Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    ish- Ballisti_Tetove Maska e Cimo
    Anëtarësuar
    11-12-2004
    Postime
    2,441

    Turizmi në Shqipëri, nga Zogu tek pushtimi italian

    Durrësi është porti kryesor i Shqipërisë dhe ai
    gjendet vetëm 39 km. larg nga Tirana. Shërbime të
    rregullta agjencish turistike e lidhin atë qytet me
    qendrat e ndryshme kryesore të vendit. Durrësi ka një
    popullsi prej 10.000 banorësh. Qyteti shtrihet mbi një
    breg që mbaron në fund me Malin e Durrësit, i cili ka
    një lartësi prej 185 metrash. Hotele, restorante,
    kafene, dyqane, magazina, depozita, farmaci, agjenci
    detare e automobilistike, xhami, kisha, shkolla
    fillore dhe të mesme, banka e institute të tjera e
    zbukurojnë pamjen e bukur të këtij qyteti detar buzë
    detit Adriatik. Me Planin Rregullues të Plazhit të
    Durrësit, i cili është hartuar nga Zyra Qendrore për
    Urbanistikën dhe Ndërtimet në Shqipëri, pritet që
    plazhi të ndërrojë tërësisht fizionominë e tij dhe
    kapacitetin për pritjen e pushuesve vendas dhe të
    huaj". Kjo panoramë që i bëhet qytetit bregdetar të
    Durrësit, në pamje të parë, duket sikur është pjesë e
    ndonjë guide turistike promovuese të agjencive të
    shumta turistike që operojnë në vendin tonë, të cilat
    në këtë prag sezoni pushimesh që sapo ka filluar, e
    kanë intensifikuar aktivitetin e tyre për thithjen e
    pushuesve nga vendi dhe turistëve të huaj. Por nuk
    është kështu, këto pasazhe i përkasin periudhës së
    pushtimit italian të vendit, pra rreth 70 viteve të
    shkuara dhe ato janë marrë nga revista e përmuajshme
    "Drini", e cila nxirrej në atë kohë nga Enti Kombëtar
    i Turizmit të Shqipërisë. Por historia e turizmit dhe
    propaganda promovuese për thithjen e turistëve të huaj
    në vendin tonë, i ka rrënjët e saj shumë vjet më
    përpara se periudha e pushtimit italian të vendit, për
    të cilat flitet me hollësi në shkrimet e revistës
    "Drini". Që në vitet e para të Monarkisë së Zogut,
    qeveritë shqiptare të asaj kohe i kushtuan një kujdes
    të vecantë, turizmit shqiptar, gjë që vazhdoi më pas
    edhe gjatë periudhës së pushtimit, në vitet 1939-1944.
    Vec të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga shtypi i
    atyre viteve, prej nga kemi shkëputur këto artikuj që
    po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

    Gazeta "Arbnia", Vërejtjet e turistëve të huaj
    Organizmi i turizmit ndër ne, ndërrmarë pak vjet ma
    parë dhe inkurajuar me mjete dhe propagandë të
    vazhduershme, s‘ka munguar të ketë efektin e duhur.
    Vëndi ynë, i përmëndur për pamjet e tij të një
    bukurije të rrallë n‘Europë, vizitohet cdo verë prej
    një shumice të huajsh, dhe mikpritja e pabiseduarshme
    që gjejnë në Shqipëri është një faktor me rëndësi në
    zhvillimin e turizmit ndër ne. Personalitete të huaja
    që vizitojnë viset e Mbretërisë nuk mungojnë të
    shfaqin mirënjohjen për pritjen më të mirë që u bëhet
    kudo në popull, ashtu sic shfaqin edhe mendimin rreth
    të pritmes turistike të Shqipërisë, duke na dhënë një
    tok këshillash të vlefshme që duhet t‘i shënojmë qoftë
    dhe kur këto kanë të bëjnë me përmirësimin e shumë të
    metave që pengojnë zhvillimin e turizmit. Të metat ose
    mungesat t‘onë i njohim që të gjithë, dhe shtypi është
    marrë dendur me to duke ia bërë të njohur kopetentëve,
    dhe as s‘është nevoja t‘i përsërisim sot. Marrim
    rastin të shënojmë një vërejtje shumë të arsyeshme që
    na u bë prej një të huaji, mik i Shqipërisë. Ky i huaj
    që ka shëtitur vëndin tonë më tepër se cdo turist
    tjetër, na tha se organizimit të turismit të brendshëm
    nuk i është dhënë rëndësija e duhur, për të mos thënë
    që nuk ekziston fare. Shqipëtarin që nuk e ndan nga
    bashkëatdhetarët e tij të krahinave vec një largësi
    fare e vogël, plaket dhe vdes pa i njohur viset
    interesante t‘atdheut, vendet më historike dhe plot
    kujtime lavdie nga gjyshat. Kruja, vendlindja e Heroit
    Kombëtar, Burreli, ku pa dritën Sovrani, Shkodra e
    Teutës, Durrësi, Butrintoja, Pojani, Vlora e shumë
    vende të tjera, do t‘i shihnin në një shtet tjetër
    vende pelegrinazhi, vise tërheqëse dhe klimaterikë, që
    do të sulmoheshin përditë nga populli, duke u bërë
    qëndra lëvizjesh 3-4 muaj të vitit. Përmëndëm vetëm
    këto vende si më karakteristike, se lavdi Zotit,
    Atdheu ynë është plot vende interesante e tërheqëse,
    dhe natyra ka endur me thesaret e saj në cdo cip të
    saj. Këto bukuri cmohen dhe shijohen nga të huajt,
    kurse ndër ne, ata të pakët që kanë mjete t‘i shohin,
    dalin jashtë. Do t‘ishte mëkatë që me afrimin e stinës
    verore, mos të mirren nisjativa t‘organizohen
    përvjetorë,-kur ka-dhe shëtitje më të dëndura në vende
    interesante të atdheut. KTAM-i (Komiteti i Turizmit
    dhe Automobilizmit të Mbretërisë), që vazhdon prej dy
    vjetësh të organizojë shëtitje në plazhin e Durrësit e
    disa herë të pakta ndër viset e tjera, do të bënte
    mirë t‘i dëndësojë këto sivjet duke organizuar në
    shumë vise të Mbretërisë.
    Shifrat optimale për turizmin në vitin 1938
    Zhvillimi i Turizmit dhe hovi që ka marrë vitin e
    fundit, shfaqen ndoshta për herën e parë në shifra dhe
    data ekzakte. Në këtë mënyrë jemi në gjendje të dimë
    sot me saktësi gradën e zhvillimit të lëvizjes
    turistike në vendin t‘onë, dhe njëkohësisht
    kurorëzimin e përpjekjeve për t‘i dhënë turizmit atë
    zhvillim që lypte koha dhe nevojat e Shqipërisë së re
    Zogiste. Numri i të huajve që vizituan Shqipërinë në
    vitin 1938 ka qenë 7.725, duke patur një shtesë prej
    1781 nga viti 1937. Turistat e huaj kanë qëndruar në
    vëndin t‘onë 61.696 netë. Shpenzimet e këtyrë të
    huajve për ngrënie, fjetje, transport etj, kapin një
    shumë prej fr. ari 578.543 do me thënë afro një gjysëm
    milioni të hyra nga lëvizja turistike e vitit të
    kaluar. Ka një tepricë ose shtesë nga viti 1937 prej
    fr. ari 239.298.


    Arsyet kryesore e shtimit të lëvizjes turistike
    Arsye kryesore e shtimit të lëvizjeve turistike në
    vëndin t‘onë i detyrohet propagandës së dendur që Enti
    Kombëtar i Turizmit dhe KTAM-i kanë bërë për t‘u
    njohur Shqipëria sa më shumë në botën e jashtme. Ka
    pastaj faktorë të tjerë që kanë ndihmuar në shtimin e
    lëvizjes turistike. Ndër këto mund të përmëndim Luftën
    e Spanjës, që drejtoi shumë prej kuarzierëve në
    bregdetin shqiptar; ngjarjet e Evropës Qëndrore dhe
    dalja e elementin hebraik dhe lejet e dhëna prej
    qeverisë jugosllave agjencive të veta për të
    organizuar shëtitje turistike të të huajve edhe në
    Shqipëri. Por arsyeja e parë mbetet gjithnjë
    propaganda intensive e Shqipërisë jashtë dhe
    përpjekjet gjithnjë më të daluna për t‘a organizuar
    turizmin në shkallën e merituar. Bota e huaj ka
    filluar të tregoj një interes të madh për Shqipërinë,
    e cila njihet sot kudo si vendi më i bukur në Ballkan
    për shëtitje dhe vizita në viset e bukura dhe
    piktoreske të sajat. Gjithashtu të huajt janë të
    bindur për organizmin e Mbretërisë Shqiptare, për
    rendin dhe qetësinë shëmbëllore si dhe pritjen krejt
    shqiptare që gjejnë në vëndin t‘onë. Këto janë arsyet
    e shtimit të lëvizjes turistike në vëndin t‘onë dhe
    duhet të gëzohemi kur shohim se vec fitimit moral që
    sjell njohja e vendit t‘onë prej të huajve, kemi dhe
    fitimin material mjaft të rëndësishëm. Afro një gjysëm
    milioni fr. ari hyjnë në Shqipëri në një kohë kur
    turizmi sapo ka filluar të organizohem mbi baza të
    shëndosha. Kjo na jep të shpresojmë se tue u
    organizuar dhe përsosur, turizmi do të bëhet brenda
    një kohe të shkurtër një faktor me rëndësi të
    ardhurash për vëndin t‘onë dhe për pasojë edhe një
    ndihmë e vlefshme në përmirësimin e jetës ekonomike të
    Shqipërisë. Le të shpresojmë se disa mungesa, si
    ngritja e hoteleve dhe qëndrave të tjera për turistat,
    do të plotësohen sa më shpejt, për t‘i dhënë turizmit
    një zhvillim më të gjallë dhe më të dobishëm.
    Kryetari Bashkisë niset jashtë për projektet e plazhit
    Me fillimin e pranverës, lajmuese e stinës së nxehtë
    të pushimeve, të banjave dhe të zbavitjeve të tjera që
    nevojat e kohëve moderne kanë bamun të domosdoshme për
    shëndetin e brezave të reja që po rriten dhe për
    shlodhjen e tyne që, me energjin mendore dhe fizike,
    udhëheqin makinën tonë shtetnore, si dhe aktivitetet e
    tjera kësodore, sytë e kryeqytetit, të qyteteve
    kryesore të Shqipërisë së Mesme, dhe vecanërisht të
    Skelës s‘onë të Parë, drejtohen te Plazhi i Durrësit.
    Jo vetëm neve por dhe të huajt që na vizitojnë dhe që
    ndjekin përparimet t‘ona, kanë plot fjalë admirimi për
    këtë Pllazh dhe për zhvillimin e tij të shpejtë. Në
    fakt, ky asht një nga më të përshtatëshmit dhe, sikur
    t‘i u shtohen mjetet artificiale, të miravet natyrore
    që e pajisin, s‘ka as ma të voglin dyshim se do të
    bahet nji nga ma të bukrit dhe ma tërheqësit. Plazhi i
    Durrësit, qysh tani mund të përmblidhet midis
    realizimeve t‘arrijtuna ndën regjimin Zogist për të
    cilat lipset ta ndjejmë veten krenarë. Prandaj, cdo
    përmirësim që bahet, cdo masë që merret, duhet të jetë
    serioze, e matun dhe e studiuar në bazë të një modeli
    e të një plani të denjë që të jetë i përhershëm. Me
    kënaqësinë më të madhe mësojmë se Qeverija Mbretnore
    paska urdhërnue Kryetarin e Bashkis së Durrësit që, së
    bashku me një ingjinier kompetent, të shkojë së
    shpejti jashta Shtetit, për me studjue Pllazhet që i
    përshtaten vendit t‘onë dhe vecanërisht Durrësit dhe
    Pllazhit të tij të shkëlqyer. Sepse, me ketë masë kaq
    t‘arsyeshme ka për t‘u krye cdo përmirësim eventual i
    domosdoshëm me një kriter të pagueshëm, të dëshiruem e
    dobiprues. Këtë studim paraprak dhe shumë punime akoma
    në projekt e gati për zbatim, Bashkija e Durrësit po i
    kryen në sajë të Ministrisë së Puënëve të Mbrendëshme,
    e cila po jep ndihmat ma të mëdhaja për me realizue
    programin e gjanë lulzimi e zbukurimi përparimtar në
    katra anët e Durrësit, shpesh herë e qyejtun
    meritueshmërisht "Porta kryesore dhe e bukur e
    Shqipërisë". Ndërkaq një numër i madh punëtorësh asht
    tue u përdorun për me përgatitë trollin rreth Villës
    Mbretnore për mbjelljen e pemëve të përshtatëshme që
    janë porositë në Itali. Gjithashtu edhe ndër kopshtet
    e pllazheve në krijim e sipër, ka fillue një pjesë e
    madhe pyllëzimi që premton se ka me e transformue
    kryekëput këtë anëdeti në një parajsë toksore, si
    kontrast i lumnueshëm i gjendjes së dikurshme të
    mocaleve vdekje-sjellës.
    Bonifikimi i kënetave afër plazhit
    Për fatin e mirë t‘onë‘ cashtja e mocaleve asht vue në
    krye të punimeve, të bonifikimeve e të zbukurimeve.
    Përfaqësuesi t‘onë, që shkoi posacërisht për me e
    intervistue para se të nisej me misionin e
    sipërtreguem, Kryetari i Bashkisë së Durrësit i foli
    mbi këtë problem me tanë theksimin e merituam. Z.
    Ministër i Punëve të Mbrendëshme ka dhanë urdhna
    kategorikë me i mbuluem mocalet dhe me i bonifikue sa
    ma parë, tue përdorun të gjitha mjetet në dispozicion,
    për me u vendosë jeta dhe shëndeti atje ku deri sot
    kishte lëshue rranjë malarja shkretuese që
    komprometonte edhe famën t‘onë si popull puntuer.
    Qeverija Mbretnore, me sa shifet, ka dhanë përkrahjen
    e vet deri n‘ekstrem; para këtij realiteti
    shpresëdhanës mbetet vetëm vullneti e kujdesi për tue
    vue në zbatim ky pllan madhështuer që ka një randësi
    turistike të dorës së parë. Ne jemi ma të sigurtë se
    këto cilësi i ka kryetari i Bashkisë së Durrësit;
    provën ma të gjallë e ka dhanë shkuemja e tij në
    Shkodër dhe në Korcë.
    Gazetërët e huaj për Shqipërinë turistike
    Shumë kritikë të huaj që ja kanë dashur dhe ja duan të
    mirën vendit t‘onë, duke shkruar mbi t‘ardhmen që na
    pret, kanë vënë në dukje mundësitë e shumta të
    Shqipërisë për t‘u bërë tërhejqje për turistat.
    Theorija e sajuar prej tyre bazohet në faktin se ky
    vënd duke qenë shumë i vjetër dhe njëkohësisht shumë i
    ri, ruan gjurmët e qytetërimeve të ndryshme dhe pamje
    të rralla të një populli që prej së shkuarës dhe prej
    oksidentalve po nxjerr inspirimet për të shkuar
    përpara me hov a me vullnet; pastaj-gjithnjë simbas
    tyre-Shqipërija ka fatin e mirë të përfitojë prej
    pozitës gjeografike të privilegjuar; ndodhet midis
    Romës dhe Athinës, që janë qëndrat më të mëdha
    turistike dhe më interesante të botës. "Do të dijnë
    shqiptarët të përfitojnë prej pozitës së tyre dhe të
    shfrytëzojnë trashëgimet e të parëve dhe mundësit që u
    ka falur natyra edhe po u fal dita ditës më tepër
    qytetërimi për një turizëm të vërtetë?" Kjo është një
    pyetje që një gazetare e huaj e ka pas vënë në një nga
    artikujt që shkroi mbi këtë problemin t‘onin, që po
    bëhet problem edhe për ata që drejt për së drejti apo
    tërthorazi do të përfitojnë prej zhvillimit t‘onë
    turistik. Në mundësitë tona natyrale, përvec pozitës,
    përmblidhen bukuritë panoramike, klima e bukur, malet,
    pyjet, liqenet, shpeztë e gjahut dhe shumë e shumë të
    tjera të mira që ndodhen fare afër dhe mund të shihen
    të tëra me shpenzime relativisht të pakta. Pjesa
    tjetër e kapitalit t‘onë turistik përbëhet nga
    trashëgimet t‘ona: gjurma madhështore të qytetërimeve
    të vjetra nxjerrë në dritë në Butrinto, Pojan e në
    vise të tjera; kostumet piktoreske, këngët e vallet që
    përbëjnë folklorin t‘onë të pasur; zakonet e
    mikëpritjet që është larg cdo komentimi dhe përbën
    mburrjen t‘onë; zakonet dhe shpirtin t‘onë që na e
    shquajnë të huajt si popull, trim e krenar dhe që
    përbën një fushë që u intereson jo vetëm dijetarëve,
    por dhe turistëve të thjeshtë; kujtimet historike si
    dhe vetë jeta e jonë që e bëjnë turistin të ndiejë
    sensacionin e rrallë e të kërkuar që prej një bote të
    përparuar e të mekanizuar vjen befas të shlodhet
    shpirtërisht e mendërisht në një botë krejt të
    ndryshme, të pasur me ato cilësi që në shumë vende
    mungojnë.
    Enti i Turizmit, nën patronazhin e Princeshës, Maxhide
    Po qytetërimi c‘na ka shtuar në këtë kapital që lipset
    shfrytëzuar? Mjetet e shpejta të komunikatave aerore e
    detare, hovi dhënë turizmit me anë të kryqëzatve e
    zbritjeve të favorshme ndër udhtime, shëmbllat e
    gjalla të propagandës, marrëveshjet e bashkëpunimit
    midis enteve dhe klubeve turistike ndërkombëtare, i
    japin një vleftë të pacmueshme kapitalit t‘onë
    turistik. Neve lidhemi me organizmin e gjerë turistik
    të përbotshëm nëpërmjet Entit Kombëtar të Turizmit dhe
    të Klubit Turistik dhe Automobilistik Mbretnor, që
    janë nën patronazhin e lartër të N.S. Mbretëreshë
    Princeshës Maxhide. Si me këto lidhje ashtu dhe me
    mënyra të tjera të shumta, Qeverija Mbretënore është
    duke bërë sakrifica të mëdhaja për zhvillimin turistik
    të Shqipërisë, që përsa u përket të huajve ashtu dhe
    bashkëatdhetarëve që duhet ta shëtisin e ta njohin
    këtë vënd të bukur. Thamë se turisti i huaj duke
    ardhur prej botës së jashtme të mekanizuar, vjen befas
    në pak orë e sipër, në këtë botën tonë të ndryshme që
    të shlodhet shpirtërisht e mëndërisht. Neve tani na
    duhet që, duke përmirësuar rrugët e hoteleve dhe duke
    vënë me këtë fuqinë e mjetet, rregull e pastërti, t‘i
    japim atij mundësinë të s‘lodhet edhe trupërisht e të
    mbetet plotësisht i kënaqur.



    U hartua nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe
    Ndërtimet

    Plazhi i Durrësit me Plan Rregullues që në 1941


    Ndër masat e shumta që ndërmorën të gjitha qeveritë
    shqiptare nën pushtimin italian në vitet 1939-1943,
    për nxitjen e turizmit dhe thithjen e turistëve të
    huaj në vendin tonë, ishte dhe plani rregullues i
    plazhit të Durrësit, i cili asokohe u përgatit nga
    Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e
    Shqipërisë. Lidhur me këtë, në revistën e përmuajshme
    "Drini" që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në atë
    kohë, midis të tjerash shkruhej: "Durrësi asht limani
    kryesor i Shqipnis. Gjindet 39 km. nga Tirana.
    Shërbime të rregullta vijash automobilistike e lidhin
    me qëndrat e ndryshme kryesore të Mbretnis. Ka një
    popullsi prej 10.000 banorësh. Qyteti shtrihet mbi një
    breg që mbaron në fund me Malin e Durrësit, i cili ka
    një naltësi prej 185 metrash. Bujtina, drekore, kafe,
    dyqane, magazina, depozita, farmaci, gjeni detare e
    automobilistike, xhamia, kisha, shkolla fillore, një
    të mesme, banka e institute të tjera e zbukurojnë
    pamjen e bukur të këtij qyteti detar buzë detit
    Adriatik. Këtu gjindet edhe një fabrikë e madhe duhani
    shqiptar S.T.A.M.L.E.S. Simbas historianit Tucidie,
    korfiotët themeluan këtu koloninë Epidamnos-it në 627
    para lindjes së Krishit. Qyteti për t‘i shpëtuar
    mësymjeve të pandara të piratëve, u beslidh me Romën e
    cila e pushtoi ma vonë krejt tue i ndrue dhe emnin
    Dyrrachium. Në këtë qytet ka banue dhe Ciceroni i cili
    e mbiquajti "Admirabilis urba" por nuk mujti me nejt
    këtu për një kohë të gjatë pse i shqetësuem prej
    zhurmës së madhe që bëhesh në liman. Në drejtim të
    jugut, qyteti shtrihet mbi bregun e bukur e ranor me
    nji vargje vilash e shtëpijash të vogla të bukura e
    moderne të cilat i japin pamjen e një qyteti vërtet
    banjash. Në 1928 e gjithë ranishtja kishte vetëm një
    stabiliment primitiv por zhvillimin e vërtetë e filloi
    menjëherë vetëm mbas këtij viti. Ranishtja asht e
    gjatë 4 km. Tashti për tashti kemi 3 stabilimnete
    banjash për afro 2000 persona dhe 120 shtëpija. Në një
    projekt të përgatitun me kujdesin ma të madh prej
    Zyrës Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e
    Shqipnis, janë parapa këto përparime: Janë parapa edhe
    3 stabilimente për afro 3000 persona; një bujtinë e
    madhe e 540 pjesë tokash të përgatituna për zbatimin e
    Planit Rregullues të ranishjtes. Edhe për Shkambin e
    Kavajës janë parapa 60 pjesë tokash. Përvec këtyne
    janë paraparë edhe 40 pjesë tokash me sipërfaqe të
    ndryshme në ranishte dhe nr. 10 të tjera në Shkambin e
    Kavajës të cilat do të përdoren për rregullime të
    posacme; shkolla, ndërtesa publike, dyqane, bujtina,
    dhe pensione, kinema etj. Qyteti qendror dhe ai i
    ranishtes janë në zhvillim e sipër.

    Promovimi
    Një ekspoze nga Shefi i Misionit Italian Arkeologjik
    në Shqipëri, Marconi

    Në Kinema Nacional konferencë nga të huajt për
    turizmin

    Në kuadrin e masave të shumta që ndërmerrte Enti
    Kombëtar i Turizmit të Mbretërisë Shqiptare gjatë
    viteve të Monarkisë së Zogut (i cili ishte nën
    patronazhin e Princeshës Maxhide), ishin edhe një sërë
    konferencash shkencore nga lektorë të huaj, të cilat
    organizoheshin jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa
    qytete të tjera të vendit. Një nga këto konferenca
    ishte edhe ajo e dhënë në kinemanë "Nacional" të
    kryeqytetit nga Piero Marconi, kryetari i Misionit
    Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili që prej
    fillimit të viteve ‘30-të, kryente gërmime
    arkeologjike në Butrint dhe Pojan të Fierit. Lidhur me
    këto konferenca të Marconit, në shtypin e asaj kohe
    midis të tjerash thuhet: "Folëm pardje për nevojën e
    konferencave dhe dobinë e madhe që sheh vendi prej
    tyre, duke nënvizuar se këto, sidomos kur janë
    didaktike, duhen të mbahen edhe përpara nëxënësve.
    Kërkesa jonë u gjet plotësisht e justifikuar dje.
    Profesor Piero Marconi, Kryetar i Misjonit Arkeologjik
    Italjan në Shqipëri, që sot drejton gërmimet e
    Butrintos, foli dje në sallën e Kinema Nacional me
    kompetencën e një shkenctari të thyer në degën e tij,
    me kompetencë të gjerë dhe thjeshtësi që u cmuan pa
    masë nga publiku i zgjedhur që pati fatin të ndigjojë
    konnferencën e tij. Profesori e ilustroi konferencën
    me një tok filmash që ka marrë me vetë në gërmimet,
    duke paraqitur një tabllo të qartë rreth veprimeve të
    misionit prej fillimit, d.m.th. që në kohën e të
    ndjerit, Ugolini, gjer më sot. Fytyrat (statujat e
    gjetura nga gërmimet arkeologjike. Shenimi ynë), që
    Profesor Marconi shpjegonte, paraqisnin qytetërimet e
    ndryshme që janë përshkuar në vëndin t‘onë, që nga
    epoka neolitike gjer në ndërtimet venecjane, duke
    dhënë një pasqyrë të qartë e besnike të gjitha
    gërmimeve të gjetura nga nëntoka e jonë dhe që
    trashëgojmë sot. Profesor Piero Marconi u falënderua
    personalisht nga Shkëlqesia e Tij, ministri Shatku e
    personalitete të tjera, të cilët bënë cdo lavdatë për
    konferencënm e tij në kryeqytet, e cila është mësim i
    vlefshëm për cdo shqiptar dhe të shkuarën e vendit të
    vet. Urojmë që konferenca të tilla që ka dhënë z.
    Piero Marconi, të ndigjohen edhe nga nxënësit e
    shkollave të mesme dhe është më mirë të pasurohen
    dijet e tyre të dobishme mbi kohët e vjetra".

    Shqip

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-10-2004
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    1,599
    Lexova ne nje gazete shqiptare ketu ne Greqi qe plazhet e Durresit i nxjerr si plazhet me te ndotura ne gjithe shqiperine.Do te ta bej neser ate postim sepse se kam me vete.Nuk besoj se Turizmi shqiptar mund te jete ose ne qoftese do te jete nje turizem me i mire ne Ballkan duhet te beji dicka me shume.

Tema të Ngjashme

  1. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  2. 200 të shumëkërkuarit shqiptarë në të gjithë Botën
    Nga Albo në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 04-02-2011, 10:52
  3. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26
  4. Interviste e Fadil Tolaj-t
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-01-2004, 06:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •