, më së shumti njihet si Gjergj Araniti, në legjendat popullore e thërrasin Gjorg Golemi, mbi bustin e tij në Librazhd shkruhet Gjorg Golemi Araniti, disa të tjerë e thërrasin thjesht Gjergj Golemi. Njeriu me katër emra nuk përmendet shumë në tekstet e historisë, të paktën jo aq shumë sa duhej ta meritonin bëmat e tij. Më së shumti përmendet si i ati i Donikës, bashkëshortes së Skënderbeut, se sa si një luftëtar që u mbajt për dhjetëra vjet ndaj hordhive osmane që e sulmonin nga të gjitha anët. Debatet mbi origjinën, emrin dhe fundin e tij vazhdojnë ende edhe sot e kësaj dite. Edhe sot ka njerëz që vrasin mendjen se nga erdhi kjo familje. E madhe në Shqipëri, po aq e madhe edhe në Itali. Ku emigroi pas pushtimit të Arbërisë? Përse Aranit Komneni në gjuhën e popullit quhet thjesht Gjorg Golemi? A mos vallë Gjorgu, pra Gjergji, u kujtonte banorëve të Shpatit, Mokrës, Sopotit, Çermenikës, Shën Gjergjin që luftonte kuçedrën?
Vetëm në 1253, në kronikat bizantine përmendet një Gulem zotërues tokash në "Albanon". Ky Gulemi, apo Golemi, mund të jetë gjyshi i Gjergj Aranitit tonë. Golemi ishte martuar me një kushërirë të perandoreshës bizantine, Irena. Disa besojnë se nusja ishte e bija e Zhupanit të Madh serb dhe Evdhoqisë, vajzës së perandorit bizantin, Engjëll Komnenit. Nga kjo martesë duket se ka ardhur më pas përdorimi i dy mbiemrave, Golemi dhe Komneni.
Aranit Komneni, që do ta quajmë Gjergj Araniti, ishte vëllai më i madh mes tre vëllezërve. Ai u martua me Maria Muzakën, nga e cila mori në pajë një territor të gjerë që shkonte nga Mallakastra - edhe sot një fshat i madh atje quhet Aranitas - deri në det në afërsi të Vlorës e Kaninës. Kështu zotërimet e Aranitëve u shtrinë që nga Adriatiku e deri në afërsi të Dibrës së sotme. Qendra e zotërimeve duket se ka qenë malësia mes Librazhdit dhe Elbasanit, Shpati, Çermenika, Sopoti dhe një pjesë e Mokrës. Me vdekjen e së shoqes u martua me një aristokrate italiane nga Leçe, Pietrina Francone. Nga të dyja martesat pati dhjetë fëmijë, tre djem e shtatë vajza. Më e njohura nga të gjithë është Donika, bashkëshortja e Skënderbeut. Një tjetër vajzë, Vojsava, ishte martuar me Gjergj Cërnojeviçin e Malit të Zi. Ajo ishte e ëma e Maksimit, i cili i kthyer në mysliman mbretëroi në Mal të Zi me emrin Skënderbe. Ana, Helena dhe Despina ishin martuar me fisnikë nga familja Dukagjini. Përmendet edhe një vajzë tjetër, Komita. Kjo ishte martuar me Gojko Balshën, djali i Vllajkës, një nga motrat e Skënderbeut. Një nga vëllezërit e tij ishte Muzaka, babai i Moisi Golemit të famshëm. Tre djemtë ishin Thomai, për të cilin dihet shumë pak, Kostandini, që bëri goxha emër në historinë e Italisë dhe Araniti, i cili ishte marrë peng dhe u kthye në mysliman. Një goxha familje me rrënjë të forta pra kjo e Gjorg Golemit.
Gjergj Araniti dhe besnikët e tij u ndeshën me osmanët në Kurvelesh në 1433. Fuqia më e madhe ushtarake e kohës u mposht nga arbërit. Ngjarja shkaktoi bujë të madhe në Perëndim dhe e bëri heroin tonë shumë të famshëm. Një vit më pas një armatë osmane që marshonte në luginën e Shkumbinit u shkatërrua nga ushtria e tij. Betejat u përsëritën edhe në 1438-1439 në afërsi të Beratit dhe në Tomorricë. Sulltan Murati u detyrua të vendosë paqe me Gjergj Arianitin, duke i njohur zotërimet nga Shkumbini deri në Vjosë. Kjo paqe, dhe mbase edhe të qenit ortodoks, i largoi aleatët perëndimorë nga brohoritja e parë. Gjergj Arianiti mbeti pa ndihma, megjithatë u hodh sërish në kryengritje pas Kuvendit të Lezhës në 1444. Në 1455 bëhet përfundimisht vasal i Vendikut. Nuk kishte të drejtë as të shpallte luftë dhe as të firmoste paqe. Në këmbim të kësaj varësie do të merrte një pagë të rregullt vjetore dhe do të mbante një flamur të artë të Senjorisë, të cilin megjithatë mund ta valëviste vetëm në rast lufte. Që prej kësaj kohe nuk përmendet më në kronikat e kohës. Tashmë e gjithë vëmendja ishte përqendruar te dhëndri i tij, Skënderbeu. Të paktën në 1463 nuk jetonte më, përderisa korrespondencën me Venedikun e mbante e shoqja, Pietrina. Nuk dihet ende se ku i mbylli ditët e fundit heroi legjendar. Populli beson se u tërhoq në pyjet e paarritshme të Sopotit, por ka shumë të ngjarë që të ketë dhënë shpirt në Durrës, asokohe ende nën zotërimin venedikas. Pas vdekjes së tij, e veja dhe fëmijët u tërhoqën në Leçe, prej nga u shpërndanë në gjithë Italinë. Sot, familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës në krye të pemës së saj gjenealogjike mban pikërisht njërin prej Aranitëve, pasuesit e të cilit u myslimanizuan. Ka shumë të ngjarë të jetë e vërtetë. A nuk ishin myslimanizuar edhe një vëlla dhe një djalë i Gjergj Aranitit?
--- --- ---
Më gjerë shih: Kristo Frashëri, "Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, Jeta dhe vepra" (1405-1468), Toena, Tiranë 2002; Dhimitër Shuteriqi, Aranitët. Emri dhe gjenealogjia në: "Studime për epokën e Skënderbeut" II, Tiranë 1989; Franz Babinger "Fundi i arianitëve", përktheu Nestor Nepravishta, Plejad, Tiranë 2004.
Krijoni Kontakt