"Fiks Fare" sjell rastin e një pensionisti 72-vjeçar, që denoncoi mjekun e spitalit të Shkodrës
Për herë të parë, një qytetar, i cili ka kontribuar në denoncimin e korrupsionit, kërkon shpërblimin e premtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Një pensionist nga Shkodra, 72 vjeç, denoncoi rastin e kërkimit të ryshfetit nga një mjek i spitalit të Shkodrës, dhe për këtë kontribut kërkon shpërblimin në bazë të ligjit. Qytetari e ka denoncuar që në vitin 2006, por askush nuk është kujtuar të zbatojë ligjin. Në një letër të shkruar më 28 shkurt 2006, pensionisti Kolë Bjanku tregon se si punonjësi i grafisë në spitalin rajonal i kërkoi 200 lekë të reja për një grafi, ndërkohë që pensionisti kishte rekomandimin e mjekut të familjes dhe librezën e shëndetit. Mjeku, në momentin kur pensionisti i kishte paraqitur librezën e shëndetit dhe rekomandimin e mjekut, i ka thënë se këto dokumente nuk vlenin, pasi në spital filmin e blejnë me lekët e tyre. Në denoncimin e tij, pensionisti kërkon nga Drejtoria e Shëndetit Parësor të marrë masa ndaj mjekut në fjalë, jo vetëm për shumën e paguar padrejtësisht prej tij, por edhe për sorollatjet që një qytetari të thjeshtë iu desh të bënte për një grafi qafe.
Pas kësaj letre, pensionisti këmbëngulës nga Shkodra iu drejtua ish-ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, duke i kërkuar shpërblimin sipas ligjit "Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit". Për të gjitha kërkesat e tij drejtuar institucioneve përkatëse, pensionisti ka mbajtur edhe dëftesat për pranimin e objekteve postare. I bindur në premtimin e qeverisë për të shpërblyer të gjithë ata që do të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit, kërkesën për shpërblimin që i takonte, pensionisti ia dërgoi edhe Kryeministrit Berisha. Qytetarit i kthyen përgjigje vetëm dy institucione, ministria e Shëndetësisë dhe spitali rajonal i Shkodrës. Në përgjigjen e drejtoreshës së spitalit rajonal, pensionistit i bëhet me dije se ndaj laborantit radiolog Agron Terolli, në bazë të Kodit të Punës iu dha vërejtje në dokumentacionin e tij dhe kthimin e shumës 200 lekë. Në fund të kthimit të përgjigjes, drejtoresha Pranvera Belinovi e falënderon për bashkëpunimi, por asgjë tjetër.
Pensionisti nga Shkodra pret më kot të marrë si shpërblim disa rroga të laborantit, që i kërkoi 200 lekë pagesë për një shërbim që duhet t‘ia ofronte falas. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, në përgjigjen e tij, çuditërisht i tregon pensionistit se ligji "Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit" nuk ka hyrë në fuqi. Shkresa zyrtare e firmosur prej zotit Sokol Dedja mban datën 2 maj 2006. Ndërkohë, ligji, të cilit i referohet qytetari nga Shkodra, mban numrin 9508 dhe ka hyrë në fuqi që më 3 prill 2006. Pra, zyrtarët e lartë të institucioneve shtetërore në vendin tonë nuk janë të informuar për hyrjen në fuqi të një ligji, të trumbetuar kaq e kaq herë nga Kryeministri i vendit.
Sot, një vit më pas, përsëri në Kryeministri dhe në disa ministri nuk e dinë që ky ligj ka hyrë në fuqi. Për rastin e zotit Kolë Bjanku, gazetarët e "Fiks Fare" pyetën në drejtorinë që pret denoncimet e qytetarëve për rastet e korrupsionit nga zyrtarët. Operatorja që pret në linjë telefonike këto denoncime u përgjigj se nuk dinte gjë për shpërblimin e qytetarëve që denoncojnë. Ajo na adresoi tek zoti Elham Sharra, shef i Marrëdhënieve me Publikun pranë Këshillit të Ministrave. Në bisedën telefonike që patëm me zotin Sharra, me shumë keqardhje mësuam se as ai nuk e dinte që ekzistonte një ligj i tillë. Madje, beson se është një vendim i Këshilit të Ministrave dhe na adreson të shfletojmë të gjitha Fletoret Zyrtare ku botohen të gjitha VKM-të dhe ligjet që hyjnë në fuqi. "Nëse nuk është botuar në fletore Zyrtare atëherë nuk ka hyrë në fuqi", thekson ai. Më pas na adreson te ministria përkatëse që mbulon institucionin për të cilin ankohet denoncuesi. Me pak fjalë, nuk i jep përgjigje ankesës së pensionistit nga Shkodra, i cili kërkon shpërblimin në bazë të ligjit.
LIGJI
Një vit më parë, më 3 prill 2006 u miratua ligji "Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit", pas propozimit të Këshillit të Ministrave. Neni 16 i këtij ligji përcakton edhe masën e shpërblimit për denoncimin që bëhet. Sipas këtij neni, urdhri për dhënie shpërblimi është titull ekzekutiv. Madje në nenin 17, theksohet se ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë fondet e nevojshme në buxhetet e institucioneve shtetërore për realizimin e qëllimit të këtij ligji. Por siç duket askush nuk ka marrë mundimin të caktojë buxhete për këtë qëllim.
DEKLARATA
Berisha, në një mbledhje të qeverisë në dhjetor 2005
"Qytetari, i cili fakton në mënyrë të pakundërshtueshme këtë krim (korrupsioni), do të shpërblehet me një përqindje të caktuar të fitimit që nxirret nga ky denoncim, do të shpërblehet me disa rroga të caktuara të nëpunësit, që i kërkon para për t‘i sanksionuar një të drejtë të ligjshme të tij"
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt