Flet Tritan Shehu pas takimit të delegacionit parlamentar në Athinë
“Greqia, e hapur për të lejuar kurset e gjuhës shqipe”
Marko Caka/Athinë
Ndihma e parlamentit grek për integrimin e Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave dhe lejimi i kurseve të gjuhës shqipe në Greqi për fëmijët e emigrantëve, kanë qenë pikat kyçe të takimit të delegacionit parlamentar në Athinë.
Në një intervistë për gazetën, kreu i delegacionit shqiptar, Tritan Shehu, shpjegon të gjitha detajet.
Këto ditë një grup i delegacionit të Parlamentit shqiptar, i drejtuar prej jush ka zhvilluar një sërë takimesh me krerë të Parlamentit dhe qeverisë greke. Mund të na thoni cili është qëllimi i këtyre takimeve?
Unë jam këtu në vizitë së bashku me anëtarë të tjerë të Komisionit të Çështjeve Sociale, të Punës dhe Shëndetësisë së Parlamentit shqiptar, të ftuar nga Parlamenti grek dhe nga komisioni homolog, për të forcuar bashkëpunimin ndërparlamentar dhe krijimin e lidhjeve të komisioneve tona, të cilat do t’i shërbejnë padyshim realizimit të objektivave të përbashkëta që ne kemi. Veçanërisht këto takime do t’i shërbejnë komisionit tonë parlamentar, në përpjekje të afrimit të legjislacionit të vendit tonë me legjislacionet përkatëse të BE-së, sidomos në fushat sociale, në fushat e sigurimeve shëndetësore, shoqërore, në fushat e legjislacionit për shëndetësinë.
Në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, cilat ishin bisedimet më direkte që zhvilluat në këtë kontekst?
Përveç takimeve që patëm me komisionet e shëndetësisë, delagcioni jonë pati dhe një takim me zv.ministrin e Jashtëm grek, Valinakis, si dhe nënkryetarin e Parlamentit grek, Surlias, me të cilët përveç problemeve të tjera që biseduam, ishin dhe mbi elementet që lidhen mbi përshpejtimin e ratifikimit të marrëveshjes. Besoj se Greqia do të ratifikojë këtë marrëveshje të rëndësishme në Bruksel, duke dhënë një ndihmë reale.
Eshtë folur shumë për arsimin e fëmijëve të emigrantëve si dhe hapjen e shkollave në gjuhën e tyre. A kishte takime me drejtues të lartë të këtij dikasteri për këtë problem?
Po, kishim një takim me ministren e Arsimit, Marjeta Janaki. Ajo ka qenë e gatshme për të lejuar, për të organizuar dhe stimuluar kurse për mësimet e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që punojnë në Greqi. Me sa di nga ministri Pollo, është dërguar një numër i madh abetaresh dhe tekstesh elementare në Greqi. Por një element tjetër që do doja të vija në dukje është dhe rritja e interesit të prindërve të fëmijëve për t’i çuar ata në kurset e gjuhës shqipe, sepse disa herë është vënë re edhe një mungesë interesi prej tyre për të tërhequr librat në ambasadën shqiptare në Greqi si dhe në pika të tjera.
Një nga çështjet kryesore është dhe lëvizja e lirë e shqiptarëve. A ishte në agjendë trajtimi i kësaj çështjeje, duke ditur se Greqia është anëtare e BE-së.
Po, padyshim që këtë çështje e trajtuam në nivelet më të lartë. Kjo, sidomos me drejtuesit e Ministrisë së Jashtme dhe të Parlamentit grek, duke insistuar për liberalizimin e vizave, sepse ne po shkojmë drejt integrimit rajonal dhe evropian, ku kufijtë më tepër zhvleftësohen. Pra, kjo është e ardhmja e këtij rajoni dhe kjo është e ardhmja e përbashkët. U fokusuam gjithashtu për lehtësirat që duhet të kenë në këtë drejtim të sëmurët, studentët, profesorët e biznesmenët. Mendoj se edhe nga pala greke, ashtu si dhe nga BE-ja, ka një vullnet për të zbutur sistemin e vizave në Shqipëri. Negociata të tilla janë bërë në Bruksel dhe janë përfunduar me MSA-në.
Si një politikan me përvojë në politikën e jashtme, shpeshherë në marrëdhëniet me Greqinë ka pasur tronditje, mund të na thoni se nga se vijnë këto dhe sa është bërë që të përmirësohen këto marrëdhënie?
Unë nuk jam dakord që marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë kanë pasur tensione. Po qese mund të analizojmë historinë mijëra vjeçare, mund të shikojmë se në tërësi marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë konstante, zhvilluese, miqësore, të bashkëpunimit. Greqia ka qenë një nga mbështetëset tona më të forta në procesin tonë të integrimit dhe të nënshkrimit të MSA-së dhe futjes sonë në NATO. Probleme ka pasur, ka dhe do të ketë dhe padyshim midis dy vendeve fqinje ka dhe probleme, por ama zhvillmi vjen nga vendet fqinj.
Jemi në prag të statusit final të Kosovës, ku dihet se Greqia si lider i këtij rajoni dhe anëtare e BE-së është faktor i rëndësishëm. U trajtua kjo çështje në takimet tuaja?
Qëndrimi i Greqisë për problemin e Kosovës është një qëndrim racional në tërësi. Greqia është shprehur se do të pranojë obsesionet, të cilat krijojnë stabilitet dhe krijojnë mundësi integrimi dhe zhvillimi në rajon. Greqia ka përkrahur në tërësi planin e Ahtisarit dhe do të përkrahë menjëherë vendimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Madje, Greqia ka kërkuar që BE-ja të dalë me një vendim unik për çështjen e Kosovës dhe të mos jetë e ndarë dhe e copëtuar. Ky është qëndrimi që kam gjetur unë në Greqi me politikanë të ndryshëm grekë gjatë këtij takimi.
Ceremonia
Nis marrëveshja për arsimin me Maqedoninë
Nis ekzekutimi i marrëveshjes në fushën e arsimit me Maqedoninë. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Genc Pollo, ka nënshkruar dje me homologun e tij, Sulejman Rrushiti, programin ekzekutiv për vitet 2007-2010 të marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunimin në këtë fushë, të nënshkruar në vitin 2001. Ky program do të konsistojë në shkëmbimin e ekspertëve të fushave të arsimit, shkencës dhe të fushave të tjera akademike, për vizita studimi dhe forma të tjera të bashkëpunimit shkencor. Krahas kësaj, secila palë do të ofrojë çdo vit 5 (pesë) bursa për studime pasuniversitare, 7 (shtatë) bursa për studime universitare si dhe 2 (dy) bursa për pjesëmarrje në kurset e gjuhës dhe të kulturës, që organizohen çdo verë në të dy vendet. Gjithashtu do të jepet mbështetje në binjakëzimin midis shkollave, me synimin për të forcuar frymën e paqes dhe të bashkëpunimit.
Krijoni Kontakt