Mbesa e Mbretëreshës Elizabeta II duartroket vallet shqiptare
Valltarët e "Shpresa Programme" interpretojnë në panairin e bamirësisë Nga
Londra
Muhamed Veliu
Mbase ishte hera e parë për një pjesëtare të familjes mbretërore angleze të ndiqte një valle karakteristike shqiptare, interpretuar nga fëmijë shqiptarë në Londër për nder të saj.
Në ditën e dytë të panairit të bamirësisë, "Spring Fair", në Kensington Town Hall në qendër të Londrës fëmijët shqiptarë nga grupi i valleve i "Shpresa Programme" janë përzgjedhur për të interpretuar një valle tradicionale. Fillimisht ka qenë Nafiola Vorfi, e cila i ka dhuruar një tufë me lule. "Ne jemi një grup fëmijësh shqiptarë nga "Shpresa Programme". Ndihemi të lumtur që do të interpretojmë një valle tonën përpara jush", i tha ajo princeshës.
Pa aspak emocion, ata me shumë talent kanë ngjallur kureshtje te të pranishmit, përfshi mbesën e Mbretëreshës Elizabeta II, princeshën Aleksandra, presidente nderi e këtij panairi.E ndërsa fëmijët shqiptarë të lindur në Britaninë e Madhe interpretonin, princesha me kureshtje pyeste bashkëshorten e ambasadorit Robo, zonjën Teuta Robo, rreth tyre. "Princesha Aleksandra u impresionua nga interpretimi, por edhe nga veshjet. Ajo më pyeti se me çfarë merren këta fëmijë në Londër, si dhe për familjet e tyre. Me shaka ajo më tha që gjuha shqipe tingëllon e njëjtë me italishten. Princesha u gëzua shumë kur mori vesh që këta fëmijë kishin udhëtuar nga lindja e Londrës vetëm e vetëm të interpretonin për nder të saj", tha zonja Robo, e cila sikurse vitin e shkuar përgatiti seksionin e Shqipërisë në këtë panair bamirësie, që organizohet nga trupat diplomatike të akredituara në Londër, i cili daton që në vitin 1959.
Panairi
Krahas shumë të veçantave të panairit të sivjetshëm mund të renditet edhe pavijoni shqiptar, i krijuar me aq kujdes nga zonja e parë e shqiptarëve të Anglisë, Teuta Robo, bashkëshortja e ambasadorit të Shqipërisë në MB.
Në katin e dytë të ndërtesës, në krah të Egjiptit, pavijoni me mbishkrimin Albania dukej si mos më mirë.
Le të fillojmë me një sërë ushqimesh të gatuara me mjeshtëri nga gratë e stafit të ambasadës shqiptare në Londër dhe me ndihmën e programit "Shpresa Programme".
Specat e mbushur, pastiço, mish i pjekur, ëmbëlsira, raki, konjak "Skënderbeu", djathëra e deri te gjiza shqiptare ishte menyja që të ofronte pavijoni ynë.
Për shumë veta, Shqipëria deri diku e panjohur ngjallte interes te vizitorët, që pyesnin për përbërjen e ushqimeve. Kishte edhe nga ata që kërkonin të dinin si t‘i gatuanin ato. Seksioni i suvenirëve prodhuar në Shqipëri zinte një vend të veçantë, duke e pasuruar më shumë stendën me prodhime "Made in Albania".
"Megjithëse mundësitë ishin të vogla, ne vendosëm të marrim pjesë në këtë veprimtari bamirësie, si një mundësi për të dhënë kontributin tonë human, njëkohësisht edhe për të promovuar vendin tonë me tradita kaq të vjetra", thotë zonja Robo, e cila gjatë të gjithë kohës qëndronte në këmbë, duke u kujdesur për detajet më të vogla në stendën shqiptare.
Duke folur për gatimin e disa ushqimeve tipike shqiptare, zonja Robo shpjegon qëllimin përse u përzgjodhën të tilla ushqime për këtë panair.
"Dihet shumë pak për ushqimet shqiptare dhe këtë e konsiderojmë si një mundësi të artë për të treguar se sa të pasur e kemi kuzhinën tonë", tha ajo.
Ndërsa për suvenirët, përveç disave të blera në Shqipëri, zonja Robo thotë se ato që janë punime dore u dhuruan për këtë aktivitet nga gratë e shoqatës "Shpresa Programme".
"Fëmijët u ndjenë shumë krenarë që patën mundësi të performonin në këtë eveniment dhe veçanërisht që ata ishin të zgjedhurit për t‘i dhuruar lulet princeshës. Ata janë krenarë që janë shqiptarë dhe duan në çdo moment që të tregojnë vlerat tona më të mira. Princesha e pëlqeu shumë vallen dhe kostumet tona. Ne jemi shumë të kënaqur që përgatitjet tona te ‘Shpresa Programme‘ nuk shkuan kot, shumë shkolla dhe evente tashmë dinë për punën e grupit tonë dhe ne marrim shume ftesa", u shpreh Ermir Disha, koreografi i grupit të valleve në "Shpresa Programme".
Krijoni Kontakt