
Postuar më parë nga
Brari
Meriba Kondi, gruaja poliçanase në krye të revoltës së parë kundër PD
18 May 2007
Nga Halit Tafa
- Meriba Kondi, gruaja poliçanase, që fati ia solli të ishte në krye të revoltës së parë kundër Qeverisë Demokratike, i kujton ato ditë të tensionuara me nostalgji dhe ndihet krenare për gjithçka ka bërë për qytetin e saj. Ajo tani është shumë më e moshuar, duket se është bërë një tjetër njeri, ka dalë në pension të parakohshëm prej disa vjetësh dhe merret vetëm me punët e shtëpisë. Shkon rrallë në ambientet e Kombinatit sepse edhe daljet e shpeshta në rrugët e pakta të qytetit i janë bërë të mërzitshme dhe duket se nuk do t’ia dijë më për politikën e ditës.Deri në vitin 1999 Meriba Kondi ishte një nga 250 punëtorët e Uzinës, të quajtur “Punëtorë të Gatishmërisë”, të cilët paguheshin me 80 % të pagës mesatare, pa shkelur asnjë ditë në territorin e Kombinatit. Ndonëse provoi burgun, dhunën fizike dhe poshtërimin, tregon se nuk është penduar për asnjë çast dhe se nuk i vjen keq për asgjë. Meriba Kondi është e gatshme të flasë për gjithçka ka ndodhur në ato tre ditë revoltës mbarë poliçanase, kur ajo iu bashkua protestës së 6000 punonjësve të Kombinatit të Municioneve dhe pa dashur u vu në krye të tyre, u bë protagonistja e saj dhe mbeti në historinë e shkurtër të këtij qytetit ushtarak si gruaja e parë që udhëhoqi qytetin në luftë kundër Qeverisë së parë Demokratike.
Thuhet se ju keni qenë në krye të protestave?
Po. Kam qenë dhe i kam udhëhequr ato me dinjitet. Por,vetëm për tre ditë. Unë udhëhoqa protestën e banorëve të Poliçanit, që vet ma besuan këtë detyrë të vështirë dhe jam krenare për këtë. Siç e dini, kur protestat e punëtorëve të Kombinatit Siderurgjik arritën kulmin punëtorëve protestues iu bashkua i tërë qyteti. Për të frenuar egërsinë e shtetit të Berishës, u vendos që në krye të protestave të viheshin gratë, pasi ato atëherë përbënin gati gjysmën e punëtorëve të Kombinatit. Këshilli i grevës vendosi që unë të isha në krye të protestave dhe çdo veprim të bëhej vetëm me urdhrin tim. Kisha përgjegjësinë për çdo dështim të mundshëm, ndaj dhe u shtrëngova ta kryeja mirë këtë detyrë të vështirë. Ndihesha dy herë e lumtur, por edhe e përgjegjshme sepse ato ditë edhe burrat e qytetit u bindeshin urdhrave të mi dhe më pyesnin për çdo gjë.
Mund të më thoni diçka nga takimi me ministrin Zhulali?
Patjetër. Ato pak minuta nga ky takim, që e ndezi më shumë situatën në Poliçan, më kujtohen fare mirë. Ne nuk prisnim ndonjë përgjigje pozitive nga takimi i sforcuar me ministrin Zhulali, por shkuam tek sheshi përpara godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit për ta dëgjuar për kuriozitet dhe për t’i shtruar kërkesat tona që tani ishin bërë shumë. Në rast se ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, do të premtonte zgjidhje të shpejta të kërkesave tona më emergjente, ne do ta lejonim të ikte me paqe, në rast të kundërt kishim vendosur t’i përgjigjeshim ndryshe.
Kishit vendosur ta mbanit peng?
Sigurisht që kishim vendosur. Por, jo vetëm peng. Gjithçka varej nga reagimi i tij. Pasi t’i bënim gjyqin kishim vendosur t’i vinim flakën ministrit, bashkë me helikopterin jeshil me të cilin, ai erdhi aty. Këtë do ta bënim në emër të të gjithë banorëve të Poliçanit, që Sali Berisha me të Tijët të mësonin se nuk mund të luanin kollaj me ndjenjat dhe aspiratat e këtij qyteti ushtarak, t’u mësonim se ç’ishte në gjendje të bënte Poliçani, kur dinjiteti i tij ishte i kërcënuar. Por, gjuha irrituese e ministrit Zhulali i nguti gratë e Kombinatit dhe plani ynë dështoi. Ne e dinim që shteti i Berishës nuk e kishte të lehtë përdorimin e dhunës fizike mbi gratë dhe mbi fëmijët. Ishim të bindur se po ta përdorte atë, edhe sadopak kjo do t’i irritonte më shumë njerëzit dhe do ta degjeneronte më tej situatën.
Sipas jush, cilat ishin motivet e protestës?
Të them të vërtetën, protesta e punëtorëve të Kombinatit dukej se nga kërkesat që shtronte për zgjidhje kishte karakter ekonomik, por në thelb ajo kishte karakter politik. Në atë kohë askush nuk mund të orientohej në kahun e duhur nga ato ndryshime të shpejta politike, askush nuk mund të pajtohej lehtë me ato lëvizje të padëgjuara politike, ekonomike e sociale, që po ndodhnin në mbarë vendin. Askush nuk ishte dakord me të ashtuquajturat reforma ekonomike e ristrukturuese që mbyllnin mijëra ndërmarrje dhe nxirrnin në rrugë mijëra punëtorë, që për dekada me radhë, jetën e tyre e kishin të lidhur vetëm me shtetin. Por, suporti politik gjeti në kohën e duhur dhe rebelimin e mijëra punëtorëve të Kombinatit, të cilët të irrituar nga reforma e largimeve nga puna në masë, nga mosmarrja e pagës për dy muaj dhe nga tronditja e vendeve të punës në kombinat, i përdori ata në shërbim të qëllimit të saj permanent. Pas ardhjes së drejtorit të ri, të vendosur nga PD-ja, në Kombinat gjithçka nisi të shkonte për keq, që nga kushtet e punës kujdesi për ecurinë e prodhimit dhe perspektivën e tij, etj. Ndaj shkarkimi i drejtorit u bë një nga shkaqet kryesore të protestës dhe kërkesa më urgjente e punëtorëve të Kombinatit.
Sipas jush, përse duhej larguar me doemos drejtori?
Për mua, ai drejtor ishte vendosur kot, pasi nuk e njihte fare atë sektor të ekonomisë. Ishte ekonomist i lartë, por i paaftë për të drejtuar atë Kombinat ushtarak gjigand. Mund të them pa frikë se ai ishte një militant anadollak, që nuk e njihte fare Poliçanin. Që kur PD-ja e solli për drejtor të Kombinatit atë njeri në Poliçan ajo u bë një forcë politike që urrehej nga të gjithë deri në pa kufi. Në Poliçan kishte shumë intelektualë e specialistë të mirëfilltë, edhe nga ata që ishin shfaqur hapur në mbështetje të PD-së, që mund të viheshin në krye të Kombinatit dhe ta drejtonin atë me sukses.
Cilat kërkesa të punëtorëve u arritën nga protesta?
Asgjë. Vetëm dhunë e terror politik mbi një qytet të tërë dhe për ditë të tëra me radhë. Gjithçka shkoi edhe më keq. 2800 punëtorët e larguar nga puna para nisjes së protestave, nuk u kthyen më, u shkurtuan edhe 150 punëtorë të Gatishmërisë, shumë reparte të kombinatit dolën jashtë funksionit dhe punëtorët paguheshin me të famshmin “tetëdhjetë përqindësh”,vetëm pagat e prapambetura erdhën me urgjencë brenda 3-4 ditëve, ndërsa drejtori u shkarkua rreth një muaj pas protestave dhe jo për shkakun e tyre. Protestat e punëtorëve të Poliçanit kanë vazhduar edhe më pas, por asgjë në favor të punëtorëve nuk kanë zgjidhur. Dalëngadalë Kombinati shkoi drejt mbylljes totale për shkak të papërgjegjshmërisë që kanë treguar të gjitha qeveritë pluraliste dhe përpara syve të të gjithave.
Po, cilat qenë pasojat tuaja pas lirimit të pengjeve?
Grevistët qenë të vendosur që të mos lëshonin pe, përball dhunës dhe indiferencës së qeverisë. Por, në ato vite pushteti i Berishës të vriste natën dhe të qante ditën. Ditën premtohej se diçka do të bëhej për të zgjidhur kërkesat e punëtorëve të Poliçanit, ndërsa natën në qytet bëheshin reprezalje, arrestoheshin pa u ndjerë protagonistë të Grevës me qëllim përçarjen e grevistëve dhe shuarjen e revoltës anti PD. Mbaj mend se gjatë tre netëve të protestës u arrestuan 6 vetë. Pas protestës, policë dhe shikas kishin ardhur për dy net me radhë, që të më arrestonin, po unë nuk rrija në shtëpinë time. Ditën e tretë, pas lirimit të pengjeve,u detyrova të shkojë vetë në polici. Le të bënin me mua ç’të donin, fundja unë e kisha bërë detyrën time si banore e denjë e Poliçanit dhe për këtë nuk isha penduar aspak. Por, s’kishin pse të shqetësoheshin në çdo orë të ditës dhe të natës nga kontrollet e policisë civile, familjarët e mi.
Dhe për çfarë iu akuzuan?
Akuzat ishin të rënda dhe absurde: “Marrje pengjesh”, “Organizim të protestave të paligjshme”dhe “Dhunë fizike kundër shtetit dhe përfaqësuesve të tij”. Më mbajtën deri në të errur në postën e policisë të Poliçanit,pa më bezdisur fare dhe natën më dërguan në burgun e Beratit. Me këto akuza ishim arrestuar 8 vetë, mes të cilëve, ne dy gratë, Sandra dhe unë. Hetues dhe prokurorë ushtarakë në birucat e policisë së Beratit na trajtonin si kafshë, na shanin dhe na fyenin me fjalët që s’mund t’i them dot. Të gjithë u dënuam nga gjyqi ushtarak, me nga dy deri në tetë muaj burg.
Poliçani vakëf I të gjitha qeverive shqiptare.
Poliçani, për nga pozicioni gjeografik, duket si një “qytet Kavie”, por që banorët e tij e kanë quajtur atë një vakëf të të gjitha qeverive shqiptare. Shumë njerëz në Poliçan thonë se Kombinati Siderurgjik ka qenë për ta një e keqe e mirë, ku kanë përfituar të gjithë. Kanë përfituar në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme shumë ish-drejtues, nëpunës dhe punëtorë të thjeshtë të Kombinatit, por që është fare pak në krahasim me ato ç’kanë shteti dhe shtetarët shqiptar, veçanërisht ata që kanë drejtuar Kombinatin pas vitit 1990. Poliçanasit thonë se të gjithë ata që kanë qenë drejtorë të këtij gjigandi ushtarak, qoftë edhe për pak muaj, sot janë shndërruar në bosa të mëdhenj, me vila luksoze dhe biznese në Tiranë, Durrës,Vlorë e gjetkë. Një nga të paktit nëpunës veteranë, që ka vendosur të jetojë në Poliçan deri në vdekje, tregon se pas vitit ’90 Poliçani u shndërrua në një vakëf, ku me ligj dhe pa ligj, hapur dhe fshehurazi, kanë përfituar të gjithë. Kanë përfituar Qeveritë dhe qeveritarët, ish-drejtorë e administratorë të lidhur me ta, hajdutë ordinerë dhe shefa të vegjël të fshehur pas tyre, cilido që ka pasur fatin të futet në brendësi të Kombinatit apo të firmosë në borderotë e tij. Më thoni ku ndodhen tani ish-drejtorët e famshëm të Kombinatit Siderurgjik? Të gjithë u bënë bosa dhe zunë Tiranën...Disa prej tyre u pasuruan duke ngrënë si miu, duke vjedhur me xhepa kapsolla e fishekë e duke i shitur ato në vendet fqinje, shumë të tjerë kanë rrufitur njëherësh miliona nga pasuria e “të gjithëve dhe e askujt”. Të tjerë kanë fituar “në rrugë të ndershme”, duke u dhënë tenderë privatëve të mistershëm e mafiozë dhe duke marrë miliona lekë bakshishe...Unë mund të them se Poliçani ka mbajtur gjallë arkën e shtetit shqiptar për disa dekada. Llogarisni vetëm gjashtë kamionë IFA me fishekë, që iu shitën një privati grek dhe u fituan 600 mijë USD, me të cilat u paguan për më se një vit 3200 punëtorët e Kombinatit. Po ku shkuan ato 280 milionë USD, që vlenin sipas inventarit të vitit 2000, makinat, makineritë dhe pajisjet e Kombinati Siderurgjik? Kush hyri në të nuk doli pa gjë. Makineri, pajisje, reparte dhe impiante të tëra, që mund të riviheshin në punë për prodhime civile, u shkatërruan. Tonelata të tëra me lëndë të parë, tunxh, bakër dhe argjend u vodhën deri dhe në mes të ditës dhe askujt s’i hyri gjemb në këmbë. Këto që po them i kanë parë me sy dhe i dinë të gjithë, por askush s’ka guxuar t’u thotë ndal sepse janë të gjithë të molepsur në këtë grykësi. Nëse do të vazhdohet kështu, shpejt do të themi të gjithë “këtu na ishte një herë ...”Ky gjigand i industrisë ushtarake, që do ta kishin zili shumë shtete perëndimore, si Franca,Gjermania, Suedia, etj po shkon drejt shkrirjes pa kthim”. Ish-nëpunësi i vjetër i Kombinatit tregon se pas vitit 1984 Kombinati ishte shndërruar në një lubi, ku prodhoheshin armë e municione për ushtrinë shqiptare, por edhe për tregti, por askush në Poliçan nuk dinte se ku shkonin prodhimet e tij. Para vitit 1990, thuhej nën zë se shumë nga këto prodhime iu shiteshin grupeve marksiste –leniniste në botë, por edhe organizatave terroriste në Itali. Por, kishte edhe shtete që i blinin ato në këmbim të investimeve të tyre apo me para në dorë. Ndërsa pas ‘90 flitej për trafiqe armësh e municionesh me Turqinë, Kinën, Gjermaninë, Maqedoninë, Slloveninë, Suedinë, Serbinë e deri dhe me ish-diktatorin irakian, Sadam Hysein. Në Poliçan e dinë të gjithë se tunxhi i ardhur nga Serbia shlyhej vetëm me fishekë...sepse pas ’90 Poliçani i hapi dyert. Këto porta prej hekuri, që tani ngjajnë me relike të kohëve të shkuara, po të kishin gojë do të tregonin gjithçka, do të tregonin se sa tregtarë e misionarë të huaj e vendas, civilë e ushtarakë, kanë hyrë e kanë dalë prej aty. Kjo portë tani e mbetur një karakatinë, e di mirë se sa ngarkesa të ligjshme dhe të paligjshme kanë dalë prej aty.
Takimi i Zhulalit dhe plani për ta marrë peng
Banorët e Poliçanit tregojnë se edhe pas triumfit me Forcat Speciale të ardhura nga Tirana, Fieri e Berati, ku mbetën të plagosur mbi 50 vetë nga të dyja palët, qyteti nuk u qetësua. Përkundrazi, 12.800 banorët e tij kaluan në gatishmëri NR 1. Ish-anëtari i Byrosë Teknike të Kombinatit, K. Hoxha tregon: “Gjatë natës turmat zbritën disa herë në rrugë e në shesh, pas thirrjeve të frikshme dhe anonime. ‘Po na arrestojnë shokët tanë!’ Në mëngjes njerëzit iu besuan thirrjeve të errësirës sepse me të vërtetë policia kishte arrestuar edhe dy-tre të tjerë nga ata që quheshin organizatorë të grevës anti PD. Rreth orës 09:00 të asaj dite, një helikopter me ngjyrën blu, bëri dy xhiro mbi qytet dhe pastaj zbriti në sheshin përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit. 3200 punëtorët e mbetur ishin njoftuar të shkonin në punë se me ta do të takohej ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali. Drejtuesit e Kombinatit nuk lejuan të hynin brenda portës së tij asnjë nga punëtorët e larguar për reformë. Sipas krerëve të Kombinatit, ministri Zhulali ishte njohur me kërkesat e punëtorëve dhe kishte premtuar zgjidhjen e një pjese të tyre. Ishte thënë se këto kërkesa ishin thjesht ekonomike dhe se zgjidhja do të niste nga ato që ishin më emergjente. Por, kërkesat e punëtorëve grevistë tani ishin të tjera. Helikopteri blu ishte ndaluar në anë të sheshit përpara Drejtorisë së Përgjithshme dhe mbahej i ndezur me gjysmë gazi. Ministri Zhulali, i shoqëruar nga Eduard Selami dhe Blerim Çela, kishin hipur mbi tribunën e improvizuar, në hyrjen kryesore të zyrave të administratës. Zhulali nisi të flasë me megafon, me tone të qetë dhe duke premtuar zgjidhjen e shpejtë të disa kërkesave ekonomike, por jo për kthimin në punë të 2800 punëtorëve të larguar rreth një muaj më përpara për reformë. Por, grevistët ngulën këmbë që brenda ditës së nesërme, ai dhe qeveria e tij të zgjidhnin tre kërkesat më urgjente: largimin e drejtorit Njazi Spahiu, dhënien e pagave të prapambetura dhe lirimin e të arrestuarve nga policia si protagonistë të protestave. Pa pritur përgjigjen e ministrit, nga turma nisin drejt tij gurët, domatet, kastravecët, copat e bukës e gjithçka u gjend në duart e punëtorëve për momentin. U bë një ilaritet i madh dhe një rrëmujë e turpshme, ku për herë të parë përcilleshin në atë mënyrë politikanë të lartë. Por, Zhulali dhe të tjerët që e shoqëronin shpëtuan paq. Në atë moment qyteti ishte i tëri i rrethuar nga Forcat Speciale dhe nga policë të komisariatit të Beratit. Askush nuk mund të hynte e të dilte nga Poliçani atë ditë, që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Për të ndjekur nga afër situatën, bashkë me Forcat Speciale në hyrje të Poliçanit, kishte ardhur edhe ministri i Brendshëm, Agron Musaraj, i shoqëruar nga disa nga vartësit e tij kryesor në Tiranë. Ndërsa të tjerë shefa të tij të besuar, krerë të PD-së në Berat, kishin zënë vend në godinën e komisariatit të Beratit për të marrë në radio të dhëna për çka po ndodhte në Poliçan dhe për t’i përcjellë ato drejt Tiranës. Të gjithë ishin mbledhur në godinën njëkatëshe, ku ndodhej zyra e informacionit dhe përcillnit të dhëna rreth ngjarjes me një frymë, ku në anën tjetër të telefonit ishte vet Sali Berisha. Ishte siguruar një situatë e frikshme dhe e tensionuar, jo vetëm në Poliçan, por edhe në Berat e Tiranë. Kishte edhe thashetheme që qarkullonin nën zë për vrasjen e ministrit Zhulali në Poliçan apo për pengmarrje. Por...Zhulali dhe të tjerët, Eduard Selami dhe Blerim Çela, të ndihmuar nga bodiguardët e tyre të fuqishëm, mundën të largohen.”Ndërsa F.Ziu tregon, se gratë kishin vendosur t’i mbanin peng. Por, ca për tonet e zbutura të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ca për nxitimin e turmës, plani i grave dështoi. Ato kishin vendosur që vetëm Zhulalin të mbanin peng deri në zgjidhjen e kërkesave ultimative të grave greviste dhe në rast të kundërt do t’i vinin flakën bashkë me helikopterin blu që e solli aty. Ndërsa me dy politikanët e tjerë të PD-së nuk kishin punë. Por, Ministri Zhulali duket se e parandjeu rrezikun dhe u largua duke ecur me vrap deri tek helikopteri blu që u ngrit në ajër shpejt.”
Pengmarrja apo tentativa për ta marrë peng ish-ministrin e Mbrojtjes të PD-së, u mbajt fshehur për shumë kohë nga Radiotelevizioni Shqiptar dhe nga disa gazeta opozitare që botoheshin atëherë. Por, me gjithë këtë qeveria e ndjeu tronditjen që po vinte nga një qytet shtet si Poliçani, që deri atëherë nuk ishte përfillur për qëndrime antipluraliste në vend. Por, veçanërisht Berati atë ditë jetonte nën frikë e tmerr. Në Berat flitej se po bëhej nami në Poliçan se banorët e tij ishin armatosur me të gjitha llojet e armëve për t’u mbrojtur nga sulmet e qeverisë. Asnjë i huaj nuk mund të futej në Poliçan, pasi hyrjet e daljet e qytetit ishin zënë nga postblloqe masive të policisë që merrnin nën kontroll të rreptë çdo automjet që merrte atë rrugë. Ndërsa në Poliçan mbretëronte vetëm ushtria e civilëve të armatosur, që mbanin nën kontroll qytetin non-stop 24 orë. Ndërsa një nga krerët e PD-së së Beratit, të asaj kohe tregon se për të siguruar takimin e ministrit Safet Zhulali me grevistët e Poliçanit, në afërsi të këtij qyteti ishin dislokuar mbi 500 forca speciale dhe policë të komisariatit të Beratit dhe të ardhur nga Lushnja e Fieri, të cilët kishin marrë urdhër të sulmonin qytetin, në rast të ndonjë pengmarrjeje të mundshme. Operacioni i 500 forcave të policisë shqiptare do të drejtohej nga vet ministri i Brendshëm i asaj kohe, Agron Musaraj dhe disa gjeneralë të kësaj ministrie, që ndodheshin bashkë me ta, që nga mbrëmja e një dite më parë. Ndërsa lidhja telefonike me Tiranën zyrtare dhe direkt me Sali Berishën bëhej shefa të ardhur nga Tirana në policinë e Beratit. Megjithatë, frika e ndonjë shpërthimi të mundshëm në Poliçan, siç kishin kërcënuar punëtorët grevistë pak ditë më parë, kishte mbërritur prej kohësh edhe në Berat. Thuhej se atje kishte lëndë eksplozive të atilla, që efektet e shpërthimit mund t’i çonin deri në disa dhjetëra kilometra larg. Nga ana tjetër televizioni shqiptar atë natë dha vetëm një kronikë të thatë, për çka kishte ndodhur në Poliçan.
gazeta sot
Krijoni Kontakt