"ALBANER RAUS", parulla antishqiptare në një shkollë zvicerane
Gustin Marjakaj
17-05-2007
Dërguar në kontakt@shekulli.com.al
Gjatë fundjavës, në murin e Shkollës së Mesme Pedagogjike të qytetit Kreuzlingen, në kufi me Gjermaninë, persona ende të paidentifikuar, mbi flamurin shqiptar kishin shkruar parullën tashmë të njohur "Albaner Raus" ("Shqiptarët jashtë"). Policia është duke hulumtuar rastin. "Ne e kemi fotografuar atë. Do ta krahasojmë me grafitet e tjera të këtij lloji, duke kërkuar elemente të përbashkëta me vizatimet e personave që njihen nga policia",- tha zëdhënësi i policisë kantonale, Andy Notter.
Ndaj rastit më të ri kundër komunitetit shqiptar në Zvicër, reaguan edhe mediat lokale. "E turpshme!",- ishte titulli i të përditshmes më të madhe në rajon "St.Galler Tagblatt". Edhe më i turpshëm ky akt, është për rektorin e shkollës në fjalë. Rektori, Lorenz Zubler, nuk e fsheh mllefin ndaj autorëve të parullës. "Është e turpshme, se si njerëzit mund ta shëmtojnë një ndërtesë me këso gjërash". Zubler nuk beson që pas këtij akti të qëndrojnë nxënësit e tij. "Këtu s'kemi të bëjmë me vandalizmin e nxënësve",- është i bindur rektori Zubler. Përballë murit ku është shkruar parulla, një kalimtar ndalet disa sekonda dhe tund kokën. Është një emigrant shqiptar.
"E di se nuk kemi zë të mirë te zviceranët, ama kur sheh kësi gjërash, po të qesin me u brengos edhe më shumë",- thotë shqiptari E. Balaj (29-vjeç), që me vite banon në St.Gallen të Zvicrës. Një kalimtar tjetër i hedh vetëm një sy parullës dhe të lë përshtypjen sikur nuk e vërejti fare atë. "Nuk i përshëndes aktet e tilla, që ndodhin në Kreuzlinen, mirëpo shqiptarët duhet ta fajësojnë veten dhe askënd tjetër, për imazhin e keq që kanë në Zvicër",- thotë shkurt dhe prerë, zvicerani Markus I., (32-vjeç) dhe ktheu kokën për të lexuar parullën tjetër në mur: "Në TOKËN E KUQE , NJË KRYQ i BARDHË, TË DUAM NE TY, O ZVICËR E BUKUR!".
Qyteti Kreuzlingen dhe kantoni Thurgau, me shumicë ka votuar për SVP (Partinë Popullore Zvicerane), e cila nga kundërshtarët, konsiderohet si parti e ekstremit të djathtë dhe ksenofobe. Brenda disa ditëve, po në këtë qytet kanë ndodhur katër akte të ngjashme të këtij lloji.
Gazeta Shekuli
Krijoni Kontakt