Aeroporti i modernizuar "Nënë Tereza" do të jetë një portë e re për Shqipërinë
Punimet e firmës Hochtief në një projekt ndërtimi në Gjermani
Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza" është një nga kantierët më të rëndësishëm të ndërtimit në Shqipëri. Konsorciumi ndërkombëtar me në krye koncernin gjerman Hochtief ka nisur shndërrimin e aeroportit në një nga më modernët e Ballkanit.
Një avion ngrihet çdo 10 minuta në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Tiranës. Ky është një aeroport i vogël, modest që shtrihet vetëm në 2.700 m². 15 linja ajrore të huaja dhe shqiptare kryejnë tani rreth 170 fluturime në javë nga Tirana drejt destinacioneve evropiane, pikave të tranzitit për në kontinenten e tjera dhe anasjelltas. Por që prej dy muajsh këtu ka filluar realizimi i një perspektive tjetër: shndërrimi i tij në një nga aeroportet më të mëdhenj dhe më modernë të Ballkanit. Këtë ndërmarrje gjigande e ka marrë përsipër konsorciumi ndërkombëtar Tirana Airport Partners ku lider është kompania gjermane Hochtief, e njohur në të gjithë botën për ndërtim dhe manaxhim aeroportesh.
Një terminal i ri pasagjerësh është hapi i parë i realizimit të kësaj ndërmarrjeje. Në një sipërfaqe prej më shumë se 10.000 m² tani po gërmohet me ekskavatorë dhe mijëra m³ dhe transportohen çdo ditë. Erion Avrami, inxhenieri që kryeson punimet pasditeve thotë se ky terminal do të përfundojë mbas dy vitesh sipas kontratës me palën shqiptare. Ai është i kënaqur me ecurinë e punimeve:
"Ka mbaruar ngritja e kantierit dhe ka filluar gërmimi i zonës ku do ndërtohet terminali. Pritet të fillojnë punimet për zonën e kargos, godina dykatëshe e kargos, gjithashtu edhe parkimi."
Puna e madhe që po bëhet këtu për të ndërtuar terminalin e ri nuk krijon dot gjithsesi imazhin se si do të jetë aeroporti i Tiranës në të ardhmen. Këtë imazh e krijon vetëm kur shikon maketin e tij në zyrën e Anduena Stefan, shefe ekzekutive në konsorciumin Tirana Airport Partners. Çfarë do të jetë për Shqipërinë ky aeroport? Anduena Stefan thotë:
"Do të jetë një portë e re e Shqipërisë në botë dhe në vend; që përshtypjet e udhëtarëve të huaj dhe shqiptarë të fillojnë dhe të mbarojnë pikërisht këtu. Ne kërkojmë të japim përshtypjen e një Shqipërie moderne, progresive dhe të hapur."
Maketi tregon një aeroport të standarteve ndërkombëtare, diçka krejt tjetër nga ky i tanishmi. Në një sipërfaqe prej 200 m² ngrihet një ndërtesë moderne me elemntë të arkitekturës shqiptare. Fasada përbëhet nga një xham 15 m i lartë dhe përmes të cilit ata që mbërrijnë shohin ata që nisen, apo ata që presin pasagjerët. Një çati e valëzuar kërkon të tregojë larminë e relievit shqiptar, praninë e detit dhe të malit. Një park me pisha shtrihet para parkimit të automjeteve. Rruga e re automobilistike dhe linja e re hekurudhore çojnë udhëtarin deri tek terminali.
Ajo që maketi nuk mund ta tregojë dot është manaxhimi, metodat e reja, lehtësirat bashkëkohore, sjellja me klientin. Punonjësit do të kualifikohen prej ekspertësh nga Hamburgu, Dyseldorfi, Athina dhe Sidnei, thotë zonja Stefan, vende këto ku operon kompania gjermane Hochtief.
Zonja Stefan konsideron sukses të madh shifrën prej 2:44 minuta mesatarisht vonesa në nisjen apo në mbërritjen e avionëve në 722 fluturimet që janë nga 22 prilli i këtij viti, rezultat ky i manaxhimit të ri. Ky manaxhim vlerësohet veçanërisht nga pala kontraktuese shqiptare, e cila monitoron realizimin e projektit. Agron Ushaj, drejtor i aviacionit civil në ministrinë e transportit dhe telekomunikacioneve këtu në Tiranë thotë se puna ka nisur mjaft mirë:
"Shumë shpejt do të ndryshojë pamja, shërbimi dhe operimi. Kjo është e padiskutueshme. Është me vlera të rëndësishme që pika e vetme e transportit ajror, e hyrjes e daljes në Shqipëri të modernizohet dhe në mënyrë sa më të shpejtë."
Shenjat e modernizimt t'i zë syri që tani kudo. Në terminalin e vogël, aktual të pasagjerëve ka rregull, mjedise humane, punonjës me uniforma, monitorë që tregojnë oraret e nisjes dhe të mbërritjes së avionëve, autobus që çon udhëtarët në bordin e avionëve: gjëra që mungonin krejtësisht vetëm pak kohë më parë. Një fillim i mbarë gjysma e punës, thotë fjala e urtë shqiptare
Krijoni Kontakt