Skandalet e profesorëve me nxënësit e tyre duket se nuk kanë të sosur. Profesori i lëndës së Fizikës, në shkollën e mesme “Eqerem Çabej” ka gjetur një mënyrë të veçantë për t’u bërë “kurse private” nxënësve të tij. Ai ka hedhur programet më të rëndësishme të kësaj shkence ekzakte me ushtrime tepër të vështira të zgjidhura në një CD. Nxënësit e interesuar rreth kësaj shkence, të cilët pretendojnë të nisin studimet e larta, e kanë blerë CD. Por kur nxënësit kanë hapur CD në lap top-et e tyre, kanë mbetur të shtangur. Pas ushtrimeve të zgjidhura, kishte pjesë të imazheve të filmuara porno, e madje edhe foto. Policia e Tiranës ka nisur hetimin pas skandalit të bërë publik nga vetë nxënësit, e madje edhe prindërit e këtyre të fundit. Profesori 40-vjeçar A. Sh., është marrë në pyetje për disa orë në policinë e Tiranës, e më pas është vendosur të ndiqet në gjendje të lirë, deri në sqarimin e plotë të kësaj situate.
PROFESORI
Nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Eqerem Çabej”, që ndodhet afër Shkollës së Bashkuar në Tiranë, duke dashur të jenë më të aftë në shkencat ekzakte, në Fizikë, kanë blerë një CD të programuar nga profesori i tyre. Ky i fundit ka vendosur një çmim të konsiderueshëm në CD e tij për tua shitur nxënësve. Kjo ishte në një farë mënyre, kursi privat të cilin ai me sa duket nuk ka arritur të bëjë në mënyrë tjetër, pasi ligji për arsimin e ndalon në mënyrë kategorike që mësuesi t’i bëjë kurse private nxënësit të tij.
Profesori A. Sh., CD-të ua ka shitur nxënësve të vitit të tretë të këtij gjimnazi. Ata i kanë hapur “ushtrimet” dhe janë ndeshur me pamje perverse, pornografike. Të ndodhur para një situate të tillë, nxënësit janë “konsultuar” me njëri-tjetrin,rreth programeve që kishin CD, që ata kishin blerë tek mësuesi. Dhe rezultati i njëjtë. CD, nuk kishin vetëm ushtrime të zgjidhura e teori të fizikantëve, por edhe pjesë të ndryshme porno. Materialet porno nuk dihet se si kanë përfunduar në CD, por ka pak gjasa që të ketë qenë ndonjë virus, pasi në një farë mënyre vetë profesori e ka pranuar praninë e pamjeve në CD e programuara prej tij. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime nga sektori i krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët kanë marrë në dorë këtë çështje.
DENONCIMI
Pas blerjes së CD dhe pamjeve “surprizë” që ndodheshin në të, disa nxënës ua kanë bërë faktin të ditur prindërve të tyre. Këta të fundit janë ndjerë në siklet kur kanë parë skenat në foto dhe filmime që profesori i Fizikës i kishte servirur nxënësve të tij. Të ndodhur para një situate të tillë, duke dyshuar edhe në “provokime” të mundshme të mësuesit tek nxënësit e tij, deri në abuzim pervers, nxënësit, të shoqëruar me prindërit janë drejtuar në polici. Pasi kanë dëgjuar sqarimin e dhënë nga adoleshentët, të cilët kanë pohuar se janë në vitin e tretë në gjimnaz, policia i ka adresuar ata që të japin të gjitha sqarimet e nevojshme pranë zyrës së krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ekspertët e kësaj zyre kanë dëgjuar dëshmitë e pesë nxënësve dhe më pas kanë ndaluar mësuesin. Ky i fundit mësohet se pasi është marrë në pyetje për disa orë, është vendosur të ndiqet në gjendje të lirë, deri në sqarimin e plotë të këtyre imazheve porno. Burime të policisë thanë, se nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, janë sekuestruar 50 CD, të cilat tashmë janë në dorë të policisë për t’u eksploruar.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt