Anglija -Dosje sekrete 12 shqiptarëve trafikantë


Nga Laureta Rryçi


Tiranë - Organi i akuzës ka përpiluar dosje sekrete për 12 shqiptarë që kanë konsumuar vepra të rënda penale: trafik të lëndëve narkotike e shfrytëzim prostitucioni në Angli.
Burime nga Prokuroria për Krimet e Rënda pohuan për gazetën “Albania” se dje është nisur një dosje voluminoze që përmban të gjitha pasuritë e 12 shqiptarëve.
Të njëjtat burime shpjeguan se prej disa javësh autoritetet angleze kanë sjellë një kërkesë zyrtare për të marrë informacion mbi aktivitetin në Shqipëri të të akuzuarve.
Sipas letërporosisë, këta shqiptarë, disa prej të cilëve kanë më shumë se dy apo tre identitete, prej vitesh ushtrojnë trafiqe të ndryshme në Angli.
Agjentëve antikrim të Londrës, teksa po hetonin një grup kriminal në radhët e emigrantëve, u rezultoi se 12 prej tyre ishin shqiptarë. Duke u nisur nga nacionaliteti, agjentët anglezë i kërkuan ndihmë autoriteteve shqiptare për të mësuar mbi aktivitetin e tyre të biznesit në Tiranë, kryesisht të dhëna mbi pasuritë.
Njëri prej tyre është pronar i disa hoteleve në një plazh në veri të Shqipërisë.
Menjëherë pas kësaj kërkese, kanë vijuar një sërë urdhëresash po në fshehtësi duke nisur fillimisht me vendndodhjen e këtyre shqiptarëve.
Burime shpjeguan dje se informacioni i sjellë nga autoritetet angleze ka qenë shumë i saktë duke ia thjeshtësuar më shumë punën prokurorëve shqiptarë, edhe pse pjesa më e madhe e këtyre shqiptarëve dispononin nga tri pasaporta.
Një pasaportë e kishin me identitet shqiptar, ndërsa të tjerat me gjeneralitete të shqiptarëve të Kosovës.
Prokurorët që iu është lënë kjo detyrë kanë nisur menjëherë shkresat zyrtare për të verifikuar pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme si dhe makinat që dispononin këta shqiptarë.
Po kështu mësohet se në dosje janë përfshirë certifikata të lindjes, foto të personave në hetim, si dhe informacione të zgjeruara për gjithsecilin.
Si Hipoteka, ashtu edhe institucionet e tjera shtetërore që disponojnë informacion mbi pasuritë e qytetarëve shqiptarë, kanë sjellë përgjigje në kohë rekord duke hedhur kështu në letër frutin e trafiqeve.
Sipas informacioneve të grumbulluara ka rezultuar se 12 shqiptarët e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në disa qytete të mëdha të Shqipërisë. Kryesisht ata merreshin me aktivitete të ndryshme që këmbeheshin në miliona euro.
Po kështu në sitë kanë kaluar të gjitha llogaritë bankare që këta persona dispononin në emër të tyre apo të familjarëve.
Pas një pune intensive të Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, dosja arriti të bëhej gati brenda një afati të shkurtër kohor dhe dje u nis për në Angli.
Autoritetet angleze fillimisht do të njihen me këto informacione dhe më pas pritet t’u bëjnë kërkesë autoriteteve shqiptare për sekuestro.