Vezët e qyqes në folen e shqiponjës
Kim Mehmeti
Publicistë ynë i njohur, Iso Rusi, këto ditë botoi një tekstë ku mbronë qëndrimin se kryesusist e PDSH-së kundërshtojnë nxjerrjen e ligjit për bashkësitë fetare, jo për të mbrojtur statusin e Bashkësisë Fetare Islame, por për t’i bërë shërbim Kishës Ortodokse Maqedonase dhe partnerit të tyre në kolacionin qeveritarë, partisë së kryeministrit Gruevskit,VMRO-DPMNE-së. Në këtë kolumnë, si edhe në gjithë analizat e këtij autori, të cilat i karakterizon një maturi dhe vrojtim jo i njëanshëm partiak apo etnik, Iso Rusi nënvizon se “ ndërlidhja e PDSH-së në tezën se formula ‘një fe – një bashkësi’ është në dobi të BFI-së para së gjithash për të mbrojtur Islamin e vërtetë nga ai radikal, vetvetiu është e sforcuar”. Ai tutje shton se për islamistët radikalë, “nuk është e domosdoshme të kenë një bashkësi të re islame për të bërë atë që e kanë paramenduar”, andaj edhe nënvizon se “frika e këtillë e PDSH-së përputhet me manifestimin tradicional të albanofobisë së djathtë maqedonase, jo rrallë të orientuar edhe ndaj islamit dhe të shprehur përmes pohimeve pas 11 Shtatorit të vitit 2001 se UÇK në vitin 2001 ka qenë tok me Al Kaedën (të cilën në atë kohë Xhejms Perdju e quajti “abuzim të tragjedisë amerikane”)”
Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i PDSH-së. Edhe atë siç i ka hije kësaj partrie: përplot helm dhe akuza në kufi të jonjerëzores, duke e shpallur Iso Rusin “ pjellë (ne kuptimin biologjik) tipike eksperimentale e UDB–së së vjetër jugosllave e cila gjithandej nëpër hapsirat e ish-Jugosllavisë krijonte çifte për të lindë njërëz siç quante propaganda e atëhershme ”njeriu i ri socialistë”, “njeriu i ri jugosllav”., ”njeriu i….” po populli i thjeshtonte këto terma duke i quajtur thjeshtë –kopila!”. Reagimi i PDSH-së përmbyllet me një kanosje gjithashtu siç u ka hije kryesuesve “demokrat” të kësaj partie, e cila prej moti, e jo vetëm tani, kujdeset edhe për pastërtinë e gjakut shqiptarë, e ku thuhet se “ti, Rusi dhe ‘mjekrat’ për rreth teje si Sedat Ramadani, Ramadan Ramadani, Beqa etj, nuk do të keni ‘gjumë’ të rehatshëm jo vetëm nga lidershipi i PDSH-së, po edhe nga çdo aktivist i kësaj partije.”
Pra, ky reagim i PDSH-së, nuk kërcnon vetëm autorin e kolumnës, Iso Rusin, por edhe të gjithë ata që shoqërohen me të. Ky reagim i kryesusve të PDSH-së, mbanë erë qelbësire të një qëndrimi fashist, mbështetet në mendësinë destruktive të udhëheqësve të kësaj partie se amblema partiake u mundëson të vlerësojnë edhe nëse dikush mundet ose nuk mundet t`i takojë një kombi, nëse është mjaftë i pastër etnikisht, nëse ka prejardhje të përshtatshme “arianite” dhe ngjashëm. Përpos kësaj, ky reagim shpalosë edhe atë që mbase Iso Rusi dhe të ngjajshmit me të ende nuk e kanë kuptuar: se kryesusit e PDSH-së nuk e kanë gjithaq lehtë siç e mendojnë disa analistë, se mbase ata frymojnë politikisht nën maskën e ngushtë që u mundosonë nga jashtë të duken si nacionalistë shqiptarë, e në të vërtetë të mbeten robë të veprimit i cili di vetëm të njollosë, të asgjësojë, të heshtë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që mendojnë me kokën e vet. Pra veprim i i tyre i deritanishëm dëshmon se ndoshta ata janë të ngarkuar me një rol të rëndë politik: përpara shqiptarëve të këtushëm të painformuar të tregohen si pishtarë të shqiptarisë, e në ndërkohë të bëjnë punën që dikur e bënin qarqet antishqiptare.
Andaj edhe mund të thuhet se gabojnë të gjithë ata që kryesusit e PDSH-së i vlerësojnë nga këndëvështrimi i politikanëve të angazhuar për të mirën e shqitarëve të këtushëm dhe të Maqedonisë, sepse shumëçka dëshmonë se ata kurrë nuk kanë qenë të “paguar” për atë punë. Mbase edhe nuk është këndëvshtrin i drejtë as ai që kryesusit e PDSH-së t’i vlerësosh si liderë partiak, sepse ata veprojnë si pronarë të një organizate fitimprurëse të quajtur PDSH-së, e cila prodhimin shumë të dëmshëm për shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, e shesin në paketa të stolisura me patriotizëm dhe simbole kombëtare. Andaj edhe mund të shpallen si dështuese dhe iluzinoiste të gjitha analizat që shqyrtojnë atë për çka mbase kurrë nuk janë interesuar kryesusist e PDSh-së: liritë fetare, lirinë e mendimit të lirë publik, harmonizimin e marëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Veprimi i deritanishëm i kryesusve të PDSH-së, me shumëçka ka dëshmuar se ata kanë qëllime krejtë tjera: të shtojnë terrin në tunelin informatik e politik në të cilin futen shqiptarët e Maqedonisë sa herë që kjo parti bëhet pjesë e koalicionit qeveritarë.
Thjeshtë e shqip, mbase Iso Rusi dhe të ngjajshmit me të, nga dëshira që të mos bëhen pjesë e gazetarisë grindavece, mundohen të bëjnë të pamundur, dhe nisen nga paragjykimi se ndoshta kryesusit e PDSH-së nuk e dine se çka bëjnë, kështu që në njëfar mënyre padashje edhe u bëjnë shërbim që të mbulojnë veprimin sipas të cilit Arbër Xhaferi merr votat e shqiptarëve, duke fshehur mjeshtërisht se PDSH-ja nuk është asgjë tjetër përpos filijalë politike e VMRO-DPMNE-së dhe një “kompani” private e dy “pronarëve” të saj. Sikur Iso Rusi dhe të ngjajshmit me të të ishin më të vemendshëm, sikur të analizonin kujdesshëm diagramin e veprimit politik të kryesuesve të kësaj partie, mbase qëmoti do e vërenin se për ç’arsye kryesuesit e kësaj partie kundërshtojnë propozimet e përfaqëuesve ndërkombëtarë në Maqedeoni që të respektohet vullneti politik i shumicës shqiptare në Maqedoni, për ç’asye deklaroahen se do e zgjidhin problemin e dëshmorëve shqiptarë të rënë në konfliktin e 2001, a në ndërkohë fare nuk u pengon pse shteti maqedonas paguan harxhimet gjyqësore edhe nga parat e taksapaguesve shqiptarë për të mbrojtur të akuzuarit nga gjyqi në Hag për krime mbi shqitarët. Sikur Iso Rusi të mos mbetej besnik i bindjes së vet se veprimi publik nuk do të thotë se mund të sillesh si “kurvë” e pamoralshme që punon në shtëpi publike, qëmoti do e vërente se kryesusist e PDSH-së kurrë nuk kanë pasur hallin e të drejtave fetare të shqiptarëve të Maqedonisë, por mbase brengë kryesore e tyre ka qenë se si të përdorin ngjarjet tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, për t’i njollosur si “mjekroshë” të rrezikshëm “vehabistë” të gjithë ata që në të vërtetë kanë vetëm një mangësi: me vonesë u bënë kundërshtarë politik të kryesusve të PDSH-së. Pra, Iso Rusi sikur mos ishte ai që është, njeri që u rri largë grindjeve brendashqiptare, qëmoti do e shihte se kryesusit e PDSH-së, veprojnë njësoj si edhe disa qarqe antishqiptare maqedonase, të cilëve çdo mjekërr në fytyrën e muslimanëve të këtushëm, u ngjan me atë të Bin Ladenit. Sikur Iso Rusi të mos i maste gjërat me kantarin e objektives, ai qëmoti do e kuptonte se kryesusit e PDSH-së mbase edhe nuk e kanë gjithaq lehtë, sepse duhet të manipilojnë, të keqpërdorin sinqeritetin e të rinjve shqiptarë të pashpresë e të papunë, e në ndërkohë të mos shihet se flamurit me shqiponjën dykrenëshe në mes, vetëm ua mbulon veprimin përbuzës, shkelës, shkatërrues të atyre pakë vlerave që kanë shqiptarët e këtushëm.
Iso Rusi, si edhe shumë të tjerë të ngjajshëm me të, ndoshta vonë e kuptuan se këto janë kohë kur qyqet bëjnë vezë në fole të shqiponjave. Sikur t’i ndërlidhnin kujdeshsëm ngjarjet gjatë konflitit të 2001 dhe ato pas zgjedhjeve parlamentare të 2006 kur Arbër Xhaferi e ndihmoi Gruevskit të mos përfillë vullnetin politik të shumicës shqiptare në Maqedoni, Iso Rusi dhe të ngjajshmit me të, do e vërenin se kryesusit e PDSH-së i përkrahin dhe i afirmojnë vlerat demokratike perëndimore, por vetëm nëpërmjet parullave të mëdha proamerikane dhe proevropiane me të cilat e mbulojnë mendësinë e vet leniniste. Se ata janë në gjendje të gjithëve sa jemi të na shpallin “vehabistë” të rrezikshëm, spiun të serbit e grekut, “fëmijë eksperimental” të socilaizmit, vetëm që ta dendësojnë mjegullën e hutesës brendashqiptare, vetëm që të mos shihet fytyra e vërtetë e disa veprimtarëve tanë politik. E veprimtaria e disave prej tyre mbase ka për qëllim që të gjithë shqiptarinë e këtushme ta shpallë si një plehërisht të pavlerë përplot me spiun e tradhtarë. Me çka në fund do del se mbrojtës të mirfilltë të lirive shqiptare në Maqedoni janë “komitët” e VMRO-DPMNE-së. Ata të njëjtit që karrierën politike e ndërtouan mbi parullat e ngjashme me atë: “Dhoma gazi për shqiptarët”.
Ku ta dish, mund një ditë të del puna se shkronja SH(qiptare) në emrin e disa partive shqiotare, ka qenë vetëm mbulesë për t’ua mundësuar kryesuesve të tyre t’i akuzojnë të tjerët për atë që bëjnë ata vetë. Mbase një ditë mund të del në sipërfaqe edhe e vërteta se shqiponja e stilizuar në flamurin e PDSH-së, ka shërbyer vetëm si mbulesë që të mos shihet në cilën fole është ngjizur dhe është rritur partia e Arbër Xhaferit. Dhe sa t’i hutoj shqiptarët e këtushëm që të mos vërejnë se PDSH-ja është poaq pro NATO-s e pro BE-së, sa edhe VMRO-DPMNE-ja, sa edhe të gjitha partite “leniniste” në këto hapësira, të cilat thonë se janë perëndimorë, a në të vërtetë partinë dhe popullin e konsiderojnë si kope të pavlerë që duhet “kullotur” ashtu siç i pëlqen “bariut”. Andaj Iso Rusi, e gjithë të ngajshmit me të, duhet ta dine se jetojmë në kohë kur ka edhe politikanë të cilët nuk ngurrojnë edhe të të vrasin, e pastaj të të vijnë në varrim, që të burgosin e pastaj të nxjerrin ga burgu duke e përdorur edhe atë si veprim atdhetarë përpara zgjedhësve, të kidnapojnë e pastaj triumfalisht të çlirojnë duke dëshmuar sa janë të devotshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Andaj kujdes, se për fat të keq, ky lloj i politikanëve ngandonjëher arrinë të gënjejë edhe diplomatët e huaj, shkaku se disa nga ata të gjorët nuk mund të paramendojnë se mund të ketë politikan të cilët janë kameleon aq të gjindshsëm, sa në çastin kur t’i mendon se i ke pare ngjyrat e flamurit që fshehin nën sqetull, ata ngutazi futern nën shqiponjën dykrenëshe. Dhe nga andej, të mbuluar me puplat e buta të shqiponjës dykrenëshe, ua masin pastërtinë e gjakut etnik të gjithë atyre që e kanë kuptuar se njeriu jetonë që të arsyetojë lindjen, e të meritojë varrin. Sepse jo çdokush arrinë të arsyetoj qumështin e nënës dhe të meritojë pastërtin e dheut ku do prehet.
Krijoni Kontakt