Keni ndonje ide perse dhe serbet kan shkuar ne konferencen islamike?
Agim Baçi
nga "Tema"
Në fund të prillit, në Kuvajt, u takuan liderët e Organizatës së Vendeve Islamike (OKI-it). Shqipëria përfaqësohej nga një prej drejtorëve të rëndësishëm, por në një takim aq të madh, ai (I.L) thuajse nuk binte në sy. Ky nivel përfaqësimi dukej se i përgjigjej asaj propagande të disa ditëve rresht në Tiranë, kur në një televizon dhe në disa gazeta kujtohej një letër e ish- presidentit Berisha tek i drejtohej njërit prej princave me shprehjen “Selam Alejkum” (çka është shprehje që nënkupton vetëm paqe). Përkundër kësaj propagande, në hotelin e liderëve të rëndësishëm gjendej një i dërguar i kryeministrit serb, i mandatuar me kompetenca të plota nga qeveria serbe. Pa asnjë kompleks nga Beogradi, por krejt i ndihmuar nga naivët (në rastin më të mirë) apo dashakeqët (në rastin më të keq) në Tiranë, në mungesën e autoriteteve shqiptare, ai takohej atje me përfaqësues nga Indonezia dhe Katari, dy vende që aktualisht janë pjesë e Këshillit të Sigurimit, nga ku pritet të dalë edhe vota për statusin e Kosovës. Pra, serbët, pa asnjë lidhje me OKI-n, por me diplomaci aktive e pragmatiste, arrijnë të bëjnë punën e tyre, teksa diplomacia e Tiranës është e destinuar të heshtë përballë furisë së sulmeve nga media që s’dinë asgjë tjetër të shohin, përveç betejës me veshjen islame.
Në të njëjtën linjë ishte dje edhe një prej gazetave me ferexhe në mendje dhe ide, teksa damkoste zëvendësministren e Jashtme për vizitën në Pakistan. Qëndrimi i saj, si gjithherë të tjera, me media simotra, udhëtonte drejt së njëjtës dëshirë të përhershme të tyre: ne nuk duhet të shkelim, atje ku ka myslimanë, edhe pse luhet çmimi i Kosovës.
Por, cila logjikë mund të shtyjë një qëndrim të tillë? Dashuria për shqiptarët?
Nëse do të rreshtojmë disa fakte, atëherë do të bindemi për të kundërtën.
Kështu, disa kohë më parë, kur kreu i shtetit grek, Karolos Papoulias, me një vizitë triditore bllokoi faqet e para të gazetave saudite, pasi dekoroi mbretin me Kryqin e Artë të Shpëtimtarit, medalja më e lartë e shtetit helen dhe dekorohet prej tij me dekoratën më të lartë saudite, Medalja e Mbretit Abdelaziz, nënshkroi 4 marrëveshje të majme ekonomike dhe u largua i përcjellë me gjithë nishanet e një shtetari të dobishëm e pragmatik për popullin e vet. Nga ana tjetër, presidenti kinez, ai rus, kancelarja Merkel, presidenti francez, si dhe ministrat e Jashtëm të të gjitha vendeve të G 8-tës nuk kanë aspak kompleksin më të vogël, por udhëtojnë në rajonin e Gjirit me buzëqeshje e largohen që andej me fytyra të ngazëlluara nga oportunitete që gjejnë e marrëveshjet që nënshkruajnë në interes të vendeve të tyre.
Duke konsideruar homogjenitetin e perëndimit ndaj statusit të Kosovës si të pamjaftueshëm për rrjedhën e një procesi paqësor pavarësimi, vihet re se handikapi i kompleksit vetjak të fajit të politikës në Shqipëri po shkakton një rrjedhje të rrezikshme mbështetjeje dhe votash nga vende që me pak përpjekje lobuese mund të rreshtoheshin natyrshëm në krah përfundimit të lëngatës së stërzgjatur kosovare. Ngathtësia, frika, apo cilido kompleks i një faji të vërtetë apo të stisur nga mejdanet politike e mediatike dashakeqe për shqiptarët nuk është i mjaftueshëm për të justifikuar injorimin sistematik të një rajoni që e ka blerë mosmirënjohjen e politikës shqiptare me miliona dollarë ndihma për jetimët, objekte shëndetësore, edukimi, infrastrukture, e mjaft kriza e emergjenca kombëtare e rajonale me shkarkesë Shqipërinë, etj. Është koha të kuptojmë se vendet e OKI-t janë 1/3 e OKB-së dhe çdo nënvlerësim apo apati e paragjykuar ndaj tyre do të na e heqë luksin që një ditë të merremi në konsideratë si partnerë. Shkarashkruesit në kryeqytetin shqiptar duhet të mendojnë se fjala nuk lexohet vetëm nga gjyshja e tyre, por fatkeqësisht përkthehet edhe në një vullnet të aprovuar nga një pjesë e shqiptarëve. Asnjë justifikim nuk mund t’i japë të drejtë këtyre mediave që shijet e veta t’i sugjerojnë sikur janë gjithëkombëtare. Aq më tepër, që politika nuk është diçka që mund të diskutohet me të gjitha Anilat e mundshme.
Krijoni Kontakt