Si një orë e paprishur, koha vazhdon...
„Si një orë e prishur,
Koha është ndalë...“
(Grupi Minatori)
Koha ndalte çast mbas çasti, kur kolegët më shihnin tek duart. Flisnin sa flisnin, si je si ja çon, nisnim të bënim ushtrimet e kapitullit filan fistek, por në çastin kur duart qëndronin të vendosura mbi tavolinë, apo në pozicionin tim të preferuar anash mjekrës, kur bëj harkun me krahët të mbështetem për të menduar, sytë fiksoheshin mbi duart, në fakt mbi dorën që mban orën. Dhe prej aty i lëviznin menjëherë. Herën e parë mendova mirë për orën: duket që është cilësore, sa ta tërheqë vëmendjen. Në ndaljen e dytë e të mëpastajmen ndjeva se diçka nuk shkonte. M’u kujtua që dhe në mëngjes kur sapo kisha hyrë në mësim, si zakonisht 2-3 minuta me vonesë, pothuajse të gjithë studentët kishin kthyer kokën nga unë, duke më parë nga koka tek këmbët dhe duke ndalur sytë mbi orën. Nuk është se s’më bëhet qejfi, kur kjo ndodh, pra të shikohem, por njëtrajtshmeria në kthimin e menjëhershëm të kokës dhe intensiteti i njëjtë i vështrimeve zhbiriluese veçanërisht fiksuese mbi orën ishte i dyshimtë. Nejse, këtë popull kurrë nuk do mundem ta zbërthej, mendova dhe aty për aty u përqendrova tek kërkimi i ndjesës për vonesën dhe gjetjes me sy të një vendi që më çoi në rreshtin e parë të tavolinave në sallën e seminarit.
Kolegja në krahun e majtë, një vajzë nga një shtet ballkanik, më shihte herë pas herë. Kur si vajzë të sheh një vajzë do të thotë se dukesh bukur, sa ajo të dojë të të vjedhë idenë pas kombinimit në veshje dhe modelin e flokëve. Eshtë e vërtetë që mbaja veshur një bluzkë me ngjyrat e fanellave të skuadres braziliane të futbollit dhe numrin 10 mbi të që më çon pranë Ronaldinho-s, megjithëse në fakt për nga pëlqimi futbollistik fare mirë do duhej të mbaja dhe një bluzkë me numrin 10 të Francës për shkak të Zidane ose dhe një bluzkë me numrin 10 të Italisë për shkak të Roberto Baggio-s apo një të Hollandës me numrin që ka pasur Marco Van Basten, që as e mbaj mend tani. Por ky vit nuk është as i kampionatit futbollistik, kështu që vëmendja për këtë shfaqje është e vetëkuptueshme që nuk është e njëjtë si ajo e një viti më parë. Po punë për të mendova, po i pëlqeu i pëlqeu. E dhashë një përgjigje në mësim e mora pikët përkatëse për të. Detyrimin ndaj vetes e kreva për këtë ditë. Mësimi mbaroi, mbaruan dhe ushtrimet që kishim për të përgatitur pas mësimit. Shikimet vjedharake mbi orën vazhdonin. Arriti pika që sa herë që e vëreja këtë gjë, më vinte për të qeshur me të madhe. E qeshur që ndonja dy orë më vonë u kthye në xixa që më dilnin nga sytë nga tmerri i asaj që po lexoja në ekranin e kompjuterit. George Bush-it i qenkësh vjedhur ora në Shqipëri. O Zot! Prandaj edhe koha ndalej, sa herë shquaja vështrimet e kolegëve. Fillova nga kërkimi, sepse nuk mund të rrija në vend pa i shkuar lajmit deri në fund. Lajmeve është mirë t’i shkohet deri në fund, sidomos kur i lexon në mediat shqiptare. Iu ktheva mediave italiane, ato me të madhe: Ora e George Bush-it është vjedhur në Shqipëri. I referoheshin të gjitha televizionit News 24. Iu ktheva gazetave austriake, në fakt vetëm në njërën pata sy të lexoja. Ajo i referohej për të njëjtin lajm gazetës La Repubblica. Shih, nuk e ditkërkan që e kanë nxjerrë nga Shqipëria lajmin, mendova. Këmbët m’u prenë, duart m’u mpinë, ora më dukej sikur ulërinte, ndërkohë që ajo e mira as nuk ndihet, edhe në qetësinë më të madhe madje. Doja vetëm të rrija para ekranit, as të levizja, as të flisja, aq më pak të merrja në Tiranë në telefon e të pyesja nëse është e vërtetë. Ç’dreqin pyetje do të ishte kjo? Në shtëpi mbërrita vetëm në mbrëmje. Im vëlla erdhi me atë pyetjen që unë nuk kisha dashur ta bëja me telefon: A e kanë vjedhur vërtet orën e Bush-it? Po edhe sikur ta kenë vjedhur, i thashë, ç’dreqin duan ata plehrat që e nxjerrin? Janë kaq milimetrikë me përmasa trunore, kaq të tmerruar nga egërsia e smirës që edhe vetë tani siç duket po e shquajnë për herë të parë se sa të madhe e kanë me përmasa, sa kanë përhapur këtë lajm. Po prit i thashë, se nuk do të jetë i vërtetë dhe ku do të futen pastaj. Fjalët e tjera që nxorra nga goja më mirë le të mbeten për brenda mureve të banesës e për mendjen e tim vëllai, se ishin vërtet të përshtashme për situatën e kjo do të thotë…
Për aq orë sa mbetën nga ajo ditë deri para gjumit mund të kem hyrë edhe të paktën 30 herë në internet të lexoja për të rejat. Dhe pas zgjimit nga gjumi ato ishin të reja, të pastra, të çiltra. Nuk e kam përjetuar ndonjëherë me më shumë dashuri lajmësjelljen sesa pas atij zgjimi nga një gjumë me ëndrra idiote, kur gjëja e parë me të cilën u ndesha, qe kronika në NBC që nuk kish nevojë për komente. Edhe njeriu shqiptar më i parrahur me mediat, papritur atë ditë ka mësuar që jo vetëm ka televizione serioze, por se një prej tyre që do hyjë dhe ai si i ndritur në historinë e shqiptarëve, është NBC. Siç mësova unë me këtë rast, që të gjithë që më kanë parë orën gjatë ditëve të fundit duke nisur që prej të nesërmes së vizitës më të rëndësishme që është kryer ndonjëherë nga një i huaj në vendin tim të bukur, e dinin që unë vija pikërisht nga ky vend i bukur. Tani iu mbetet vetëm ta vizitojnë. Dhe për këtë e kemi nisur një fushatë bindjesh masive, le t’i bëhet smira sa një botë racistëve antishqiptarë. E kemi planin shumë të qetë ne studentët, në mendjen e dikujt ai zhvillohet në mënyrë të vullnetshme e në mendjen e dikujt tjetër në mënyrë të pavullnetshme. Secili prej nesh me rrethin e miqve që krijon në vendin e huaj ku ndodhemi, ndihmon në bërjen me zë të së veçantës shqiptare, të nxjerrjes në dritë të vendit tonë të bukur e kulturës sonë të bukur. Këto plane të qeta janë shprehja më e natyrshme dhe më kuptimplotë e dashurisë që e mbajmë brenda dhe dashuria më e madhe për botën, njerëzit e kulturat që te rrethojnë nis me dashurinë dhe respektin për veten. Po hajt t’ua mbushësh mendjen për këtë atyre zhglembjeve (ku bënte pjesë dhe Top Channel, pse e quajnë veten Top ata e dijnë, në fakt do duhej të quheshin Low-order Channel), mendoi tifozja e skuadrës shqiptare,
që prej kur mundet të kuptojë si luhet futbolli dhe e skuadrës italiane,
që prej kur njohu treshen Van Basten-Gullit-Riijkaard dhe e skuadrës hollandeze,
që prej kur njohu Zidane dhe e skuadrës franceze,
që prej kur pa se Ronaldinho nuk e heq dot të qeshurën nga fytyra dhe e skuadrës braziliane,
që prej kur pa ndeshjen Argjentinë-Serbi: 6-0 në botërorin 2006 dhe e Argjentinës
që prej kur pa duelin e Evropianit 2000 Angli-Gjermani dhe e Anglisë,
e mrekullise shumëkulturore të botës.
Dhe për ta quajtur të kryer krejt ç’kish përjetuar gjatë tre ditëve të para të javës, e dërgoi një mesazh sms për në shtëpi: Të dashur Mami dhe Babi, si përfundim i gjithë kësaj kuptova se orën e kam më të shtrenjtë se George Bush. Ju përshëndes me gëzimin e shqiptarëve për ngjarjen e madhe që njohu Shqipëria të djelën më 10 qershor. Bija
Krijoni Kontakt