Asambleja e Edi Ramës, me gratë e shokëve dhe shokët e grave
Nga Kastriot MYFTARAJ
Pasi Edi Rama erdhi në krye të PS, duke e siguruar shumicën me parimin me të cilin u bë kryebashkiak i botës , pra me parimin “një e-mail një votë”, ai bëri një Asamble që duket se është zgjedhur po virtualisht në kompjuterin e zyrës së tij në bashki. Asambleja e PS, e erës “Rama” i ngjan më tepër një klubi privat miqsh se një forumi përfaqësues të zgjedhur të një partie të madhe. Duke lexuar emrat e të zgjedhurve në Asamble, e ke të vështirë të besosh se ata kanë dalë nga kutia e votimit dhe se delegatët mund të votonin për shumicën e këtyre njerëzve.Parimi kryesor mbi të cilin është përpiluar lista e të zgjedhurve është: të zgjidhen gratë e shokëve dhe shokët e grave. Ajola Xoxa, e fejuara e Erion Veliajt, si dhe Ledi Shamku, gruaja e Artan Shkrelit, janë shembujt më domethënës të kësaj mënyre të re të zgjedhjes. Ajola xoxe, që paraqitet si prurje intelektuale nga shoqëria civile, ka si kredencial intelektual qenien korrespondente e revistës “Mapo” në Paris, ku supozohet të jetë duke bërë një master. Shkrimet e saj nga Parisi, që deri tani mund të shkaktonin vetëm pasurimin e fondit të anekdotave mediatike, meritojnë një vëmendje më të madhe tani që ajo filloi karrierën politike. Sa për Ledi Shamku-Shkreli, ajo prezantohet si një gjuhëtare. Aktiviteti i saj në këtë fushë, tani që u bë politikane e lartë socialiste, pritet t’ i sjellë probleme të mëdha PS, pasi Ledi njihet si autore e shumë artikujve dhe e një libri në të cilin kërkon me të madhe që Kosova që të heqë dorë nga shqipja standarde dhe të adoptojë si gjuhë standarde dialektin gegërisht që Ledi e quan kosovarisht. Kjo që thotë Ledi nuk është teori e re, por është teoria serbe e përcarjes mes Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sipas skemës së vjetër serbe, të “allbanci” dhe “shiptari”. Vendimet për gjuhën merren unanimisht, në nivel gjithkombëtar, dhe jo si konflikt mes Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Tani që Ledi na doli si politikane e lartë socialiste, të gjitha këto bëma të saj i faturohen Ramës, se ato janë meritat e vetme intelektuale të Ledit. Një tjetër grua e shokut është edhe Bardha Barjaba, gruaja e Kosta Barjabës, shefit të kabinetit të Ministrit të Punës dhe Cështjeve Sociale, i cili ka qenë shok i Edi Ramës që në kohën kur Kosta Barjaba ishte sekretar i komitetit të rinisë të universitetit të Tiranës, në vitet e fundit të kohës së komunizmit dhe gjatë kohës së lëvizjes studentore. Në këtë post, Kosta e di mirë të vërtetën e disidencës të ish-pedagogut Edi Rama, prandaj Rama e mban pranë që t’ ia mbajë gojën mbyllur dhe për arsye të tjera. Një vend të madh në listët zenë dhe shokët e vjetër dhe të rinj të grave të Edi Ramës, që nga Eduard Shalësi, Artan Lame, Auron Tare, Dashamir Peza etj. Këta Edi Rama kërkon t’ ia shesë partisë si intelektualë elitarë, kur ata janë ushtarakë (Tare), gjeologë (Lame) që për amatorizëm janë marrë me arkeologji apo urbanistikë dhe dhe në këtë fushë kanë poste të larta në institucionet shtetërore. Këngëtari Ervin Bushati, i cili u bë i njohur me para 10 vjetësh fillimisht me këgën “Krimi s’ jam unë” duket se është preferuar nga Edi Rama për të hyrë në Asamble, pikërisht se Ramës i pëlqen ta dëgjojë këtë këngë për të bërë alibinë e vet, pas krimit që i bëri lidershipit të partisë, që provoi një spastrim të paparë. Nga të vjetrit ka mbetur vetëm Et’ hem Ruka, i cili duket se është kursyer nga Rama vetëm se ka shkruar një libër për klonimin dhe i duhet Ramës si këshilltar frymëzues për stilin e tij të klonimit të anonimëve në lidership.
Krijoni Kontakt