Moisiu paralajmëron grusht shteti në 25 korrik
Nga Kastriot Myftaraj - Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një intervistë në emisionin Top Story të Sokol Ballës, në Top Channel, bëri një deklaratë të papritur se ai nuk ka ndërmend të largohet nga posti që mban në 24 korrik, në rast se zgjedhjet presidenciale në Kuvend do të zgjaten, ose do të dështojnë duke shkuar vendi në zgjedhje të reja.Presidenti u mundua të bënte një interpretim në dobi të ambicies së vet të dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me tranzicionin e pushtetit të Presidentit, duke thënë se: “Normalisht për këtë duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese. Por duke gjykuar mbi Kushtetutën tonë, në ligjin themeltar të shtetit parashikohet vijimësia, pra Kryeministri nuk ikën pa ardhur në detyrë Kryeministri i ri, ministër nuk ikën pa ardhur ministri i ri, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se i mbaron mandati nuk ikën pa ardhur zëvendësi i tij. Pra fryma e Kushtetutës sonë nuk krijon vakum. Këtu është çështja se, Presidenti zëvendësohet në ato raste kur është sëmurë, apo kur ka fatkeqësi personale të natyrshme e të tjera me radhë. Ja ku e kemi në Turqi shembullin. Duhet të ishte zgjedhur Presidenti i vendit, por vazhdon të jetë në detyrë Presidenti i vendit, vetëm se nuk mund të krijohet vakum”. Por Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 91 është eksplicite dhe nuk le vend për ekuivoke, kur thotë: “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij, ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”. Dhe vendi i Presidentit mbetet vakant në 25 korrik kur mbaron mandati i tij. Në këtë rast nuk ka arsye pse Presidenti aktual të vazhdojë të rrijë në detyrë pasi ligji kushtetues ka parashikuar qartë se kush i ushtron funksionet në fazën tranzitore. Dhe nuk mund të bëhet analogji me modalitetet e kalimit të detyrës në rastet e ministrave dhe gjykatësve, pasi në rastin e Presidentit Kushtetuta shprehet qartë për modalitetet. Me këtë interpretim dhe me referimin tek Turqia Presidenti Moisiu zbuloi një mendësi dhe një plan të rrezikshëm për të dhunuar Kushtetutën, duke marrë shembull nga Turqia, që është shembull alarmues, pasi Turqia është një demokraci militare, ku ushtrisë i njihen me Kushtetutë kompetenca të posaçme për të diktuar mbi politikën, praktikisht duke iu njohur edhe e drejta e grushtit ushtarak të shtetit atëherë kur e gjykon të nevojshme. Referimi ndaj Turqisë, nuk mund të interpretohet ndryshe veç që Moisiu i njeh vetes të drejtën e grushtit të shtetit. E thënë qartë Presidenti Moisiu paralajmëroi se në 25 korrik, në rast se nuk është zgjedhur pasardhësi, ai do ta hedhë në koshin e plehrave Kushtetutën si gjeneralët turq, dhe do të uzurpojë postin e Presidentit në mënyrë antikushtetuese. Kjo deklaratë bëhet edhe më e rrezikshme po të mendosh se Moisiu deklaroi rikandidimin e vet, me sa duket me anë të Edi Ramës. Pra, në 25 korrik, para votimit të fundit, të pestë për Presidentin, Moisiu do të uzurpojë postin, me sa duket për t’ i përdorur kompetencat e gjëra të këtij posti, për t’ u rizgjedhur, duke përdorur njerëzit që nga Prokurori i Përgjithshëm, për t’ u rizgjedhur, me ndihmën e Edi Ramës dhe të deputetëve nga mazhoranca që do të shesin votën. Në deklaratën e vet, Presidenti Moisiu nuk dha shenja se e kuptonte implikimin që sjell vendimi i tij, deri edhe si precedent për të ardhmen, pasi në rast se imagjinojmë se vendi futet në një seri zgjedhjesh parlamentare pas moszgjidhjes së Presidentit, dhe Presidenti aktual mbetet në detyrë, atëherë, duke pasur parasysh se sa vazhdojnë kontestimet e zgjedhjeve, dhe dalja e rezultateve, i bie që Moisiu të rrijë në detyrë edhe dy-tre vjet jashtë mandatit. Deklarata e Presidentit Moisiu nuk duhet të kalojë kaq lehtë pasi ajo, jo vetëm që do të sjellë komplikime të mëdha në rast se do të zgjaten zgjedhjet presidenciale në disa raunde, çka është edhe plani i Ramës dhe i Moisiut, pasi kryetarja e Kuvendit, Topalli, që njihet si një “skiftere” e PD dhe një nga më radikalet në luftën kundër Moisiut, në 25 korrik do të kërkojë të marrë funksionet e Presidentit të Republikës ad interim me çdo mënyrë. Pas kësaj deklarate të Moisiut, duhen parë me një sy tjetër të gjitha veprimet për të cilat pretendon se i ka bërë në mbrojtje të Kushtetutës, për të cilat besonim se kishte ndërmend Kushtetutën e Shqipërisë, kur ai në fund të mandatit na zbuloi se ka qenë garant dhe ka diskutuar, sipas Kushtetutës militare të Turqisë .
Krijoni Kontakt