Çudia në Berat, një dhelpër bashkëjeton me pulat në një vend
Pronari i një lokali pohon se e ka gjetur kafshën grabitqare në rrugë
Fëmijëve të sotëm nuk do t‘u bëjnë më përshtypje përrallat e La Fontenit, ku dhelpra si dinake që është mund të hante pulat apo gjelat. Në Berat, një dhelpër bashkëjeton paqësisht me tri a katër pula që i vërtiten rrotull. Rasti i rrallë ka ndodhur në një fshat të Beratit, Qafë-Hoxhaj, ku një kafshë mishngrënëse bashkëjeton me pulat. Pronari i një lokali në fshatin Qafë- Hoxhaj, Komuna Vërtop, vetëm 5 kilometra larg qytetit ka arritur të mbajë një kafshë mishngrënëse si dhelpra dhe ta vendosë së bashku me pulat në një vend të përbashkët. Gëzim Dauti, 40 vjeç, banor në këtë fshat, ka gjetur një dhelpër në rrugë, që po vuante nga uria pasi nuk kishte gjetur dot ushqim prej kohësh. Kur pronari i lokalit e kishte parë dhelprën të lodhur e të pa ngrënë i është afruar dhe e ka kapur. Sulmin e pronarit të lokalit dhelpra nuk e ka kundërshtuar, pasi nuk kishte më forca për t‘u larguar me shpejtësi. Pronari i lokalit, Gëzim Dauti, pasi e ka kapur dhelprën e ka ushqyer me mish dhe brenda 24 orëve e ka bashkuar në një ambient me pulat që mbante për t‘i konsumuar për lokalin. Në të njëjtën kohë pronari vazhdonte ta ushqente dhelprën me mish. Dhelpra, duke shijuar shijen e mishit, nuk vrapoi të sulmonte pulat që ndodheshin me të në një ambient. "Kanë kaluar plot 10 ditë dhe dhelpra është miqësuar me pulat dhe nuk i sulmon ato. Është për t‘u theksuar se dhelpra është zbutur aq shumë, sa dhe pulat kërcejnë mbi kurrizin e saj", thotë pronari i lokalit, Gëzim Dauti. "Tashmë kjo kafshë mishngrënëse është miqësuar aq shumë, sa dhe fëmijët kur afrohen pranë saj ajo nuk trembet fare, por i shikon ata në sy, sikur do të thotë që dhe unë jam zbutur", tregon më tej ai. Sipas pronarit të lokalit, në fillim dhelpra ishte katandisur në pikë të hallit sepse nuk po gjente dot ushqim prej disa ditësh dhe kishte mbetur në mes të rrugës, ku kërkonte ushqim. "Më e rëndësishme është se kjo dhelpër është barsë dhe së shpejti do të lindë disa këlyshë që do të zbuten ashtu si e ëma. Unë po përgatis një ambient më të zgjeruar, që kur të lindin këlyshët e saj, t‘i mësoj që të bashkëjetojnë me pulat dhe të mos bëhen agresivë", ka vijuar më tej ai. Sipas specialistëve veterinarë, dhelpra është në një gjendje të mirë dhe së shpejti do të lindë disa këlyshë. Specialistët thonë se kjo zonë njihet si një nga zonat për shtimin e dhelprave nga vetë pozicioni që ka dhe shumë nga këto dhelpra vizitojnë çdo natë fshatin, por nuk arrijnë të grabisin dot pulat, sepse vetë fshatarët kanë përgatitur çarqe. Shumë dhelpra kanë rënë në grackat e tyre në momentin që kanë tentuar të futen nëpër kotece. Sipas banorëve, në këtë fshat kanë rënë në grackë 30 dhelpra, të cilat i kanë vrarë. - Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt