Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Kastriotët me Dardaninë

    Nga: Kasem BIÇOKU

    Burimet historike kanë të dhëna të pakta për praninë e Kastriotëve në Dardani. Ato janë të drejtpërdrejta dhe, më të shumtat, të tërthorta, të dhëna këto që nuk janë vlerësuar në studimet historike. Për këtë do të përmend dy dokumente të botuara shumë kohë më parë (tërësisht njëri dhe me shkurtime i dyti), me përmbajtjen e të cilëve janë njohur më parë se unë edhe shumë historianë të tjerë. Ato kanë të bëjnë me taksat doganore që paguheshin në rrugën tregëtare që lidhte bregdetin me Dardaninë dhe që kalonte nëpër zotërimet e Gjon Kastriotit.

    Dokumenti i parë është një letër e Gjon Kastriotit e 25 shkurtit të vitit 1420. Në të është treguar se, duke u nisur nga përëndimi për në lindje, zotërimet e Gjon Kastriotit shtriheshin nga Shufadaja, që ishte port dhe qendër doganore e Gjon Kastriotit në grykëderdhjen e lumit Mat, dhe arrinin deri në Prizren. Ky qytet e vendkryqëzim rrugësh ndërkrahinore shumë të rëndësishme është treguar nga vetë Gjon Kastrioti se ka qenë në zotërim të tij. Rrjedhimisht edhe treva e Prizrenit ka qenë në zotërimin e Kastriotëve, d.m.th. pjesa jugore e Rrafshit të Dukagjinit të sotëm dhe malësia e Sharrit. Në një dokument tjetër, i vitit 1426 , po nga Gjon Kastrioti dëshmohet se krahina e Rekës, rrejdhimisht edhe ana jugore e Sharrit, ka qenë në zotërim të tij.

    Se deri ku ishte shtrirja lindore e zotërimeve të Kastriotëve në rrugën Prizren-Prishtinë e tregon me përafërsi një dokument i 13 shtatorit të vitit 1430. Dokumenti është shkruar pasi ushtritë osmane kanë shtypur kryengritjen e Gjon Kastriotit dhe kur një pjesë e zotërimeve të tij në Dardani kishin kaluar në duart e pushtuesve. Në të janë shënuar porositë për ambasadorët raguzianë që do të shkonin te komandanti osman i Shkupit dhe te sulltani. Ndër të tjera ambasadorët janë porositur që, kur të arrinin në Prishtinë, të pyesnin për taksat doganore që "paguhen nëpër vendin që ka qenë i Gjon Kastriotit deri në Lezhë". Dokumenti ka një të dhënë shumë të rëndësishme. Ai tregon se banorët e Prishtinës i njihnin taksat doganore që ishin paguar nëpër vendin e Gjonit.

    Nga Prishtina deri në Prizren sot janë 76 km rrugë automobilistike. Të dy këto qytete janë ngritur rrëzë maleve dhe në anë të dy fushave të gjëra e pjellore. Fushat janë ndarë midis tyre prej një treve kodrinore e malore me gjerësi rreth 28 km dhe që është më afër Prizrenit (20 km) se Prishtinës (28 km). Gjithashtu si qytet mesjetar Prizreni ka qenë më i rëndësishëm se Prishtina. Rrjedhimisht edhe treva malore midis këtyre dy qyteteve ka qenë e lidhur më shumë me Prizrenin edhe për shkaqe ekonomike, për kripë e mallra të tjera që vinin nga trevat bregdetare dhe nëpërmjet Prizrenit kalonin në drejtim të viseve lindore. Me Prizrenin ka qenë e lidhur ngushtësisht edhe treve e Tetovës e më gjerë, prandaj ato kanë qenë përfshirë në të njëjtën njësi administrative të kishës katolike.

    Nëpërmjet të dhënave të tërthorta të burimeve historike arrihet në përfundimin se, krahas trevës së Prizrenit, Gjon Kastrioti ka zotëruar edhe trevën kodrinore që ndante fushën përëndimore të Dardanisë nga fusha lindore e saj, si edhe rrugën që lidhte Prizrenin me Tetovën. Lidhjet historike ndërkrahinore, interesat ekonomike të banorëve të zotërimeve të tij dhe lidhjet familjare bënë që Gjon Kastrioti të martohej me Vojsavën, në zotërimin familjar të së cilës ishte Pollogu, trevë që, sipas M. Berlecit, kufizohej me qytetin e Shkupit. Të njëjtat motive e shtynë Gjon Kastriotin që vajzën e parë të tij, Marën, ta martonte me sundimtarin e Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin) . Nëpërmjet kësaj martese Gjon Kastrioti dhe dhëndri i tij zotëronin Udhën e Gentës, që lidhte bregdetin me Dardaninë. Qytetet bregdetare, si Kotorri etj., furnizoheshin me drithë prej Gjon Kastriotit. Në tetor të vitit 1413, kur ai, fëmijët dhe trashëgimtarët e tij u bënë "qytetarë venecianë", Venediku e ka cilësuar Gjon Kastriotin, "sundimtar në viset e Bosnjës". Në një dokument tjetër venecian është shënuar se zotërimet e tij ishin kufitare me Shkodrën dhe Lezhën . Kjo dëshmon se zotërimet e tij shtriheshin në Shqipërinë e Epërme, e cila në Mesjetë kufizohej në veri me Bosnjën. Disa muaj më parë, në mars të vitit 1413, Gjon Kastrioti ishte bërë edhe qyetetar i Raguzës, qytet-shtet që kishte interesa të veçantë ekonomikë në Dardani, ku jetonin edhe tregtarë raguzianë. Jeta politike në Dardani u decentralizua në fund të shek. XIV me rënien e Balshajve dhe pas vdekjes së sundimtarit të trevave lindore të saj, Vukë Brankoviçit. Prandaj në mes të shek. XV Dardania Lindore u regjistrua prej osmanëve me emrin "vilajeti i Vukut". Kjo dëshmon se Dardania Përëndimore nuk ka qenë nën pushtetin e Vukë Brankoviçit dhe se, që nga fundi i shek. XIV dhe deri me pushtimin osman të shek. XV Dardania Lindore nuk është qeverisur prej një sundimtari të vetëm, por ka qenë e ndarë midis disa sundimtarëve, emrat e të cilëve kanë mbetur të panjohur.

    Zotërimet kryesore të Gjon Kastriotit kanë qenë në trevat lindore, prandaj ai ka bërë përpjekje të mëdha për të pasur dalje në det . Që në fillim të shekullit XV kjo dalje ka nisur me Shufadanë në grykëderdhjen e lumit Mat dhe është vijuar me përpjekjet pët t'u shtrirë drejt veriut. Në vitin 1410 Gjon Kastrioti ka kërkuar të kishte banesë në Ulqin , të cilën e ka siguruar, sepse në vitin 1469 gruaja dhe djali i tij kanë qëndruar në këtë qytet gjatë rrugës së emigrimit të tyre në Itali . Më pas edhe një nip i tij ka qëndruar po në këtë qytet. Në vitin 1417 nuk u pranua kërkesa e Gjon Kastriotit për të ndërtuar një kështjellë pranë Shkodrës, në Barbullush. Edhe martesa e vajzës së parë të tij, Marës, me Stefan Gjurashin, siç u tha më sipër, dëshmon se interesat politikë dhe ekonomikë të Gjon Kastriotit fillimisht ishin të lidhur me Shqipërinë e Epërme.

    Përdorimi kryesisht i sllavishtes, si gjuhë e shkruar prej kancelarisë së Gjon Kastriotit, dhe emrat vetjakë të fondit në gjuhën sllave të kishës, që kishin disa prej fëmijëve të tij, dëshmojnë se zotërimet kryesore të Kastriotëve dhe qendra administrative e tyre ka qenë në trevat ku si gjuhë kryesore kishtare dhe e shkruar është përdorur sllavishtja.

    Shqyrtimi i burimeve historike dhe njohja e jetës së formacioneve shtetërore shqiptare gjatë shekujve të Mesjetës dëshmojnë qartë se veprimtaria kryesore e dinastive shqiptare, ashtu si kudo në botë, ka qenë zotërimi i qyteteve, ku edhe është formuar aristokracia shqiptare, ashtu si edhe ajo te popujt e tjerë të Perandorisë Bizantine. Ajo lindi dhe u fuqizua si aristokraci e administratës bizantine. Prandaj si simbol kryesor pushteti, edhe pas shembjes së Perandorisë Bizantine, shumë prej sundimtarëve shqiptarë kanë pasur simbolin e pushtetit perandorak, shqiponjën dykrenore. Krahas përdorimit të shqiponjës dykrenore, edhe prejardhja e emrit familjar të Heroit tonë Kombëtar dëshmojnë se paraardhësit e tij kanë qenë funksionarë të lartë të administratës bizantine.

    Për dinastitë shqiptare, që kishin zotërime në bregdet, dokumenet kanë të dhëna për qytetet bregdetare që ato zotëronin, por mungojnë të dhënat për jetën dhe administrimin e qyteteve larg bregdetit.

    Dëshmia shumë e rëndësishme e vitit 1420 e Gjon Kastriotit për Prizrenin, si qytet i përfshirë në zotërimet e tij, nuk është vlerësuar prej atyre që e kanë shkruar historinë tonë kombëtare me paragjykime. Prizreni, si vendkryqëzim rrugësh, ka qenë i përshtatshëm dhe është përdorur si qendër administrative e shteteve mesjetare dhe, më pas, e administratës provinciale osmane. Duhet pranuar se edhe fraza e shkruar prej Gjon Kastriotit se zotërimet e tij shtriheshin "nga Shufadaja deri në Prizren" duhet interpretuar se ky qytet ka qenë qendra administrative e shtetit të tij.

    Prizreni është bërë qendër administrative e Gjon Kastriotit me rënien e Balshajve në fund të shek. XIV dhe jo më vonë se fillimi i shek. XV. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV Prizreni ka qenë në zotërimin e Balshajve, me të cilët Kastriotët kanë qenë kushërinj. Pas fitores së Kryengritjes çlirimtare të nëntorit të vitit 1443, Skënderbeu ka deklaruar se "ishte pasardhës i Balshajve dhe donte vendet e tyre" . Jo më pak pretendues për trashëgiminë e Balshajve ka qenë më parë edhe i ati i Heroit tonë Kombëtar, Gjon Kastrioti. Bashkëpunimi me Balshajt e ka fuqizuar Gjonin dhe rënia e tyre ka ndikuar që ai të zgjeronte zotërimet e tij me trevat që ata humbën. Këtë zgjerim e ka favorizuar edhe dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Osmane prej disfatës që mongolët i shkaktuan në Ankara në vitin 1402. Gjon Kastrioti zgjerohet në drejtim të viseve bregdetare dhe që në vitin 1406 ai shfaqet për herë të parë në dokumentet veneciane dhe raguziane si një partner i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetet e huaja , ambasadorët e tij shkonin në vendet e huaja dhe ambasadorët e tyre vinin pranë tij. Ndërkohë nga kancelaritë e huaja ai është cilësuar si "zot shumë i fuqishëm", "i madhërueshëm" etj. Pushteti dhe ndikimi i tij ishin të fuqishëm, prandaj në vitin 1408 Gjon Kastrioti u bë garant i paqes që u nënshkrua në rrethinat e Durrësit midis Venedikut dhe Balshajve . Këto të dhëna të fillimit të shek. XV, kohë kur ka lindur edhe Heroi ynë Kombëtar, dhe shumë të tjera më të vonshme janë të mjaftueshme për të treguar se në atë kohë selia e Gjon Kastriotit, rrjedhimisht edhe vendlindja e Heroit tonë Kombëtar, nuk ka qenë në një fshat të thellë, por në një qytet, ku kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme ndërkrahinore, që lehtësonin komunikimin brenda vendit dhe me shtetet e huaja.

    Shqipëria e Epërme ka pasur rëndësi të veçantë për Gjon Kastriotin dhe dhëndrin e tij, Stefan Gjurashin. Këto interesa binin ndesh me ato të despotëve serbë të Rashës, të cilët kanë luftuar me ashpërsi për të pasur dalje në bregdetin shqiptar. Lufta qe e suksesshme për shqiptarët. Despotët serbë nuk siguruan dalje të qëndrueshme në Detin Adriatik, në vitin 1428 u larguan drejt veriut dhe e zhvendosën kryeqytetin e tyre në lindje të Beogradit, në Smederevë. Këto rrethana favorizuan sundimtarët shqiptarë të forconin pozitat e tyre në Shqipërinë e Epërme dhe në Dardani.

    Për shtrirjen e zotërimeve të Gjon Kastriotit mund të flitet me përafërsi. Sipas një dokumenti të vitit 1430, i hartuar pas shtypjes së Kryengritjes së Gjon Kastriotit, osmanët ia rrënuan të gjitha kështjellat, me përjashtim të dy kështjellave që ishin vënë nën kontrollin e tyre. Pas kësaj ata ia kishin rikthyer zotërimet Gjon Kastriotit me përjashtim të një pjesë që ia kishin dhënë komandantit osman të Shkupit, Isak Beut. Përcaktimi i pjesës së Isak Beut mund të bëhet vetëm si supozim. Ajo duhet të ketë qenë Pollogu i sotëm, si trevë ku një ushtri e nisur nga Shkupi mund të futej më lehtë se sa në Kosovën e sotme.

    Sipas këtij dokumenti osmanët janë treguar tolerantë me Gjon Kastriotin. Shkaku kryesor i këtij qëndrimi ka qenë në fuqinë reale të Kastriotëve. Në një letër të vitit 1430, sanxhakbeu i Sanxhakut Shqiptar, Mustafai, ka shprehur frikën që kishte prej Skënderbeut. Me kërkesën e këtij, sanxhakbeu kishte miratuar kërkesën që Skënderbeu të merrte zeametin e Misjes (Ishmit) dhe u kërkonte organeve qendrore të Perandorisë që zeameti të mos i jepej.

    Në vitin 1411 Gjon Kastrioti ka treguar se ai kishte në gatishmëri luftarake "dy mijë kalorës shqiptarë dhe tre qind kalorës turq" . Kjo e dhënë dëshmon se Gjon Kastrioti kishte një forcë ushtarake të konsiderueshme dhe se në atë kohë ai ishte në marrëdhënie të mira me osmanët, aq sa trevat lindore të shtetit të vet i ka qeverisur si funksionar osman. Herë pas herë vetë Gjon Kastrioti është shprehur se ishte vasal i sulltanit. Një ushtri prej 2.300 kalorësish mund ta mbante në gatishmëri luftarake vetëm një sundimtar me fuqi ekonomike e politike të konsiderueshme dhe ajo ishte shumë më e madhe se ushtria e një sanxhaku.

    Pasi nënshtruan Gjon Kastriotin në vitin 1430, osmanët bënë edhe regjistrimin kadastral të trojeve të qeverisura prej tij, duke i përfshirë ato në një regjistër të veçantë. Ky regjistër është përmendur në një dokument të vitit 1438, është emërtuar "Juvan-ili" (tokat e Gjonit) dhe si pjesë e tij është përmendur "vilajeti i Dhimitër Jonimës" . Sipas regjistrave kadastralë të shek. XV, vilajetet kishin madhësinë e një krahine dhe të disa krahinave. Në regjistrin kadastral të vitit 1455 ish-zotërimet e Vukë Brankoviçit janë emërtuar "Vilajeti i Vukut" (Defter-i Vilayet-i Vlk), që ishte formuar prej 8 krahinave (nahijeve). Duhet pranuar se në krahasim me "vilajetin e Vukut", "Juvan-ilia", pra shteti i Gjon Kastriotit, në fillim të shek. XV ka pasur shtrirje gjeografike shumë më të madhe se shteti i Vukë Brankoviçit, kur, prej vdekjes së tij, u shemb në fund të shek. XIV.

    "Kopja e përmbledhur e regjistrit të vilajeteve të Jeliçes, Zveçanit, Hodidjedës, Sjenicës, Rashës, Shkupit, Tetovës dhe e vendeve që u përkasin atyre" , i hartuar nga 5 deri më 18 maj të vitit 1455, ka të dhëna me shumë interes që dëshmojnë se nga koha e hartimit të tij deri në fund të viteve 60 të shek. XV këto treva kanë qenë të lidhura dhe nën ndikimin e fuqishëm të luftës antiosmane të Skënderbeut.

    Shpërthimi në Shqipëri i kryengritjes antiosmane në nëntor të vitit 1443 është nxitur edhe prej rrethanave të favorshme ndërkombëtare, që u krijuan në fillim të viteve 40 të shek. XV.

    Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan "Fushatën e Gjatë" që zgjati deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit armik. Vetë Huniadi ka shkruar ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbën, serbë, boshnjakë" .

    Beteja u zhvillua më 3 nëntor të vitit 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve osmane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit të vitit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaji, më 5 janar të vitit 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444 ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.

    Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit të vitit 1443, ka qenë edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit të vitit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu i gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën për në atdhe.

    Gjatë kthimit nga Nishi rruga natyrshëm e solli Skënderbeun në Fushë-Dardani. Forcat osmane ishin larguar nga Kosova e sotme pas disfatën që pësuan në Nish. Skënderbeu ka vijuar udhën drejt zotërimeve familjare në kushtet e një dimri shumë të ashpër dhe në qytetin e Prizrenit duhet të ketë qëndruar gjatë për të riorganizuar pushtetin dhe mbrojtjen e vendit. Prej këtu ai ka marrë rrugën e Tetovës për të arritur në Dibrën e Poshtme (Pollogu i sotëm) dhe ka përforcuar grykat e saj për të penguar kalimin e trupave osmane drejt fushës. Në pjesën lindore të zotërimeve familjare Skënderbeu ka qëndruar dy-tri javë. Pastaj ka marrë rrugën drejt viseve përëndimore dhe çliroi Krujën e kështjellat e tjera pranë saj. Pas kësaj ai u rikthye në viset lindore për të çliruar Dibrën e Sipërme dhe kështjellën më të rëndësishme të saj, Sfetigradin.

    Regjistri kadastral osman i vitit 1455 ka të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë se Dardania në përgjithësi dhe sidomos Dardania Përëndimore ka qëndruar jashtë kontrollit osman .

    Trevat shqiptare të çliruara në nëntor të vitit 1443 shtriheshin gjeografikisht afërsisht po në atë hapësirë që kishte arritur shteti i Balshajve gjatë viteve 70-80 të shek. XIV. Prandaj Skënderbeu ka thënë gjatë ditëve të Kryengritjes së Përgjithshme çlirimtare se ishte "pasardhës i Balshajve dhe donte vendet që kishin qenë të tyre".

    Në fillim të vitit 1445 Skënderbeu së bashku me vëllain e vet, Stanishën, i kërkoi Venedikut që të merrte me qera doganat e zotërimeve veneciane në trojet shqiptare . Në këtë mënyrë synohej që të qarkullonin mallrat lirisht nga bregdeti veriperëndimor shqiptar në viset lindore shqiptare, në Dardani, dhe anasjelltas. Kjo kërkesë atëherë u refuzua. Në mosmarrëveshjet e mëpasme që çuan në konflikte të armatosura midis Venedikut dhe Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe e drejta e shqiptarëve për të zotëruar pjesën përëndimore të Udhës së Gentës.

    Përpjekjet osmane për ripushtimin e Dardanisë kanë filluar në vitin 1454 me rrethimin e Novobërdës, të cilën e pushtuan më 1 qershor të vitit 1455. Pas dy javësh kampi i ushtrisë osmane ndodhej në fshatin Reçan të Prizrenit, por këtë qytet dhe Pejën nuk i mori dot. Në fillim të vitit 1456 osmanët pushtuan përkohësisht Medunin.

    Për të mbajtur viset e lira shqiptare nën goditje ushtarake të pandërprerë, sulltan Mehmeti II gjatë rrethimit të Novobërdës krijoi një njësi administrativo-ushtarake të veçantë, që kishte afër 240 hase e timare përgjithësisht të mëdha dhe i shënoi në një regjistër kadastral më vete. Në të u përfshinë trevat e Gostivarit e të Tetovës, të Kaçanikut bashkë me një pjesë të Shkupit, të Dardanisë Përëndimore (pa qytetet e Prizrenit e të Pejës, sepse osmanët nuk kishin mundur t'i pushtonin), të Zveçanit (Mitrovicës), të Plavës e të Gucisë, të Jeliçes (Sanxhaku) etj., si edhe një pjesë e Bosnjës Jugore.

    Me këtë organizim të veçantë, që nuk zgjati as dy vjet u synua të shkëputeshin e të nënshtroheshin viset periferike lindore e veriore shqiptare, që ishin të lira dhe nën kontrollin e Skënderbeut e të fisnikëve të tjerë shqiptarë. Ato iu dhanë Isa Beut, që ky të vepronte energjikisht për zotërimin e tyre. Zeameti i Isa Beut prej rreth 150 fshatrave shtrihej në të gjitha krahinat. Njësia ushtarako-administrative e krijuar në vitin 1455 nuk qe efikase. Për nënshtrimin e banorëve të saj është përdorur ushtria, si në vitet 1458, 1459 dhe 1463.

    Skënderbeu ka qenë gjithnjë i pranishëm në Dardani. Në fillim të muajit shtator të vitit 1464 ai i nisi trupat e veta në drejtim të Sjenicës dhe u ndesh me trupat osmane, të cilat i shpartalloi. Udhëtimi për në Sjenicë (në veriperëndim të Pazarit të Ri) bëhej duke kaluar nëpër Rrafshin e Dukagjinit të sotëm. Prandaj edhe gjatë vitit 1464 Dardania Përëndimore është kontrolluar prej Skënderbeut.

    Studimi i thelluar i burimeve historike ka për të nxjerrë të dhëna gjithnë e më të shumta që do të ndriçojnë edhe më mirë lidhjet e ngushta që kanë pasur Kastriotët me Dardaninë.
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Άγιος Ειρηναίος της Λυών Maska e Seminarist
    Anëtarësuar
    10-05-2002
    Postime
    4,982
    Citim Postuar më parë nga Davius
    Nga: Kasem BIÇOKU
    Përdorimi kryesisht i sllavishtes, si gjuhë e shkruar prej kancelarisë së Gjon Kastriotit, dhe emrat vetjakë të fondit në gjuhën sllave të kishës, që kishin disa prej fëmijëve të tij, dëshmojnë se zotërimet kryesore të Kastriotëve dhe qendra administrative e tyre ka qenë në trevat ku si gjuhë kryesore kishtare dhe e shkruar është përdorur sllavishtja.

    Shqyrtimi i burimeve historike dhe njohja e jetës së formacioneve shtetërore shqiptare gjatë shekujve të Mesjetës dëshmojnë qartë se veprimtaria kryesore e dinastive shqiptare, ashtu si kudo në botë, ka qenë zotërimi i qyteteve, ku edhe është formuar aristokracia shqiptare, ashtu si edhe ajo te popujt e tjerë të Perandorisë Bizantine. Ajo lindi dhe u fuqizua si aristokraci e administratës bizantine. Prandaj si simbol kryesor pushteti, edhe pas shembjes së Perandorisë Bizantine, shumë prej sundimtarëve shqiptarë kanë pasur simbolin e pushtetit perandorak, shqiponjën dykrenore. Krahas përdorimit të shqiponjës dykrenore, edhe prejardhja e emrit familjar të Heroit tonë Kombëtar dëshmojnë se paraardhësit e tij kanë qenë funksionarë të lartë të administratës bizantine.


    Keto merrini si referenca te ortodoksise se Kastrioteve. Kasem Bicoku mbahet si i specializuar per periudhen kohore te Kastrioteve, aq sa Paskal Milo e perdori si argument kete ne debatin mbi 28-29 Nentorin, duke i thene "shko e merru me Skenderbeun ti, se per te je specializuar".

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Arcas
    Anëtarësuar
    10-11-2005
    Postime
    162
    Patjetre o Seminariste, kushdo qe shpalle orthodoksine e kujtdo personi eshte i specializuare, ndersa ai qe hedh te tjera fakte eshte heretike.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,636
    Ju lutemi, ti kthhemi pakez mbrapa ketijë vezhgimi....
    Me e keqja është se neve jemi mesuar qe te marrim referanca apo burime te çdo lloji pa i filtruar fare....
    Si per shembelll, serbet cekin ne shumten e rasteve se kosova ishte e tyre !
    Nje reporter njehere ua shtroje pyetjen banorve serbe te kosoves duke i pyetur se ku ishin shqiptaret ne ate kohe kur serbet erdhen nga rusia...
    Ai serbi tha ; shqiptaret ishin barinje malesh...
    Kjo perputhet me se miri me perfundimin me te mirë qe nxori shkrimtari yn Ismail Kadare qe tha; si eshte e mundur qe serbet e kan vrejtur kete fushe pjellore qe nga rusia e largët e shqiptaret qe jetonin aty afer nuk e kan vrejtur kete begati ?
    Prandaje, është tejet e thjeshte te mendohet se perse edhe sot i tere rrafshi i kesaje fushes perendimore te kosoves quhet rrafshi i Dukagjinit !

    Desha te them se rrethe ketyre temave ne lidhje me sllavet as qe duhet diskutuar... e njejta pytje do ishte nese shtrohej per indianet e amerikes se mos europianet kishin nje teb drejtë kur erdhen aty....
    Logjikoni pakez, serbo-ruset ishin ne keto treva vetem 150 vite dominimi....

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu
    Nga Arbushi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 434
    Postimi i Fundit: 18-09-2022, 06:57
  2. Onomastikë - Etniku dardan dhe horonimi Dardania
    Nga Shën Albani në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 55
    Postimi i Fundit: 20-03-2009, 13:30
  3. Mirdita, një vatër e qëndresës antiosmane
    Nga Jamarber në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 211
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 17:39
  4. Nga Iliret deri tek Shqiptaret!
    Nga tani_26 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 06-03-2007, 21:53
  5. Emri ynë Dardan dhe krahina jonë Dardani
    Nga dodoni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 16-08-2004, 19:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •