Nga mbledhja e parë e G6 në Rambuje të Francës, deri te tryeza e bisedimeve që nisi dje në Gjermani
Ndërsa protestat e demonstratat, shpeshherë të dhunshme në prag të takimit të "G8"-ës, kanë bërë që të shkëputet disi vëmendja nga objektivat kryesorë që do diskutohen në takimin e radhës në Gjermani, disa pyetje të tjera duket se dalin në pah në mënyrë të natyrshme. Duke vështruar prapa në kohë, kuptojmë më qartë idenë se ç‘përfaqëson në të vërtetë "Takimi i G8", çfarë diskutohet në të, kur u themelua, cilët ishin anëtarët, ku u zhvillua takimi i parë, kush hyri më vonë në Klubin e VIP-ave, kush mund të aderojë ende, çfarë karakteri ka ai, cilat janë kriteret e pranimit, etj. etj.
Grupit të tetëshes (i njohur si i vendeve më të industrializuara duke përfshirë edhe Rusinë) ose më shumë, si thjesht "G8"-ta, i përket Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja, Japonia, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar (Britania e Madhe). Përveç emrave të shteteve që përmendëm më lart, në këtë takim është i përfaqësuar edhe Komisioni Evropian. Të drejtën përgjatë një viti, për të pasur selinë dhe të gjitha detyrimet e të drejtat që vijnë si pasojë, e ka vendi ku zhvillohet takimi i përvitshëm. "G8"-ta nuk vlerësohet si një organizatë ndërkombëtare. Takimet e saj janë informale, pra ku në një atmosferë "të çlirët", zhvillohet një tavolinë e rrumbullakët e ku diskutohen tema e problematika të ndryshme që shqetësojnë më shumë botën. Trajtuar në raport me popullsinë botërore, njerëzit që jetojnë në vendet e "G8"-ës, përbëjnë rreth 13 deri në 14 për qind të saj. Në takimin vjetor ekonomik të tetë vendeve më të industrializuara të botës, takohen shefat e shteteve e qeverive të "G8"-ës si dhe ata të shteteve të tjera. Pak para se të mbahet "takimi i të mëdhenjve", në tavolinë takohen ministrat e Jashtëm dhe diskutojnë për tema të ndryshme, por sigurisht, sidomos për politikën e jashtme. Përveç kësaj, në kuadër të procesit të "G8"-ës mbahen konsultime e biseda me dhe nga të gjithë vendet anëtare.
Kur u themelua dhe cilat janë detyrat
Grupimi në fjalë, fillimisht u themelua vetëm me 6 pjesëmarrës e normalisht quhej "G6" në vitin 1975, në kuadër të një takimi rreth "oxhakut" në ambientet e kështjellës së famshme të Rambujesë, në Francë (për shqiptarët ky vend njihet mirë, pasi përbën që prej vitit 1999, një nga stacionet kryesore të historisë së tyre kombëtare) ku u mblodhën asokohe shefat e shteteve e qeverive të RFGJ-së, Francës (me ish-presidentin, Valéry Giscard d‘Estaing, si përfaqësues i vendit mikpritës), Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Temat që u diskutuan atje ishin politikat monetare pas goditjes që mori sistemi i këmbimit valutor të "Bretton Woods" dhe reagimet ndaj krizës së parë të madhe të naftës. Atëherë, takimi ishte planifikuar të ishte një lloj forumi, ku do të flitej në një rreth më të ngushtë, mbi problemet financiare e ato monetare. Megjithatë, shpejt u pa se tematika u zgjerua shumë dhe në diskutim hynë edhe tema si: shëndetësia, politikat arsimore, ekonomia, rritja e popullsisë globale, ambienti, ndryshimet klimaterike, politika e jashtme, çështjet e së drejtës ndërkombëtare, terrorizmi, tregtia ndërkombëtare dhe çështjet e brendshme. Temat e politikës së jashtme, ndërkohë, u duk se dolën më shumë në pah krahasuar me të tjerat, pasi në takimet ndërkombëtare të këtij kalibri, ato janë dhe çështjet bazë që shfrytëzohen për t‘u konsumuar.
"G8"-ta mund të përshkruhet si një "Forum paraprak", që trajton e përpunon në mënyrë konstruktive, me përgjegjësi të përbashkët e konsensus, çështje me interes, që lidhen me politikën botërore.
Nga një takim i një rrethi të ngushtë elitar, ai u shndërrua në një takim të rregullt vjetor, që synon bashkëpunim të vazhdueshëm në rang ministrash të Jashtëm e shefash shtetesh e qeverish. Ata përgatisin takimet, sistemojnë pozicionet nacionale dhe para "takimit të të mëdhenjve" përgatiten e kujdesen që të sheshojnë ndonjë mosmarrëveshje që mund të dalë rrugës. Këtij synimi i shërben dërgimi nga çdo vend anëtar i një të ashtuquajturi "Sherpa" dhe Sous-Sherpas, pra i një të ngarkuari apo të besuari për të përgatitur terrenin për çdo delegacion.
Stacionet e historisë
Nga "G6"-ta te "G8"-ta: zhvillimet më të rëndësishme
Nëse do të ecnim në rrjedhën e historisë, ia vlen të ndaleshim në disa nga stacionet e momentet më të spikatura, kur janë marrë edhe vendime të rëndësishme që lidhen me anëtarët e këtij grupimi elitar. Kështu, siç e theksuam edhe më lart, në fillim ishte takimi i Rambujesë në vitin 1975, që mblodhi rreth "oxhakut" gjashtë të mëdhenjtë: RFGJ-në, Italinë, Francën, Japoninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Më pas, në vitin 1976, "G6"-ta u shndërrua në "G7"-të, pasi iu shtua një anëtar i fuqishëm, me një GDP të konsiderueshme, si Kanadaja. Një stacion tjetër, ku ia vlen të ndalemi, është dhe viti 1998, kur Rusia bëhet pjesëmarrëse me të drejta jo të plota, pasi ajo është e përjashtuar nga konsultat për politikat monetare e financiare. Për këtë arsye dhe për kundërshtitë që ka hasur - sidomos nga amerikanët - prezenca e Rusisë në të tilla takime, takimet e "G8"-ës shpesh cilësohen si "G7"-të plus Rusia. Spanja po përpiqet ndërkohë prej kohësh për të arritur në një anëtarësi me të drejta të plota. Sipas Bankës Botërore, GDP-ja e saj në vitin 2005, arriti 1.100 miliardë dollarë amerikanë, që në fakt përbën një nivel paksa më të lartë se sa ai i Kanadasë, një anëtar i vjetër i "G8"-ës.
Zhvillimet dhe zhvendosjet në renditje
Në vendet e Grupit të Tetëshes më të industrializuar të botës jetojnë rreth 14 për qind e popullsisë botërore, e nga ky grupim paradoksalisht regjistrohet një normë e përgjithshme GDP-je, thuajse sa dy të tretat të asaj botërore (përllogaritur në dollarë amerikanë, sipas raportit të Bankës Botërore për vitin 2006, 2007). Ndërkohë, kanë ndodhur zhvillime të reja në ekonomitë kombëtare të shumë vendeve, e realiteti na përball me fakte të reja, si për shembull: Kina ia ka kaluar me kohë Italisë e Kanadasë, dhe para Rusisë renditen një sërë vendesh me indekse të mira të rritjes ekonomike si: Meksika, India, Koreja e Jugut, Brazili dhe Australia. Spanja, siç e përmendëm, ndërkohë e ka kaluar vendin e tetë, që mban Kanadaja.
Kritikat, protestat dhe "alternativat"
Takimet e "G8"-ës kanë qenë gjithmonë edhe objekt i demonstratave e protestave të grupimeve të ndryshme politiko-ekonomiko-shoqërore, atyre ambientaliste, antiglobale, antiamerikane, anarshiste, dhe ekstremiste, ashtu sikurse edhe në prag apo gjatë takimeve të organizatave ndërkombëtare, si ato të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, ato të Organizatës Botërore të Tregtisë etj. Pika më kulmore e këtyre protestave u regjistrua në vitin 2001, kur gjeti vdekjen edhe Carlo Giuliani, i cili u sulmua nga një polic gjatë takimit të "G8"-ës në Gjenevë të Italisë. Ai samit do të mbahet mend gjatë, si një nga takimet ku përplasjet me dhunë mes policisë e protestuesve kanë regjistruar kulmin. Por duket se ato po përsëriten edhe në prag të takimit aktual të Heiligendamm-it, në Gjermani, megjithëse masat shtesë të sigurisë, mendohet se nuk do të lejojnë të ndodhë një tjetër "Gjenevë 2001". Një element tjetër i rëndësishëm për t‘u përmendur, është dhe "Forumi Social Botëror", pasuar nga disa takime e samite në rang kontinental e rajonal, i cili përpiqet "t‘i bëjë karshillëk" takimeve e samiteve të famshme të ekonomisë e politikës botërore, si ai i Organizatës së Tregtisë Botërore (WTO), Forumi ekonomik i Davosit në Zvicër dhe ai i "G8"-ës. Këto forume janë takime të hapura, që mundësojnë hyrjen në diskutim të personazheve nga jeta civile, për të shfaqur idetë e propozimet e tyre. Në përmbajtje ato kanë një bërthamë antineoliberale dhe një frymë kundërshtare ndaj çdo lloj përpjekje të kapitalizmit e imperializmit, për të dominuar botën dhe bëjnë thirrje për një shoqëri më humane.
Takimi në Heiligendamm
Cilët janë anëtarët dhe përfaqësuesit e "G8"-ës?
Gjermania - Angela Merkel, Kancelare
Franca - Nicolas Sarkozy, President
Italia - Romano Prodi, Kryeministër
Japonia - Shinzi Abe, Kryeministër
Kanada - Stephen Harper, Kryeministër
SHBA - George W. Bush, President
Mbretëria e Bashkuar - Tony Blair, Kryeministër
Rusia - Vladimir Putin, President
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt