Harqet e Durrësit në një koncert

Artdashësit durrsakë ndoqën me interes koncertin e organizuar në sallën e teatrit të qytetit bregdetar nga shoqata "Arti dhe kultura italo-shqiptare", nën intepretimin me nivel të instrumentistëve të këtij formacioni orkestral, të themeluar në vitin 1970

Orkestra e harqeve "Aleksandër Moisiu" e Durrësit, nën drejtimin e dirigjentit italian, Andrea Crastolla, ka interpretuar të shtunën në mbrëmje një koncert me vepra muzikore nga Galuppi, Mendelssohn dhe Grieg. Artdashësit durrsakë ndoqën me interes koncertin e organizuar në sallën e teatrit të qytetit bregdetar nga shoqata "Arti dhe kultura italo-shqiptare", nën intepretimin me nivel të instrumentistëve të këtij formacioni orkestral, të themeluar në vitin 1970. Pas koncertit për orkestrër harqesh nr. 2 në sol maxhor të kompozitorit Baldassare Galuppi, orkestra nën drejtimin e dirigjentit Crastolla, përballoi me sukses premierën e Koncertit për violinë në re minor të autorit Felix Mendelssohn.

Solistja Nevila Kalaja, e cila rikthehet në vendlindje pas disa kurseve perfeksionimi në vendin fqinj, transmetoi te pjesëmarrësit emocionin e kësaj vepre plot atmosferë, në të cilën parti solistik dhe ai orkestral plotësojnë njëri-tjetrin përmes situatave të veçanta muzikore. Orkestra e harqeve "Aleksandër Moisiu", nën drejtimin e dirigjentit Crastolla, u vlerësua edhe në interpretimin e suitës Holberg të kompozitorit norvegjez Eduard Grieg, një vepër muzikore me pesë kohë, ku ndërthuret karakteri tregimtar me shpërthimet emocionale. Ky koncert zgjeron hartën e bashkëpunimit të artistëve durrsakë të Shkollës së Harqeve me dirigjentë dhe instrumentistë te tjerë të huaj. Organizimi i tij u mbështet nga Bashkia e Durrësit, si një nga veprimtaritë e para artistike të sezonit veror 2007.