Dugurd përfaqëson partinë e Sarkozisë dhe është emri më i mundshëm për të drejtuar qytetin e Dijonit

Shaban Sulçe

Quhet Fransua-Ksavier Dugurd. Është kandidat i propozuar nga partia e Presidentit të sapozgjedhur të Francës, Sarkozi, për kryetar të Bashkisë së Dijonit, por për lexuesin shqiptar do të bëhet i njohur dhe i famshëm për origjinën e tij, e cila është pikërisht nga Shqipëria. Origjinë, të cilën edhe vetë kandidati potencial, për të drejtuar një nga bashkitë më të rëndësishme franceze, nuk e mohon. “Po, jam me origjinë shqiptare. Gjyshërit e mi ishin emigrantë të ardhur në Francë nga Shqipëria në fillim të viteve ‘30”. Është ky prezantimi i parë që Dugurd, kandidati për të drejtuar Bashkinë e Dijonit, bën në faqen e tij personale. I lindur më 30 prill të vitit 1961, politikani me origjinë shqiptare do të spikaste shumë shpejt në talentin dhe dëshirën e tij në politikëbërje. Dugurd pranon se dëshira për të hyrë në politikë i lindi që në moshë të re në Liceun Montchapet.

Politikan
I diplomuar në Universitetin e Burgonjës dhe në Institutin e Studimeve Politike në Paris, Dugurd është titullar i një license në të drejtën publike. Eksperiencat e para në politikëbërjen lokale të Dugurd ishin ato të zgjedhjes si anëtar i Këshillit Rajonal të Burgonjës, më pas si drejtor i kabinetit të Dominik Perben në Bashkinë e Chalon sur Saone, pastaj i Loius de Broissa në Këshillin e Përgjithshëm të Cote d’Or. Fransua Ksavier Dugurd e konsideron veten një mbrojtës të zjarrtë të bashkimit të së djathtës me qendrën, ndërkohë që falë këtij pozicioni ai nuk do të nguronte të mbështeste fuqishëm që në fillim të krijimit të saj Partinë Bashkimi për Lëvizjen Popullore, që drejtohet nga presidenti i sapozgjedhur i Francës, Sarkozi. Angazhimi i Dugurd në radhët e kësaj partie bëri që ai të fitonte popullaritet dhe influencë të madhe. Që nga viti 2001, karriera e tij në politikë pësoi arritje të rëndësishme. Më 18 mars të këtij viti, Dugurd do të zgjidhej Këshilltar i Bashkisë së Dijonit në listën e drejtuar nga Jean Francois Bazin. Po këtë vit, u krijua shoqata e opozitës së bashkisë, “Bashkimi për të Ardhmen e Dijonit”, të cilën ai e drejtoi që nga themelimi i saj, e para e këtij lloji në Francë.
Gjatë zgjedhjeve rajonale të 21 dhe 28 marsit 2004, politikani me origjinë shqiptare zgjidhet këshilltar i Përgjithshëm i Cote D’Or, në kantonin e Dijonit VI. Më pas bëhet sekretar i Parë i Këshillit të Përgjithshëm të Cote d’Or dhe zëvendëspresident i parë i Komisionit për Çështjet Sociale. Ky komision menaxhon të ardhurat kryesore të departamentit me më shumë se 200 milionë euro: që nga moshat e kopshtit deri te moshat më të rritura, duke kaluar përmes ndihmës për personat me aftësi të kufizuara dhe ata më të pambrojturit. Dugurd do të spikaste edhe më tej, kur zgjidhet në detyrën e shefit të opozitës në Bashkinë e Dijonit, kur kryeson grupin “Bashkimi për të Ardhmen”. I mbështetur fuqishëm nga partia e presidentit të sapozgjedhur të Francës, Sarkozi, si dhe falë popullaritetit të madh që gëzon, Degurd konsiderohet si kandidatura më e mundshme për të fituar zgjedhjet bashkiake të vitit të ardhshëm.
Kandidat i deklaruar për të zënë vendin e kryetarit aktual të bashkisë, anëtar i Partisë Socialiste të Dijonit, Francois Rebsman, ai boton në fund të vitit 2005 një vepër me titull “Dijon”, ku ai paraqet orientimet e tij për qytetin. Dugurd do të bënte bujë në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak për insistimin e tij për realizimin e programit shumë ambicioz, që mbështet kandidaturën e Dijonit për ta bërë Kryeqytetin Europian të Kulturës për vitin 2013. “Dje, në mungesë të reagimit të Bashkisë së Dijonit mbi këtë dosje, Fransua -Ksavier Dugurd ka përsëritur edhe një herë gjatë një konference për shtyp thirrjen: “Topi është në fushën e kryetarit të Bashkisë së Dijonit dhe koha kalon”. Ai ka saktësuar gjithashtu se ky projekt, me interes të përgjithshëm sipas këndvështirmit të tij, ka marrë mbështetje nga ana e shumë aktorëve të Dijonit, qofshin këta kulturorë, ekonomikë, por edhe institucionalë. Bashkia nuk m’u përgjigj. Kjo kandidaturë nuk mund të realizohet pa të. E kam të vështirë ta kuptoj. Këshilli i Përgjithshëm saktësoi në thelb se thjesht kishte bërë një punë përgatitore. Ky projekt duhet të jetë krijues dhe të bashkojë disa linja politike. I takon bashkisë ta marrë në dorë. Unë thjesht propozoj ndihmën time. Dijoni ka mjete të shumta, burime kulturore të jashtëzakonshme, trashëgimi, njerëz të njohur, ndërtesa, një histori, një pozitë gjeografike të privilegjuar, një hapje ndaj Europës së lashtë dhe është aktiv”, - thuhej në një nga gazetat e përditshme franceze.

Familja

Fransua-Ksavier Dugurd është i martuar dhe me katër fëmijë. Së bashku me bashkëshorten e tij Katerinën, Dugurd drejton një sipërmarrje të suksesshme në fushën e agroushqimit. Gjithashtu drejton një shoqatë me 605 anëtarë në Dijon, që janë pjesë e federatës bashkiake. Dugurd në prezantimin e tij në faqen personale tregon edhe pasionet dhe hobet e tij. “Kur kam kohë të lirë nga aktivitetet profesionale dhe ato politike, kam përparësi familjen time, leximin, kinemanë, të ecurin në këmbë dhe thellimin e njohurive për qytetet e Francës dhe ato të huaja….dija s’ka fund”, - thotë politikani me origjinë shqiptare.

Shqiptarë të tjerë të famshëm në Francë

Sigurisht që Dugurd nuk është shqiptari i parë që bëhet i famshëm në Francë. Personalitete të shumta shqiptare kanë spikatur në këtë vend, duke fituar me meritë vlerësimin dhe mbështetjen e popullit francez në fusha të ndryshme, si në sport, kulturë, letërsi, muzikë, shkencë etj. E para që do të bënte të njohur Shqipërinë në opinionin francez ishte sopranoja e famshme Tefta Tashko Koço. E lindur në Fajum të Egjiptit, sopranoja lirike filloi studimet për kanto në Francë në vitin 1927, në Montpelje. Në vitin 1930, ajo vazhdoi në Paris Institutin e Lartë të Muzikës, ndërkohë që gjatë viteve 1931-1932 ajo mori pjesë në konkurset e organizuara nga Konservatori i Parisit nga “Opera Komike, ku debutoi me rolin e Baterflait dhe u vlerësua për cilësitë e saj vokale-interpretative.
Një tjetër shqiptar, po aq i famshëm në Paris, është edhe shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare. I lindur në qytetin e Gjirokastrës, i diplomuar në Institutin “Gorki” të Letërsisë Botërore në Moskë, Kadare do të shpërngulej në Paris në fillim të viteve ’90-të. Shkrimtari ynë i njohur gëzonte popullaritet të madh në Francë për veprat e tij të famshme, të cilat ishin përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Kadare do të tërhiqte vëmendjen e medias franceze për intervistat e tij në lidhje me ngjarjet politike në Shqipëri, për angazhimet e tij në botën letrare si dhe për kandidaturën e tij për çmimin “Nobel”. Vlerësimi i francezëve ndaj figurës së Kadaresë është edhe përfshirja e tij në Akademinë Franceze të Shkencave Morale.
Një tjetër soprano e famshme shqiptare, me famë jo vetëm në Paris, por edhe në të gjithë botën, është artistja Inva Mula, e cila jeton prej shumë vitesh në Francë. E lindur në Tiranë në vitin 1963, Inva Mula kur ishte vetëm 30 vjeçe do të fitonte çmimin “Operalian” e parë të Plaçido Domingos në Paris. Gjatë karrierës së saj ajo ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastilles në Paris. Në vitin 1996 mori pjesë në operën “Medee” të Luigi Cherubini-t në Francë. Në vitin 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i pestë” në 1997-n i jep zërin këngëtares në rol, Lucia di Lammermoor, në skenën "The Diva Dance". Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizet-it në Paris. Në 2007-n, ajo do të luajë “Norine”-n e parë në “L'elisir d'amore” në Toulouse të Francës. Tedi Papavrami do të bëhej i famshëm në Francë përpara viteve ‘90-të, kur në një moshë shumë të re do të spikaste në Paris. Në vitin 1982, pas një ftese të Alain Marion, ai do të kryente një performancë të jashtëzakonshme në shfaqjen e tij. Papavrami do të kryente studimet e larta në shkollat më të famshme franceze të muzikës dhe falë talentit dhe punës së tij do të kthehej në një nga violinistët më të famshëm në Francë. Anxhelin Prelocaj është një tjetër balerin dhe koreograf i famshëm në Francë, ku me meritë ka arritur të fitojë vlerësimin e artdashësve francezë për talentin dhe pasionin e tij në këtë fushë. Një tjetër shqiptar që ka “çmendur” francezët është futbollisti kosovar Lorik Cana, i cili aktivizohet me skuadrën e Olimpikut të Marsejës. Cana gëzon një popullaritet të madh në radhët e kësaj skuadre, pas edhe një eksperience shumë të suksesshme në radhët e Paris SG, skuadër me të cilën po me aq bujë u aktivizua disa vite më parë mesfushori i ekipit tonë kombëtar Edvin Murati.

gazeta-albania