-
Kryeministri Na Qiti Krypë Në Plagë
KRYEMINISTRI NA QITI KRYPË NË PLAGË
*Kryeministri na ftoi ne mërgimtarët për të na mbajtur “orë historie” në Prekaz, ndërsa neve po na privojnë prej pasaportave, letërnjoftimeve, çertifikatave, e të drejtës së votës. Politika e Agim Çekut me shumë llaf e asnjë dobi, është krypë në plagë të mërgimtarëve.*
Agim Çeku organizoi dje në Prekaz një nga ato që gazetarët e quajnë “rast fotografik”. Ai mori poza të buzëqeshura me fëmijë motakë, burra me mustaqe, e gra me shami, gjithçka në transmetim të palodhur nga TV-Unmikistani. Tubimi ishte paralajmëruar një ditë më parë po në këtë TV në orarin më të shikueshëm. E pra, kryeministrit vërtet i duhej çdo ndihmë e mundshme. Sepse, kësaj radhe ai na kish vënë në shënjestër ne mërgimtarët shqiptarë, që, tok me familjarët e dëshmorëve e të të zhdukurve, përbëjmë shtresën më të nëpërkëmbur në Kosovën e drejtuar prej UNMIK-ut dhe qeverisë Çeku.
T’ia nisim nga fillimi. Pr dr Hakif Bajrami, ekspert vendor i demografisë, ka llogaritur se Serbia gjatë viteve 1980 e 1990 ka dëbuar përdhunshëm mëse 360 000 shqiptarë nga Kosova. E megjithatë, ne s’figurojmë gjëkund me asnjë germë a shifër si kosovarë. Kalvari ynë filloi më 1999, kur UNMIK-u ia nisi punës duke na fshirë së pari neve nga defteri. Ndër dekretet e para zyrtare të UNMIK-ut ishte që si kosovar të njihet sall kush ka qenë i regjistruar këtu më 1998 e këtej. Si pasojë direkte e këtij dekreti, që po administrohet zellshëm nga qeveria Çeku, pothuajse gjysëm milioni mërgimtarë heqim sot të zitë e ullirit për të nxjerrur një pasaportë, një letërnjoftim, a një çertifikatë të lindjes. Neve na mohohet statusi i refugjatit nga Kosova, ndonëse këtë e kemi të pranuar në shtetet e vetë UNMIK-ut. Na mohohet e drejta e shtetësisë së dyfishtë, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë e me konventat ndërkombëtare të adoptuara nga UNMIK-u. Para së gjithash, na mohohet kryeneçësisht e drejta e votës. Si nënshtetas suedez, unë mund të banoj kudo në rruzullin tokësor e prapë të votoj në Suedinë e largët, ku arrita në moshë të rritur – por s’bën të votoj në Kosovën loke, ku kam rrënjën e shpirtin tim!
Sa për krahasim, sall këqyr se çfarë trajtimi special që u bëjnë serbëve UNMIK-u & qeveria Çeku. Këta e kanë zyrtarizuar propagandën e Serbisë – në dokumente e traktate obligative! – se nga Kosova gjoja paskan ikur 200 a 300 mijë serbë (shifra dallon ndër dokumente), ndonëse provat flasin krejt ndryshe: në regjistrimin e fundit këtu, më 1991, Serbia pat thënë vetë se në Kosovë ishin sall 194 000 serbë, e sot ankohet për fatin e “130 000 serbëve të mbetur”. Prej ku pikën këtu edhe 200 mijë serbë tjerë!? E pra, i njëjti dekret që na mohon neve gjysmë milion mërgimtarëve identitetin kosovar, ua njeh atë me dy duart jo veç atyre pak serbëve vendorë që ikën; por edhe tërë mizërisë së ushtarakëve, policëve, gjyqtarëve, pylltarëve, konduktorëve e drejtorëve të dhunshëm që na i pat prurë Serbia, e që i zu këtu viti 1998 me një adresë kosovare, sa për t’u ardhur letrat prej familjes. Merre me mend, të lutem: vetë serbët dallojnë mes “doshljaci” e “starosedeoci” (serbë të ardhur apo vendorë), ndërsa UNMIK-u & qeveria Çeku jo! Edhe puro serbët pra, UNMIK-u & qeveria Çeku duan t’i bëjnë kosovarë me zor, u ndajnë troje e u ngritin shtëpi ndër enklava – kurse familjarët tanë atje i braktisin vatrat e veta, e neve mërgimtarëve po na e mshelin derën me shul. Unë për vete, s’besoj kurrë se ky dallim mes serbëve e mërgimtarëve shqiptarë ndodh pahiri.
Si mërgimtar, nga Prekazi prisja kërkesë falje e zotime konkrete. Por politikani Agim Çeku zgjodhi të merret me simbole e llafe boshe, si rëndom. Fatkeqësisht, kryeministri s’mund të bëjë asgjë, për askënd, në asnjë mënyrë. Fajin e ka, bravo ia qëllove, statusi. Kur të ndreqet statusi, do të kemi tambël e mjaltë. Deri atëhere, na lopatën, shko e nxirre babëgjyshin prej varrit për një copë çertifikatë. E, kur të lodhesh, eja të jep Agim Çeku “orë historie”, e të nxjerr në fotografi. Edhe karvani i gazetarëve që i kish ngrehur për kapistralli pëllisnin si rëndom: asnjë pyetje kritike, asnjë kundërshtim. Unë për vete u ndava i zhgënjyer pamasë. Ku ta dish, ndoshta ne mërgimtarët ua patëm borxh edhe këtë fyerje. Veçse, them se një kryeministër që i trajton bashkatdhetarët e vetë kështu si idiotë, na qet neve krypë në plagë, e faqe të zezë krejt këtij vendi.
-
-
i/e regjistruar
Agim Ceku eshte LEGJENDE e Kosoves.
Mos e prekni ate sepse kjo do i ngjante sikur te preknit zjarrin me dore.
Mesohuni njeher e pergjithmon ti cmoni dhe ti respektoni figurat Kombetare qe kane ndikuar ne ndryshimin e historise sone.
-
-
i/e regjistruar
Hajde bac hajde, na u be edhe legjende ky, cfare legjende se??? Psh legjenda fillon keshtu. Ne vitin 99 befas nga kroacia e larget erdhi bajloci Ceku dhe direkt u vendos komandant i UCK se. Nuk kaluan muajt dhe rezultat i tij dhe klikes se tij ishte nenshkrimi i marreveshjes se Rambujes, pastaj shenderrimit te UCK se ne TMK pastaj papritmas u be kryeminister. Pastaj edhe TMK ne e shendrroi ne FSK, pastaj, Rezultati ne vazhdim doli coptimi i Kosoves nga Pakoja e Ahtisarit dhe..... dhe legjenda vazhdon kush e di ku do na sjell.
Medet...
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt