"Bella mafia", në krye të punëve

E nisin "karrierën" me shpërndarje droge dhe kur fuqizohen ndryshojnë rregullat e vjetra të lojës


Eni Hartvej, një bionde e shkathët nga Midëlltoni (Britani e Madhe), ishte 23-vjeçe, kur duke qëndruar me miqtë e saj në Romë, duke bërë shaka, tha se dëshironte të njihej me një italian të pasur e të shkathët. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi. U njoh me sicilianin Antonio Rincivilo, i cili plotësoi ëndrrën e saj. Një tip latin, i gjatë, i veshur mirë, me flokë të zeza të lëpira... Disa muaj më vonë, në maj të vitit 1987, dashuria u kurorëzua me martesë. Eni kaloi shpejt në Sicili dhe jeta prej përralle filloi... Por, pas disa muajsh, ndërsa mësonte italisht, Eni mësoi gjithashtu se Antonio ishte njëri prej djemve të një familjeje të fuqishme mafioze dhe se për të ishte shpallur kërkimi për vrasje. Antonio Rincivilo ka qenë njeriu i dytë i "Coza Nostra"-s, mafies së fuqishme italiane, pas Bernard Provencanos, i cili u arrestua në fillim të këtij viti pas 40 vjet fshehjeje. Antonio u arrestua shpejt dhe u dënua me 30 vjet burg, ndërsa Eni filloi jetën e gruas së mafiozit, që e vizitonte atë në burg dhe e vetmuar... Përralla u shndërrua në ferr... Në janar të këtij viti, Eni e cila sot është 44 vjeçe, me kërkesën e prokurorit italian u arrestua në Britaninë e Madhe, nën dyshimin se kishte vazhduar të drejtonte biznesin e burrit të saj. Mori dënimin e burgut me kusht, sepse pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë.

"Asnjëherë nuk kam pasur lidhje me mafien, përveç se kam qenë e martuar me Antonion. Kur martohesh me sicilian, nuk ke shumë kohë të lirë. Kam qenë gjithnjë në shtëpi, kam përgatitur drekën, kam pastruar, kam larë të brendshmet dhe kam ruajtur fëmijët. Asnjëherë nuk kam pyetur se me se merret ai. Ai nuk ka punuar në shtëpi. Nuk ka qenë e rëndësishme për mua se me se merrej. Ai është babai i fëmijëve të mi dhe do ta dua deri në vdekje" - thotë Eni Hartvej. Depërtimin e madh të femrave në mafia, e tregojnë më mirë të dhënat e statistikave. Para 17 vjetësh, vetëm një grua ka qenë e akuzuar për krime, e lidhur me krimin e organizuar. Pesë vjet më vonë, prokuroria italiane, ngriti akuza për 89 pjesëtarë te seksit të dobët për vepra kriminale. Fati i Enit ngjan me jetën e shumë grave të mafiozëve, por në vitet e fundit në krimin e organizuar ka ndodhur ndryshimi i rregullave. Femrat po marrin gjithnjë e më tepër, rolin e bosëve dhe zhvillojnë biznesin familjar. Doktoresha Ombreta Ingrashi, autore e librit "Gratë e besës", që u kushtohet zonjave që marrin rolin e drejtueses në mafia- thotë se ka ndryshuar stereotipi për gratë në krimin e organizuar. "Deri para tri dekadash gratë në mafia kanë qenë kryesisht bashkëshorte të mafiozëve. Ato kujdeseshin për shtëpinë dhe ruanin fëmijët. Gjatë 15 viteve të fundit, roli i grave ka ndryshuar. Ato kanë rol gjithnjë e më aktiv, në krimin e organizuar, në sektorë të ndryshëm sidomos në shitjen e drogës.

Sipas doktoreshës Ingrashi, femrat e nisin veprimtarinë kriminale, duke bërë manualet (rregullat e grupit), që është njëra ndër punët kryesore për çdo grup kriminal, ndërsa më vonë bëhen korriere dhe tregtare të drogës. Ngjitjes së femrave në familjet mafioze, i ka kontribuar edhe një faktor tjetër. Gjatë viteve ‘80, Toto Rina (capo di tutti capi) shefi mbi të gjithë shefat i "Coza Nostra"-s, i njohur me nofkën "Bisha", i shpalli luftë shtetit. Pas një dekadë dhune, shteti arriti të arrestojë dhjetëra bosë mafiozë dhe anëtarë bandash. E gjithë struktura dhe organizimi i mafies ishte para kolapsit, sepse pati pak meshkuj që ta merrnin këtë problem në duart e tyre.

Femra si Xhuzepina Vitale e Katena Kamarata, morën në dorë familjet Vitale e Reisi. Edhe pse femrat filluan të zënë vend të rëndësishëm, ato gjithmonë kanë qenë zëvendëse të burrave, vëllezërve ose baballarëve të tyre, që kanë rënë në burg ose janë në arrati. Meshkujt vendosin akoma për çështjet e rëndësishme. Femrat kanë hyrë më shpejt në kreun e mafies së "Kamorës" të Napolit e "Ndrangetes" të Kalabrisë - tha Ombreta Ingrashi. Në fakt, Maria Liçardi, e njohur si Kuma, e lindur me 24 mars 1951, ka qenë për gati një dekadë në krye të "Kamorës". Babai i saj dhe dy vëllezërit ishin mafiozë. Atë e kanë përshkruar si karizmatike, të qetë, mjaft inteligjente dhe të pashpirt. "Kamora" gjatë kësaj kohe merrej me tregtinë e drogës e organizimin e prostitucionit. Maria drejtoi me sukses këtë biznes. Vajzat për prostitucion bliheshin në Shqipëri dhe mbaheshin në vëzhgim, që të mos iknin. Pas disa kontrolleve të policisë në klubet e natës, Maria në janar të vitit 2001, urdhëroi hedhjen në erë të zyrës së Luigji Bobinës, shef i Prokurorisë. Prokurori mbijetoi dhe gjashtë muaj më vonë ajo u arrestua.

Më pak dhunë

Ernesto Savona i Universitetit të Milanos, thotë se organizatat kriminale vitet e fundit janë më të hapura për femrat. Grupet kriminale janë më pak të dhunshme dhe ka gjithnjë e më pak vrasje. Organizimi hierarkik i mafies po ndryshon dhe është bërë shumë më elastik. Prandaj femrat marrin role të rëndësishme.

Rasti Çoçorovska

Pjesëmarrja e femrave në drejtimin e veprimtarisë kriminale nuk është vetëm dukuri italiane. Një femër me origjinë maqedonase, e quajtur Stanisllava Çoçorovska-Poletan, drejtoreshë e firmës "Makfut" me qendër në Beograd, ka marrë nofkën "mbretëresha ballkanike e drogës". Ajo u bë "ylli" i kronikës së zezë, në janar të këtij viti, pasi policia maqedonase e shpalli në kërkim, si porositësen e një gjysmë toni kokainë që vinte nga Venezuela, e cila u kap në kufirin e Kosovës me Maqedoninë. Ajo u ekstradua nga Serbia në Maqedoni në muajin maj. Media serbe e ka cilësuar Çoçorovskën edhe si njeriun që mund të japë informacion të vlefshëm për zbardhjen e atentatit të një dekade më parë, ndaj ish-presidentit maqedonas, Kiro Gligorov.

Gazeta Shqip