"Kriminelë shqiptarë me shtetësi britanike"
Gazeta "The Sun" vazhdon traditën e lajmeve negative për shqiptarët dhe akuzon "Home Office": U dha pasaporta
Nga Londra
Muhamed Veliu
Një gazetë britanike, që në mënyrë konstante 10 vitet e fundit ka publikuar lajme negative për shqiptarët, dje raportonte se elementët kriminalë brenda këtij komuniteti janë pajisur me pasaporta britanike. Gazeta "The Sun" shkruan se "vrasësve shqiptarë apo trafikantëve të prostitutave u është dhënë e drejta e qytetarisë britanike".
Megjithatë, gazeta harron të përmendë faktin se vetëm në katër vitet e fundit janë dëbuar mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë, të cilët punojnë ndershmërisht, janë të palegalizuar dhe jetojnë çdo ditë me frikën e dëbimit. Skandalin e dhënies së qytetarisë britanike për "kriminelë shqiptarë", "The Sun" ia faturon Ministrisë së Brendshme "Home Office".
Nën titullin "Azil tutorit dhe vrasësit" gazeta e ilustron "skandalin" me rastin e Luan Plakiçit, i dënuar me 23 vjet për trafikun e vajzave lindore në Londër, si dhe atë të vrasësit të pesëfishtë Mane Driza.
Plakiçi e përdorte pasaportën britanike për të udhëtuar në Evropën Lindore, nga trafikoi 60 vajza, disa prej të cilave u shitën apo u përfshinë në prostitucion për llogari të tij. Ndërsa Mane Driza u kap në Itali me pasaportë britanike në xhep, pasi vrau mikun e ngushtë në lindje të Londrës. Ai kërkohej për 4 vrasje të tjera, dy në Shqipëri po aq edhe në Itali.
Më tej, gazeta shkruan se "dy shqiptarët e krimit janë pjesa e një grupi të madh kriminelësh, të cilët janë vendosur në Britani, duke ndërtuar perandoritë e tyre të krimit".
"Të gjithë ata dhanë emra të rremë kur kërkuan azil, por kjo nuk u zbulua nga ‘Home Office‘. Pasi u pajisën me pasaporta britanike, familjet e tyre morën viza për të ardhur në Britani", thuhet në artikullin e gazetarit Oliver Harvey. Ai shkruan se identiteti i tyre i vërtetë u zbulua, kur familjarët plotësuan formularët e vizave.
"Shqiptarëve të përfshirë në mashtrim për marrjen e qytetarisë, zyrtarët e emigracionit u kanë dërguar letra, ku kërkohet heqja e pasaportave", përfundon artikulli i "The Sun".
Dy rastet e zbuluara nga "The Sun" janë vetëm maja e ajsbergut. Me dhjetëra shqiptarë të kërkuar për vepra të ndryshme penale, kanë vite që fshihen në Angli nën emra të rremë.
Tre vjet më parë, ish-kreu i Interpol Tiranës, komisar Artan Bajraktari, deklaroi se në Londër fshiheshin më shumë se 30 persona të rrezikshëm, të kërkuar nga drejtësia shqiptare për krime të rënda.
Ndërsa një muaj më parë, drejtues të skuadrës së ekstradimeve në "Scotland Yard" i thanë gazetë "Shqip" se kanë marrë 90 fletë arresti nga Interpol Tirana për shqiptarët "wanted", të cilët mendohen se fshihen në Britani.
Krijoni Kontakt