Gjuha shqipe përballë sfidave të reja

Nga Rando Devole

Dy fjalorë si simptoma

Nga pikëpamja gjuhësore dhe nga numri i botimeve në këtë fushë, viti 2006 mund të pagëzohet fare mirë si viti i fjalorëve. Para së gjithash fjalori i gjuhës shqipe i Mehmet Elezit, (Fjalor i gjuhës shqipe, Botimet Fishta, 1700 faqe) me rreth 41 mijë fjalë, mbi pesë mijë shprehje frazeologjike, mijëra fjalë të urta popullore, shpjegime etimologjike, vjelje leksikore nga shumë klasikë të letërsisë shqipe. Fjalori i Elezit dallohet thelbësisht nga të tjerët sepse përmban fjalë dhe kuptime që nuk gjenden në fjalorët “zyrtarë” të Akademisë të botuar deri më sot. Falë kësaj karakteristike, fjalori nuk paraqitet si alternativë e të mëparshmëve, por vetëm si plotësues i tyre.

Puna e Mehmet Elezit shkon përtej fjalorit. Në pjesën e parë të tij është ribotuar një sprovë e njohur e të njëjtit autor me titullin kuptimplotë: “Gjuha shqipe në bunker?”. Një zgjedhje e pazakontë për një fjalor, deri diku i diskutueshëm, por bëhet fjalë pa dyshim për një nënvizim të dukshëm kulturor. Në fakt, Mehmet Elezi, me botimet e tij të shumta letrare dhe publicistike, i përket asaj kategorie studiuesish që nuk pranojnë që gjuha standarde të jetë e kyçur, e vulosur, e ngrirë. Me fjalë të tjera, studiues dhe letrarë të ndryshëm gjykojnë se gjatë sanksionimit të standardit të shqipes, miratuar zyrtarisht në vitin 1972, në kulmin e regjimit totalitar, ka peshuar edhe faktori politik. Ky i fundit e penalizoi dialektin gegë në favor të një standardi të bazuar në toskërishte. Parathënia e fjalorit të Elezit është një nga mbrojtjet më pasionante dhe më të kualifikuara të thesareve ende të papërdorura të gegërishtes. Vetë fjalori rreket të dëshmojë pikërisht pasurinë leksikore të dialektit gegë (dhe jo vetëm të tij), që nuk janë marrë në konsideratë nga grupi i studiuesve të Institutit të Gjuhësisë që përpiloi atëherë fjalorin “zyrtar”.

Gjithnjë gjatë vitit 2006 u botua (por u shpërnda në janar të këtij viti) "Fjalori i Gjuhës Shqipe" me 48 mijë fjalë, 1250 faqe me format të reduktuar. Ky fjalor është përgatitur nga një grup studiuesish të Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave, midis të cilëve Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga. Ky është fjalori i katërt i shqipes botuar nga Instituti i Gjuhësisë. I pari e ka parë dritën më 1980 (Fjalori i Gjuhës së Sotme shqipe) me rreth 41 mijë fjalë. I dyti (Fjalor i Shqipes së Sotme) është i 1984-s, me më pak fjalë (rreth 34 mijë), por më i përdorueshëm. Versioni i rishikuar i këtij fjalori doli nga tipografia tetë vjet më pas, saktësisht në vitin 2002. Risia e "Fjalorit të Gjuhës Shqipe" qëndron kryesisht tek formati i tij dhe në teknikat ekonomike për ta përshtatur me përmasat e reja; disa ndryshime ka pësuar edhe fjalësi (janë shtuar rreth 7 mijë fjalë të reja, shumë prej të cilave nga vjelje të veprave të vona). Nga pikëpamja sasiore ky fjalor konsiderohet më i madhi i të gjithë fjalorëve të shqipes të shtypur deri më sot. Fjalori i drejtohet një publiku shumë të gjerë, përfshirë shkollat, me synimin për t’iu ofruar përdoruesve një fjalor praktik për konsultim.

Instikti i mbijetesës

Fakti që gegërishtja po përforcohet gjithnjë e më shumë në praktikën e të shkruarit – edhe pse jemi ende në nivele minimale – nga një anë dëshmon një farë trysnie në favor të pranisë më të madhe të këtij dialekti në standardin e shqipes, nga tjetra zbulon vështirësitë e shqipes së sotme për të përfaqësuar tërësinë e popullsisë së saj, ose të paktën që të njihet pa diskutime si i vetmi mjet i përbashkët shprehjeje. Në gazetat shqiptare po shfaqen me insistim të vazhdueshëm artikuj të shkruar në gegërisht, shenjë se kompleksi i inferioritetit, i ndjerë kryesisht në vitet e para postotalitare, është në dobësim e sipër. Ka gjasa që në këtë proces të ketë ndikuar edhe çlirimi i Kosovës, që krijoi jo vetëm premisat e pavarësisë, por edhe kushtet për debate të dendura lidhur me formën e gjuhës së ardhshme.

Një rol të veçantë ka luajtur edhe ndonjë bestseller si ai i At Zef Pllumit me titullin gegë "Rrno vetëm për me tregue", ku françeskani i njohur ka rrëfyer peripecitë e tij gjatë viteve të regjimit. Natyrisht, nuk mund të mohohet një lloj lidhje midis gjuhës së përdorur nga At Zef Pllumi dhe historisë së jetës së tij të përvuajtur. Në sytë e lexuesit, gegërishtja e Pllumit (për më tepër mjaft e butë, e ëmbël dhe e përtypshme) mund të konotonte fare mirë shpagimin e lirisë, që shprehet jo vetëm duke rrëfyer sot të parrëfyeshmen e djeshme, por edhe me zgjedhjen e një mjeti gjuhësor që dikur ndalohej: pra gegërishten.

Por çfarë gegërishte po përdoret sot në Shqipëri? Një përgjigje cilësore vjen nga gjuhëtari Ardian Vehbiu, në artikullin (“Shekulli”, 2.4.2007) kushtuar mënyrave të shkrimit të gegërishtes. Vehbiu ka shënuar katër mënyra kryesore. E para ka të bëjë me tejshkrimin e formave të folura të dialektit pa ndonjë vëmendje të posaçme për rregullat gjuhësore; e dyta i referohet traditës shkodrane; mënyra e tretë përfshin autorët që fusin trajta përfaqësimtare të gegërishtes por në tekste shkruar me shqipe standarde; e katërta dhe e fundit trupëzohet në kontekste instrumentalizuese ku më shumë ka rëndësi pozicionimi politiko-kulturor se sa vetë gjuha. Synimi i Vehbiut ishte në thelb kategorizimi i përgjithshëm i formave aktuale të të shkruarit të gegërishtes. Megjithatë, Ardian Vehbiu nuk i fsheh kritikat e forta në drejtim të mënyrës së parë dhe të katërt, duke u distancuar nga përdorimi i një gegërishteje, si të thuash, amatoresk dhe ndonjëherë me qëllime jashtëgjuhësore. Autori na kujton gjithashtu se traditës gege i mungon një kulturë dhe letërsi e mirëfilltë, të krijuar rishtas, çka e vështirëson më tej rikuperimin e saj.

Gjithsesi, vetë fakti që gegërishtja po përdoret lirisht në Shqipëri dëfton edhe një herë se qëndrimi ndaj standardit të shqipes nuk është më përkulimtar si një herë e një kohë. Ajo që bie në sy më shumë është heshtja pothuajse e plotë e institucioneve akademike dhe universitare në lidhje me përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të dialektit të veriut. Është e qartë se një përdorim i tillë nuk mund të skedohet thjesht si shprehje e rëndomtë dialektizmash apo krahinorizmash, edhe për faktin se nga fronti i toskërishtes mungon një reagim simetrik, ndoshta për shkak të statusit prej themeluesi të standardit të shqipes.

Paralele shurdhmemece

Parë nga një këndvështrim dyjar, fjalorët e lartpërmendur nuk janë gjë tjetër veçse dy ngjarje paralele, e para e ka fillesën në një pozicion rivendikues, e dyta në një qëndrim konservues (ruajtës). Dy paralele pra që nuk takohen, por ecin krah për krah në vetmi e indiferencë totale, të paktën deri tani. Përkthyer në terma ushtarake mesjetare, fjalori i parë do të quhej një sulm masiv (leksikor) kundër fortesës së një principate të mbyllur mes muresh të vjetra (të vlefshme por të pameremetuara). E megjithatë bëhet fjalë për të njëjtën tokë, popull, gjuhë. Sidoqoftë, pavarësisht nga metaforat, nuk bëhet fjalë për ndonjë luftë të vërtetë, por nëse si e tillë do të perceptohej, do të kishim të bënim me një luftë kulturore e në disa raste edhe psikologjike, plot me heshtje strategjike dhe tërheqje taktike. Një fjalor si ky i Elezit, me vlerat e dobësitë eventuale, në vende të tjera do të ishte bërë objekt debatesh të ndezura nga ekspertët e sektorit, kurse në Shqipëri kaloi pothuajse pa u vënë re, përmes intervistash sporadike dhe recensionesh gazetareske.

Natyrisht, nuk mund të lihet mënjanë konteksti në të cilin zhvillohet kjo “betejë” gjuhësore. Shqipja prej kohësh mezi po e duron trysninë shumëfrontëshe. Standardi i saj ka lindur tashmë në “të largëtin” 1972, si rrjedhim i referohet një situate socio-politike krejtësisht të ndryshme. Në rrjedhën e viteve, regjimi totalitar, me ideologjinë e tij asfiksuese, erdhi duke e nxitur sloganizimin e gjuhës, duke e shndërruar në disa rrethana të ngurtë e të ngathët. Ndoshta këtu e kanë zanafillën disa probleme që shqipja e sotme has kur ndeshet me kultura të tjera. Globalizimi, gjithashtu, i ka dhënë gaz proceseve ballafaquese kulturore, duke nxjerrë në pah disa kontradikta të sistemit gjuhësor. Rasti më i dukshëm lidhet me stërmundimin e gjuhës për të metabolizuar terminologjinë e re me prejardhje teknologjike. Edhe përkthyesi më i sprovuar në ujërat tekstuale do të dorëzohej përballë shkëmbinjve terminologjikë në pamje të parë qesharakë, si p.sh.: file, mouse, click, blog, log, link, etj. E megjithëse duken manovra të thjeshta, ata ngecin fatalisht në rërën e shumësit, dhanores, kushtores, e kështu me radhë. Nga situata dilet gjithsesi, porse kemi zgjidhje individuale, të improvizuara, shpesh ngalakaqe, ndonjëherë intuitive, por tek e fundit janë të papranuara nga të gjithë.

Sigurisht, gjendja e përgjithshme e gjuhës shqipe nuk jep kurrfarë ndihme. Nëpër media gjuha keqtrajtohet pa mëshirë, në shkolla nuk studiohet me devotshmëri, në administratë nuk konsiderohet seriozisht. Deri edhe ata që e adhurojnë me sinqeritet bien shpesh në kurthin e retorikës së mykur e naive, duke bërë më shumë dëme se përmirësime. Nga ana tjetër, monopolizimi dhe reduktimi i çështjes “gjuhë” nga ana e puristëve nuk sjell diçka të dobishme. Janë të gjitha elemente që vozitin në kah të kundërt të përmirësimit. Përgjithësisht, mund të thuhet pa frikë se është vetë statusi i gjuhës që ka rënë shumë poshtë.

Që argumenti “gjuhë” nuk është i lehtëtrajtueshëm sot në Shqipëri, kjo dihet nga të gjithë. Së pari sepse shqiptarët, ndryshe nga popuj të tjerë, pasqyrohen në gjuhën e tyre nga pikëpamja identitare. Së dyti, sepse kultura shqiptare, institucionet dhe elitat e saj, jetojnë në një situatë tejet të trazuar, në një shoqëri në transformim e lëvizje intensive, tranzicionit të së cilës vështirë se po i duket fundi.

Në qoftë se recetat në këtë fushë duken të tepërta e të kota, disa veprime që duhen ndërmarrë ka kohë që janë përvijuar në horizontin e kulturës shqiptare. Para së gjithash duhet kuptuar nëse përshtatja e shqipes me kohën është përnjimend urgjente. Kohët natyrisht duhen parë në kuptimin më të gjerë të mundshëm: si nga pikëpamja e brendshme ashtu edhe e jashtme. Kjo mund të ishte një pikënisje e mirë drejt diagnostikimit të problematikave gjuhësore, për të përfunduar me terapitë që konsiderohen të dobishme nga ekspertët. Por për t’i bërë të gjitha këto hapa, lipset që specialistët të konsultohen mes tyre, rreth institucioneve demokratikisht të hapura, pa përjashtuar askënd, pa paragjykime dhe pa pengime. Dialogu e ndjen gjithnjë nevojën e gjuhës, por edhe gjuha ka nevojë për një kulturë dialogu. Por në qoftë se shumë vetë e bëjnë veshin të shurdhët, në fund fare do të vendosë “tregu”. Veçse, në një kontekst prej xhungle, vështirë që vendimet të jenë të drejta e të pranueshme.