Jemi shqiptarë, a e njohim Shqipërinë?
Eleni Karamitri
14-05-2007-shekulli
Nga të rrallat raste që një guidë shqiptare e antropologëve të huaj në Shqipërinë e viteve ‘30, boton një libër udhëtimi për atdheun e tij. Është e kundërta modës së asaj kohe, kur të huajt shkruanin për Shqipërinë duke e parë së jashtmi. Është po aq e rrallë që “Përmes Mirditës në dimër” me autor Stavre Frashërin është sot një libër biblioteke i përkthyer anglisht dhe i botuar nga Columbia University Press, New York
Historikisht, trevat e Veriut të Shqipërisë kanë ngjallur interesim dhe kanë qënë kurdoherë burim informacioni dhe ushqim shpirtëror e shkencor për albanologët, historianët, letrarët, etnologët e antropologët. Për shumë studiues të huaj e shqiptarë këto krahina janë paraqitur si thesare që, sa herë janë zbuluar, kanë qënë befasuese për të veçantat e tyre. Shkrimet e dokumentuara të këtyre studiuesve janë dëshmi e vlerave që kanë nxitur dëshirën për kërkime në Shqipëri.
Në këtë vështrim, nuk vjen i çuditshëm udhëtimi më 1929-ën i antropologut të njohur, profesorit amerikan Carlton Coon*, i cili zgjedh pikërisht Veriun e Shqipërisë për studimet e tij. Ai viziton trevat nga Mirdita në Shkodër duke gjurmuar e studiuar veçori të zhvillimeve historike dhe të dhënave antropologjike të këtyre zonave. Kërkimet e tij bien në gjurmë që dallojnë për dëshmi autoktone dhe gjetje të dhënash me interes.
Lënda e librit Përmes Mirditës në dimër, me autor Stavre Frashërin, botuar në Korçë më 1930, lidhet me objektin e këtij udhëtimi të gjatë në Alpet e Shqipërisë , si një ekspeditë kërkimore për qëllime studimi të profesorit Coon dhe me pasionin e shoqëruesit të tij Stavre Frashërit, për të përshkruar përshtypjet e udhëtimi, zakonet e traditat, bajraqet e trevave shqiptare, folklorin e viseve të Malësisë së Veriut të Shqipërisë, prej ku bashkohet Drini i Zi me Drinin e Bardhë e deri në Shkodër.
Stavre Frashëri, mësues shqiptar, jepte mësim në një shkollë Misionare Amerikane në Durrës. Njohës i mirë i gjuhës angleze, ai shoqëroi Dr. Coon-in si përkthyes, nganjëherë edhe si drejtues, në këto udhëtime. Frashëri shfaqi dëshirën të merrte pjesë në ekspeditë, edhe pse miqtë dhe të afërmit kërkonin ta ndalonin:
“A e dini ku jeni duke shkuar? Ju do të vdisni atje nga të ftohtët. Ju do t’ju përpijnë ujqtë dhe egërsirat nëpër ato male të larta. Dëbora ka vajtur një bojë njeriu dhe do mbeteni udhës, ushqimet mungojnë, dhe ethe ka plot."
Me sa duket, Stavre Frashëri, duhet ta ketë pasur me kohë kuriozitetin për të njohur Shqipërinë dhe për të shkruar për të. Rasti i erdhi dhe, pa marrë parasysh rreziqet, pranoi me kënaqësi të shoqëronte Dr. Coon dhe gruan e tij Mary, duke përmbushur kështu edhe dëshirën për të vizituar me guxim zona të vështira të Shqipërisë.
“Fatkeqësisht, shënon autori, të paktë janë shqiptarët që marrin mundimin të vizitojnë pjesët e tjera të Shqipërisë. Dhe si rezultat, çfarëdo njohurie që ata kanë për vendin, vjen prej raportimeve të udhëtimeve të shkruara nga vizitorët e huaj për vendin tonë. Ne jemi shqiptarë, por ne nuk e njohim ende mirë Shqipërinë. Të dhënat që jepen nga të huajt mund të kenë avantazhin e të qenit të paanshme. Por nga ana tjetër, ato mund të jenë të pasakta, për shkak të pamjaftueshmërisë së njohjes nga autori të gjuhës sonë, si edhe të ndjenjave tona.”
Lidhur me idetë e mësipërme, libri Përmes Mirditës në dimër është burim referencash shkencore, historike, shoqërore e folklorike. Si i tillë, ai paraqitet si një kontribut me vlerë për fondin kulturor e historik shqiptar. Të 20-të kapituj e tij, sjellin para publikut lexues shqiptar e të huaj një regjistër të gjendjes ekonomike e shoqërore, të trashëgimisë sonë materiale e kulturore, të mënyrës së jetesës dhe pasurisë shpirtërore, mbështetëse për shkencat shqiptare. Në këtë mënyrë, këto shënime udhëtimi shërbejnë si ura lidhëse që ndihmojnë të njihen më mirë nivelet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Shkruar në 150 faqe, në libër janë përdorur të dy dialektet e gjuhës shqipe, gegërishtja në dialogë që e sjellin në origjinal gjuhën e malësorëve tanë dhe krahas saj, toskërishtja sipas së folurës së Jugut të Shqipërisë, me theksime të herëpashershme të së folurës korçare, prej nga është origjina e autorit. Kjo lëndë paraqitet me vlerë për studiuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe tërheqëse për çdo lexues, veçanërisht për ata që nuk dinë gjë rreth malësive, karakterit të malësorëve dhe sistemit primitiv shoqëror në të cilin ata jetonin shumë vite më parë. Libri është i pasuruar me foto të papublikuara më parë për njerëzit dhe terrenet e Shqipërisë së Veriut të asaj kohe.
Jo vetëm i huaji, Dr. Coon, po edhe vetë shoqëruesi i tij shqiptar, ndihet i impresionuar e i befasuar nga bjeshkët shqiptare.
Duke qënë i pasionuar mbas letërsisë po edhe mbas natyrës e udhëtimeve, autori S. Frashëri të merr me vete në rrjedhën e kujtimeve të udhëtimit në Malësitë e Veriut.
Ja si vijnë përjetuese pjesë të këtyre përshkrimeve:
“Asi kohe po perëndonte dielli dhe pamja e një gryke që ndriçoheshe përgjysmë ish madhështore. Prej kishës ja muarrmë të tatëpjetës për në Blinisht. Këtu tjatër panoramë. Andej këtej dhe në majë të kodrave shëkon shtëpitë si ndonjë “chateaux” të Mesjetës. Male. Kudo që të kthesh sytë ke male. Kush mund të përshkruajë ç’ndien shpirti i njeriut që ka lënë pluhrin dhe zhurmën e qytetit dhe ka vajtur në këtë vent të qetë, ku mund të dëgjohet vetëm tringëllimi i kumborës të ndonjë dashi manar, zëri i ndonjë fyelli të larkmë dhe oshëtimi i ngadalshmë e i pa prerë i një uji të kulluar, i cili ka mburimin e tij lark, lark në bjeshkat e larta e plot me dborë. Në pamjen e qetë të vargjeve të maleve të pafundëshme, syri magjepset dhe shpirti bie në nj’endërim të ëmbël dyke ardhur n’afërim me shpirtin e maleve i cili, me përkëdhelje vllaznore, e shpie në mburime bukurie hyjnore, ku shuan për pak kohë etjen e tij të madhe që e ka marrë”.
Udhëtimi i prof. Coon në Veriun e Shqipërisë në të vërtetë është i gjatë. Në fillim ai vizitoi fiset që jetonin në njërën anë të të dy lumenjve, Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi dhe të bashkimit të zhurmshëm dhe derdhjes së tyre në detin Adriatik pranë Shkodrës. Udha i mori përmes bajraqeve lindore të Gegërisë: të Pukës, të Dibrës dhe Lumës, prej nga arritën poshtë, deri në nivelin e detit në Shkodër. Mbas udhëtimit të dytë, iu ngjitën përsëri rrugës drejt lindjes, për të prerë Drinin në Veri dhe për të arritur në fiset e Malësisë së Gjakovës, Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe.
Libri Përmes Mirditës në dimër, e paraqet Stavre Frashërin si një vrojtues të mprehtë e shkrimtar serioz që na sjell natyrshëm përshkrime të ambienteve dhe portrete të besueshme të banorëve të zonave të Veriut.
Ndër të tjera, autori shkruan për mikpritjen si një nga traditat e hershme të shqiptarëve:
“Mirditasi, dhe përgjithësisht Shqipëtari është fodull dhe i k’ënda që të bëjë dhe t’i bëjnë nder. Pa dëgjon nonjë malësor të thotë: “Ke shtëpia e filanit më kan ba nder të math”. I jep rëndësi vendit ku e venë, u ve veshin fjalëve që i thonë, shëkon llojin e gjellës që i japin dhe vë re vëndin ku e venë të flerë, etj. Me të tjera fjalë, është sado sensiblë në gjërat që kanë të bëjnë me të bërit e nderit.
Në Mirditë fjala mik ka respektin më të math dhe, sado familja të jet’ë e vobektë, do t’a nderojë me sa mundet, dhe i vjen keq kur shëkon se mjetet nuk e lejojnë që t’a kënaqë më tepër”.
Autori na bën të ditur të dhëna interesante rreth përshëndetjeve dhe vajtimeve që ishin rituale sociale delikate, të mbushura me kuptime simbolike si edhe për traditën famëkeqe të gjakmarrjes; një barrë e rëndë në jetën e malësorëve. E organizuar mirë nga ana metodike dhe strukturuar qartë nga ana përmbajtësore, lënda në këtë libër sjell pamjen e Komunitetit të Malësorëve në vitet ‘20-‘30 dhe mënyrën e funksionimit të shoqërisë shqiptare në malësitë tona në ato vite.
Në çdo kapitull ka të dhëna me interes që lidhen me organizimin social dhe familjar, madje dhe intim të jetës në malësitë e Veriut të Shqipërisë, duke filluar që nga organizimi shoqëror, lidhjet me shtetin, martesat, lidhjet me familjen, ritet zakonore dhe deri tek këngët e folklorit tradicional dhe humori.
Kapitulli që lidhet me këngët e folklorit, hedh dritë mbi trashëgiminë kulturore dhe krenarinë e ligjshme të malësorëve të këtyre zonave, me bëmat dhe virtytet që ata trashëgojnë në breza.
Këngët që zgjedh Stavre Frashëri në kapitullin Disa këngë, dhe citimet që sjell nga folklori dallojnë për origjinalitetin dhe dëshmojnë se Frashëri është vëzhgues i vëmendshëm i folklorit. Kënga e parë, ndër ato që ai ka mbledhur në zonën e Mirditës është Kënga e Zanës, që është popullore në Mirditë, por që ai e gjen të kënduar edhe në Shosh të krahinës së Dukagjinit, në një trajtë tjetër.
Monologu i Zanës është shumë i bukur, i mbushur me shprehje të fuqishme poetike.
Ju moj male, male u thafshi/ Si s’u gjet hie me ndenj/ Si s’u gjet ujë me pi/ Në ju hija mos freskoftë/ Në ju gurra mos gurroftë/ Në ju qyqja mos këndoftë/ Në ju lulja mos lulzoftë/ S’i s’u gjet gjutar me gjue/ Me myt plakun me marr mue!
Ja dhe disa vargje nga Kënga e Zanës e dëgjuar në Shosh të Dukagjinit:
Ju moj bjeshkë mos gjethofshi/ Lule kurrë mos lulëzofshi/ Dele e dhi kurr mos kullosçi/ Si s’u gjet gjahtar me gjue/ Me vra plakun me më marr mue!
Në këto dy variante të së njëjtës këngë vërejmë ngjashmëritë në aspektin motivor-psikologjik e rrethanor, në vargëzim e deri në aspektin figurativ e leksikor, me ndryshime të vogla. Kënga folklorike ruan shtratin përmbajtësor dhe estetik edhe pse vazhdimisht udhëton nga njëra krahinë në tjetër duke ndryshuar formë sipas “akordeve” poetike dhe leksikore të zonave ku gjen shtrirje, ndërkohë që dukuria e novacionit kërkon trupëzimin e motiveve të reja të leksikut dhe përshtatjen figurative.
Përqendruar tek kapitulli Disa këngë, krahasuar me njëra tjetrën, këngët popullore të trevave të Veriut dallojnë për motive të përbashkëta; figuracioni zë vend të rëndësishëm dhe shërben për të krijuar mjedise, rrethana e personazhe interesante. Me gjithë karakterin epiko-heroik të këtyre krijimeve, nuk mungojnë edhe elementet lirikë, përshkrime të natyrës apo të dashurisë e bukurisë njerëzore.
Por vetë S. Frashëri vë re se jo rrallë, krijimet vijnë tronditëse sikurse këto vargje të fuqishme mallkimi: Në ju qyqja mos këndoftë/ Në ju lulja mos lulzoftë.
Në tërësi, vargjet e këngëve të këtij kapitulli, duke filluar me këngën e parë e deri tek e shtata, japin përjetime të arrira ngritur në art të vërtetë, duke nxitur vizione poetike të shoqëruara nga rima melodioze. Elemente të përkimeve motivore dhe poetike na ofrojnë shumë shembuj të këngëve të kënduara në trevat e Mirditës, Dukagjinit, Gjakovës, Malësisë së Madhe, etj. “Kam vënë re se shumica e këngëve që kam dëgjuar në Mirditë, kanë patur si themë trimërinë”, - shënon Frashëri.
Në to burrëria del në shesh dhe lavdia e heronjve këndohet me fjalët: Bini djelma no’i ta mysin/ Të nerojmë vedin e t’nerojm fisin!
Po të shkojmë më tej, tek këto Këngë gjejmë motive të kënduara, çuditërisht të ngjashme me zona të tjera, ku tema bosht është ruajtja e nderit dhe e besës, e konceptuar sipas parametrave të botës ende të pacivilizuar e të paprekur nga komplikimet e kohës, një tregues i dukshëm i jetgjatësisë së traditave në malësi.
Në përgjithësi malësorët i gëzohen të kënduarit, me sa duket, kanë një trashëgimi në gen që i bën të jenë gazmorë e të kenë një fill humori, karakteristikë e shpirtit të çiltër dhe e mendjes së tyre të mprehtë edhe pse jeta, e veçanërisht gjakmarrja, shpesh i detyron që të jenë me shpirt të vrarë e hijerëndë.
Ata dallojnë që kanë shije të veçantë për këngët lirike. Këngët, si krijime të lidhura me ndjenjat dhe mishërim e eksperiencave jetësore, vijnë natyrshëm dhe të thjeshta, si burim i brendshëm. Bie në sy mirëfilli, se kënga folklorike shqiptare pa faktorin shpirtëror nuk ka mundur të mbijetojë. Kjo reflektohet më së miri në krijimtarinë gojore popullore, si hapësira më e mundshme për shfrime përmbajtësore e estetike pa paragjykime.
Historiku i botimit të librit Përmes Mirditës në dimër, ribotimi dhe përkthimi mjeshtëror në anglisht nga përkthyesi e studiuesi Peter Prifti, vijnë si dëshmi interesante, me të dhëna pak ose aspak të njohura për lexuesit shqiptarë e të huaj dhe si përpjekje të pareshtura të shqiptarëve të emigruar për publikimin e temave shqiptare, traditave dhe vlerave zakonore të këtij kombi.
Përmes përkthimit, Peter Prifti risjell në jetë librin Përmes Mirditës në dimër duke hedhur dritë mbi treva të Veriut të Shqipërisë që jetojnë përtej historikut të shkruar.
“E pranova ofertën e prof. Coon për përkthimin e librit të Stavre Frashërit Përmes Mirditës në dimër, pasi ndër të tjera, arsyetova se kjo do të ishte një mundësi që t’u bëja të njohur lexuesve të gjuhës angleze, kërkimet e ekspeditës në vendin tim të lindjes nga një i dekoruar në Universitetin e Harvardit, i cili pati bërë të njohur popullin shqiptar në fushën e antropologjisë dhe në fushat e përafërta me të. Shumë gjëra nevojitet të shënohen lidhur me përkthimin e librit të Frashërit. Duke parë se autori është tepër konçiz në stilin e tij, unë e mora vetë iniciativën të përforcoj ose të kompletoj mendimin e tij, ku është e pranueshme, duke patur kujdes ndërkaq, të mbes i besueshëm në përmbajtjen e tekstit.
E përfundova përkthimin në vitin 1979... por plani për t’u botuar nuk u realizua. Profesor Coon do të ishte i kënaqur, sikur të ishte gjallë, të shihte të botuar këtë libër”, shkruan Peter Prifti në prezantimin hyrës të veprës së përkthyer në anglisht.
Gjithë vepra e në veçanti vargjet që vijnë nga këngët e folklorit janë të përkthyera me një stil poetik tërheqës, që ofron mjaft emocion. Në këtë mënyrë, gjuha e popullit vjen në anglisht po aq melodioze sa në variantin e saj origjinal të shqipes.
Është për t’u shënuar se P. Prifti nuk është mjaftuar vetëm me përkthimin e lëndës së librit, teksti është plotësuar apo sistemuar nga përkthyesi. Kjo ide është e pranueshme edhe për shkak të distancës së gjatë kohore mes botimit të librit Përmes Mirditës në dimër dhe botimit të përkthimit të tij.
C. Coon shënon se Stavre Frashëri shkroi një etnografi jashtëzakonisht të plotë e të këndshme të një populli dhe të kulturës së tij. “Disa prej skenave të udhëtimit, si “Mali Munella na ndoqi ne gjatë gjithë udhës”, na kujtojnë një prej atyre skenave të George Borroë-t në shkrimin “Uellsi i egër”, dhe “Një Bibël në Spanjë”, shkruan në parathënien anglisht Through Mirdite in Winter, antropologu Carleton Coon.
Koleksioni i tij i poezive gege, i përshtatur aq bukur nga Peter Prifti në këtë përkthim, është shumë stimulues dhe përbën një shtesë të paçmuar në Trupin e bronztë dhe Moshën e hekurt të këngëve të transmetuara gojarisht.
Njerëzit që kompozuan dhe transmetuan këto jehona që shfaqen plot emocion, ishin stërgjyshët tanë të një kulture që jeton ende dhe Frashëri duhet ta ketë njohur këtë, megjithëqë, ai vetë pasuroi vlerësimin e tyre me këshillime didaktike të përshtatshme për statusin e turbullt kulturor nën regjimin e atëhershëm...
Pesëdhjetë vjet kanë kaluar qysh se Stavre Frashëri shkroi. Sa nga ëndrrat e tij u bënë realitet?
Diçiturë: Kopertina e librit Through Mirdite in Winter, Stavre Frashëri, përktheu në anglisht Peter R. Prifti. Botimi në anglisht nga Columbia University Press, New York, 2002.
Dr. Carleton Coon, ( 1904 -1981), lindi në Wakefield, MA, SHBA. Emeritus Professor në Universitetin e Harvardit dhe të Pensilvanisë, antropolog i shquar, profesor dhe autor në disa vepra e studime. Ka dhënë kontribut të shquar në shumë studime shkencore, veçanërisht në antropologjinë sociale dhe atë të krahasuar.
Krijoni Kontakt