Gati për çdo ditë ka lajme në lidhje me lëndimin e ndonjë shqiptari ose për ndonjë aksident të shkaktuar nga shqiptarët.
Gustin Marjakaj
"Balkanraser" quhen emigrantët e rinj që garojnë autostradave zvicerane. Gati për çdo ditë ka lajme në lidhje me lëndimin e ndonjë shqiptari ose për ndonjë aksident të shkaktuar nga shqiptarët. Për këtë teme janë realizuar edhe emisione speciale në Televizionin Publik Zviceran (SF DRS). Tema për ngasësit e veturave nga Ballkani tashmë edhe është politizuar mjaft. Partia e Christoph Blocher përdori pikërisht këtë fenomen për të frikësuar elektoratin, me qëllim që ai të votojë kundër ligjit për lehtësimin e marrjes së shtetësisë nga ana e emigrantëve. "Për këtë një pjesë të fajit e kanë edhe mediat zvicerane, të cilat qëllimisht i ekzagjerojnë këto fenomene. Mediat, e sidomos gazeta zvicerane bulevardeske, përcjellin më vëmendje të gjitha dukuritë negative që vijnë nga shqiptarët", thotë Shefi i Qendrës Profesionale për integrim në Bern, Roland Beer. Edhe fundjavën e kaluar nuk ishte ndryshe. Në autostradën 7, afër qytezës Wogltingen (TG) të Zvicrës, në orët e vona, një automobilist shqiptar (33) është ndaluar nga policia. Shkaku i ndalimit ishte tejkalimi i shpejtësisë.
Është e vërtetë se ballkanasit në autostradë janë rrezik potencial", thotë polici Zeli W. (38), që kontrollon në autostradën Zürich-Bern. Drejtuesi i automjetit kishte vozitur makinën 197 kilometra në orë, ndërsa të lejuar kanë qenë vetëm 120. Siç njoftoi policia e këtij rajoni, shqiptarit të ri menjëherë i është marrë leja e vozitjes. "Ky është një akt i shkeljes së ligjit dhe ndaj këtij akti do të ketë masa administrative", deklaroi për Dervina.com zëdhënësi i policisë, Ersnt Vogelsanger, duke shtuar se ngasësi i makinës nga Kosova nuk ka qenë nën ndikimin e alkoolit. "Shumica e garuesve harrojnë se shpejtësia e lartë në autostradë ka tri pasoja: të mbysësh dikë dhe të përfundosh në burg, të shkosh në spital apo të vritesh vetë", thotë Susanne Neike nga Qendra për Këshillin dhe Ruajtje nga Aksidentet (BFU) në Bern.
Bekim Januzit (20) nga Tetova e Maqedonisë me banim në Freiburg, nuk i lënë përshtypje këshillat e zonjës Neike. "Jo more vëlla, kur dal në autostradë s’mendoj në asgjë tjetër, veç t'ia shkel deri në fund".
Dervina.com
Krijoni Kontakt