Zbulimi i kapitalit të vdekur në Shqipëri!!!


Nga Besnik Aliaj




Prej gjashtë muajsh, me iniciativën e kryeministrit Berisha, pranë Këshillit të Ministrave është ngritur një departament i posaçëm “think-tank”, i cili në bashkëpunim me UNDP-në dhe ILD-në, Institutin për Liri dhe Demokraci, drejtuar nga kandidati nobelist Hernando De Soto, kanë filluar të punojnë për programin: “Shqipëria: Tranzicioni drejt Shtetit të së Drejtës dhe një Ekonomie Tregu Gjithëpërfshirëse”. Programi ka bashkëpunuar me grupet e interesit dhe sidomos me rrjetin NOSA, i cili, nëpërmjet iniciativës së vet për reformën e qeverisjes lokale dhe sektorit publik (LGI), ka mundësuar pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile shqiptare.

Si një nga konceptuesit e këtij programi, kam kënaqësinë të theksoj, se ky program është një nismë reformash institucionale, që ka për qëllim të krijojë mundësi për të gjithë shqiptarët dhe sidomos të ekskluduarit, që të munden të kenë një mënyrë sa më të lehtë aksesi përkundrejt mekanizmave ligjorë dhe mbrojtjes që ofron ligji, në mënyrë që të krijohet pasuri në një ekonomi tregu moderne.

Gjetjet e para të kësaj nisme strategjike tashmë janë gati dhe do të zbardhen për herë të parë më 15 qershor, në një takim të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare, UNDP-së dhe ILD-së, pranë OKB-së në New York. Në këtë takim trepalësh dhe me tej në një serë takimesh të tjera, ku spikasin takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe një panel i posaçëm, kushtuar Shqipërisë dhe reformave e saj nga Komisioni i Lartë për Fuqizimin Ligjor (bashkëdrejtuar nga Madeleine Albright dhe De Soto) do të nisë procesi i zbardhjes se misterit të “kapitalit të vdekur” në Shqipëri.

Vetë Hernando De Soto do të jetë protagonisti i një prezantimi të posaçëm para kryeministrit Berisha, përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të organizmave më të rëndësishme ndërkombëtare të zhvillimit, në një takim ku do të shpaloset “radiografia” e parë e plotë e ekstralegalitetit shqiptar, pas disa muajsh pune intensive. Pas këtij misioni, do të jetë vetë kryeministri dhe ekipi i ekspertëve pranë tij, ata që do t’i bëjnë këto rezultate të njohura për publikun dhe mediat. Ky raport i parë do të pasohet nga ai final në tetor 2007-të dhe pas këtij diagnostifikimi të plotë, shteti shqiptar do të jetë i pajisur me një dokument gati historik, i cili edhe përse jo një zgjidhje e artë, do të shërbejë si orientues i reformave që do të vijojnë.

Objektivi i diagnozës në fjalë është prodhimi i një pamjeje të qartë të realitetit të fshehur të sektorit ekstraligjor në Shqipëri, që do të mundësonte qeverinë shqiptare të krijojë bazën e informacionit rreth tipeve, vendndodhjes dhe madhësisë së ekstralegalitetit dhe kapaciteteve lokale që nevojiten për të ndërmarrë reforma efektive për përfshirjen e aseteve dhe bizneseve ekstraligjore në ekonominë formale të tregut.

Puna e bërë deri më sot bazohet mbi analizën e atyre që ILD-ja i konsideron tri institucionet kryesore, të domosdoshme për një sistem ligjor dhe ekonomik modern dhe gjithëpërfshirës: (i) të drejtat e pronësisë, (ii) format organizative të biznesit, (iii) dhe mjetet për të vepruar në tregje të zgjeruar. Për secilën nga këto tri kategori, është përfshirë një listë me temat specifike që lidhen me realitetin shqiptar.

Metodologjia e kësaj diagnoze përfshin tre trajtime të secilit institucion: (i) pengesat ligjore dhe institucionale që pengojnë aksesin në ekonominë formale të tregut (trajtimi nga lart-poshtë), (ii) studimi i praktikave ekstraligjore që mbështesin transaksionet mbi pronën dhe biznesin (trajtimi nga poshtë – lart); (iii) si dhe vlerësime të kostos për këto dy sisteme, së bashku me një vlerësim të të ashtuquajturit “kapitalit i vdekur”.

Për këtë qëllim, një departament me mbi 20 profesionistë është organizuar në tre ekipe shumëdisiplinore: (i) ekipi ligjor, (ii) ekipi ekstraligjor; (iii) dhe ekipi ekonomik. Secili grup ka në përbërje profesionistë lokalë, të mbikëqyrur dhe trajnuar nga ekspertët e ILD-së. Mënyrat e punës kërkimore të këtyre skuadrave përfshijnë mbledhjen e informacionit nga burime të ndryshme: intervista, fokus-grupe dhe anketa me informatorë të rëndësishëm si qytetarët, sipërmarrësit, organizatat e shoqërisë civile, zyrtarët publikë, ekspertët teknikë; analizën e legjislacionit të aplikuar dhe shqyrtimin e nismave aktuale që po ndërmerren në vend në lidhje me çështjet e sipërpërmendura.

Disa nga gjetjet e deritanishme janë mjaft interesante, madje në disa raste gati tronditëse. Konkluzioni i parë është se Shqipëria është në rrugën e duhur. Ajo ka patur arritje të konsiderueshme gjatë tranzicionit drejt ekonomisë së tregut: ka arritur stabilitet makroekonomik dhe sot bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare. Kështu: rritja mesatare e GDP-së në 15 vitet e fundit është 5%; inflacioni ka rënë nga 104.1% (1991) në 2.4% (2006); ndërsa deficiti fiskal nga 44% e GDP (1991) në 3.6% (2006). Në total, të ardhurat për frymë janë rritur nga 680 USD (1990) në rreth 3000 USD (2006). Qeveria aktuale ka ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme për të luftuar korrupsionin dhe informalitetin, për formalizimin dhe regjistrimin e tokës, për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformave tatimore e të krahut të punës, mes të tjerave.

Por, duhet të themi, se ka ende mjaft probleme serioze, sepse tranzicioni në Shqipëri ende nuk ka përfunduar. Kështu, kuadri institucional i trashëguar ende iu imponon shumicës së qytetarëve dhe sipërmarrjeve qëndrimin jashtë tregut në botën ekstraligjore, duke krijuar një ekonomi “merr ç’të mundesh dhe largohu”, të karakterizuar nga kontrata joeficiente, që janë afatshkurtra dhe për sasi të vogla parash. Rezultati është produktivitet i ulët, mungesë të akumulimit të kapitalit – dhe si rezultat, pamundësi për rritjen e biznesit.

Një konkluzion i dhimbshëm është se ende pas më shumë se 17 vjetësh disa tipare të komunizmit vazhdojnë të mbizotërojnë në mendimin dhe veprimet e burokracisë dhe politikës shqiptare. Natyrisht, reformat e ndërmarra aktualisht konfirmojnë vullnetin politik për të arritur standardet ndërkombëtare. Sidoqoftë, po të bëhet një analizë më e thellë, jemi ende në fazën, ku paraqiten kufizime për aktivitetin e lirë ekonomik.

Por konkluzioni më dekurajues është se një sistem ligjor me të meta të thella dhe i paparashikueshëm si ky që trashëguam, lë dyert hapur për kaosin, abuzimin, dhe korrupsionin. Mungesa tradicionale e transparencës në procesin e hartimit të ligjeve në vite ka favorizuar elitat e vogla, të cilat kanë vendosur kush krijon çfarë, kur, dhe si? Ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me pushtete okulte, diskrecionare dhe burokraci dhe rregullore të pavolitshme që i kanë bërë ryshfetet të pranueshme nga ana sociale, duke inkriminuar shoqërinë. Kjo është edhe sfida kryesore e qeverisjes aktuale.

Fatkeqësisht, ende sot, shumica e shqiptarëve jetojnë në esktralegalitet. Format e këtij ekstralegaliteti janë nga më të larmishmet si në aspektin e pronësisë, edhe të biznesit. Kështu, për pronësinë mund të përmendim disa forma nga më tipiket si: shtëpitë tërësisht pa leje në zona urbane dhe rurale dhe të paregjistruara në ZRPP, apo shtesat të ndërtuara pa leje dhe që kanë pushtuar hapësirat publike, etj.

Në lidhje me bizneset, mund të fillojmë nga një pazar i thjeshtë, i improvizuar shpendësh, i palicencuar në qendër të Tiranës, të cilat nuk denjojnë të kenë as kushtet më të nevojshme santitare; e deri te sektori i ndërtimit, ku një kompani absolutisht e paregjistruar bën ndërtim tërësisht pa leje, e parafinancuar nga blerësit e ardhshëm që ia kanë kushtuar kursimet e tyre këtij projekti.

Po këtu mund të përfshinim rastet e identitetit të paqartë të njerëzve, pronave dhe bizneseve, apo të kontratave informale, në të cilat, për shembull, kryeplaku konfirmon identitetin e palëve me anë të vulës dhe nënshkrimit të tij. Apo licencat për biznes, të nxjerra në emrin e një personi, që në fakt përfaqëson një biznes me pronarë dhe partnerë të tjerë; apo kontratat e transferimit të tokës, të noterizuara, por të paregjistruara në ZRPP, duke rikthyer asete të ligjshme përsëri në kushte ekstralegaliteti, madje edhe kur ato kanë qenë të regjistruara njëherë. Për ta mbyllur me kontratat e shitjeve për një apartament në një ndërtesë të papërfunduar akoma, të financuar nga shitjet e apartamentit, etj., etj., që ne i hasim çdo ditë në jetën tonë rutinë, por për fat të keq shpesh jemi mësuar aq shumë me to, sa nuk na bën më përshtypje. Pikërisht në këtë pikë, ka nevojë për një ndryshim kulturor të menjëhershëm dhe radikal, për të kundërshtuar inkriminimin e shoqërisë në tërësi.

Është kjo arsyeja që vlera totale e aseteve ekstraligjore në Shqipëri arrin në shifra marramendëse. Sot, mund të thuhet se ajo është disa herë më e lartë se totali i rezervave kombëtare, disa herë më e lartë sesa asistenca dhe ndihma e huaj zyrtare dhënë Shqipërisë gjatë tranzicionit postkomunist. Në këtë situatë, problemi është, se meqë bizneset nuk mund t`i kombinojnë asetet e tyre për të siguruar vlerë të shtuar, apo për t’i kthyer ato në asete likuide për të gjeneruar kredi dhe investime, apo për t’u zgjeruar aq sa për të nxitur një ndarje eficiente të punës, këto asete mbesin ende “kapital i vdekur”. Diagnoza në fjalë do të shërbejë pikërisht për të aktivizuar reforma që ringjallin këtë kapital.

Në fakt, shqiptarët kanë gjithë asetet fizike dhe njerëzore për rritje. Ata kanë paratë, asetet dhe energjinë sipërmarrëse për t’u bërë një ekonomi tregu me të vërtetë moderne dhe gjithëpërfshirëse, si çdo ekonomi tjetër e Evropës Perëndimore. Por për të arritur atje, Shqipëria duhet të përshpejtojë hapat e tranzicionit. Për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së, Shqipërisë i duhet të plotësojë kriteret që përfshijnë demokracinë, shtetin e së drejtës, një ekonomi tregu dhe zbatim të qëllimeve të BE-së për bashkimin politik dhe ekonomik. Problemi kryesor është se me hapat aktualë, Shqipërisë do t’i duhen 40 vjet për të arritur nivelin mesatar të të ardhurave aktuale në BE. Prandaj reformat dhe shpejtesia e tyre bëhen jetike në këtë moment, madje me çdo kusht.

Atëherë, cilat janë hallkat që mungojnë dhe e sabotojnë këtë zinxhir logjik? Diagnoza ka shërbyer për të evidentuar tri më kryesoret:

Së pari, të drejtat mbi pronësinë, të përfaqësuara në dokumente të përditësuara në mënyrë të vazhdueshme, që pranohen nga tregu dhe kryejnë të gjitha funksionet që nevojiten për të vepruar në të, duke përfshirë krijimin e kredisë, sigurimin e një identiteti tregtar, kredibilitetit dhe besueshmerisë, si dhe akses në likuiditet dhe shërbime të tilla bazë si energjia elektrike dhe uji.

Së dyti, format ligjore të organizimit të biznesit, që lehtësojnë ndarjen e punës, kufizojnë riskun dhe kombinojnë burimet në mënyrë produktive nëpërmjet hierarkive të specializuara, përgjegjësisë së kufizuar, ndarjes së aseteve dhe statusit të një entiteti ligjor.

Së treti, mekanizmat që do të nxisin veprimtarinë në tregjet e zgjeruara në nivel kombëtar dhe global, duke përdorur marrëveshjet e tregtisë së lirë, integrimit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve shumëpalëshe, duke përfshirë aftësinë për të nxjerrë aksione për të përftuar investime, për të kontraktuar burime jashtë kufijve të qarqeve lokale apo familjare dhe mbrojtja e patentave dhe markave të fabrikës.

Pengesat që aktualisht na pengojnë të ecim në këtë drejtim sipas diagnozës janë disa. Në fakt, në vend nuk ekziston ende një dokument i vetëm, i përhershëm, universal, i aksesueshëm dhe i sigurt për individët apo bizneset në Shqipëri. Pa të, shqiptarët kanë siguri të kufizuar personale. Nuk kanë akses eficient në kredimarrje. Kanë akses të reduktuar në shërbimet publike (shëndetësi, arsim, drejtësi etj.). Kanë akses të reduktuar në shërbimet komunale. Kanë akses të reduktuar në tregun formal të punës. Kanë mundësi të reduktuara të udhëtojnë jashtë. Nuk kanë siguri të emrit tregtar apo markës së fabrikës. Nuk mund t’i drejtojnë bizneset e tyre në mënyrë të ligjshme. Dhe nuk kanë mënyra për të eksportuar, etj.

Në fakt, për të marrë pjesë në ekonominë e tregut, individët dhe bizneset duhet të luftojnë për të provuar identitetin e tyre, duke sjellë disa dokumente. Për shembull, vetëm për të marrë një certifikatë lindjeje, certifikatë familjare apo vërtetim si banor lagjeje, shqiptarët shpenzojnë miliona USD në vit. Statistikat e INSTAT-it flasin se kemi trashëguar një mjedis, ku disa mijra biznese nuk kanë identitet. Për të kërkuar një kredi bankare, bizneset duhet të paraqesin dhjetëra dokumente identifikuese.

Së fundi, më duhet të nënvizoj, se kushdo që flet sot për sistemin ekonomik dhe politik në Shqipëri nuk duhet të harrojë se në thelb të saj qëndron prona (kapitali). Ky i fundit është çelësi i suksesit për vendet e zhvilluara. Por, siç thekson edhe Hernando de Soto në manifestin e tij “Misteri i Kapitalit”, ky i fundit në vetvete përmban një sërë pikëpyetjesh, të cilat janë sfida për vende si Shqipëria. Këto pikëpyetje kërkojnë zgjidhje serioze, përndryshe ato kthehen në pesë mistere të frikshme që mbajnë peng zhvillimin e vendit.

Diagnoza në fakt, nënvizon se rasti i Shqipërisë, me specifikat e veta, ka krijuar një mister të gjashtë të kapitalit – i cili ka të bëjë me problematikën e trashëguar të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave historike pronarëve legjitimë, të shpronësuar me dhunë dhe pa kompensim gjatë regjimit komunist. Pa identifikuar madhësinë reale të këtij problemi, pa ndërtuar sisteme transparente të informacionit për këtë problem dhe pa patur një plan veprimi konkret të qeverisjes së mbështetur në bazë të një pakti social-politik, kjo çështje do të vazhdojë të pengojë seriozisht integrimin e vendit me botën moderne. Prandaj, ka ardhur koha që kjo mazhorancë të bëjë shumë herë më tepër se ç’ka bërë për këtë problem.