Shqipëria e Shën Petërburgu, lidhja që vjen nga shekujt

Akademiku Prof. Dr. Vladimir Misja vjen me një libër të ri për të cilin mund të flasim në pambarim:" Lidhjet e shqiptarëve me Shën Peterburgun në rrjedhat e historisë". Eshtë një vepër shkencore origjinale të cilën autori e ka realizuar pas një pune serioze disa vjeçare, bazuar në fakte historike e dokumenta konkrete.

Në libër vjen në mënyrë tërheqëse lindja dhe zhvillimi i një prej qendrave kulturore nga më të shquarat në botë- Shën Peterburgun, në krijimin, projektimin e pasurimin arkitektonik dhe artistik të të cilit kanë punuar për vite të tëra shumë mendje të ndritura të arkitekturës, skulpturës, pikturës dhe të fushave të tjera të artit dhe të shkencës. Për ndërtimin e kësaj qendre mjaft tërheqëse, përveç krijuesve të Rusisë, kanë derdhur aftësitë krijuese për vite të tëra specialistë të shquar të artit të ardhur nga: Gjermania, Italia, Franca etj. E gjithë kjo punë e kujdesshme dhe e përzgjedhur për ndërtimin e Shën Petërburgut, që fillon me Pjetrin e Parë dhe vazhdoi në shekujt e mëpasëm, bëri që ky qytet të shquhet si një nga qendrat më të rralla të botës për vlerat arkitektonike, artistike e kulturore. Vlera të cilat autori i shfaq mjaft mirë duke lënë të ngacmuar kërshërinë për të ditur më tej. Në mënyrë tërheqëse vlerat ndërthuren me krijimtarinë artistike, me funksionin me vlerat kombëtare dhe me ato historike brenda të cilave shtohet gjithnjë e më shumë kureshtja dhe nuk është e lehtë të çlirohesh nga habia ashtu siç shkruan edhe vetë autori: " Ato vërtet janë perlat e gjerdanit të Peterburgut".

Libri bëhet edhe më tërheqës me materialin figurativ që mbartet në të, me mëse 110 fotografi, me pamje të monumenteve e veprave të tjera të kulturës e shkencës të punuara në granit, mermer e bronz.

Përveç punës eruditive të autorit, në këtë libër përfshihen edhe 124 burime bibliografike të zgjedhura të cilat së bashku me dijet e autorit krijojnë një ansambël enciklopedik që mban të mbërthyer etjen e dijes për lexuesin. Libri shërben si burim skedimesh për kulturën tonë kombëtare. Karakteri enciklopedik del edhe nga përmendja e mëse 150 autorëve (arkitektë, skulptorë, piktorë etj), emri i të cilëve shënohet përbri veprave të tyre me krijimin e ndërtimin e Shën Peterburgut.. Padyshim që libri freskon kujtesën dhe sjell mallin e natyrshëm të shumë intelektualëve që kanë studiuar në Shën Peterburg. Një vend të rëndësishëm në librin e Prof.. Dr. Vladimir Misjes zënë vlerat e shumëçmuara patriotike të Leningradasve (pjesë e pandarë e popullit rus) në luftën e madhe patriotike kundër nazizmit gjerman (1941-1945), në frontin e së cilës u angazhua tërësisht dhe populli shqiptar. Rezistenca dhe epopeja e Leningradasve në 900 ditët e bllokadës nuk ishte vetëm një shembull i madh i patriotizmit rus, si një fuqi e mbinatyrshme ndaj zjarrit të pandërprerë të nazizmit gjerman, por dhe një angazhim e frymëzim për popujt e tjerë ku thundra gjermane kishte kallur tmerrin. Në ditët më të vështira, të zisë së bukës e mjerimit të madh shpirti patriotik rus ngrihej në ngadhënjim e shndërrohej në një fuqi të mbinatyrshme. Shifrat që jepen janë rrëqethëse. Na duket me vend sentenca e autorit të librit ku shkruan se: " Në histori nuk kanë munguar heronjtë individualë, por aty (Rusi) ne gjejmë heronjtë kolektiv: Një popull i përbërë me miliona njerëz, me punëtorë, zyrtarë, intelektualë, me pleq e fëmijë, me gra e burra". Në mes mijëra e mijëra dokumenteve të kësaj epopeje të lavdishme autori i librit citon një prej tyre atë të vogëlushes nëntë vjeçare Tanja që i shkruan babait të saj në front: "Zhenja i vogël vdiq nga uria me 28 tetor 1941, e dyta vdiq gjyshja më 25 janar 1942, i treti Leka, vëllai i vogël, i katërti xhaxha Vajsa vdiq më 13 prill 1942, i pesti Aljosha vdiq më 10 maj 1942, e fundi vdiq nëna më 12 maj. Të gjithë vdiqën, ngela vetëm unë". Shkrimi i vajzës së vogël që vdiq më vonë, vinte vazhdimisht duke u zbehur. Gjatë gjithë këtyre betejave të përgjakshme, autori i librit na kujton sesi Leningradasit bënin çmos që të ruanin nga shkatërrimet e bombardimet veprat e monumentet e kulturës së qytetit të tyre. Madje ende pa pushuar zjarri i luftës, ata filluan punimet cilësore të veprave të artit të dëmtuara nga lufta duke i sjellë ato në bukurinë e mëparshme. Kjo është një tjetër risi që autori na i sjell në mënyrë tërheqëse në këtë libër. E veçantë, e cila bëhet e qartë si qëllim i autorit në këtë libër, është krijimi i urave të miqësisë midis popujve rusë dhe e atij shqiptar, e cila në rastin konkret zë fillin qysh në hapat e para të krijimit të Shën Peterburgut. Lidhur me këtë autori shkruan se: "Që në themelimin e tij Shën Peterburgu zbulohet të ketë qenë jo aq misterioz për shqiptarët", kuriozitetin e së cilës ai na e pasuron i bazuar në fakte e dokumente që datojnë që nga viti 1711, pra vetëm tetë vjet pas fillimit të krijimit të tij. Këto ura miqësie zhvillohen me një dinamikë të dukshme midis dy popujve në mbrojtje të qytetërimit kundër shkatërrimeve të perandorisë otomane. Autori hedh dritë mbi lidhjet e para të shqiptarëve me Shën Peterburgun që fillojnë në vitin 1711 me kërkesën e ipeshkvit të Pejës drejtuar Pjetrit të Madh ku kërkohet ndërhyrja e Rusisë në mbrojtje të krishterimit. Ngjarje të tjera do ta afronin më shumë popullin shqiptar në luftën kundër Perandorisë Osmane përkrah popujve rusë. Një kërkesë e tillë bëhet nga diplomati Jakov Suma në vitin 1759. Në vitin 1787 realizohet me fitore kryengritja e Shkodrës e udhëhequr nga Mahmud Pasha dhe njëherësh dërgon në Shkodër emisarin rus S. Mirkoviç. Me porosi të Car Aleksandrit të II në vitin 1860 ndihmohet ndërtimi i kishës në Shkodër (e cila mori emrin e Shenjt Aleksandër Nevskit). Gjatë viteve 1787-1822 mbahen lidhje të ndërsjellta (për 35 vjet), me Ali Pashë Tepelenën, trimërinë dhe zgjuarsinë e të cilit e vlerëson edhe gjenerali rus Ushakov. Përkrah luftës së Rusisë kundër Perandorisë Osmane vlerësohet gjithashtu lufta e arvanitasve. Në vitin 1783 Caresha e Rusisë Katerina e Dytë emëroi shqiptarin Llambro Koçani komandant të Sevastopulit. Në vitin 1788 feld marshalli Grigori Aleksandroviç Potemkin, në atë kohë ministër i luftës së Rusisë, vlerësonte mjaft luftën e shqiptarëve përkrah Rusisë, për të cilën ai shkruan: "Shqiptarëve, të cilët u shquan si trima në luftën kundër Turqisë, u jap mundësinë të jetojnë në Taganrog" e njëherësh ai dekretoi hapjen e gjimnazit grek të Novorosiskut ku përsëri (pas Shën Peterburgut) shfaqet mësimi i gjuhës shqipe. Pra 230 vjet më parë, në Rusi, mësohej, shkruhej dhe këndohej gjuha Shqipe. Autori i librit përmend gjithashtu emërtime në Odesë e vende të tjera të Rusisë me cilësime shqiptare: "Bolshoja arnautskaja", "Mallaja arnautskaja", "Arnautskij hljeb" (Buka shqiptare) etj. Këtë përiudhë autori i librit e kurorëzon me luftën që bënte majori trim shqiptar Anagnost Stati në detin Egje përkrah admiralit rus Hannibali kundër turqve. Të gjitha këto, si dhe shkaqe të tjera ekonomike, politike e sociale krijuan ngulimet shqiptare në tokën ruse, si në: Vladivostok, Odesë, Novosibirsk, Irkutck, Shën Peterburg, Zaporozhje etj. Në të gjithë hapësirën e Rusisë, mërgimtarët shqiptarë gjetën përkrahjen e shpirtmadhësinë e popullit rus. Njëherësh krijohen edhe kolonitë shqiptare në Irkutck (1907) dhe në Odesë (1908).

Autori i librit përmend edhe emigrantët e parë të politikës shqiptare që shkuan në Rusi në vitin 1925. (S. Malëshova, T. Zavalani, S. Shpuza, R. Këlliçi, H. Stërmilli, Z. Fundo etj), të cilët njëherësh ishin dhe ndër intelektualët e parë që sollën kulturën ruse në Shqipëri dhe që kanë lënë gjurmë me dijet e tyre.

Akademiku Vladimir Misja me të drejtë i kushton në këtë libër një vend të rëndësishëm periudhës viteve 1945-1961, gjatë së cilës motivet e miqësisë, siç thotë autori kanë kaluar nga fushat e betejave të përbashkëta kundër shkatërrimeve otomane në atë të dijes e përparimit, të progresit shoqëror, të përhapjes dhe zhvillimit të kulturës. Më se 500 shqiptarë studiuan në institucionet pedagogjike e shkencore të Shën Peterburgut, nga të cilët 224 vetë në fushat e shkencës, ekonomisë, artit dhe 300 të tjerë në fushat e artit ushtarak. Dijet e marra ishin një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e kulturës shqiptare, të cilat u materializuan në vepra konkrete në fusha të ndryshme. Nga studentët e Shën Peterburgut, shkruan autori -39,1% e tyre, pra mëse 1/3 ka marrë grada e tituj shkencorë, 45 janë autorë në botimin e 171 teksteve të arsimit të lartë dhe 34 prej tyre kanë punuar në detyra të larta të shtetit. Shumë nga ata janë nderuar me dekorata e tituj nderi: Hero i Popullit, Artist i Popullit etj., sipas kontributeve që kanë dhënë në fushat e shkencës, ekonomisë, artit etj. Të gjitha këto fakte dëshmojnë për seriozitetin dhe efektivitetin e institucioneve pedagogjike, shkencore e kulturore të Shën Peterburgut. Kjo vërtetësi bën që të kujtojnë burimin e diturisë së tyre krijuese jo vetëm shkencëtarët, artistët etj., që studiuan në Shën Peterburg, por dhe gjithë intelektualët e tjerë pasardhës të cilët shohin dhe ndjesojnë krijimtarinë e tyre. Monografia e shumtë (e 170 intelektualëve) e studiuar hollësisht, e dhënë qartë e saktë, mbi bazën e dokumenteve, i jep vlerë të veçantë këtij libri, sepse krijimtaria e ish-studentëve dhe e specialistëve shqiptarë që studjuan në Shën Peterburg solli mjaft vepra me vlerë, të cilat janë bërë pjesë e kulturës sonë kombëtare.

I bazuar në historinë e zhvillimit të miqësisë, traditës dhe kulturës midis dy popujve, autori ndalet në dëshirën dhe karakterin e ndërsjellët që është vlerësuar e studjuar nga albanologë të shquar rusë si: Agnia Desnickaja, Gertruda Entrei, Nina D. Smirnova dhe një plejadë e krijuar prej tyre për studimin e kulturës dhe gjuhës shqipe. Fakte këto që tashmë janë shndërruar në traditë, fillimi i së cilës është në vitin 1777 me mësimin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shën Peterburgut e Novorosiskut dhe pastaj që nga viti 1957 ngrihet në nivelin universitar të Shën Peterburgut me krijimin e Degës së Albanologjisë. Në këtë libër, jo vetëm evidentohen urat e komunikimit të miqësisë së ndërsjelltë të krijuar shekuj më parë, por dhe që ato mbeten të adhurueshme për brezat e ardhshëm, si premisa për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë midis popujve tanë.