Gjatë një interviste dhënë për një nga kanalet televizive shqiptare, “NEWS 24”, një prej njerëzve më të pasur shqiptar, miliarderi kosovar Bexhet Pacolli, rrëfen mbi mashtrimin që është bërë me aksionet e kompanisë “ALSAT”. Intervista në gazetën “Albania” po botohet e plotë dhe në mënyrë integrale, me qëllim që të konfirmojë materialet origjinale, të cilat po botohen duke e treguar më real këtë skandal. Në intervistë, miliarderi Pacolli tregon se si ai ka konstatuar të gjitha abuzimet e bëra në kompaninë dhe Televizionin ALSAT.
Zoti Pacolli, ju jeni pronari i 70 për qind të aksioneve të Televizionit ALSAT. Ndërkohë, emri juaj nuk rezulton si pronar pranë KKRT-së. Ju keni bërë ankimim pranë KKRT-së në nëntor të vitit 2006, duke kërkuar regjistrimin e emrit tuaj pranë KKRT-së si pronar i ALSAT-it. Deri tani nuk është regjistruar ende emri juaj në listën e KKRT-së. Përse?
Është e vërtetë dhe këto gjëra nuk mund të ndodhin në një vend demokratik dhe aq më tepër në një vend që kërkon të bëjë pjesë në këto vende. Që nga gushti i vitit 2005 jam unë pronar i Televizionit ALSAT. Kam paguar mjetet, kam lenë që televizioni në mirëbesim të menaxhohet nga menaxheri i atjeshëm. Kam bërë çdo gjë që ata ta drejtojnë me mjete të civilizuara.
E dini që KKRT-ja ka detyrim ligjor që pas 15 ditëve që emri juaj shënohet në Regjistrin Tregtar duhet të bëjë regjistrimin e emrit tuaj në listën e saj. Cila ka qenë përgjigjja e KKRT-së për mosregjistrimin e emrit tuaj në listë?
Unë e kam ditur vetëm vonë që emri nuk ishte shënuar. Kemi shkuar dhe deri tani kjo gjë nuk është bërë. Kush është mbrapa, nuk e di. Emri në Regjistrin Tregtar është shënuar se 70 për qind të aksioneve janë të miat. Nuk e di, kjo është një sindromë që duhet të sqarohet dhe të bëhet regjistrimi i emrit në KKRT.
Mendoni se është një vendim i qëllimshëm i KKRT-së ndaj kërkesës që ju keni bërë?
Nëse shihen si kanë shkuar gjërat, duhet thënë se KKRT-ja po bën një gjë të qëllimshme. Për arsyen se, siç e dini, unë kam humbur tri gjyqe që janë bërë nga menaxherët e ALSAT-it. Kjo gjë është absurde dhe ky vendim ka mbetur në fuqi. Është bërë me ndihmën e organeve qeveritare. Janë deformuar disa gjëra me qëllim nga menaxherët e ALSAT-it në mënyrë të paligjshme.
Si ka evoluar historia, që ka çuar deri në blerjen e ALSAT-it?
Sigurisht, unë ALSAT-in e kam blerë me një qëllim: që të bëj ndërlidhjen e kombit tonë me këdo qoftë dhe kudo qoftë, sidomos asaj të diasporës me vendin. Duke u menduar se kisha të bëja me një shtet ligjor, kam vepruar në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kam bërë pagesë korrekte dhe kam paguar të gjitha shpenzimet. Por, pas një viti pune, pashë se diçka nuk ecte dhe janë deformuar disa gjëra, kam kërkuar ndryshim në menaxhimin e ALSAT-it, por kjo gjë nuk është bërë e mundur sepse ka qenë pas qeveria.
Konkretisht, në cilat organe keni hasur pengesa veç KKRT-së?
Pengesa kanë qenë gjithkund, në çdo institucion dhe jo vetëm në KKRT, por ajo që është hasur më shumë ka qenë pengesa në Ministrinë e Drejtësisë. Zëvendësministri i Drejtësisë e ka bërë në favor të së padrejtës.
Mendoni se ka standarde të dyfishta të qëndrimit që KKRT-ja mban ndaj një medieje?
Absolutisht. E konfirmoj dhe e rikonfirmoj plotësisht pa asnjë dyshim. Ashtu është.
Keni bërë një investim kaq të madh në Shqipëri. Jeni penduar për këtë gjë pas pengesave të shumta që keni hasur si nga KKRT-ja dhe nga Ministria e Drejtësisë?
Absolutisht, sepse është një pengesë e cila duhet të tejkalohet. Dhe populli shqiptar nuk duhet të merret me gjëra të vogla. Duhet t’u shkojmë gjërave deri në fund dhe t’i lëmë këto gjërat e vogla, por të shikojmë përpara.
Si do të veproni me KKRT-në, e cila refuzon kërkesën tuaj për të bërë regjistrimin e emrit tuaj si pronar i ALSAT-it?
Do të marrim rrugën ligjore deri në fund dhe gjërat do të dalin në shesh. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që një gjë që nuk është e juaja nuk mund të bëhet e juaja. Pra dhe kjo e vërtetë do të bëhet publike.
Pra ju do të ndërmerrni një gjyq ndaj KKRT-së?
Pasi të përfundojmë këtë proces në të cilin jemi, do të bëjmë një gjyq ndaj KKRT-së.
Marrë nga NEWS 24
Krijoni Kontakt