Politikanët mund të kryejnë e bëjnë më shumë akte humoristike në mënyrë të natyrshme sesa mund të bëj unë me qëllim", ka thënë Will Rogers, një humorist amerikan që ka jetuar në fillim të viteve 1900. Dhe realisht, shumë prej gafave verbale të disa prej politikanëve më të fuqishëm në botë, do të ktheheshin shumë lehtë në skenare parodish humoristike. Ato janë fjali të thëna me raste natyrshëm, por që kanë rezultuar të jenë gafa të mëdha dhe sigurisht që nuk i kanë shpëtuar përqeshjes nga mediat për muaj të tërë. Por janë dhe pjesë e personalitetit të politikanëve siç ndodh shpesh në rastin e ish-kryeministrit italian Berlusconi, i justifikon të "ashtuquajturat" gafat e tij të shpeshta me fjalinë: "Me sa duket ka një mungesë të përgjithshme humori". Kurthit të gafave që kanë gjasa të mbeten në histori nuk i kanë shpëtuar disa prej liderëve më të mëdhenj të botës siç është presidenti i SHBA, George W. Bush, ish-presidenti i Francës, Chiracque, presidenti i Rusisë, Putin, etj.
Gafat e rënda
I ftuar për të dhënë një fjalim në radio në vitin 1984, presidenti i SHBA, Ronald Reagan po bënte provat e zërit kur vendosi të provonte për shaka pikërisht një fjali që do të vinte si bombë në mes të Luftës së Ftohtë. "Të dashur amerikanë. Jam i gëzuar t'ju them sot se kam firmosur legjislacionin që do e nxjerrë jashtë loje Rusinë përgjithmonë. Do të fillojmë bombardimet për pesë minuta". Edhe pse ish-presidenti amerikan kishte në mendje thjesht një shaka të lehtë me dyer të mbyllura, ai sigurisht do kishte hequr dorë prej saj sikur ta dinte se mikrofoni i radios ishte i hapur, e kështu nuk do të shkaktonte një incident diplomatik në gjendjen tejet të rënduar mes dy vendeve. Një prej politikanëve të ditëve të sotme që shkakton jo pak incidente diplomatike është ish-kryeministri italian, Berlusconi me gafat e tij që ai i konsideron thjesht si humor. Një ndër këto gafa ishte rasti kur ai iu drejtua euro-deputetit socialist gjerman, Martin Schulz dhe i tha se ai do të ishte i përshtatshëm për të luajtur rolin e një nazisti.
Gafa humoristike
Edhe pse gafat e politikanëve mbeten për një kohë të gjatë në vëmendjen e mediave, ato shpeshherë i bëjnë më gazmore fjalimet apo intervistat e gjata politike. E tillë është dhe përgjigja e Presidentit Bush kur një reporter e pyeti se çfarë të përbashkëte kishte ai me kryeministrin e asaj kohe të Anglisë, Tony Blair. "Të dy përdorim pastë dhëmbësh "Colgate", iu përgjigj George W. Bush.

George W. Bush, president i SHBA


- “Në Irak është shumë e vështirë. Është punë shumë e vështirë. Është jashtëzakonisht e vështirë” – fjala “e vështirë” përsëritet 22 herë në debatin e tij të parë me senatorin John Kerry.
- “Nëse do të kishte një diktaturë, do ishte shumë më lehtë, për sa kohë unë do të isha diktatori”, Uashington, D.C., 19 dhjetor 2000.
- “Ju premtoj se do të dëgjoj çdo gjë që është thënë atje, edhe pse s’kam qenë atje”, në Forumin Ekonomik të Presidentëve në Uako, Teksas, më 13 gusht 2002.
- “Të dy përdorim pastë dhëmbësh “Colgate”, kur një reporter e pyeti më 23 shkurt 2001 se çfarë të përbashkëte kishte ai me kryeministrin e Anglisë Tony Blair.
- “Unë gjithashtu nuk jam shumë analitik. E ke parasysh, nuk kaloj shumë kohë duke menduar për veten, se pse i bëj gjërat që bëj”, në bordin e “Air Force One”, më 4 janar 2003.

Silvio Berslusoni, ish-kreyministër i Italisë

- “Një motiv tjetër për të investuar në Itali është se përveç kohës së bukur kemi dhe sekretare shumë të bukura”, kur ka takuar biznesmenët në “Wall Street”.
- “Jam me ju: kur kam qenë i ri kam pasur një të dashur fantastike turke”, u ka thënë sipërmarrësve turq që e kanë vizituar për punë.
- “Zoti Martin Schulz, njoh një regjisor italian që xhiron një film mbi kampet e përqendrimit nazist. Do t’i propozoj që t’ju japë ju rolin e kapos. Do të ishit perfekt në atë rol”, i drejtohet parlamentarit socialist evropian gjerman, i cili i kishte dalë kundër gjatë prezantimit të presidencës italiane të BE-së. Ngjarja u kthye në incident diplomatik mes dy vendeve.
- “Edhe unë kam qenë pak “shtëpiake”, kur studioja dhe isha djalë shtëpie akoma, fshija pluhurat dhe herë-herë bëja dhe pazarin. E di sa e lodhshme është për të bërë punët e shtëpisë dhe për të krijuar një klimë qetësie kur bashkëshorti kthehet në shtëpi...”
Si justifikohet ai për gafat e tij? Me frazën: “Ka një mungesë të përgjithshme humori”.

Arnold Schwarzenegger, guvernator i Kalifornisë

“Mendoj se martesat mes gei-ve duhet të bëhen ndërmjet një burri dhe një gruaje”.
Arnold Schwarzenegger, bëri këtë deklaratë si guvernator i Kalifornisë duke shkaktuar zemërim të madh të organizatave të mbrojtjes së njeriut. Ai e bëri këtë deklaratë pasi urdhëroi prokurorin e përgjithshëm që të ndërmerrte hapa urgjentë për të ndaluar martesat mes personave të të njëjtit seks.

Tony Blair, ish-kryeministër i Anglisë

“Isha në një konference ndërkombëtare kur një grua që më dukej si fytyrë e njohur m’u afrua dhe më pyeti se nga isha.

Unë jam Tony Blair i Partisë Laburiste britanike, i thashë. Po ju kush jeni?

Emri im është Beatrice dhe jam nga Hollanda.

- Me çfarë merresh e pyeta?

Jam mbretëreshë!



Tony Blair në një intervistë me me “Ëoman’s Journal” rrëfen një prej gafave të tij.

Ronald Reagan, ish-president i SHBA

- “Të dashur amerikanë. Jam i gëzuar t’ju them sot se kam firmosur legjislacionin që do e nxjerrë jashtë loje Rusinë përgjithmonë. Do të fillojmë bombardimet për pesë minuta”, presidenti Regan përpara se të mbante një fjalim në radio në vitin 1984, kur i kërkuan që të thoshte diçka për të bërë provën e zërit. Ai nuk e dinte se mikrofoni ishte i ndezur kur filloi të bënte shaka duke shkaktuar një prej momenteve më të tensionuara të Luftës së Ftohtë.

Prince Charles dhe dorështrëngimi me Mugabe-në

Në varrimin e Papës, Prince Charles bëri një gafë diplomatike duke i shtrënguar dorën, diktatorit më të madh të Afrikës, presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabe. Princi u sulmua politikisht, për një gjest të tillë, që u quajt budallallëk dhe jo sensibël, por ai dha sqarime duke treguar se ishte kapur në surprizë kur z. Mugabe e kishte përshëndetur duke i zgjatur dorën. Këtë gafë, e kishte bërë edhe një vit më parë, sekretari i jashtëm britanik Jack Straë. Ai u mbrojt duke thënë se mosmarrëveshjet e mëdha mes shtetesh, nuk e justifikojnë të qenurit “të pasjellshëm”

George Papandreou, lideri i Pasok-ut

Gafë nga qeveria greke është quajtur edhe deklarata e bujshme e liderit të PASOK-ut, George Papandreou i cili gjatë kohës së protestave të studentëve në Francë u drejtohet të rinjve grekë: “Bëhuni rebelë me një qëllim”. Po vetë lideri I PASOK-ut, u ishte drejtuar të rinjve në fushatën e vitit 2004, duke ju thënë se duhet të punonin pa sigurime. Nga kundërshtarët e tij politikë, kjo u quajt “harresa” e Papandre-ut, dhe u përdor për të “demaskuar” politikën e tij.

Jacque Chirac, ish-presidenti i Francës

“E vetmja gjë me të cilën Britania ka kontribuar në agrikulturën evropiane është “lopa e çmendur” tha në vitin 2005, presidenti francez Jacques Chirac. Ai bëri disa komente jo politike në lidhje me ushqimin anglez. Por kjo nuk ishte e vetmja gafë që presidenti francez e lidhi me Britaninë. Një tjetër koment bëri bujë në media. “Nuk mund t’u besosh njerëzve që gatuajnë aq keq sa ata (britanikët)....pas Finlandës, Britania mban vendin e dytë si vendi me ushqimin më të keq”.

Vladimir Putin, President i Rusisë


“Çfarë burri i fuqishëm paska qenë! Përdhunoi 10 gra. Kurrë s’e kisha pritur këtë nga ai. Na çuditi të gjithëve. E kemi zili” Kjo është gafa më e madhe e presidentit rus, Vladimir Putin. Kështu cilësohet komenti i tij për burrërinë e presidentit izraelian Moshe Katsav, i cili u akuzua se kishte përdhunuar 10 gra të stafit të tij. Komenti i Putin, u bë në fund të një konference për shtyp të mbajtur me kryeministrin e Izraelit Ehud Olmert në Moskë. Shpjegimi që dha zëdhënësi i tij, ishte se ajo ishte një shaka dhe se përkthimi rusishtja ishte një gjuhë e komplikuar dhe se mund të jenë keqinterpretuar fjalët.

Gerhard Schroder, ish-kancelari i Gjermanisë

Pas një debati të nxehtë mes Rusisë dhe Estonisë në maj të këtij viti, për zhvendosjen e një memoriali të epokës sovjetike nga qendra e kryeqytetit estonian, Tallinn, në një varrezë ushtarake, Schroder mbrojti reagimin e Kremlinit. Ai theksoi se Estonia ka kundërshtuar “çdo formë të sjelljes qytetare”. Rrjedhimisht, qeveria estoniane e anuloi vizitën e planifikuar të ish-kancelarit gjerman, Schroder, në funksionin e tij si kryetar i projektit ruso-gjerman, për tubacionet gazsjellëse.

tiranaobserver