“Misioni i dy shqiptarëve në Europë”
Shkrimi që po botojmë sot është pjesë e një studimi që autori ka bërë duke u mbështetur në dokumentet osmane, të nxjerra nga dosja me titullin “Misioni i dy shqiptarëve në Europë”, të cilën ka mundur ta gjejë në vitin 1969, pas një pune qëmtuese, midis shumë dosjeve të tjera, që ruhen në Arkivin e Kryeministrisë të Perandorisë Osmane në Stamboll
Prof.dr.Kristaq Prifti
Më 2 prill të vitit 1879 vilajeti i Janinës, me një telegram të posaçëm, njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme të Perandorisë Osmane se më 30 mars, ditën e hënë, u nisën nga Preveza, me një vapor austriak, zotërinjtë Mehmet Ali Vrioni dhe Abdyl Frashëri dhe kërkonte nga ajo ministri që të njoftonte për këtë ambasadat osmane në Europë.
Ky telegram prej dy reshtash në turqishten e vjetër hap dosjen me titullin “Misioni i dy shqiptarëve në Europë”, shumicën e dokumenteve të së cilës e përbëjnë korrespondencat e ambasadave osmane me qeverinë e Stambollit, që hedhin dritë, hap pas hapi, mbi veprimtarinë diplomatike të Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit në kryeqytetet e Europës gjatë muajve prill-maj 1879 dhe në Stamboll në qershor të atij viti.
Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, i cili ishte gjithashtu një nga personalitetet e shquara të lëvizjes kombëtare, ish-deputet i Parlamentit osman, anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit dhe kryetar i degës së Lidhjes së Prizrenit për Prefekturën e Beratit, u ngarkuan nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut me një mision të posaçëm diplomatik: të kërkonin, duke u ballafaquar drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e kabineteve të Fuqive të Mëdha, që këto të hiqnin dorë nga zbatimi i Protokollit 13 të Kongresit të Berlinit, në të cilin rekomandohej që të rishikohej vija e kufirit turko-grek (shqiptaro-grek), për ta çuar atë deri në lumin Kalama. Në këtë mënyrë do t’i aneksoheshin Greqisë territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut ose të Epirit, Janina me rrethet e saj, Preveza, Arta, Margëlliçi, Parga, Paramithia etj., domethënë pjesa më e madhe e Çamërisë dhe vise të tjera në lindje të saj.
Misioni i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit në Europë përbënte një nga aksionet më të fuqishme dhe më të rendësishme në veprimtarinë diplomatike të Lidhjes Shqiptare. Ata kryen në Europë misionin e diplomatëve të parë të shtetit shqiptar, themelet e të cilit po i hidhte Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Para se të nisej delegacioni përgatiti një memorandum, i cili do t’u paraqitej kabineteve të Fuqive të Mëdha, nga të dy delegatët, në emër të popullit shqiptar. Në këtë memorandum Lidhja Shqiptare kërkonte prej kabineteve evropiane të hiqnin dorë nga vendimet e Kongresit të Berlinit për copëtiminm e tokave shqiptare dhe në mënyrë të veçantë nga Protokolli 13, që i cedonte Greqisë territore të Epirit, pjesë të tëra të Shqipërisë së Jugut.
Abdyl Frashëri veproi në përmbushjen e këtij misioni me energji të jashtëzakonshme, u shqua si diplomat dhe politikan i madh, i aftë, fal kulturës së tij të gjerë, për të biseduar e për t’u marrë vesh si me përfaqësuesit më të lartë të kabineteve evropiane ashtu edhe me diplomatët osmanë në kryeqytetet e Europës.
Suksesin e parë Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni e arritën qysh në Romë, që ishte kryeqyteti i parë europian që vizituan gjatë këtij udhëtimi. Pritja që iu bë në Romë më 10 prill 1879 nga dy personalitetet kryesore italiane, kryeministri Depretis dhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, konti Tornieli (Tornielli, Brusalti) si edhe bisedimet me ta kaluan në mënyrë të kënaqshme për shqiptarët dhe u treguan atyre se Roma ishte e prirur për ta rishikuar Protokollin 13 për kufirin me Greqinë. Mbi ecurinë e këtij takimi hedh dritë relacioni që ambasadori osman në Romë, Turhan Hysni Përmeti, i dërgonte ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane në Stamboll, ku theksohej se, sipas informatave që kishte marrë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, z. Depretis dhe Tornieli u kishin kumtuar atyre se “Italia e pranonte se Kongresi i Berlinit ka gabuar në qëndrimin ndaj çështjes së Epirit, se ajo (Italia) po përpiqet t’u mbushë mendjen edhe Fuqive të tjera, por edhe ata (shqiptarët) duhet të bëjnë të njëjtën gjë”. Të njëjtin mendim për rezultatin e bisedimeve që patën në Romë, i shprehën sulltanit edhe Abdyli me Mehmet Ali Vrionin në promemorjen që i dërguan, menjëherë pas kthimit të tyre në Stamboll, më 23 qershor 1879. Kryeministri Depretis, i shkruanin ata sulltanit, pranoi se “Kongresi i Berlinit e ka bërë këtë gabim dhe se ky gabim duhet ndrequr, se për këtë (Depretis) do të hynte në korrespondencë edhe me shtetet e tjera dhe se nuk do të pranonte asnjëherë pretendimet e Greqisë mbi Epirin”.
Në Paris Mehmet Ali Vrioni dhe Abdyl Frashëri patën përkrahjen e ambasadës osmane, me ndërmjetësinë e së cilës dhe të shoqëruar prej këshilltarit të saj, u pritën, më 3 maj, nga ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Vaddingtoni. Pritja që Vaddingtoni u rezervoi shqiptarëve, ishte, sipas vlerësimit të Safet Pashës, ambasadorit turk në Paris “e favorshme dhe madje dashamirëse”. Safet Pasha e përshkruante Vaddingtonin si një personalitet me kulturë të thellë, ndërsa njohja prej tij në mënyrë të përsosur e gjuhës greke, të cilën e njihnin po aq mirë të dy delegatët shqiptarë, jo vetëm e lehtësoi bisedën ndërmjet tyre por e bëri atë edhe më intime. Megjithatë, kjo bisedë nuk kaloi pa kundërthënie e ballafaqime ndërmjet tyre.
Kureshtjes së kryediplomatit francez, që kërkoi të dinte se nga cila anë e Shqipërisë ishin dhe nëse paraqiteshin si delegatë të rretheve të tyre apo të të gjithë Shqipërisë të dy delegatët iu përgjigjën se njëri ishte nga Frashëri dhe tjetri nga Berati, por ishin përfaqësues të Lidhjes Shqiptare, e cila përfshinte të gjithë vendin dhe që në mbledhjen e saj të fundit në Prevezë i kishte ngarkuar për t’u sjellë qeverive europiane protestat e tyre në lidhje me synimin e Greqisë për të aneksuar, sipas Protokollit 13, pjesën më të mirë të vendit të tyre.
Gjatë bisedës me Vaddingtonin, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, “me një ndjenjë bindjeje të thellë”, siç shkruante Safet Pasha, me argumente të gjithanshme, politike, strategjike, ekonomike, etnike dhe historike i treguan ministrit francez sa i padrejtë ishte Protokolli 13 dhe u përpoqën ta bindnin atë dhe qeverinë e tij që të hiqte dorë nga miratimi i këtij akti të Kongresit të Berlinit.
Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni i shprehën Vaddingtonit shqetësimin që kishte shkaktuar në gjithë Shqipërinë zotimi për t’i dhënë Greqisë një pjesë të Epirit, i sanksionuar në protokollet e Kongresit të Berlinit. Me një të rënë të kalemit, i thanë ata bashkëbiseduesit të tyre, Europa kërkon t’i shkëpusë Shqipërisë tokat më pjellore, qytetet me një tregti dhe industri të zhvilluar, portet që frekuentohen më tepër, që janë qendrat më të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë dhe që i sigurojnë vendit lidhje të përhershme me Europën. Delegatët e vunë theksin edhe në rëndësinë strategjike që kishte për Shqipërinë cedimi i Janinës dhe i lokaliteteve të Çamërisë Greqisë, sepse, përveç të tjerave, do të bënte që Shqipëria të humbiste disa pika strategjike natyrale dhe të fortifikuara, çka do ta privonte nga mundësia për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të armiqëve. Kjo, theksuan ata do ta vinte vendin në mëshirën e grekëve, të cilët brenda një kohe pak a shumë të afërt dhe pa ndeshur në pengesa serioze mund të pushtojnë pjesën tjetër të Shqipërisë, kërkesë, të cilën pati guximin të mos e fshihte edhe i plotfuqishmi i (Greqisë) në Kongresin e Berlinit, Deljanis. Siç dihet, Greqia vijoi t’i paraqiste pretendimet e saj ndaj Epirit (Shqipërisë së Jugut) edhe pas Kongresit të Berlinit, gjatë dhe pas Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe vazhdon t’i shfaq, me forma e mënyra të ndryshme, edhe sot ndaj të shtuquajturit “Vorio Epir”.
Vaddingtoni, si përfaqësues i një qeverie, e cila kishte qenë nismëtarja kryesore e Protokollit 13 të Kongresit të Berlinit, nuk u premtoi delegatëve të Lidhjes që Franca të hiqte dorë menjëherë nga ai Protokoll, megjithatë ai e njojti Epirin si territor shqiptar, si pjesë të Shqipërisë. Vaddingtoni u kumtoi atyre se “nuk e kundërshtonte ekzistencën e Shqipërisë dhe Epirin si pjesë të saj”, gjë që përbënte një hap të rendësishëm dhe pozitiv për çështjen shqiptare. Por duke qënë nën ndikimin e qendrimit të mëparshëm të Francës për çështjen e Epirit, Vaddingtoni deklaroi se, “përveç Janinës, për të cilën kishte dyshime (nëse i duhej ceduar Greqisë), ai ishte i bindur se aneksimi i Prevezës dhe i Artës nga Greqia, nuk do të shkaktonte ndonjë kundërshtim nga ana e popullatës, pjesa më e madhe e së cilës flet greqisht dhe është e fesë greke (ortodokse)”.
Të dy bejlerët shqiptarë, siç i shkruante Stambollit ambasadori turk në Paris, Safet Pasha, i kundërshtuan edhe këto pohime të ministrit të Jashtëm frances. “Ata pranuan se në Artë përdoret greqishtja, por së bashku me shqipen, ndërsa në Prevezë përdoret vetëm shqipja”. Ndërkaq ata e vunë theksin në domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së Epirit në bazë të parimit të kombësisë, të njohur nga të gjitha shtetet europiane e në radhë të parë nga Franca, e jo në bazë të gjuhëve që njohin e që kanë mësuar dhe aq më pak në bazë të besimit fetar të cilin praktikojnë. “Këtu është fjala vetëm për kombësinë”, i deklaruan ata bashkëbiseduesit të tyre.
Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni i parashtruan Vaddingtonit argumente historike dhe etnike, që vërtetonin përkatësinë kombëtare shqiptare të territoreve të Epirit, tërësinë e të cilave mbronte Lidhja Shqiptare. “Të dhënat historike të kohërave të vjetra dhe të atyre moderne, si edhe traktatet gjeografike, i kumtuan ata Vaddingtonit, tregojnë qartë se çfarë padrejtësish i janë bërë dhe po i bëhen Shqipërisë me Protokollin 13. Epiri, si krahinë theksuan ata, sikurse e provojnë historianët më të famshëm të kohëve të vjetra si Herodoti, Tuqididi, Straboni dhe veprat e gjeografëve më të mëdhenj të sotëm është pjesë integrale e Shqipërisë që nga kohët e lashta dhe nuk ka qenë asnjëherë dhe në asnjë periudhë i pushtuar prej grekëve”.
Këto argumente historike të dy shqiptarët i shoqëruan edhe me të dhëna të tjera, etnike të kohës, me faktin që popullsia e Epirit apo e Shqipërisë së Poshtme ishte në shumicën e saj dërmuese shqiptare. Ata kundërshtuan pretendimet absurde të helenëve se, meqë në Janinë dhe në Artë përdorej edhe gjuha greke, përveç shqipes, duhet që ato dhe Epiri përgjithësisht të konsiderohen si pjesë e kombësisë greke. Mirëpo popullsia e Epirit llogaritet në rreth gjashtëqindmijë frymë, ndërsa ata që e flasin greqishten mezi arrijnë shifrën prej 74 mijë banorësh; por edhe këta, theksoi Abdyl Frashëri, nuk janë me origjinë helene dhe e përdorin greqishten si gjuhë të mësuar në kushtet e mungesës gjer në një far kohe të një alfabeti shqip dhe sidomos nga ndikimi i marrëdhënieve të fqinjësisë me grekët dhe i marrëdhënieve tregtare të përditshme me ta. Gjithë bota e di se, pavarësisht nga gjuha që flasin, banorët e këtyre lokaliteteve janë shqiptarë. Përdorimi i gjuhës greke si edhe besimi në të njëjtën fe, nuk i heqin aspak kësaj popullsie (të jugut të Epirit) cilësinë e qytetarëve shqiptarë”.
Gjithësesi, Abyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni në promemorjen që i dërguan sulltanit pas këtij misioni, më 23 qershor 1879, i quanin të frytshme për çështjen shqiptare bisedimet që zhvilluan në Paris. “Edhe pse Vaddingtoni, i kumtuan ata sulltanit, ka përkrahur vazhdimisht pretendimet greke mbi Epirin, ata arritën ta bindnin atë të kthehej nga kjo rrugë dhe të premtonte se do do t’i jepte ambasadorit të Francës në Stamboll udhëzime për të vepruar në mënyrë të drejtë në çështjen e Epirit dhe të mos lejonte padrejtësira, duke u bindur se populli i Epirit nuk ka gjë të përbashkët kombëtare me grekët”.
Në fund të bisedës së tyre Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni i dorëzuan Vaddingtonit Promemorien e Lidhjes Shqiptare, për të cilën ai premtoi se do ta shqyrtonte me vëmendje.
Më 5 maj, i shkruante Safet Pasha Stambollit, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni lanë Parisin dhe u nisën për në Londër, Berlin dhe Vjenë me të njëjtin mision që plotësuan në Romë dhe në Paris.
Edhe në Londër takimi me ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, lordin Sollsbëri u bë i mundur me ndërmjetësinë e ambasadorit turk, Mysyrys Pashës, kuptohet jo pa miratimin e Portës së Lartë. Lordi pranoi t’i dëgjonte, megjithatë jo në zyrat e Forejn Ofisit, por në shtëpinë e tij, më 12 maj 1879, ku Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni shkuan të shoqëruar nga këshilltari i ambasadës turke, i cili u shërbeu edhe si përkthyes. Delegatët shqiptarë i parashtruan ministrit britanik kërkesën e Lidhjes e të popullit shqiptar për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë së Jugut, duke i dhënë Greqisë tokat shqiptare të Epirit dhe për të mos ratifikuar Protokollin 13. Ata i dorëzuan edhe atij promemorjen e Lidhjes.
Biseda me ministrin anglez të Punëve të Jashtme u zhvillua në një atmosferë të favorshme për shqiptarët dhe për misionin, për të cilin kishin ardhur në Europë. Në atë kohë kabineti anglez, ndonëse zyrtarisht nuk ishte shprehur kundër zbatimit të Protokollit 13, nuk ia kishte fshehur Fuqive pjesëmarrëse të Kongresit të Berlinit rezervat e tij për këtë Protokoll, madje në mënyrë konfidenciale, u pat deklaruar atyre se do të ishte më mirë që Janina t’i mbetej Turqisë, çka do të thoshte Shqipërisë, si pjesë e Perandorisë Osmane në atë kohë.
Po këtë qëndrim mbajti kryediplomati britanik, Sollsbëri edhe në bisedën me dy delegatët shqiptarë. Sikurse i shkruanin Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni sulltanit, më 23 qershor 1879, pasi u informua hollësisht prej tyre për gjendjen reale në Shqipëri, Sollsbëri u tha “se dëshironte qetësinë dhe që askujt të mos i bëhet padrejtësi” dhe premtoi se “për këtë çështje (të Epirit) do t’i jepte udhëzime ambasadorit të vet në Stamboll që të merrte parasysh kërkesat e shqiptarëve dhe shpresonte se nuk do t’i jepej Greqisë asnjë pjesë nga Epiri”.
Sikurse i konfirmuan edhe ambasadorit turk në Londër, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni “kishin mbetur të kënaqur nga përfundimet e misionit të tyre në Londër”.
Korrespondencat e dosjes “Misioni i dy shqiptarëve në Europë”, si edhe Promemoria që ata i dërguan sulltanit më 23 qershor 1879, sapo mbërritën nga Vjena në Stamboll, e që shënon mbylljen e këtij udhëtimi, tregojnë se misioni i tyre diplomatik dha frytet e tij. Shqetësimi se një copëtim i mëtejshëm i trojeve shqiptare në favor të Greqisë, pas atij që iu bë me viset që iu aneksuan Serbisë dhe Malit të Zi, do të shkaktonte një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri dhe do të ndërlikonte gjendjen në Ballkan dhe në Europë, filloi të ndihej gjithnjë e më shumë në politikën e kabineteve europiane dhe i bëri ato të tërhiqeshin nga angazhimi për të zbatuar Protokollin 13. Këtë qendrim të kabineteve të Europës kishin parasysh A. Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni kur i shkruanin sulltanit, më 23 qershor 1879, se shumica e Fuqive të Mëdha nuk mendojnë që t’i japin shumë tokë Greqisë dhe synojnë më tepër ta zgjidhin çështjen e kufijve me Greqinë, duke i bërë kësaj cedime territoriale më tepër në anën e Thesalisë se sa në atë të Epirit, ku “mund të lindnin komplikacione të reja me kryengritësit shqiptarë”.
Në këto rrethana, çështja e Epirit, e zbatimit nga Fuqitë e Mëdha të Protokollit 13 të Kongresit të Berlinit u zvarit për afro 3 vjet dhe përfundoi me marrëveshjen turko-greke të marsit të vitit 1881, sipas së cilës Greqia u zgjerua në Thesali, deri në lumin Selemvria, kurse në Epir nga gjithë hapësira e gjerë e pretenduar prej saj, mundi të aneksonte vetëm qytetin e Artës me rrethinë.
Albania
2 Qershor 2007
Krijoni Kontakt