Pas nje dite te lodhshme ne pune (por e pakrahasueshme me punen qe pershkruhet me poshte), duke kerkuar informacione e lajme per shqiperine, me ra ne sy ky artikull. Pasi e lexova nuk e ndjeva me lodhjen...dhe nuk u habita ne fakt...sa te llastuar e ndjeva veten...


Marre nga Gazeta SHEKULLI online

80-vjeçarja Leta Braho, të jetosh duke mbledhur shishe dhe kanoçe

Bardhyl Berberi
06-06-2007



Herët në mëngjes, ende pa zbardhur dita mirë, në Lagjen Nr.3 të qytetit hapet një portë shtëpie dhe prej andej del një plakë 80-vjeçare, me një karrocë dore, e cila fillon e grumbullon kanoçe, shishe xhami dhe plastike nëpër të gjitha konvejerët e qytetit. Çdokush që e sheh Leta Brahon, me trupin e imët, e cila gjatë gjithë ditës punon deri në orët e mbrëmjes, ka një admirim të veçantë për atë. Ajo është nënë e 6 fëmijëve dhe prej 7 vjetësh i është ndarë nga jeta bashkëshorti i saj, Skënderi. Por, nënë Leta ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë të saj për t`u marrë me punë. Ajo grumbullon nëpër konvejerët e qytetit kanoçe dhe shishe plastike, që në orët e vona të pasdites shkon dhe i dorëzon tek një pikë grumbullimi dhe siç thotë ajo, siguron çdo ditë nga 500 lekë të reja, pas një dite rraskapitëse, por ajo këtë punë e kryen prej disa vitesh, nga mëngjesi në darkë, në dimër edhe verë, edhe kur rruga ka akull dhe dëborë, ku dhe në pikun e verës përvëluese, atë e sheh me karrocën e saj të mbushur me ambalazhe. "Ja, - thotë ajo, - për 10 shishe plastike, ajo pika e grumbullimit më jep 20 lekë, ndërsa për 50 kanoçe metalike, 100 lekë të reja, hesapi është i qëruar. Në fund të ditës marr mesatarisht një 500 lekëshe të re, me ato kaurdiset plaka, biro...!". Më pas, nënë Leta thotë: "Është turp të vjedhësh, biro, e jo të punosh! Çdo punë me djersë është e ndershme!". "Po mosha, nënë Leta, ju po shkoni 80-vjet?". "Është më mirë të dalësh të punosh sesa të rrish në shtëpi dhe të dëgjosh në televizor ata trutharët e politikës, që grinden me njëri-tjetrin gërr-mërr tërë ditën dhe na kanë lënë për faqe të zezë! Si nuk e pjekin një herë fjalën, more bir, por vetëm kundra me njëri-tjetrin, njëri gozhdës dhe tjetri patkoit!".

***

Më pas, nënë Leta na tregon një histori të vjetër, që thotë ajo iu shkon për shtat këtyre politikanëve tanë: "Në Mokër, një çoban kishte marrë një grua nga një fshat fqinj, e cila i vinte vetëm kundra burrit të saj, që rrinte gjithë ditën në pyll me bagëtitë. Ishte dimër i ftohtë dhe i shoqi i thoshte mbylle dritaren, ajo ia linte hapur tërë natën, ai ia kërkonte gjellën e ngrohtë, ajo ia jepte të ftohtë, kur ia kërkonte të ftohtë, ajo ia sillte të nxehtë... Shkurt fjala, çdo gjë e bënte kundra të shoqit. Një ditë vjen i shoqi nga mali dhe ishte lagur. Vuri gunën e leshtë që mbajnë çobanët dhe e hapi mbi kapakun e një pusi që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tyre. Ndërkohë që i thotë së shoqes: Grua, mos u ul mbi gunë, se e kam lënë për t'u tharë, dhe pas pak niset për tek stanet, në mal, ku kishte bagëtitë. Por, thotë plaka, para se ta hapte gunën, poshtë saj, ai hapi edhe kapakun e pusit e mbi të shtroi gunën. Sapo u largua i shoqi, si në çdo rast, ajo shkoi të bëjë të kundërtën që i thoshte i shoqi. Shkon dhe ulet mbi gunën e të shoqit, por ai ia kishte hequr kapakun dhe ajo bie në fund të pusit dhe mbytet. I thanë të shoqit: Të është mbytur gruaja në pus. Jo, iu përgjigj ai, mund të jetë mbytur guna që ishte mbi pus për t'u tharë dhe jo gruaja, sepse s'kishte punë gruaja mbi grykën e pusit... A ma more vesh fjalën, more bir, thotë nënë Leta, këtu tek ne të gjithë veprojnë kundra njëri-tjetrit dhe të gjithë flasin me vete. Ja, shikoje atë shoferin që ecën me makinën mbi rrugën gjithë gropa, po flet me vete, ja këta lypësit e vegjël, flasin me vete se çfarë do t'u çojnë në shtëpi prindërve të tyre të varfër. Edhe qeveritarët që bëjnë ato tenderat, flasin me vete se sa do të fitojnë… Vijnë ata të mëdhenjtë me pushime ne vilën e Enverit dhe shohin gjithë këto ndërtesa pa lejë nëpër Pogradec dhe flasin me vete dhe nuk e ngrenë zërin, se janë të shokëve të tyre. Ne kemi mbetur si ajo shtëpia për të lyer, me plaçka të ngritura. Asnjëherë e shtruar, more bir...!". Në fund, nënë Leta të thotë: "Po shkrojte këto në gazetë, mos ndrysho asgjë, i shkruaj siç t'i thashë unë...! Kështu, biro, nuk është turp të punosh çdo lloj pune të ndershme! Turp është të vjedhësh djersën e të tjerëve".